Prishtinë, 1. 7. 2016: (I mirë je vetëm kur ke lekë) – Shqiptarët janë të njohur si shtegtarë të zorit sepse lëvizin jashtë vendit vetëm kur detyrohen. Së paku kështu ka ndodhur më parë kurse tani gjërat kanë ndryshuar; ka edhe të tillë që lëvizin si turistë , për qejf pra ! Fillimisht janë shquar për punën që e kanë bërë dhe kryesisht i kanë bërë punët më të rënda të cilat i kanë refuzuar të tjerët. Kursimet e tyre nuk i kanë përdorur për mirëqenien e tyre por për t’u ndihmuar familjeve të tyre që kanë jetuar në kushte skajshmërisht të rënda. Kontributi i diasporës ka ndikuar në ngritjen e cilësisë së të jetuarit për familjarët e tyre, shkollimin e tyre sikur edhe emancipimin njerëzor, kombëtar dhe kulturor. Shqiptarët janë identifikuar si punëtorë të zellshëm, kursimtarë si dhe për ndershmërinë e tyre shkaku se çdo gjë e kanë arritur me djersën e tyre dhe me mundin e tyre. Veprimtaria politike dhe kombëtare sikur edhe lufta e fundit nuk do të bëhej pa ndihmën e pakursyer të diasporës të cilët lanë “ asht dhe rrasht “ në luftën për çlirim, liri dhe mbijetesë sikur edhe pas përfundimit të luftës kur kontribuan në rindërtimin e vendit fizik ; kombëtar , shpirtëror, politik dhe afirmativ! Po ne si u sollëm me diasporën pas përfundimit të luftës?! U sollëm keq, mosmirënjohës, shpërfillës dhe në mënyrë abusive ndonëse edhe sot diaspora, përmes dërgesave apo gjatë pushimeve sjellë në Kosovë mbi 500 milionë euro në vit! Sidomos politikanët kosovarë janë sjellur keq me diasporën duke mos u dhënë hapësirë të mjaftueshme përfaqësimit të diasporës në institucionet e vendit. Politikanët e Kosovës, ndonëse një pjesë e tyre ishin vet pjesë e diasporës, pasi u rehatuan në pushtet duke u bërë më shtet se vet shteti, e harruan të kaluarën e tyre dhe tash skajshmërisht e injorojnë diasporën. Sillen sipas rregullit: “e kalova lumin, ta q…kalin..”. Nuk e besoj se ka ndonjë vend në botë që është aq jomirënjohëse ndaj një diaspore që na ka mbajtur gjallë në kohët më të vështira , se që sillemi ne sot! Në dhjetor të vitit 1998, së bashku me Ismet Bërdynën kemi shkuar zyrtarisht në Nju Jork dhe të vetmën përkrahje nga qeveria e atëhershme ishte se i paguan dy bileta kthyese ndërsa shpenzimet gjatë qëndrimit aty i hoqën familjarët e mi (Afrimi dhe Sofa) sikur edhe familjarët e Ismetit që nuk kursyen asgjë për të na ndihmuar duke e llogaritur këtë , jo si kontribut familjar por si kontribut kombëtar! Atëherë pata vërejtur një dukuri se politikanë grykës dhe të papërgjegjshëm nga Kosova vinin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke keqpërdorur situatën dhe gjendjen shpirtërore të mërgimtarëve tanë, mbanin fjalime “patriotike“ folklorike dhe ktheheshin prapa me dhjetra apo qindra mijëra dollarë! Mërgimtarët tanë hynin në borxhe dhe kredi, për ta ndihmuar luftën kurse një numër jo i vogël i tyre e lanë komoditetin e krijuar me punë sikur edhe punën për t’iu bashkuar luftës dhe një numër i mad hi tyre përfunduan si raste sociale. Një numër i vogël u lidhën me politikën duke u pasuruar shumë përmes procesit të kriminalizuar të privatizimit dhe tenderëve të kurdisur! Diasporës i kemi shumë borxh dhe kemi bërë shumë faje në raport me ta, kontributin e tyre, angazhimin e tyre sikur edhe sakrificën e tyre, personale dhe familjare! Edhe sot diaspora shqiptare kontribuon më shumë në planin sensibilizues, afirmativ, informativ dhe material për Kosovën, se që kontribuojnë shumica e llumpen politikanëve kosovarë, të cilët, për Kosovën më nuk po derdhin as lot krokodili! Për informim të drejtë rreth trajtimit dhe rolit të diasporës në zhvillimin e vendit, mund dhe duhet t’i marrim përvojat e shteteve përreth, Sllovenisë, Kroacisë, Serbisë dhe Maqedonisë të cilat në postet më të larta udhëheqëse i kanë zgjedhur mërgimtarë të tyre që janë shquar me profesionalizëm dhe suksese në vendet ku jetojnë ! Te ne kjo nuk ndodhë prandaj edhe jemi ku jemi sepse profesionalizmin e kemi zëvendësuar me injorancë sikur që edhe ndershmërinë e kemi zëvendësuar me poshtërsi !
Arif Ejupi dhe sakrifica e tij për asgjë dhe askend
Arif Ejupi ishte një aktivist politik dhe kombëtar në Besianë, që nga orët e para kur filluan organizimet politike në Kosovë. Ishte dhe mbeti një aktivist shembullor i KMDLNj-së për të cilin angazhohet edhe sot, si mërgimtar në Gjenevë ku ka fituar lejeqëndrimin dhe jeton me familje. Policia e Serbisë , për shkak të aktivitetit të tij e pati rrahur për vdekje dhe vetëm fati e shpëtoi nga më e keqja por mbeti me pasoja të përjetshme të dëmtimit të shëndetit! Edhe sot i ka ato pasoja dhe mjekësia jashtëzakonisht profesionale zvicerane nuk arriti ta shërojë plotësisht sepse policia serbe dhe shteti serb ia dëmtoi shëndetin në mënyrë të pariparueshme. Para luftës, të gjitha informatat e KMDLNj-së i shpërndante nga banesa ku jetonte në kushte jo të mira, në të gjitha adresat e mundshme duke e informuar dhe sensibilizuar opinionin për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe të vërtetën për Kosovën! Asgjë nuk ka kursyer për Kosovën dhe KMDLNj-në! Para lufte , në Gjenevë mbaheshin punimet e Komisionit dhe Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuar ku përfaqësues të KMDLNJ-së merrnin pjesë rregullisht dhe duhej të qëndrohej atje afërsisht tre muaj . Materialet për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë përgatiteshin në zyrën e KMDLNj-së në Prishtinë e pastaj , përfaqësues të Këshillit i prezantonin ato gjatë punës së Komisioneve dhe Nënkomisioneve për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë. Ishte ky kontribut i jakshtëzakonshim i aktivistëve të Këshillit që punonin në kushte shumë të rënda dhe shumë të rrezikshme në terren sikur edhe stafit të zyrës qendrore në Prishtinë , ekipit të avokatëve si dhe kryetarëve: Adem Demaçi, fitues i Çmimit Saharov dhe Akademik Pajazit Nushi! Fillimisht në Gjenevë shkonte ekipi i njëjtë që në një mënyrë ishte i parapaguar që çdo vit të qëndronte në Gjenevë tre (3) muaj. Që nga viti 1996 , kur u zgjodha sekretar i KMDLNj-së e ndryshova këtë praktikë diskriminuese duke krijuar hapësirë për të rinjtë. Në Gjenevë shkuan Ibrahim Makolli, ish ministër i Diasporës, Mimoza Ahmetaj , tash ambasadore dhe të tjerë që denjësisht e përfaqësuan KMDLNj-në dhe Kosovën! Po ç’hynë në këto punë Arif Ejupi? Arif Ejupi , ndonëse nuk kishte kushte të mira materiale e as gjendje të mirë shëndetësore, së bashku me të shoqen përkujdesej që gjatë qëndrimit të delegacionit të Kosovës në Gjenevë, t’i akomodojë në banesën e tij duke ua krijuar të gjitha kushtet , të cilat nuk i kishte as për familjen e vet! Për tre muaj, Arif Ejupi, së bashku me të shoqën Xhevën ishin argatë të delegacionit, që nga pritja në aeroport, shoqërimit deri te salla e mbledhjeve e deri te shfrytëzimi i kohës së lirë! Të gjitha shpenzimet e qëndrimit, fjetja, ushqimi , transporti dhe shpenximet tjera i mbulonte Arifi, duke hyrë edhe në borxhe! Pak anëtarë të KMDLNj-së, që shkonin për vite të tëra në Gjenevë , nuk u vendosën te familja e Arif Ejupit. Mirëpo , shumë pak anëtarë që qëndruan vite të tëra nga tre muaj në familjen e Arif Ejupit shprehën mirënjohje për këtë bujari të skajshme të familjes Ejupi në Gjenevë. Realisht, një pjesë e fajit në mos faji kryesor për këtë më takon mua sepse, duke mos e ditur gjendjen e vërtetë materiale të Arifit, ia dërgoja çdo vit Arifit nga dy përfaqësues të Këshillit që qëndronin atje tre muaj sepse Arifi fjalën time nuk e kundërshtonte edhe kur nuk kisha të drejtë ! Idealizmi kronik i Arifit, zemra dhe shpirti i tij i butë , nuk mund të vepronin ndryshe prandaj këtë nuk e konsideronte sakrificë por detyrim njerëzor , kombëtar dhe moral ndaj kombit dhe atdheut! Po ç’bëri shteti dhe ata që qëndruan te Arifi për ta shpaguar së paku moralisht sepse Arifi kurrë nuk ka kërkuar dhe nuk do të pranonte kompensim material për angazhimin e tij thellësisht idealist ?! Asgjë , hiç! Kur u formua Ministria e Diasporës pata menduar se do të kujtoheshin që, më në fund të vlerësohej angazhimi dhe sakrifica e Arif Ejupit she shumë mërgimtarëve të tjerë duke i angazhuar aktivisht në zgjidhje të problemeve të diasporës. Jo që nuk e bënë këtë por as që denjuan t’ua ndajnë nga një falenderim apo mirënjohje për punën që e bënë pa të cilën nuk do t’i gëzonin as këto privilegje të shumta që i kanë gëzuar dhe i gëzojnë sot! Kjo ishte pikërisht ajo:” e kalova lumin. ta q…kalin..”! Kjo është (pa) fytyra jonë e vërtetë!
Në këtë shkrim të shkurtër bëra përpjekje që të trajtoj kontributin e diasporës, qoftë në mënyrë kolektive, qoftë individuale përmes Arif Ejupit e që çdo mërgimtar, në kohët më të vështira për ne dhe Kosovën, ka qenë Arif Ejup sikur edhe për mosmirënjohjen tonë dhe shpërfilljen, deri në injorim të kësaj diaspore jashtëzakonisht sakrifikuese! Lavdia dhe nderi i takon diasporës kurse turpi (jemi mësuar me te dhe po bashkëjetojmë me te sikur të ishte virtyt), na takon neve!