DR.LUFTULLA PEZA: PËRZGJEDHJA E NJERËZVE NË ADMINISTRATËN SHTETËRORE

Golem – Durrës, 5. 9. 2016: Përzgjedhja e njerëzve më të aftë për të punuan në administratën shtetërore është detyra e çdo shoqërie, sepse vetëm duke zgjedhur njerëzit më të aftë në administratën shtetërore shoqëria bën hapa përpara dhe populli jeton më mirë.
Libri 100 njerëzit më të shquar, që ndikuan në përparimin e historisë njerëzore, përbën një gurrë të madhe dijesh, lidhur me zhvillimin e Botës sonë apo shteteve të caktuar. Njëri nga njerëzit më të shquarit në këtë libër mjaft interesant, dijedhënës dhe edukativ është mbreti i Rusisë, Pjetri i Parë, që ka jetuar në vitet 1672-1725.
Ndër të tjera, ky mbret njihet si hapës i rrugës së përparimit të madh për perandorinë e prapambetur Ruse të shekujve të kaluar. Pjetri i Parë i ka dhënë shumë Rusisë, prandaj edhe nderohet mjaft nga populli i vet. Nuk do të zgjatem shumë për të treguar për meritat e këtij rusi të madh në historinë e Rusisë, por një ndërhyrje e tij e rëndësishme lidhet pikërisht me përzgjedhjen e njerëzve (nëpunësve) në administratën shtetërore të Rusisë cariste.
Deri në vitin 1700 në Rusi ishte si rregull, që njerëzit në vendet e ndryshme në administratën shtetërore si nënpunës zgjidheshin në bazë të shkallës së fisnikërisë, pra të prejardhjes se nga cila familje vinte njeriu që do të zgjidhej. Mjaftonte që të rridhje nga një familje “e lartë aristokrate” apo e pasur dhe mbi këtë bazë mund të gjeje punë si nëpunës në administratën shtetërore kudo dhe kurdoherë. Një njeri, që ishte p.sh. bir ose farefis i një ministri, kishte përparësi gjatë përzgjedhjes në krahasim me kandidatët e tjerë të një rangu më të ulët, p.sh. me prejardhje punëtore ose fshatare, megjithëse mund të kishte aftësi më të mëdha profesioanle. Por duke qenë ky kriter bazë në përzgjedhjen për nëpunësit e administratës publike nuk bëhej fjalë fare për shkallën e aftësisë së kandidatit dhe të punës që ai do të përballonte.

Ky kriter feudal i përzgjedhjes së nëpunësve për të punuar në administratën publike kishte sjellë si pasojë prapambetjen e madhe të Perandorisë Ruse, në krahasim me fuqitë e tjera evropiane, që kishin hyrë në rrugën e kapitalizmit. Kjo rridhte nga fakti që në administratën shtetërore ishin mbledhur mjaft të paftë dhe punët nuk zgjidheshin siç e kërkonte koha. Mbreti i Rusisë Pjetri i parë e kishte parë vetë me sytë e tij përparimin në vendet perëndimore evropiane, sepse kishte punuar disa kohë para se të merrte fronin e Rusisë, në kantieret e ndërtimit të anijeve në Angli dhe Hollandë, ku ishin shënuar hapa të rëndësishëm drejt shoqërisë kapitaliste. Kur u kthye në Atdheun e tij Pjetri studioi me imtësi shkaqet e prapambetjes së Rusisë dhe arriti në përfundimin se në administratën e perandorisë Ruse ishin mbledhur dhe të punësuar njerëz të paaftë nga ana profesionale dhe të prapambetur nga ana shoqërore.
Në këtë kohë, pra rreth vitit 1700, mbreti rus për të përzgjedhur njerëzit në administratën shtetërore vendosi rregullin e ri, që përzgjedhja të bëhej vetëm mbi bazën e aftësisë dhe jo të përkatësisë në shkallën e fisnikërisë të kandidatit. Rregulli i ri i vendosur në Rusi për përzgjedhjen e njerëzve në administratën shtetërore solli pasoja çudibërëse në Rusinë e prapambetur cariste. Zgjedhja e njerëzve më të aftë nëpër vendet e ndryshme në administratën shtetërore solli futjen e metodave të reja dhe më të përparuar të drejtimit dhe përparimin e vendit në përgjithësi. Kriteri i ri që futi Pjetri i Parë vlerësohet shumë në këtë libër dhe vendosja e këtij kriteri në përzgjedhjen e njerëzve në administratën shtetërore përbën njërën nga shkaqet kryesore të përparimit të mëvonshëm të Rusisë cariste. Kur në Rusi u vendos sistemi komunist ky rregull ndryshoi, përzgjedhja në administratën shtetërore gjatë këtij sistemi bëhej mbi baza klasore, farefisnisë dhe përkatësisë politike. Të gjithë jemi dëshmitarë të kolapsit të madh të sistemit në të gjitha vendet ish socialiste, përfshirë edhe ish BRSS dhe Shqipërinë. Ky kolaps nuk erdhi nga qielli, por e sollën të paaftët në administratën e shtetit, që kishin guluar në te dhe pengonin shoqërinë të ecë përpara.
Edhe Napoleon Bonaparti, perandori i famshëm i Francës nga Korsika, por me gjak etrusko-ilir, në përzgjedhjen e njerëzve për të punuar në administratën publike kishte vendosur kritere të prera mjaft të përparuara në kohën e vet dhe kërkohej zbatimi i tyre me rreptësi. Në këto kritere përfshihej, që personat e përzgjedhur për të punuar në administratën publike duhet të ishin; “të ndershëm (pra as hajdutë, as mashtrues, as gënjeshtarë, as të korruptuar etj.), të aftë për vendin e punës dhe të kishin emër të mirë në njerëzit përreth”. Përveç kësaj Bonaparti në përzgjedhjen e njerëzve në administratë shtetërore kishte vendosur edhe kushtin e rëndësishëm, që “nuk ka rëndësi në se janë përkrahës apo kundërshtarë të mi”.
Rregulla të tilla demokratike në përzgjedhjen e njerëzve në administratën publike janë pak a shumë në fuqi në të gjitha vendet e përparuara dhe vetëm mbi bazën e tyre veprohet në përzgjedhjen e njerëzve në vendet e pune. Shembuj të kësaj praktike mund të sjell me shumicë nga Republika Çeke, ku kam punuar mbi 10 vjet në Institutin e Gjeologjisë së Akademisë së Shkencave. Përvoja e këtij vendi është mjaft pozitive në këtë drejtim. Çdo institucion për një vend të lirë pune, i kërkon me shkrim kandidatin zyrës së punës së lagjes përkatëse, ku ndodhet instituti. Kërkesa për 2 javë qëndron e varur në tabelën e njoftimeve të kësaj zyre dhe në internet ose në gazetë, për të lajmëruar njerëzit e interesuar. Në kërkesë shënohen të dhënat bazë, që duhet të plotësojë punonjësi i kërkuar: niveli arsimor, njohja e gjuhëve të huaja, përvoja në punën e dhënë, aftësi të tjera, si zotërim programesh kompjuteri, dëshmi drejtimi automjeti etj. Të interesuarit paraqesin kërkesat e tyre bashkë me dokumentet përkatëse dhe nga kjo zyrë zgjidhet ai, që përmbush më mirë kushtet e vëna.
Për punonjësi shkencor të institutit kërkesat i shqyrton komisioni i atestimit të institutit. Më parë shpallet kërkesa nga drejtria e institutit dhe zyra epunës e lagjes. Në këtë komisionin prej 15 vetësh, që bën përzgjedhjen, marrin pjesë disa specialistë nga më të mirët nga instituti (3-4 vetë), fakulteti i shkencave të natyrës dhe institucione të tjerë të afërta dhe gjatë shqyrtimit të dokumenteve të paraqitura votohet me votim të fshehtë. Kandidatët që pranohen gjithmonë pas pranimit në punë bëjnë kontratën e punës për një periudhë, 1 mujore, 3 mujore dhe më pas, në se detyrat e ngarkuara zgjidhen mirë, bëhet kontrata 2-4 vjeçare e punës dhe kështu merr statusin e nënpunsit civil.
Kjo praktikë zbatohet pothuajse gjithkund në institucionet shkencore dhe në bazë të saj në vendet e punës përzgjidhen njerëzit më të aftë. Postet politike janë vetëm ato të ministrave, zëvëndësve të tyre dhe drejtuesit e parlamentit, kryesitë e komisioneve të ndryshme të tij dhe më tej nuk vazhdohet. Vendet e tjera në administratë shtetërore i nënshtrohen përzgjedhjes, kur përmbushet afati në kontratë. Kjo punë është e vazhdueshme dhe nuk ka lidhje fare me ndërrimin e pushteteve pas zgjedhjeve.
Duke vepruar në bazë të rregullave të forta të përzgjedhjes demokratike në administratën shtetërore në të gjitha nivelet vijnë njerëzit më të përgatitur, të cilët punojnë me përkushtim për të zbatuar detyrat, që ka secili vend pune. Më pas të gjithë këta njerëz, që përzgjidhen për të punuar në administratën shtetërore zbatojnë me rreptësi ligjet e shtetit dhe ndër to Kodi i Punës përbën grumbull dokumentesh me rëndësi të veçantë. Për çdo shkelje, sipas Kodit të Punës, merren dhe masat administrative dhe në rast përsëritjeje personi i caktuar largohet nga puna, si i pa aftë.
Partitë politike nuk kanë asnjë lidhje me caktimin e njerzve në administratën shtetërore dhe e gjithë puna politike bëhet jashtë zyre në kohën e lirë të punës. Nëpunësit të gjithë janë punonjës të shtetit dhe zbatojnë vetëm ligjet e tij.
***
PËRZGJEDHJA NË SHQIPËRI
Po në vendin tonë si qëndron puna në këtë çështje kaq të rëndësishme shoqërore? Shembujt e mësipërm i mora për ti pasqyruar në jetën e vendit tonë, për ti sjellë dobi atij. Megjithëse njerëzimi ka hyrë në mijëvjeçarin e tretë të erës së sonë në vendin tonë ende nuk është futur kriteri demokratik i përzgjedhjes së njerzve më të përshtatshëm për të punuar në administratën shtetërore, i cili është bazë e përparimit të vendit dhe e njerëzimit. Në vendin tonë, ndryshe nga vendet e tjera evropiane, sapo mbarojnë zgjedhjet për në Kuvendin e Shqipërisë, fillojnë edhe lëvizjet e bërrylave në administratën shtetërore. Krerët e partive politike mendojnë se i erdhi radha të kojnë militantët e partisë ose kushërinjt dhe miq të vetin me ndonjë post në administratën publike, pa marrë parasysh se kjo i sjell dëm vendit e popullit, që ata i ka zgjedhur. Vetëm postet e ministrave dhe të zëvendasve të tyre njihen si poste politike, që vendosen nga aleancat që bëjnë partitë pas zgjedhjeve. Të gjitha postet e tjera filluar nga këshilltar, ambasador, sekretar ambasade, drejtor, nëpunës etj. duhet ti nënshtrohen përzgjedhjes me anë të komisioneve të pavarura dhe partitë politikr nuk kanë të drejtë as të propozojnë. Në Shqipëri lidhur me përzgjedhjen e njerzëve për në administratën shtetërore vepron ende ligji feudal, i trashëguar nga shoqëria komuniste, që nuk ka asnjë lidhje me kriteret demokratike.
Ka pasur raste që ndërrimi i njerëzve në vendet e punës ka shkuar deri tek rojet e objekteve të ndryshme shtetërore, siç ndodhi p.sh. në stacionin e trenit të Milotit pas zgjedhjeve në vitin 1992, ku edhe e rojet u hoqën nga puna për të vënë në vendin e tyre “njerzit e partisë” të Partisë Demokratike.
Shembuj të tjerë të përzgjedhjes feudale ka të shumtë. Tashti në venin tonë nuk ka komuna, ku kryetartë zgjidheshin me votim të lirë, por njësi administrative, ku drejtojnë kryeadministratorët të përzgjedhur nga kryetari i bashkisë.
Një shembull i freskët është nga përzgjedhja për drejtorin e ri të Teatrit të Operas dhe Baletin të Tiranës ditët e fundit. Ministria e kulturës Mirela Kumbaro ngriti komisionin e përzgjedhjes i përbërë nga: sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës (MK), drejtorja e krijimtarisë në MK, drejtoresha e shërbimeve të brendëshme në MK, drejtorin i Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe së fundi një muzikolog. Kështu nga 5 vetë të komisionit katër janë vartës direkt të ministres. Kjo është pesëshja e komisionit që përzgjodhi dy kandidatë nga pesë të paraqitur. Dy emrat do ti shkojnë kryeministrit, i cili ka të drejtë të zgjedhë njërin prej tyre dhe ta emrpojë drejtor. Këto ditë u vendos pa asnjë konkurs, që disa drejtorë të Partisë Socialiste do të zëvëndësohen nga drejtorë të partisë PDIU, vetëm pas bisedës Rama-Idrizi.
Kjo është përzgjedhja shqiptare në administratën publike e ngjajshme me atë që ka qenë në Rusi para Pjetri të parë gjatë kohës së feudalizmit. Këta të përzgjedhur me stilin feudal,
Duke bërë një përzgjedhje të tillë, mbi baza të përkatësisë politike, farefisnore dhe miqësore në vendin tonë bëhet ndërrimi i administratës shtetërore sapo mbarojnë zgjedhjet dhe në te nuk vijnë më të aftët, por njerëzit e afërt me partitë politike. Kjo i sjell dëm të madh shtetit tonë, sepse në administratë shtetërore mblidhen të pa aftët, besnikët e partisë, që nuk dinë të punojnë, por mendojnë vetëm për të rregulluar punët e veta, të partisë dhe të miqve të tyre. Kjo është arsyja që administrata shtetërore në vendin tonë nuk i zgjidh problemet, në te grumbullohen çështje, që nuk zgjidhen, qytetarët sorollaten dhe mërziten dhe kështu vetë shteti është i bllokuar. Më pas njerëzit nga populli për të zgjidhur problemet që kanë detyrohen të gjejnë rrugën e pagesës. Njerëzit e paaftë dhe të korruptueshëm vihen në lëvizje për të zgjidhur problemet jo mbi bazën e asaj, që duhet bërë, por mbi bazën e pagesë. Pra shteti kthehet në shtet të korruptuar. Kjo është situata në vendin tonë, në të cilin e gjithë administrata shtetërore është e paaftë dhe nuk i përgjigjet detyrave në rritje të kohës. Prandaj njeriu kur shkon për punë nëpër zyrat e shtetit sorollatet me ditë, javë, muaj e më shumë kot dhe në se nuk fut dorën në xhep problemi nuk zgjidhet.
Për të ilustruar këto po sjell disa shembuj. Në të gjithë Evropën artikujt e importuar mbajnë të shkruar në gjuhën e vendit njohuri mbi artikullin. Në vendin tonë artikujt e ndryshëm, edhe ata që kushtojnë shumë shtrenjtë si TV, lavatriçe, enëlarëse etj. shpesh nuk kanë asnjë shënim mbi përdorimin në shqip. Ato nuk kanë as garancinë, që në vendet e tjera është domosdoshmëri. Kështu konsumatori jonë nuk mbrohet. Këtë gjë duhet ta dinin dhe ta vinin si detyrim për firmat që i tregtojnë këto mallra. Njerëzit përkatës në ministritë tona, që lidhen me këtë problem, nuk i dinë dhe nuk i ndjekin këto gjëra. Kështu ata nuk e kryejnë detyrën e tyre dhe njeri nuk u thotë gjë, as shefi, as drejtori, as zv. ministri. As ministrit nuk i bën përshtypje një mangësi e tillë, nga e cila dëmtohet shumë blerësi ynë.
Mjaft artikuj që kushtojnë shtrenjtë në vendin ton, shqiptarët detyrohen ti blejnë me euro. Edhe biletat e fluturimit të gjitha shiten me euro. Shqiptarët pra janë të detyruar paratë e tyre ti kthejnë më parë në euro, por blerja e valutës në këmbimore është si dhe mallrat e tjerë, ku pronari i këmbimores me shitjen e mallit e merr edhe fitimin e tij. Kështu qytetari paguan jo vetëm vlerën e biletës, por padrejtësisht edhe fitimin e tregtarit. Në asnjë vend të botës nuk veprohet kështu, sepse kudo blihet e shitet me paranë e vendit. Prandaj duhet të jetë i detyruar rregulli, që kudo të përdoret vetëm leku i vendit dhe jo para tjetër, ashtu si dhe në vendet e tjera.
Shkelje të rënda të rregullave të përzgjedhjes vihen re në institucionet shkencore të vendit. Këto institucione janë ngritur për të kryer studimin shkencor në fusha të caktuara të dijes, për të botuar studime shkencore të niveli të lartë dhe për të përfaqësuar shtetin në veprimtaritë shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Sa bëhet kjo tek ne ? Fatkeqësisht shkenca jonë ka rënie të madhe dhe punimet shkencore janë ulur shumë. Shumë “profesorë” nuk kanë folur në asnjë kongres shkencore ndërkombëtar, dijet e tyre janë të kufizuara dhe nuk ndjekin dinamikën e zhvillimit të shkencës dhe kështu janë bërë pengesë për të rinjtë e apasionuar. Kjo e gjitha vjen se mungon rregulli i përzgjedhjes së specialistëve më të mirëve, mungojnë kontratat e punës dhe analizat për arritjet shkencore të secilit punonjës shkencor. Gjeologjia, gjuhësia, mjeksia etj. pësuan goditje të rënda gjatë sistemit të sotëm pseudodemokratik në Shqipëri. Nuk bëhen më studime paleontologjike, gjeokimike, mineralogjike etj. Gjuhtarët tanë thonë se gjuha shqipe vjen nga gjuha ilire, por çuditërisht asnjë studim të gjuhës ilire dhe të gjuhëve të afërta me te nuk kanë ndërmarrë. Drejtuesit e universiteve, akademisë, fakulteteve etj. nuk kanë projekte dhe merren me punë rutinë në vend të kërkimit shkencor. Ata i gjen nëpër dhjetra borde drejtuese, ku marrin rroga suplementare. Deputetët një rrogë e marrin si deputet, rrogën e dytë e marrin, sepse marrin pjesë në mbledhjet e komisioneve të kuvendit, rrogën e tretë e marrin, sepse kanë një shofer në dispozicion, rrogën e katërt dhe të pestë e marrin, sepse përdorin makinën e shtetit ku të duan dhe benzinë marrin falas sa të duan.
Shihni ç’po bëhet me tokën bujqësore. Katastrofa e vërtetë. Çdo ditë po zihet me betonime dhe qeveritë shqiptare bëjnë sehir. Pakësimi i tokës bujqësore don të thotë pakësim të prodhimit të ushqimeve për njerëzit dhe kafshët dhe kështu ne po mbjellim me duart tona varfërinë me ndihmën e shtetit.
Emërimet e kohëve të fundit të mjaft drejtorëve pa konkurs është një lajm jo i mirë për të gjithë vendin. Këta drejtor, shumica të paaftë, zgjedhur me mënyrën komuniste pa konkurs, do të vendosin vartësit e tyre po në këtë mënyrë dhe kështu të paaftët do të drejtojnë vendin. Kjo nuk është rruga që duhet të ndjekim, por fatkeqësisht po ndodh tek ne.
Më e keqja është se tek ne vitet e fundit ka hyrë rregulli, që deputetët zgjidhen jo nga populli, por i vendosin kryetarët e partisë. Siç e shohim çdo ditë deputetët nuk punojnë për vendin por për partinë dhe interesin personal.
Në mbyllje desha të ritheksoj se pa zgjedhjen demokratike të njerëzve më të aftë në administratën shtetërore, vendi ynë nuk do të mund të hedhë hapa përpara, por do të shkojë mbrapsh. Prandaj populli jonë ka mbetur shumë i varfër, megjithëse kanë kaluar 26 vjet nga përmbysja e komunizmit. Kapitalizëm do të thotë shtim i prodhimit, ulje e shpenzimeve të tij, punë dhe mirëqenie për njerëzit. Po vendi ynë për ku po shkon? Bien trumbetat kundra korrupsionit, por në fakt ai po merr shtat më shumë, bien daullet për integrimin në Evropë, por varfëria po bën kërdinë. Dhjetra mijë të rinj dhe të reja çdo vit mbarojnë shkollat e mesme dhe të larta dhe kërkojnë punë, por qeveritë tona i kanë dënuar të marrin torbat dhe të lënë vendin. Për të përzënë rininë nga vendi zejmë vendin e parë në botë, krahasuar me vendet e tjera.
Megjithse gjuha jonë është më e vjetra e planetit filmat, që jepen në TV janë në gjuhë të huaj në vend të jenë të dubluar. Kjo vjen sepse në ministrinë e kulturës nuk ka njeri që ta ndejkë problemin. Për këtë qeveria nuk do të paguaj asgjë, mjafton të dali ligji për dublimin e filmave dhe të gjithë do ti shijojmë më mirë filmat kur ti shohim të dubluar në gjuhën tonë, sidomos fëmijët dhe rinia.
Qindra profesorë sillen kot kafeneve, sepse kanë dalë në pension dhe shoqëria i “braktisi”, duke i liruar nga të gjitha punët. Në vendet e zhvilluara kjo gjë nuk ndodh, por edhe kur dalin në pension, institucioni shkencor i mban në punë me gjysmën e kohës së punës dhe gjysmën e rrogës dhe i ngarkon me projekte. Kështu nga puna e këtyre njerëzve me kualifikimin më të lartë shoqëria përfiton deri në pleqërinë e thellë.
Të gjitha këto që përmenda më sipër rrjedhin vetëm nga fakti se në vendet drejtuese janë përzgjedhur njerëzit e paaftë të prirur vetëm nga interesi vetiak. Këtë vendi e ka dhuratë nga partitë politike. Partitë politike të vendit dhe krerët e tyre duhet të venë mbi të gjitha interesat kombëtare pastaj ato partiake. Kjo kërkon që në administratën shtetërore të zgjidhen njerëzit mbi baza demokratike, me konkurs demokratik, ku duhet të fitojë më i afti. Vetëm atëherë vendi do të ecte në rrugën e mbarë.
Golem, gusht 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura