GJOKË DABAJ: ËSHTË KOHA QË PATRIOTIZMI I SHQIPTARËVET TË MENAXHOHET ME MENÇURI

Durrës, 21. 06. 2016: Nata midis 19 e 20 qershorit 2016 ishte natë deliri për shqiptarët. Armando Sadiku bëri golin. Krejt ekipi ynë, I ORGANIZUAR MIRË (s’po them kot: I ORGANIZUAR MIRË) bëri mrekulli. Dhe nuk mund të harrojmë që, po ky ekip i yni, I ORGANIZUAR MIRË, pak net më parë, për 90 minuta, të gjatë sa 90 ditë e net, e kish bërë të njëjtën mrekulli edhe përballë ekipit francez.
Mijëra tifozë shqiptarë, që po i mbushin shkallët e stadiumevet, duke i mbuluar ata me flamurin “më të bukur në botë”, janë pjesë impozante e kësaj mrekullie.
Sheshet e të gjithë qytetevet të Shqipërisë, nga Prishtina në Vlorë, pas golit të A.Sadikut, gëluan për orë të tëra prej mijëra shqiptarësh, që është bërë traditë të quhen tifozë, por që, në të vërtetë, janë popull, i cili mezi pret t’i shohë atdheun dhe kombin e vet në një ditë më të bukur.
Shqiptarët duan ta shohin kombin e vet të përparuar e të lumturuar. Kjo shihet në të gjithë rastet, kur ka ndonjë ngjarje. Sapo marrim vesh që një muzikant a një këngëtar shqiptar po korr sukses në skenat botërore, na qesh fytyra. Ndjekim me kërshëri çdo lajm të ri lidhur me historinë e me kulturën iliro-arbro-shqiptare, madje pellazgo-iliro-arbro-shqiptare, shohim veshjet tona “që s’i ka kush” dhe krenohemi. Shohim vallet dhe këngët tona tradicionale, ato që ia dalin të ruhen prej bastardimit, dhe kënaqemi pa fund.

Duam të kemi ekonomi të përparuar, e cila ta begatojë jetën tonë, duam që vendi ynë të ketë punë për të gjithë.
Në anë tjetër, na copëtohet shpirti, kur shohim e dëgjojmë lajme të këqinj. Jo më larg, por mbrëmë dy shqiptarë kishin vrarë bashkëshortet e veta, ato bashkëshorte që vetë i kishin zgjedhur për shoqe jete. Një në Korçë e një diku jashtë. Na copëtohet shpirti, por nuk dimë t’i japim kahjen e duhur gjykimit tonë: Cila viktimë është më fajtore, burri vrasës apo gruaja e vrarë?
S’ka natë që nuk zymtohemi prej lajmesh të lemerishëm. Po na vriten djemtë e rinj rrugëvet, po zënë varrin para se ta gëzojnë jetën! Prapë s’po dimë të themi: Kush është më fajtor? Sa fajtorë jemi ne që po mbetemi gjallë dhe sa fajtor është vetë ai që po i shkurtohet jeta?!
Na revoltojnë ryshfetçinjtë, burokratët, nëpunësit e korruptuar, soji i birbovet e i birbeshavet, i kopukëvet dhe i kopukeshavet, që s’njohin as fe, as atdhe, as moral e as mençuri. Mbushur administratat me dembelë e mediokër, me arrogantë e me sundimtarë të paskrupull, me moskryerës të kërkesavet të popullit! Na revoltojnë, por nuk e kemi asnjë INSTITUCION, që të kujdeset, shtëpi për shtëpi e njeri për njeri, për të mos na ndodhur të këtilla anomalira, që, pa mëdyshje, e çojnë popullin në mjerim të pandërprerë.
Atdheu ynë, si mos më keq, është i copëzuar në 6 ngastra, organizëm me gjymtyrë e me pjesë të tjera të trupit, të këputura! Gjuha shqipe po shuhet, në çdo orë e në çdo ditë, në mijëjëra e qindra mijë shqiptarë. Shuhet në Tivar, shuhet në Prevezë, shuhet në Konicë e në Kostur. Pjesë të “tokës së shqipevet” braktisur në kohë luftërash dhe shtërngatash, popullohen me imigrantë prej kombesh që na rrethojnë e që rrinë gati. Populluar me të huaj Manastiri, populluar me të huaj Ohri, tani edhe Shkupi. Është zbrazur shqiptarësh Nokshiqi, tani duan edhe Rugovën. Duan edhe Brezovicën, edhe Graçanicën, edhe Mitrovicën, edhe Grykën e Këlcyrës. Ne ikim, ata vijnë.
Kemi shkuar në Turqi dhe atje po shkrihemi si kripa në ujë. Kemi shkuar së lashti, por shkuam edhe tash së voni, në Greqi. Po shkrihemi edhe atje. Sa mijëra fëmijë lindin shqiptarë, por nuk arrijnë as ta belbëzojnë gjuhën shqipe?!
I shikojmë stadiumet, kuq prej flamujvet tanë, dhe na gufon shpirti. Bëhet një gol në portën e lojtarëvet kundërshtarë dhe kërcejmë përpjetë e bërtasim si kalamajtë, burra e gra 60-vjeçare.
Por, kur kalon një kohë, duhet doemos të arrijmë të gjykojmë me këmbë në tokë. Dhe kur të ulemi e të gjykojmë me këmbë në tokë, është e pamundur të mos e bëjmë këtë pyetje: Ç’duhet bërë që, aspektit tragjik të jetës së kombit tonë, t’i priten tentakulat vdekjesjellëse?!
Ç’duhet bërë që këtë qenie kaq të mrekullueshme që quhet Komb Shqiptar, këtë stoli të botës, të mos e brejnë e copëtojnë lebrat e gangrenat, duke ia grirë e kalbur, tash një pjesë e pak më vonë një tjetër pjesë?!
Duhet ta mbledhin veten burrat e mençur dhe burrneshat e mençura të këtij kombi! Po them: TË MENÇURIT! Rrugë tjetër s’ka! Të mos presin shqiptarët e mençur që kombin t’ua shërojnë e mbrojnë egoistët e mendjemëdhenjtë! Të mos presin që kombit t’i vijë shpëtimi andej nga ai nuk mund t’i vijë, por t’i përvishen vetë punës!
Pikërisht një të këtillë punë po përpiqen ta kryejnë një tufë nismëtarësh, mbledhur rreth një ideje e platforme me emrin PËRKUJDESJA SHQIPTARE. Dy janë shtyllat që e garantojnë suksesin e çfarëdo pune: Njohja me themel e platformës, e projektit, bindja se ai projekt e sjell suksesin dhe KRIJIMI I BAZËS FINANCIARE. Pa bazë financiare asnjë projekt nuk mund të realizohet, rrjedhimisht as Përkujdesja Shqiptare.
Ne u mblodhëm në Prizren dhe e bëmë hapin e parë dhe shpresa jonë është e madhe. Shpirti i kombit shqiptar është sot më i gjallëruar se kurrë. Faqet e fejzbukut dhe, përgjithësisht faqet e rrjetevet socialë, janë plot e përplot me nxitje, thirrje, arsyetime, foto e fotomontazhe, që të gjitha me fokus në çështjen tonë kombëtare dhe me synimin për t’u konsideruar shqiptarët realisht të barabartë me kombet e tjerë. Por, a ka ORGANIZIM? Ka vetëm në shkallë grupimesh, herë të vegjël dhe herë më të mëdhenj, por në asnjë rast, përveç platformës së Përkujdesjes Shqiptare, nuk është gjetur “formula magjike” e bashkimit të krejt kombit shqiptar.
Duke qenë unë autori teorik i PËRKUJDESJES SHQIPTARE, pyetja që po më shoqëron tashmë prej kohësh, është kjo: A do të arrij, unë, bashkë me shokët e mi, që tashmë nuk janë të pakët, të kem rezultatet e De Biazit?! De Biazi ka një ekip prej 15 apo 30 lojëtarësh, ne i kemi vënë detyrë vetes t’ia tregojmë udhën e duhur një “ekipi” prej 15 milionë “lojëtarësh”. Ne po duam të shpëtojmë miliona shqiptarë prej zhbërjes. Ne po duam të mos lejojmë që fëmijëvet dhe nipërvet tanë t’u rindodhin tragjedi si ajo e Qafë Previsë, si ajo e Bihorit, si ajo e Zajazit, si ajo e Margëlliçit, si ajo e Borovës dhe si ajo e Tivarit. Për ta vënë në jetë praktikisht këtë dashje tonën, këtë dëshirë tonën, ne na duhet doemos të krijojmë NJËSITË VENDORE të zbatimit të tij, që i kemi quajtur Fjalëmira të Shqipes, ndërsa për t’i themeluar këto Fjalëmira, A-ja dhe ZH-ja janë MJETET FINANCIARË. De Biazi nuk kish për ta çuar kurrë ekipin tonë në Evropian, pa mbështetjen përkatëse me të holla, me para.
Strategjia, taktika, format e organizimit, të parashtruara në platformën tonë, janë shumë të qarta. Është koha që, të gjithë shqiptarët E MENÇUR, t’i qasen kësaj pune, me gjithë forcën e përkushtimit, duke e shmangur e flakur tej cektësinë mijëvjeçare që na ka karakterizuar. Ne po përgatitemi të rimblidhemi në Prizren më 10 qershor 2017. Bashkëkombësit tanë, burrat E MENÇUR dhe gratë E MENÇURA, nuk duhet të presin atë ditë, ditën e 10 qershorit, por duhet, së pari, duke e lexuar literaturën tonë, prej kohësh të publikuar, ta kuptojnë që kjo nismë është për t’u përkrahur, dhe pastaj t’i bashkohen sa më parë dhe sa më fuqishëm kësaj nisme. Ndryshe, gjithë ky patriotizëm që zien e vlon në gjirin e kombi tonë, po nuk u menaxhua me mençurinë e duhur, do të na shkapërderdhet përsëri, siç na është shkapërderdhur shekuj pas shekujsh. Lumi, që të japë dritë, ka nevojë për diga e për turbina.
Gjokë Dabaj, Durrës – 21 qershor 2016
____________
Në vazhdim lexoni:
GJOKË DABAJ: P L A T F O R M Ë – PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/gjoke%20dabaj%20plaforme%20perkujdesja%20gjithshqiptare.pdf

… dhe librin “Strategjia e shqiptarëvet” në formatin PDF:
GJOKË DABAJ: STRATEGJIA E SHQIPTARËVET
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/strategjiaeshqiptarevet.pdf

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura