Drenas, 18. 7. 2016: Në fillim të këtij shkrimi dua t’i rikujtoj publikut një pjesë të shkurtër nga diskursi i debatit “Ferronikel” gjatë këtyre 32 viteve të jetës së tij. Që nga viti 1974, kur ishte marr vendimi për themelimin e Ferronikelit, rrinë pezull pyetja: A do të përpunohet xehja e ferronikelit në Kosovë apo në Maqedoni? Aso kohe udhëheqësit komunistë të Kosovës ishin futur në një debat të nxehtë mbi potencialet minerare të hekur-nikelit dhe mundësit e përpunimit të tyre në Kosovë me komunistët maqedonë të cilët insistonin që këto rezerva të barten në Maqedoni. Ky debat i mbështetur edhe nga një ekspertizë e lartë profesionale e shkencore u fitua falë një kreditimi ndërkombëtar (580 milion $), i cili mundësoi zhvillimin e minierave dhe industrisë përpunuese të hekur-nikelit në Kosovë.
Por, edhe përkundër kësaj, nuk kishin pushuar pretendimet maqedone duke projektuar dhe ngritur mbi bazat e rezervave minerare në Kosovë, kompleksin e tyre “Feni” në Kavadarc, i cili deri në privatizim ishte jo rentabil dhe disa herë kishte kaluar procedurat e falimentimit. Aktivizimi i Ferronikelit u kthye në bartës kryesor të zhvillimit ekonomik. Pas Trepçës, Ferronikeli ishte gjeneratori më i madh i eksportit në vend. Bazuar në kapacitetet e trashëguara të përpunimit, rolin strategjik të nikelit në Industrinë Botërore, traditën përpunuese të kultivuar këtu e 32 vite si dhe potencialet minerare kompleksi “Ferronikeli” edhe pas lufte nga ekspertë ndërkombëtar konsiderohej si “Xhevahir i Kurorës Mbretërore” në spektrin e ish-NSH-ve, ngase pritej të ketë një rrjedhë paraje që përfaqëson diku 10% të GDP-së së Kosovës.
Nga viti 1999 menaxhmenti i “Ferronikelit” kishte ngritur një debat gjithëpërfshirës mbi riaktivizimin dhe zhvillimin e burimeve minerare dhe përpunuese. Ekspertët më eminent të metalurgjisë dhe minerareve edhe në shkurt të vitit 2000 i kanë prezentuar ish – Departamentit të Tregtisë dhe Industrisë (shtylla e Katërtë e UNMIK-ut) një program për riaktivizimin dhe zhvillimin e “Ferronikelit” ku si pikënisje ishte “dhënia me kontratë koncensionale e kompleksit të “Ferronikeli-t”.
Qëllimet kryesore të këtij koncesionimi kanë qenë:
– tërheqja e investitorëve strategjik,
– implementimi i një programi të qëndrueshëm investiv,
– zhvillimi i gjithë industrisë minerare në Kosovë,
– e veçanërisht rindërtimi dhe modernizimi i kompleksit xehetaro-metalurgjik, ,,Ferronikeli”.
Mirëpo, në kundërshtim me këtë nismë zhvillimore, me pajtimin e krerëve të atëhershëm politkë-institucionalë, edhe përkundër mungesës së kornizës ligjore e institucionale, AKM vendosi të shpallë tender për privatizimin e “Ferronikelit”.
Pa dashur t’ju rikujtoj se procesi i privatizimit të„Ferronikelit“ është i vetmi kompleks xehtaro-metalurgjik që është privatizuar pa ligjin për miniera, pa skemë të mirëfilltë të iniciativës investive dhe me kundërshtime e debate të ashpra në mes AKM-së dhe Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Ferronikelit”, Shoqërisë Civile, Pushtetit Lokal, etj., desha t’ia rikujtoj Ministrit Stavileci se menaxhmenti i ferronikelit po eksporton xehe në kundërshtim me ligjet e Kosovës, me kontratën e shitblerjes dhe në kundërshtim me marrëveshjen e zotimeve!
Ky Ministër këtyre diteve tha se “nuk e di çka po bëhet me “Ferronikelin”, por nëse kompania e ka shkel ligjin do të marrë masa”! Për t’ju bindur z. Ministër se përpunimi i xehes në Kosovë – shkritorja Drenas është kusht i vënë ligjor po ju rilexoj vetëm disa nga kushtet e panegociushme nga “Rregullat e Tenderit për Privatizimin e Ndër. së Re “Ferronikeli SH.P.K.” përmes metodës së Spin-Off, me të cilën është privatizuar Ferronikeli.
E para: “Ofertuesi duhet të paraqes një plan të ringjalljes, me detaje për qasjen përpunuese, afatet kohore të komisionimit, si dhe nivelet e të hyrave për prodhimet për këto afate kohore”.
E dyta: “Do të parashikohet një mundësi pezullimi apo ndalimi për të gjithë kapitalin në aksione të Kompanisë se Re, i cili do të ushtrohet në rast se kushtet e më sipërme nuk plotësohen. Kjo mundësi pezullimi do të kthehet prapa apo do të bjerë posa të tregohet që këto kushte janë përmbushur”.
Fare në fund, z. Ministër, është e saktë se tregjet ndërkombëtare të mineraleve po shënojnë periudhat më të vështira të 20 viteve të fundit. Por, edhe përkundër këtyre trendeve “Feni” i Kavadarcit, që dikur shquhej si dinasour i ekonomisë maqedone, po arrinë të jetë rentabil dhe të mbijetoj falë eksportit të xeheve nga Kosova, ngase Qeveria maqedone i ka rikujtuar më shumë se tri here blersit të Fenit “mundësinë e pezullimit apo ndalimit për të gjithë kapitalin në aksione të Kompanisë”.
Ju, në vend që të ngritni ekipe për komisionimin dhe vlerësimin e kushteve dhe zotimeve nga marrëveshjet dhe kontrata e shitblerjes, si dhe të rishqyrtoni pezullimin apo ndalimin e kapitalit, po e dezorientoni debatin duke e orintuar atë në legalitetin e eksportit të xehes. Ju keni zgjedhur heshtjen përballë kësaj sfide të madhe të rikthyer që nga vitet e sundimit jugosllav…