KJO LUFTË ËSHTË NJË TRADHTI CINIKE!

Shkencëtarët rusë i shkruajnë letër të hapur presidentit Vladimir Putin

KJO LUFTË ËSHTË NJË TRADHTI CINIKE!

Nga Sheradin Berisha, Facebook, 27 shkurt 2022

Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) ka publikuar një letrër të hapur të shkencëtarëve rusë dërguar presidentit të tyre, Vladimir Putin.

Letrën e nënshkruan më shumë se 380 shkencëtarë rusë, duke përfshirë këtu edhe 65 anëtarë të Akademisë së Shkencave Ruse. Kjo Akademi u themelua në 1724 nga Pjetri i Madh me qendër në Moskë, dhe është Institucioni i rangut më të lartë kërkimor në Federatën Ruse.

“Kjo luftë është një tradhti cinike” shkruan “FAZ” me rastin e publikimit të letrës së hapur. “Në këtë letër të hapur, shkencëtarë të rëndësishëm rusë kthehen kundër presidentit të tyre Vladimir Putin.

***

Në vijim lexoni letrën e hapur:

“Ne, shkencëtarët dhe gazetarët shkencorë rusë, bëjmë një protestë të fortë kundër akteve të luftës të nisura nga forcat e armatosura të vendit tonë në territorin e Ukrainës. Ky hap fatal do shkakton sakrifica kolosale njerëzore dhe po minon vetë themelet e sistemit të vendosur të sigurisë ndërkombëtare. Përgjegjësia për nisjen e një lufte të re në Europë i takon tërësisht Rusisë.

Nuk ka justifikime të arsyeshme për këtë luftë. Përpjekjet për të përdorur situatën në Donbas si arsye për të nisur një operacion ushtarak nuk ngjallin asnjë besim. Është shumë e qartë se Ukraina nuk përbën kërcënim për sigurinë e vendit tonë. Lufta kundër tyre është e pajustifikuar dhe padyshim e pakuptimtë.

Ukraina ishte dhe do të mbetet një vend afër nesh. Shumë prej nesh kanë të afërm, miq dhe kolegë në fushën e shkencës në Ukrainë. Etërit, gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë luftuan së bashku kundër Nacionalsocializmit.

Shpallja e luftës për ambiciet gjeopolitike të udhëheqjes së Federatës Ruse, e udhëhequr nga fantazitë e dyshimta historiozofike, është një tradhti cinike e kujtesës së tyre.

Ne respektojmë shtetësinë ukrainase, e cila bazohet në institucione funksionale demokratike. Ne e shohim me mirëkuptim orientimin europian nga fqinjët tanë ukrainas.

Ne jemi të bindur se të gjitha problemet në marrëdhëniet ndërmjet vendeve tona mund të zgjidhen në mënyrë paqësore.

Duke nisur luftën, Rusia e ka dënuar veten me izolim ndërkombëtar, që po precipiton në një vend të damkosur e të dëbuar. Kjo do të thotë se ne shkencëtarët nuk do të jemi në gjendje ta kryejmë punën tonë në një mënyrë normale si deri tani, sepse hetimet shkencore janë të paimagjinueshme pa bashkëpunim të plotë me kolegë nga vendet e tjera.

Izolimi i Rusisë nga bota do të thotë zhvlerësim i mëtejshëm kulturor dhe teknologjik i vendit tonë, me mungesë të plotë të perspektivës pozitive. Lufta kundër Ukrainës është një hap drejt asgjësë.

Është e vështirë për ne të shohim se vendi ynë, i cili dha një kontribut vendimtar në fitoren ndaj nazizmit, tani është bërë nxitësi i një lufte të re në kontinentin europian.

Ne kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha veprimeve ushtarake të drejtuara kundër Ukrainës.

Ne kërkojmë respekt për sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit ukrainas. Ne kërkojmë paqe për vendet tona.”

***

Burimi:

OFFENER BRIEF / Dieser Krieg ist ein zynischer Verrat / 25.02.2022, 17:07 https://www.faz.net/aktuell/feuilleton/offener-brief-russische-wissenschaftler-wenden-sich-gegen-putin-17833982.html

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura