GJEKË GJONAJ: MJEKU WILLIARD J.NOYES – MIK I DËSHMUAR I SHQIPTARËVE

Ulqin, 4. 9. 2016: Humanizmi dhe bujaria janë vepra madhore që tregojnë jo vetëm bamirësinë dhe shpirtin fisnik të personit i cili kryen vepra të këtilla por shërojnë shumë plagë njerëzore. Kjo kategori njerëzish është e veçantë, sikurse edhe mjeku kirurg amerikan Villiard J. Noyes nga shteti i Pensilvanisë, qyteti Allentoun. Ai ka ardhur për herë të dytë në Ulqin dhe për herë të pestë në Shqipëri dhe në Kosovë për të vizituar miqtë e tij të vjetër shqiptarë, të cilët vullnetarisht i ka kuruar dhe me të cilët është shoqëruar në momentet më të vështira gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.
Njeri me zemër të madhe
Gjatë gjithësejt dy orëve që qëndrova me këtë doktor fillimisht në Ulqin, pastaj në fshatin Reç të këtij qyteti dhe së herën e fundit në bjeshkën e Koritës në Malës me rastin e Ditës së Shtjefnit në manifestimin tradicional të bjeshkatarëve të Kojës dhe Trieshit kuptova se është njeri me zemër të madhe, një mik i dëshmuar i shqiptarëve, një humanist i madh që kishte ardhur po ashtu nga një vend i madh në sposnsorim të një mikut tonë të përbashkët, i cili për arsye modestie nuk dëshiron ti përmendet emri, në shenjë miorënjohjeje, respekti e nderimi për kontributin dhe ndihmesën e jashtëzakonshme të dr. Noyes për shqiptarët në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi.

“Nuk kisha dëgjuar kurrë për Kosovën më parë me sa mbaj mend dhe nuk dija pothuajse asgjë për Shqipërinë. Nuk jam shqiptar me gjak por u bëra pothuajse njëherësh kurioz, dhe kisha dy vjet që kisha dalë në pension, prandaj i thashë vetes: “Dua të shkoj”. Nnuk e dija ç’më priste por nuk e vrava shumë mendjen për këtë. Kisha besim në vete se do të isha në gjendje të hyja në spital dhe të kryeja punën që unë dija më së miri ta bëja. Dhe vajta në Shqipëri e Kosovë për të ndihmuar të plagosurit shqiptarë” – më thotë ai në fillim të bisedës, duke mbajtur në dorë shumë shkrime, publikime e fjalime në shqip e anglisht dhe qindra fotografi rrënqethëse si dëshmi e një terrori çnjerëzor që bënte askohohe regjimi serb i Millosheviqit ndaj popullit martir e të pafajshëm të Kosovës. Shumë prej këtyre të sëmurëve që i shikojmë së bashku në këto fotografi, shton doktor Noyes, u trajtuan në spitalin e Kukësit, në qendrat shëndetësore, në kampet përrreth këtij qyteti dhe në spitalin kirurgjikal të Tiranës. Shërimi i të plagosurve kosovarë civilë dhe ushtarë të UÇK-së që silleshin gjatë evakuimit të popullatës për në Shqipëri ishte tepër i vështirësuar për shkak të mungesës së mjeteve të domosdoshme spitalore në sallat e operacionit dhe për faktin se lufta me vdekjen vazhdonte ditë e natë. Puna e tij ka qenë vetëmohuese aq më tepër kur dihet se ishte në një moshë të thyer 67 vjeç, vuante nga asma e diabeti dhe kishte bërë katër bajpase në zemër. Mirëpo të gjitha këto nuk e ndalnin doktorin të kryej misionin e tij human për të cilin kishte ardhur vullnetarisht në Kosovë e Shqipëri, sepse e dinte se të plagosurit kosovarë kishin nevojë për të më shumë se kurrë. Puna e tij nuk ishte e lidhur ngushtë vetëm për intervenimet kirurgjikale . Ai nuk kishte as orar pune. Me të njëjtin entuziayëm punonte më tepër se 16 orë në ditë, në spital, në kampe, kudo ishte e nevojshme ndihma e tij. Me punën e tij vetëmohuese u bë i dashur e popullor jo vetëm për të sëmurit por edhe për mjekët kolegë shqiptarë me të cilët punoi si: dr. Ylber Vatën, dr. Shaqir Shehun, dr. Mustafë Mustafën, dr. Arben Korbin, dr. Emin Ferhatin, dr. Shahin Klosin, dr. Arben Beqirin, dr.Edmond Çelikun, dr. Ucë Gjonbalajn, dr.Alban Gjonbalajn e të tjerë.
Në Shqipëri nuk ka pasur transplantim organesh
I pyetur se a janë të vërteta akuzat dhe pretendimet për transplatntimin e organeve në Shqipëri gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999 ai në mënyrë kategorike i hedhë poshtë ato. “Nga përvoja ime si kirurg në Pensilvania në vjeljen e organeve nga njerëz që kishin nënshkruar marrëveshje për të dhuruar organet e tyre pasi të vdisnin kjo më duket krejtesisht e pabesueshme. Procesi që ndodh gjatë vjeljes së organeve, përgatitja e organeve, ftohja dhe ngrirja e organeve dhe koha e transportit që nga aty ku kryhet operacioni deri tek aty ku duhet të shkojë, është e pabesueshme për mua që mund të ndodhë në atë vend për të cilin po më flisni ju, në Shqipëri, nga ushtarët e UÇK-së. Së pari, unë nuk njoh asnjë mjek tjetër përveç një ose dy që ishin të përfshirë në luftën e shqiptarëve të Kosovës, në vende të tjera përveç atij ku isha unë, në zonën e luftës. Është e paimagjinueshme që edhe nëse kishte mjek aty gjatë luftës, si mund të kishte kohë dhe fuqi ai që të mundej ta bënte këtë gjë që po më thoni ju. Është e pabesueshme, nuk e besoj dot! Pra, jam plotësisht i mendimit që ajo gjë nuk ndodhi”, thotë Noyes, duke shtuar se të njëjtën përgjigje ua ka dhënë edhe gazetarëve të tjerë shqiptarë të cilët e kanë intervistuar më parë.

Kujtimet e tij më të vështira nga lufta janë fëmijët e plagosur
Gjatë mjekimit të tij të përditshëm gjashtë mujor në Shqipëri me çrast ,siç thotë ai, ka humbuir 20 kilogram në peshë, ka patur shumë raste të vështira që kanë lënë dhimbje të thellë në kujtesën e tij . Sipas tij fëmijët e plagosur ose nga aksidentet, ose nga lufta , si plagët nga mina etj. janë qeniet njerëzore më të dhimbshme.”Kam parë shumë fëmijë të plagosur në luftën e Kosovës.Këto janë raste shumë të vështira, shumë emocionale. Fëmijët që vuajtën të këqijat e luftës me ato që u ndodhën nuk do ta harrojnë kurrë luftën dhe ato që kaluan, pavarësisht nëse ishin 3 ose 6 vjeç ose 10 vjeç. Ajo nuk do t’u fshiihet nga kujtesa, do ta mbajnë mend gjithë jetën. Pra, plagët e tyre janë dhe ato që nuk mund të shihen, i mbajnë brenda ato, por janë aty dhe do të jenë gjithmonë aty”, shprehet ai duke shtuar se nuk ka mundur dot të përmbajë lotët e tij të dhimbjes nga britma e një vajze shtatë vjeçe e cila e kishte thyer dorën.
I lumtur dhe krenar për atë që bëri për shqiptarët
Ndonëse kontributi i tij si mjek i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe civilëve të luftës e të pasluftës në zonat e kontaminuara ka qenë tepër i madh ai me gjithë zemër shprehet i lumtur dhe ndjehet krenar që iu dha mundësia të bëjë atë që bëri. Ai shprehet i pakënaqur që nuk e dërguan në vijën e frontit, aty ku luftohej dhe kishte më shumë të plagosur meqë aty, siç pohon ai, do të kontribuonte shumë më shumë. “Them se do të kisha qenë më i dobishëm po të më kishin çuar më pranë vijës së parë të luftës, sepse mendoj se do të kisha mjekuar shumë më tepër të plagosur nga UÇK-ja që u sollën plot plagë nga fusha e betejës. Do të doja të kisha mjekuar shumë më shumë ushtarë”, thotë ai.
Nderi i qytetit të Kukësit
Këshilli Bashkiak i Kukësit i përbëër nga 25 këëshilltarë, të rreshtuar në dy koalicione, me datë 22 janar 2001 unanimisht i jep doktor Williard L. Noyes titullin Qytetar Nderi i Qytetit të Kukësit, duke marrë kështu në konsideratë vlerësimin dhe propozimin e kolegëve të spitalit të Kukësit dhe të qytetarisë kukësiane, për të nderuar mundin, djersën, sakrificën dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ndihmë vëllezërve kosovarë që përjetuan në gjenocidin më të egër të Serbisë në luftë për të drejtat e tyre gjatë periudhës së kësaj lufte pushtuese. Në motivacion e këtij vendimi nënshkruar nga kryetari i Këshillit të Bashkisë së Kukësit, Astrit Hazimi dhe ing. Ylber Zeneli thuhet: “Për kontributin e madh që dha zotëri Williard L.Noyes në sektroin e shëndetësisë gjatë menaxhimit të krizës kosovare në periudhën Prill-Qershor 1999”.
Ndihma humanitare pas luftës në Kosovë
I prekur pa masë nga varfëria e shqiptarëve në kohën e luftës në Kosovë mjeku bamirës Noyes pasi është kthyer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u përpoq dhe ia doli me sukses të mbledhte pajisje dhe vegla mjekësore, duke filluar nga fashot, medikamentet dhe patericat, karriget me rrota e të tjera gjitha që u duheshin, por ata nuk i kishin. Prandaj, u kthye në Shqipëri, në Kosov dhe tri herë të tjera, në vitin 2000, 2001 dhe 2005 dhe solli 44 kontenierë me pajisje mjekësore në spitalin e Kukësit dhe disa prej tyre shkuan në spitalin e Tiranës dhe disa në atë të Prishtinës. Një kontenier me disa nga këto pajisje mjekësore më së fundmi arrijti me shumë vonesë si çdo e mirë tjetër edhe në Ulqin, më sakt në shtëpinë e shëndetit.,

Përfundim
Kam takuar jo pak miq të huaj të shqiptarëve. Por nuk kam njohur deri më sot njeri që i do dhe ka më shumë repsekt ndaj nesh sa ky mjek i famshëm amerikan, i cili vlerëson tejmase shqiptarët në përgjithësi. “Nuk kam gjetur ndonjë popull dhe njerëz kaq mikpritës, bujar e humanist se sa shqiptaret në shtetet e zhvilluara. Jam krenar qe mu dha rasti t’i njoh ata, të krijojë miqësi të forta, madje edhe vëllamëri. Me dy mjekë me të cilët kemi operuar bashkë në Shqipëri dr. Shehun dhe dr. Vatën jemi vëllazëruar, duke pirë gjakun e njëri-tjetrit. Por jam i sigurt se i kam së paku edhe katër shqiptarë të tjerë me të cilët po ashtu do të dëshiroja dhe do të dëshironin të vëllazërohemi”, shton Noyes. Bazuar në gjithçka që bëri ky mjek fisnik amerikan për ne shqiptarët me të cilët u bë pjesë e jona, ne kudo që ndodhemi gjithmonë duhet të respektojmë veprën humanitare të këtij njeriu të rrallë, i cili është ikonë e gjallë e humanizmit botëror. Me shembullin e tij nderoi veten, familjen dhe kombin e tij. Shëndet dhe jetë të gjatë doktor Noyes!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura