ADNAN ABRASHI: KUR NDONJËHERË MENDOJ ME ZË…!

 (Prizren, 09. 09. 2012) – Strukturën politike qeverisëse dhe në përgjithësi politikabërjen në Kosovë, gjithnjë e kam krahasuar me metaforën e lojës së shahut. Ngjashëm si në këtë lojë, edhe në hapësirën kosovare ekzistojnë: tabela laramane “bardh e zi”(Kosova e decentralizuar dhe shumetnike dhe çdo gjë në të bardh e zi); kompleti i gurëve me të gjitha figurat e nevojshme: të mbretit, mbretëreshës, kuajve, pionëve …etj., ndërsa, politikën në këtë hapësirë dhe me këto figura, e bëjnë kokat tjera jashtë këtij kontesti fizik. Pra, edhe pse dukshëm figurat janë rekuizite kryesore në loje, ato mbeten si sende statike (të vdekura), ndërsa inteligjenca kreative që i venë në lëvizje (që i gjallëron), gjithnjë qëndron jashtë përqendrimit të vëmendjes spektatoriale.
Shkurt e trup, në këtë hapësirë te shtetbërjes kosovare dikush tjetër po luan me ne si figura të shahut dhe këtë lojë të tyre perfide unë e krahasoj kur ndonjëherë edhe ne veprojmë ashtu me fëmijët tanë. Ta zëmë, kur fëmija i vogël loz me diçka të vlefshme, nëse ne nga frika se mos e humb apo dëmton atë send, ne ja marrim menjëherë nga dora atë send, ai do të qajë, çirret dhe bërtet në mënyrë histerike. Por çfarë duhet bërë? Vetëm duhet zëvendësuar me ndonjë lodër tjetër që ka ngjyra laramane dhe ai vetë do ta gjuaj (do ta lë) atë që ka në dorë dhe do ta merr këtë lodër tjetër. Pra vepron në mënyrë të përsosur sistemi i ndërrimit. 
Në kontekst të kësaj strategjie, t’i marrim si shembull bisedimet e fundit të imponuara nga bashkësia ndërkombëtare, të Kosovës me Serbinë. Me sa zhurmë dhe pompozitet propagandohet dhe kalkulohet në medie në lidhje me këto bisedime?! E, më pas, kur të lodhemi nga këto broçkulla, si freskim tjetër me se do të merret vëmendja e jonë e përqendruar, do ta kemi çështjen e respektimit apo mosrespektimit të marrëveshjes trepalëshe: Thaçi – Mustafa – Pacollit; a thua, do të jep apo nuk do të jep dorëheqje presidentja Jahjaga? Më pas, privatizimi i ndërmarrjeve publike… ndonjë aksion simbolik apo protestë e organizuar nga lëvizja Vetëvendosje! kundër këtij privatizimi dhe bisedimeve me Serbinë… Gjersa opinioni ynë i gjerë seriozisht do të merret me këto hamendësime mediatike, nga ana tjetër, nga kokat kryesore të inteligjencës dirigjuese të figurave si në “lojën e shahut”, veç po ngjan diçka tjetër diku në prapavijë: mbase, takimet e fshehta me Serbinë?!

……………………………………..

10 falenderimet e trinomit dhe qeshja e tyre me urdhërin e Zeusit nga Dragodani!

………………………………………………

Por, si duhet ta kuptojmë këtë?!
Sikur tek një individ si subjekt, ashtu edhe tek një kolektivitetit të organizuar si shtet, në mënyrën e prezantimit të tyre para të tjerëve, gjithnjë duhet t’i kërkojmë dy të vërteta: e para është realja (realiteti) – ashtu sikurse jemi në të vërtet; ndërsa, e dyta – kur veprojmë sipas maskës së duhur të kamuflimit imponues – ashtu sikurse pretendojmë se duhet të na shohin të tjerët. Individi këtë e bënë përmes vetëlavdërimit (krekosjes) në çdo takim dhe në çdo shoqëri ku paraqiten, ndërsa, shteti, atë punë e bënë përmes gënjeshtrave si deklarata që zakonisht i plason nëpër konferenca të shtypit, të cilat, më pas si realitete, me anën e medieve të shkruara dhe elektronike, barten tek ne në opinion si qëndrime zyrtare relevante. Nga ana tjetër, derisa ne, në këto raste zakonisht merremi zhurmshëm se çka deklaroi sot “filan – fistek” politikani vendor apo ndërkombëtar, diçka si e vërtetë tjetër, gjithsesi është kryer më përpara pa zhurmë në prapaskenën tonë, apo është në përgatitje të kryhet padukshëm në vijim.
Para se gradualisht ta përfundoja këtë meditim timin me zë, me disa reshta desha të përsias në vazhdim rreth “tragjikomedisë” më të popullarizuar politike vendore të përzgjedhjes së Atifete Jahjaga për kryetare të Kosovës. Pa dyshim një rast eklatant dhe presedan në historinë e shteteve me shtetndërtim të mirëfilltë demokratik në botë, por jo edhe e pakuptueshme dhe e pazakontë për në një “sui generis” shtet sikurse është Kosova. Këtu, aspak nuk dëshiroj ta përsëris retrospektivën e mënyrës së ardhjes së Atifete Jahjagas në pushtet, të cilën pa dyshim tanimë e dimë të gjithë, por, këtë herë desha të merrem me seriozitetin (së paku në dukje) të LDK-së me presionin e saj kohën e fundit që nëse nuk respektohet marrëveshja trepalëshe politike e arritur vitin e kaluar ndërmjet Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Behgjet Pacollit, atëherë ajo do ta bllokoj reformën zgjedhore dhe kushtetuese. Drejtuesit e kësaj partie më të madhe opozitare, si kërcënim për respektimin e kësaj marrëveshjeje, gjegjësisht kushtit për dorëheqjen e Atifete Jahjagas nga ky post, tanimë veç janë larguar nga reformat zgjedhore dhe paralajmërojnë edhe bllokimin e votimit të ndryshimeve kushtetuese për të cilat duhen 2/3 e votave të deputetëve në Parlament. Këtu shihet qartë se LDK-ja, me këtë mashtrim të përjetuar rreth asaj marrëveshjeje fantome, seriozisht është prekur në sedër dhe dinjitet. Sa do të zgjas ky “inat” parimor i LDK-së rreth mbrojtjes së dinjitetit të saj të cenuar, nuk i dihet. Ndoshta ata do të shkojnë deri në fund me këtë presion derisa ta realizojnë në tërësi respektimin e marrëveshjes në fjalë dhe dorëheqjen e presidentes “nga zarfi”, apo, ky presion do të shkoj aq gjatë derisa ambasadorja e re e SHBA-ve, së bashku me kolegët e saj të tjerë ambasador, ta thërrasin si më shpesh Isa Mustafën për kafe të mëngjesit në Dragodan.
Unë si “HEPY END” përmbyllës i kësaj “bllokade” LDK-iste, më tepër besoj se do të ndodh ai opsioni i dytë, e, nëse, për befasinë time të këndshme, ndodh varianti i parë si mundësi, atëherë URIME të sinqerta LDK-së për këtë stoicizëm të paparashikueshëm politikë, ndërsa, presidentes tonë të nderuar, do t’ia dërgoja me këtë rast si dhuratë disa fjali të urta të përzgjedhura popullore: “Gjithmonë diçka që është shumë mirë në jetë, zgjat shkurt”, “Çdo tatëpjete e ka edhe teposhtën e vet”, “Çdo gjë s’është për të gjithë”, “Sot në fron, nesër në baltë”…
Zoti më ruajt nga këto mendime të këqija….

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura