Tiranë, 26. 07. 2016: Presidenti turk Erdogan, i sapozbritur në aeroportin kryesor të Stambollit, pasi i shpëtoi tentativës së vrasjes nga puçistat, po mbante një fjalim para mbështetësve të tij pikërisht nën foton e themeluesit të shtetit turk, Ataturk. Portreti i Ataturkut në aeroportin që mban emrin e tij dukej sikur shikonte se si po shkonte fati i republikës që ai themeloi në vitin 1923.
Ataturku përdori copat e mbetura nga perandoria Osmane pas luftës së parë botërore për të ndërtuar një vend të ushqyer me nacionalizëm dhe të udhëhequr nga filozofia perëndimore. Në këtë mënyrë ai krijoi shtetin–komb turk dhe për ta mbajtur në këmbë këtë shtet-komb ai mendoi t’i ngarkonte ushtrisë detyrën për ruajtjen e sekularizmit. Nga fillimi i viteve 70 dhe sërish nga fundi i viteve 80 ushtria pati mundësinë të tregonte fuqinë e saj në ruajtjen e shpirtit sekular duke ndërhyrë menjëherë dhe eleminuar çdo qeveri civile që mundohej të largohej nga modeli sekularist i Ataturkut. Sërish në vitet 90, por këtë radhë duke përdorur mënyra të tjera, ushtria arriti të largonte nga pushteti qeverinë e parë islamike dhe kjo u njoh si një puç post -modern.
Por në shekullin e ri fuqia dhe aftësia e ushtrisë për të larguar ose rrëzuar me një lëvizje të shpejtë një qeveri islamike është dobësuar jashtëzakonisht. Kjo u pa më së miri gjatë puçit të datës 15 korrik, kur puçi nisi të copëtohej dy orë pasi filloi dhe pas 24 orësh ai kishte dështuar potësisht.
Por pse ky dobësim i fuqisë ushtarake turke?
Ajo që përshkruam më lart ishte Turqia e shekullit të 20. Ajo e shekullit të 21 tashmë është një Turqi në të cilën një parti islamike “Partia për Drejtësi dhe Zhvillim” është shndërruar në një forcë të madhe të shtrirë nga Stambolli deri thellë në Anadoll. Një nga qëllimet e kësaj partie ishte të neutralizonte forcën (shtetin sekularist) që i kishte mbajtur poshtë për më shumë se 30 vjet. Që nga viti 1970 konservatorët islamikë ishin organizuar, por nuk kishin fuqinë e vitit 2000. Të gjitha përpjekjet e islamistëve para vitit 2000 janë ushqyer dhe ndihmuar nga kleriku Fetullah Gylen si pasues dhe nxënës i një kleriku tjetër të quajtur Sheik Said Kurdi, i njohur si Said Nursit, i cili i përkiste traditës sufi dhe sëbashku me pasuesit e tij iu kundërvunë haptazi Ataturkut lidhur me procesin e modernizimit të Turqisë. Nursi dhe pasuesit e tij dëshironin që republika e re turke të ishte një republikë islamike sipas konceptit të tyre.
Erdogan – Gylen
Që Gyleni t’ia arrinte këtij objektivi, në fillim i duhej të infiltronte në institucionet drejtuese të shtetit sa më shumë pasues të tij. Në predikimet e tij, gjatë viteve ’90-të, ai thoshte: “Të lëvizim në arteriet e sistemit pa na vënë re, derisa të arrijmë të gjitha qendrat e fuqisë. Ju duhet të prisni derisa të jeni të kompletuar dhe kushtet të jenë pjekur në mënyrë që ta mbajmë botën në krahë. Ju duhet të prisni deri në kohën që keni marrë gjithë fuqitë e shtetit, derisa të keni sjellë në anën tuaj të gjithë fuqinë e institucioneve konstitucionale të Turqisë.”
Ky infiltrim nisi në fillim në forcat e sigurisë, duke shfrytëzuar mungesën e kontrollit të së kaluarës nga ana e xhandarmërisë, e cila kishte për detyrë të kontrollonte të shkuarën e njerëzve që aplikonin të hynin në forcat e sigurisë: në xhandarmëri dhe polici. Në të njëjtën kohë, në vitet ’90-të, rrjete të fuqishme të lidhura me Gylenin filluan bizneset me Lindjen e Mesme, Afrikën dhe Azinë, duke sfiduar dominancën sekulariste turke. U ngritën kompani mediatike të mirë-financuara dhe rrjete shkollash me influencë. Gjithashtu, ata filluan të ngrinin dhe financonin gjykatës, politikanë, mësues dhe pedagogë, gjeneralë ushtrie. Në këtë mënyrë, nga mesi i viteve 2000, islamistët e Gylenit kishin hyrë thellë në ushtri. Po kështu, media të ndryshme, të udhëhequra nga Fetullah Gyleni, furnizoheshin me informacione sekrete, të cilat i përdornin për të bërë shantazh mbi personelin ushtarak. Nëpërmjet një seri gjyqesh të montuara e me dëshmitarë të rremë, gjyqe këto të drejtuara, më së shumti, nga gjykatës që i përkisnin lëvizjes Gyleniste, si p.sh. gjyqi Ergenekon në vitin 2008 dhe Çështja Sledgehammer në vitin 2010, në përfundim të të cilave 15% e gjeneralëve dhe oficerëve me bindje sekulariste u shkarkuan dhe u dënuan me burgim, u arrit të thyheshin radhët e ushtrisë dhe në to të depërtonin pasues të Gylenit në të gjitha llojet e armëve e shërbimeve.
Në vitin 2015 Erdogani i quajti këto “gjyqe të fabrikuara” dhe u bëri thirrje gjykatave e prokurorive t’i rishikonin çështjet e lartpërmendura mbi bazën e dyshimeve të akuzave të rreme. Në fillim të vitit 2016 gjykata turke liroi nga burgu dhe nga akuza të gjithë ushtarakët e akuzuar në këto dy çështje. Me këtë lëvizje Erdogani arriti të bënte një aleancë të re me ushtrinë, aleancë kjo që u vu re me mospjesëmarrjen e Shefit të Shtabit të ushtrisë dhe të një pjese të madhe të ushtrisë turke në puçin ushtarak të 15 korrikut.
Ky lloj infiltrimi në tërë sistemin shtetëror nga ana e Gylenistave (me dijeninë e Erdoganit në atë kohë) shpjegon më së miri dhe i jep përgjigje pyetjes që ngrenë shumë gazetarë anembanë rruzullit, dhe në veçanti analistëve të ndryshëm në Shqipëri, por edhe shumë politikanëve të lartë në Evropë: Nga dolën kaq shpejt listat e të arrestuarve dhe të shkarkuarve nga detyrat në të gjitha fushat e jetës dhe administratës së shtetit turk?
Përgjigjja tashmë është e qartë. Në të kaluarën e afërt, Erdogan e Gylen arritën që në mënyrë të përbashkët të depërtonin thellë në sistemin shtetëror, për ta dobësuar atë, në mënyrë që të arrinin të vinin në pushtet pa kundërshtimin e forcave që kishin për detyrë të ruanin modelin sekularist të shtetit.
Padyshim që Erdogani ishte përfituesi kryesor i këtij depërtimi dhe këtij dobësimi të shtetit në duart e Gylenistëve. Por në të njëjtën kohë Erdogani e kuptoi edhe fuqinë e tyre.
Midis viteve 2010 dhe 2013, Gyleni, nga SHBA-ja ku qëndron në një lloj vetë-azili, filloi të kundërshtonte disa nga politikat e Erdoganit, kundërshtim ky që arriti kulmin me kritikën dhe kundërshtimin ndaj veprimeve turke në lidhje me Izraelin, pas incidentit me anijen humanitare. Gjithashtu, nga fundi i vitit 2013, njerëz të Gylenit nxorën në mediat e kontrolluara po nga Gyleni inçizime të paligjshme të bisedave të rrethit të ngushtë të Erdoganit. Por prishja përfundimtare erdhi në vitin 2014 kur një prokuror gylenist akuzoi shefin e Shërbimit Sekret turk, si dhe urdhëroi ndalimin e tij mbi bazën se po bënin bisedime të fshehta me lëvizjen separatiste kurde për të arritur një marrëveshje paqeje, pa lajmëruar qeverinë dhe pa marrë lejen e saj. Në këtë aferë u përzie edhe Shefi i Policisë së Stambollit, edhe ky një pasues i lëvzjes gyleniste “FETO”.
Me veprimin e tij prokurori cënoi rëndë sigurinë kombëtare të Turqisë dhe, si rrjedhojë, organizata FETO u listua nga qeveria si një organizatë terroriste, pasi kjo nuk u mjaftua vetëm me dekonspirimin e bisedimeve, por vazhdoi më tutje duke arrestuar nëpërmjet pasuesve të saj në radhët e policisë dhe xhandarmërisë figura të larta të komunitetit kurd të cilët ishin të përfshirë në bisedimet për paqe. Pikërisht ky moment dhe ky veprim nga ana e Gylenit, vetëm për arsyen personale të mospërfshirjes në bisedime, bëri kthesën kryesore pa kthim prapa të luftës së hapur të Erdoganit kundër Gylenistave. Që nga ky moment Erdogani vendosi t’i sulmonte dhe të pastronte nga Gylenistët pushtetin që ata kishin fituar. Kështu, Erdogani nisi një fushatë kombëtare dhe ndërkombëtare kundër tyre. Që nga kjo kohë qeveria ka mbyllur zyrat e mediave gyleniste, ka konfiskuar banka dhe biznese, ka mbyllur rrjete shkollash dhe larguar gjykatës.
I vetmi vend ku Erdogani akoma nuk kishte filluar spastrimin nga gylenistët ishte ushtria. Por edhe këtu, me sa duket do të ketë nuhatur se po pëgatitej ndonjë lëvizje për puç, ai kishte vendosur të afronte mbledhjen e Këshillit të Lartë Ushtarak, më datë 1 gusht, jashtë parashikimeve, pasi rregullisht ajo mbledhje zhvillohet në muajin tetor. Në këtë mbledhje ai kishte paralajmëruar largimin nga detyra të një numri të madh gjeneralësh (26 prej tyre), si dhe zëvëndësimin e shumë prej komandantëve të niveleve të ndryshme, listat e të cilëve ishin përpiluar nga shërbimi sekret turk, bazuar në të kaluarën e tyre dhe lidhjet e tyre me lëvizjen gyleniste. Duke parë se tashmë po humbnin çdo mundësi për të realizuar në perfeksion planin e tyre, puçistët, të detyruar, vendosën që lëvizjen puçiste, të planifikuar për disa ditë më vonë, ta bënin në datë 15 korrik.
Pavarësisht se pasuesit e Gylenit ishin faktori kryesor në këtë puç ushtarak, ata janë përdorur edhe nga ana e atyre personave me influencë që nuk janë dakord me politikat e Erdoganit, të cilët duan ta shohin Turqinë ashtu siç ua la Ataturku. Kjo shpjegohet nga arrestimi i këshilltarit ushtarak të Erdoganit, i cili nuk i përkiste aspak lëvizjes gyleniste, por një grupi sekularist brenda ushtrisë, grup ky, i cili nuk ia fali asnjëherë Erdoganit mbështetjen që ai i dha në fillim gjyqeve të rreme të gylenistëve kundër lidershipit të ushtrisë, si dhe nuk ka qenë asnjëherë dakord me autoritarizmin dhe konservatorizmin fetar të tij.
Kjo u pa qartë kur ata që e udhëhoqën këtë puç në datë 15 korrik deklaruan krijimin e “Këshillit për paqe në vend”, për të qeverisur pas Erdoganit. Shprehja që ata përdorën : “Yurta sulh, cihanda sulh”, që do të thotë: “Paqe në vend, paqe në botë”, është përdorur për herë të parë nga Ataturku në vitin 1931. Prej atëherë, kjo u bë moto e politikës së jashtme turke.
Të njëjtën moto përdori edhe një nga themeluesit e Neo-otomanizmit, ish-ministri i jashtëm i Turqisë Ahmet Davotuglu, kur Erdogani erdhi për herë të parë në pushtet, në 2004.
Ky puç i dështuar hoqi edhe një mister të madh mbi sulmet terroriste të këtij viti në Turqi. U bë më se e qartë se pas këtyre sulmeve qëndronin këto forca ushtarake dhe policore, të cilat autorësinë e këtyre sulmeve ia mveshën një grupi “devijator” të sajuar kurdësh, të quajtur “Skifterët e lirisë së Kurdistanit”, ndërkohë që vëtë Partia Komuniste Kurde mohoi të kishte gisht në këto sulme, si dhe ekzistencën e këtij grupi në radhët e saj. Pjesëmarrësit në këtë puç i organizuan këto veprime terroriste me qëllimin e vetëm: të destabilizonin rendit publik dhe kushtetues të Turqisë, në mënyrë që të kishin më shumë mundësi për ta përligjur këtë puç.
Përfundimisht mund të themi ky ishte një “puç ushtarak” dhe jo “grusht shteti”, dhe jo i organizuar nga vetë Erdogani, sikundër pretendojnë disa media të lidhura me lëvizjen Gyleniste, por ama, ky lloj puçi po kthehet në një mundësi të artë për Erdoganin, për të realizuar ai vetë një “grusht shteti”, për të larë hesapet njëherë e përgjithmonë me Gylenin, lëvizjen dhe pasuesit e tij në të gjitha instancat shtetërore, përmes vendimeve administrative në forcat e sigurisë (xhandarmëri, polici), gjyqësor (gjykatë, prokurori), administratë civile (ministri të ndryshme), ushtri dhe deri në sistemin arsimor, privat dhe shtetëror, të mesëm dhe të lartë. Ky puç ushtarak i ka dhënë mundësinë Erdoganit të realizojë “grushtin e shtetit” më të përsosur që ka njohur historia e njerëzimit nga pozita qeverisëse.