SHERADIN BERISHA: MISTERI I VRASJES SË ILIR KONUSHEVCIT – MËRGIMIT MË 9 MAJ 1998 (LETRA E ILIR KONUSHEVCIT)

Pashtriku.org, 8. 6. 2016: “Ilir Halit Konushevci (20 qershor 1969 – 9 maj 1998) i njohur me pseudonimi “Mërgimi” ishte furnizuesi kryesor i njësiteve ushtarake të UÒªK në Kosovë. Konushevci ishte lidhja më e fortë e Haklajve për kalimin e arsenalit luftarak matanë kufirit. Vrasja e tij dhe e mjekut Hazir Mala, ndodhi më 9 maj 1998, pranë fshatit të vogël Miliskajë, në aksin rrugor Qafë Mali-Bajram Curri.” – kështu thuhej në dokumenatrin “Dosja Tropoja”, i përgatitur ne emisionin investigativ ”Xhungël” nga gazetari Artan Hoxha.
“Mbrëmjen e 8 majit 1998 Ilir Konushevci, miku i tij, mjeku tropojan Hazir Mala dhe një pjestar i UÇK-së që shërbente si shofer, ishin nisur me një kamion me armë në drejtim të Bajram Currit. Për të shmangur ekspozimin dhe kontrollet e policisë ata janë nisur sapo ka rënë nata dhe zgjodhën rrugën e vështirë të Qafë Malit. Rreth orës 02.00 pas mesnate, kamioni ka ndeshur në një pengesë që u kishte bllokuar rrugën sapo kalon fshatin Miliskajë. Një grup personash të armatosur ka qëlluar drejt kamionit, nga një shkëmb i thepisur anës rrugës, duke plagosur shoferin e kamionit dhe kosovarin Ilir Konushevci.
Si rezultat i zjarrit të hapur nga Konushevci është plagosur rëndë dhe më pas ka gjetur vdekjen një nga autorët e pritës, i cili më pas rezultoi se ishte nga Tropoja. Shoferi i kamionit është tërhequr duke hapur zjarr në një pozicion më të sigurt dhe ka mundur ti mbijetojë pritës.

Ndërsa mjeku 60-vjeçar Hazir Mala ka hedhur mbi shpinë Konushevcin e plagosur dhe është nisur drejt fshatit më të afërt për të kërkuar ndihmë. Mjeku Mala ka ecur për më shumë se një orë me Konushevcin e plagosur mbi shpinë, deri sa ka ndeshur serish në autorët e pritës. Këtë radhë sulmi ndaj tyre ka qenë vdekjeprurës dhe trupat u janë bërë shoshë nga plumbat.
Vrasësit janë mundur të fshehin gjurmët, duke i hedhur trupat e masakruar të dy dëshmorëve të UÇK-së poshtë një ure, dhe mëpas i mbuluan me gurë.
Mediat shqiptare të kohës raportojnë se Fatmir Haklaj është njoftuar për vrasjen dhe ka shkuar në vendngjarje. Të vrarë ishin miku i familjes Ilir Konushevci, dhe mjeku Hazir Mala, babai i shoferit të tij, Arjan Mala.
Sipas këtyre raportimeve, kur merr vesh se në Bajram Curri po atë natë ka patur një tjetër të vrarë(Agim Demiri), atëherëFatmir Haklaj bën lidhjen mes viktimës dhe pritës së Miliskajës.
Për Fatmir Haklajn, sipas medieve shqiptare, nuk kishte më dyshim se Demiri kishte qenë autor i pritës së Miliskajës, dhe për këtë shkak u hakmor aty për aty, duke i vrarë dhe të vëllain, Bislim Demirin, në qytetin e Bajram Currit. Vrasja e dy dëshmorëve të UÇK-së, Konushevcit dhe Malës, vazhdon të jetë e pazbuluar nga organet e drejtësisë.
Kush ishte vënë në dijeni për lëvizjen e kamionit me armë drejtë Tropojës atë natë? Kë kishte takuar Mërgimi në kryeqytet përpara se të nisej drejt Bajram Currit?…etj.etj. Edhe pas 18 vjetësh ngjarja e Miliskajës mbetet e mbuluar me mister!
***
Ilir Konushevci – Mërgimi, më 18 nëntor 1997, ka shkruar një letër për shokët e idealit në mërgim. Në vijim lexoni letrën e tij:
LETRA E ILIR KONUSHEVCIT – MËRGIMIT
Më 18.XI.1997

Pranojnë: Shokët e idealit në diasporë
Në vend të përshëndetjes, dy fjalë për shokët e mi të ngushtë, Zahir Pajazitin dhe Adrian Krasniqin.
Për të folur për këta dy burra automatikisht flet për një pjesë të madhe të Lëvizjes Revolucionare ose të UÇK.
Unë jam shumë me fat që kam pasur rastin që të rri dhe të punoj me ta.
Zahiri ishte një trim i madh dhe shumë i rrallë, atentator i shkëlqyer që nuk i trembej syri nga asgjë. Me punën e tij, unë mendoj që i vuri themelet UÇK-së. Ai i ngjalli ndjenja popullit në Kosovë dhe në diasporë. Ngriti moralin të gjithë njerëzve, të cilët nuk përkulen para armikut. Ndërsa atyre që përulen i futi tmerrin në palcë.
Adriani arriti që me angazhimin e tij të masivizojë në mënyrë indirekte UÇK-në. Puna e Adrianit është ajo, e cila nuk i shkoi shumë kujt për dore. Ai nuk u kënaq vetëm me këtë punë të shenjtë që bënte, të cilën e vlerësojnë të gjithë shokët, por donte që vetë të merrte pjesë në aksione konkrete, ku edhe dha jetën heroikisht.
Deshëm apo s’deshëm, po bëmë një analizë të punës së Zahirit dhe të Adrianit del se këta i vunë themelet e aktivitetit të UÇK-së, prandaj ne na mbetet që të vazhdojmë veprën e tyre deri në çlirimin definitiv.
***
Po e shkruaj këtë letër, vellezër, duke analizuar disa nga ato gjëra, të cilat i kam vu re, me të vetmin qëllim që, së bashku, të angazhohemi në drejtim të lëvizjes e jo të ngecjes së luftës kundër armikut.
Unë gjendem në Shqipëri që nga shkurti i këtij viti (1997 – sh.b). Nga këto nëntë muaj, 2.5 muaj i kam kaluar në Kosovë, prandaj mendoj se i njof në një masë rrethanat në Kosovë, në Shqipëri e shumë pak në diasporë.
Prandaj ndjej obligim moral që të ju njoftoj që të ballafaqoheni edhe ju me disa probleme dhe ngecje, të cilat mendoj se do të ndihmojnë në tejkalimin e situatës.
Unë do të përqëndrohem në disa pyetje, të cilave do t’i përgjigjem unë, sipas mendimit tim, kurse juve ju mbetet t’i shqyrtoni, ashtu si është më së miri.
a) Si bëhet organzimi i luftës guerile në Kosovë, dhe a mund të jemi më të organizuar në këtë luftë?
b) Si bëhet financimi i luftës Guerile në Kosovë?
c) A janë të përfshira të gjitha territoret e okupuara nga njësitë tona guerile?
d) A ka një njeri apo grup njerëzish, të cilëve u binden të gjithë ushtarët apo udhëheqësit e njësiteve?
Mendimi im është, po qe se arrijmë t’i zgjidhim këto probleme, atëherë do të kishim një ushtri të mirëfilltë dhe profesionale, e cila do të arsyetonte afirmimin, i cili është arritur edhe me punën tuaj në diasporë.
***
a) Si bëhet organizimi i luftës guerile në Kosovë dhe a mund të jemi më të organizuar në këtë luftë?
Përgjigja është fare e shkurtë – organizimi bëhet në nivel të Kosovës në mënyrë kaotike dhe jo profesionale.
Nuk dua të futem në hollësira për të argumentuar këtë (po qe se është nevoja kam shumë argumente), por do të ndalem në atë se çfarë duhet të bëjmë.
Për një të ardhme të afërt mendoj se duhet të jepni vërejtje dhe sugjerime.
Për një të ardhme të largët, apo sa më parë, të gjejmë një njeri ose një grup njerëzish, të cilët e njohin artin e luftës guerile dhe të luftës në përgjithësi.
Vetëm atëherë mendoj se do të kemi një ushtri profesionale, e cila do të vepronte me përpikmëri në momentet dhe në vendet më të duhura.
b) Si bëhet financimi i luftës guerile në Kosovë?
Financimi i kësaj lufte në Kosovë bëhet jo mirë, gjithnjë e ceku sipas mendimit tim. Unë u kam tërhequr vërejtjen shokëve në Kosovë, që kanë pasur kontakt me mua, për këto vendime të cilat i kishin marrë gabimisht, p.sh.
– stimulimi i ushtarëve për çdo aksion 500 dm,
– mjete tjera nuk u jepen njësive pa kryer aksion,
– ndarja e mjeteve anëtarëve të familjeve të ushtarëve të vdekur çdo gjashtë muaj.
Unë mendoj se financimi, ose ma mirë të thuhet, ndihma financiare që duhet t’u jepet njësive guerile ose ushtrisë nëpër rrethe duhet të jetë kështu:
***
Çdo rrethi, ose ‘fshati të çliruar’, p.sh Prekazi, etj., duhet të ketë shumën fillestare, pastaj të vlejë edhe kriteri se kush angazhohet më tepër në ‘punë’.
Unë, në rrethin ku veproj, e kam cekur këtë dhe kam gjetur mirëkuptim, kurse në nivel të Kosovës jo.
Në rrethin ku kam vepruar dhe veproj herë pas here kemi arritur në një organizim në një masë të mirë. Në mbledhjen e fundit të saj (ekzistojnë disa përsona udhëheqës ose shtabe lokalë) u morën dy vendime:
1.Financimi i këtij rrethi të bëhet në mënyrë direkte nga diaspora.
2.Që të emërohet në Shtabin Qendror një anëtar nga ky rreth pas vdekjes së Zahir Pajazitit.
Ne jemi mirënjohës ju shokëve që vendimin tonë të parë po e zbatoni, dhe sugjeroj që ky vendim të zbatohet për deri sa të konstatojmë se Shtabi ka kaluar në një shkallë më të lartë të organizimit.
Sa i përket pikës së dytë, unë e di shumë mirë që nuk janë të përfshira në shtab shumë rrethe, p.sh. Llapi, Deçani, Gjakova, Ferizaj etj.
Nuk dua të flas për rrethe të tjera, por rrethi i Llapit ka afruar anëtarin e saj, (siç shihet në pikën e dytë), dhe për habi, refuzimi është bërë për 1 (një) minutë, (pa u konsultuar refuzuesi me askënd). Prapë nuk do të futem në hollësira.
A janë të përfshira të gjitha territoret e okupuara nga njësitë tona guerile?
Me keqardhje konstatoj se nuk janë të përfshira një pjesë e madhe e territoreve të Kosovës. Afërsisht rreth 40 % e teritoreve nuk janë të përfshira, p.sh, Mitrovica, Gjilani, Prizreni, Kamenica… si dhe shumë pjesë, pjesë të rretheve të ndryshme.
***
Mendoj se puna më e madhe e anëtarëve të Shtabit Qendror duhet të ishte në masovizimin dhe shtrirjen në gjithë teritorin e Kosovës, Kosovës Lindore dhe në Maqedoni, pastaj, në futjen e anëtarëve të rinj në Shtabin Qendror, (e jo si deri më tash që është një rreth i ngushtë dhe i vetkënaqur) e, jo si ndodhi kohët e fundit që angazhimi i disa anëtarëve të Shtabit të Kosovës të shtrihet në Shqipëri, ku, pothuajse çdo gjë ka funksionuar për mrekulli dhe që janë arritur rezultate, të cilat i kanë çmuar të gjithë shokët në Kosovë.
Për pikën d) mendoj se ekziston përgjigjja në pikën a).
Duke cekur edhe një herë qëllimin e kësaj letre, ju tregoj se punët në Shqipëri deri më sot kanë vajtur shumë mirë, me disa lëshime të disa personave.
Por besoj se shpejt do t’i mënjanojmë këto lëshime, (kushtimisht themë lëshime, sepse mund të ketë edhe gabime, por secili duhet të përgjigjet për punën që bën. Secili duhet të përgjigjet për atë çka bën injorime, a bën shoqëri të ngushta, të cilat, për mendimin tim, janë të dëmshme, sepse pasi kemi një ideal të përbashkët, vetëm ai që e çon punën përpara, duhet përkrahë.
Dhe, si përfundim, kjo është një Letër vërejtje (kam edhe shumë lavdata për ushtarët tanë, por mendoj se është shumë herët për ato).
Dëshiroj që UÇK-në askush mos ta marrë si pronë private!
Ju përshëndes nga zemra
Ushtari i UÇK-së, “MËRGIMI” (nënshkrimi)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura