Galicë, 22. 09. 2016: 18 vjet më parë /
Lufta!
Ah, luftë, o luftë!
Për ty, më mirë se sa librat, na kishin rrëfyer pleqtë përvojëhidhur. Por, kot: I paprovuari, i pamësuari! Dhe, së fundi e përjetuam vetë. Po, po, bile një syrësh, që as mësuesja e jetës nuk do ta këtë provuar ndonjëherë. Ato ditë të zeza, kur shpatë e Demakleut na kërcënonte pёrmbi koka e vdekjen e shihnim me sy, nuk harrohen lehtë…
E martë, 22 shtator 1998
Ende pa feksur mirë u zgjuam trembshëm. Ca plasje të fuqishme trandën dheun nën themele. Thënë të drejtën, që nga fundshkurti i këtij viti ishim mësuar me krisma e gjëmime, por kjo ngjante në diç tjetër, në një kataklizëm ogurzezë. Ato vinin andej nga Mitrovica, ku po sulmoheshin pamëshirshëm Vaganica, Vërnica, Pirçi, Ashlani…
Të hutuar fare e gati përgjumur dolëm përjashta. Kudo rrëmujë ankthi e frike. Lufta po përhapej si me krah. Edhe në Lubovec e në Galicë zunë të biejnë granatat e para. Popullata e paarmatosur u trazua keq. Shumica morën kokën në dorë dhe kah sytë këmbët. Autobusi „GALICA“ përplot gra e fëmijë nxitonte drejt Vushtrrisë. Të tjertë, hëpërhë, ngelën për t’u përballur me të keqen…
Akrepat e orës rrotulloheshin ngadalë e dielli ishte hutuar fare. Po afrohej mesdita. Qielli përflakej si në beteja dragonjsh. Jeta e vdekja sy më sy. Shqipet e lirisë qëndronin majë kreshtash dhe sfidonin lubinë shfarosëse. Zanat mjekonin të plagosurit nëpër istikame. Te Uji i Sokolave rodhi gjaku i lirisë…
Pllaka dhe Varrezat e Dëshmorëve në Galicë.
I tretur pas lajmeve të orës 16 të TVSH-së, kisha ngelur i vetmuar. Eca drejt Udhës së Kuqe dhe sakaq shtanga në vend. Ç’të shihja?! Te Varret e Shalës tanket serbe rrafshonin gjerdhet e lëvronin arat me misër e me terfojë. Pas tyre djajtë shpirtzinj nuk linin gjë të gjallë mbi dhe. O Perëndi, sa afër e kisha mortjen e zezë! Vrik mora andej nga mendoja se kishin vajtur edhe të tjerët. Por, fati nopran ma hodhi. Granatat dhe predhat e Pragës ma prenë udhën si me shpatë. Mezi arrita te Lugu i Zanave. As aty nuk më lanë të qetë. Një e mallkuar plasi fare pranë. Dheu më nxiu të tërin. Me vrap ujku kalova livadhin dhe u futa në Shpatin e Keq. Dreq o punë! Një qen i huaj, i shastisur fare, nuk më shqitej këmbësh.
Sakaq një veturë nxitonte drejt Galicës. Veç kur i shpërtheu granata para turinjve ndaloi. Ishin dy të rinj nga Luboveci, të cilët fati i kurseu. Edhe kur morëm të kundërtën hija e vdekjes na ndoqi pas. Në Duboc na u ndërpre rruga. Gjylet e topit qëlluan shtëpinë e Skënder Sadikut. Telat e rrymës ranë përtokë dhe çdo gjë përreth mori flakë…
Kur muzgu krahzi mbulonte vendin arrita të futem në Baks, ku bashkë me familje kaluam një natë pa gjumë tek motra Nurije, gjegjёsisht dhёndrri Habib Miftari.
E mërkurë, 23 shtator 1998
Që pa gëdhirë iu qepëm bjeshkës. Agu i hirtë u lajmërua fare i zymtë. Rrezet e purpurta të diellit mezi depërtonin në lugjet e trazuara të Qyqavicës mitike, që gjasonin në teatrot antike greke. Ajri i freskët dhe lagështia mëngjesore i kishin shtangur njerëzit. Heshtjen makabre e thenin kollitjet e thata të fëmijëve të ftohur dhe të pleqve astmatikë.
Ngrohtësia e rrezeve të shumëpritura na gëzuan fare pak. Bashkë me to erdhën edhe granatat e para vdekatarë nga Ferronikeli. Gryka e Krasmirofcit zu të trazohej si zgjua bletësh. Të kalojmë në luginën tjetër, foli dikush, dhe karvani i pafund mori udhë…
Dielli kishte arritur zenitin kur shumica e të zbuarëve zunë grykën e Kozhicës. Edhe aty plasën shumë granata. Hasime Shabani nga Galica mbeti e vrarë e shumë të tjerë u plagosën. O Zot, ç’po ngjet kështu?!- britnin plakat e lëmëritura, por zëri i tyre i mekur nuk dëgjohej larg se mbytej nga klithmat e kalamajve dhe shpërthimet e pandërprera.
Rrathet e ferrit dantesk vazhdimisht ngushtoheshin. Caku i tyre Qyqavica heroike. Ah, e bekuara, gjithmonë u kishte dalë krah të rrezikuarëve.
Edhe kësaj radhe e hapi zemrën e saj të madhe, por siç dukej nuk do t’ia dilte mban gjithë asaj zallamahie çmendëse. Tanket uturinin drejt nesh duke vjellë zjarr përvëlues. Pas tyre piromanët me unza të ndezura në duar digjnin e shkretëronin çdo gjë. Luboveci, Galica, Mikushnica, Prekazi, Duboci, Beçiqi, Prelloci, Polaci, Dasheci, Baksi, Qirezi, Likoshani, Gllanasella, Gradica, Godanci etj., nuk dukeshin më nga tymi e flaka. Vrasësit gjakatarë na afroheshin këmba-këmbës. Sa shumë e dëshironim terrin në ato çaste. Kudo rrëmujë e tollovi tmerruese. Përpëlitjet golgotiane me vdekjen që na vinte nga ajri na kishin sfilitur sa s’ bënë.
Sakaq edhe nga lart përroskat zunë të rrjedhin kuq. Edhe atje, tek Maja e Zezë, kishte nisur hataja mynxyrore.
-O burra, të dalim nga ky ferr i mallkuar se po çmendem!- foli një mesoburrë duke çarë i pari rrethimin.
Edhe ca të tjerë iu vumë pas…
Tek kur u rrasëm te këmbët e Kalasë së lashtë dardane te Gjytetit (Dubofcit) ndiem pak siguri dhe ndaluam për të marrë frymë. Por, djall o punë, u mashtruam keq. Hijet vdekatare me kohë kishin zënë gjysmë muret e saj.
Fët e fët na grumbulluan, na kontrolluan, na izoluan dhe na e morën profesorin e nderuar Enver Halitin. Reagimi i familjes dhe fëmijëve të tij u fashit me rafalë automatikësh zbrazur mbi kokat tona. E ai, krenar siç qe përherë, ecte patrembshëm midis tyre duke na shikuar me radhë e si të thoshte: Qëndroni burra se liria i ka rrënjët në gjak!
E enjte, 24 shtator 1998
Edhe një natë Bartolomeu e kapërdimë si pelimin.Të mbajtur peng, tërë natën e kaluam në ethe traumatike. Që me ag sërish nisi hataja. Luftëtarët tanë, të zënë ngushtë, taktizonin kujdesshëm…
– Pse po vonohet babai?- pyeste djali i vogël i Enverit.
– Veç sa s’ka arritur,- ia prisnim ne me gjysmëzëri, duke kthyer kokën mënjanë se na tradhtonin lotët.
Përreth kudo: vrasje, masakrime, djegie e shkatërrime vandale. Poshtë, lokalet e shkollës dhe të shtëpive përreth i përpinte flaka. Busti i Azem Galicës ishte përdhosur barbarisht. Tanku me mitralozin e madh, të gatshëm për të hapur zjarr, na rrinte përballë…
Dielli kishte perënduar kaherë, por flakët e shtëpive të djegura e shqelmonin terrin përdhunshëm. Pak më tutje, një i varur me kokë poshtë (ushtar Isa) sfidonte vdekjen. Të liruarit në Kozhicë ndaloheshin dhe persekutoheshin në Duboc. Ata që i hante puna dërgoheshin për në burgje. Gratë dhe fëmijët ngelnin të lëmëritur. Edhe lotët u kishin tretur fare.
E premte, 25 shtator 1998
Ditë pa diell. Mjegulla e dendur përpiqej t’i fshehë plagët e rënda të krimeve makbare të soldateskës së shfrenuar serbe. Qyqavica plakë lotonte në heshtje e Kalaja e turpëruar i mbante iso. Njerëzit plot ankth e frikë, mezi zvarritëshin ftohtas drejt shtëpive të veta tashmë gërmadha.
– O Zot, cila ka qenë shtëpia jonë?!- pyeste një plakë e shqetësuar posa arritëm në katund.
– Qenka matufosur e shkreta,- tha dikush shkujdesshim e pa të drejtë, Ajo nuk kishte faj xhanëm, sepse çdo gjë kishte ndryshuar, trojet ishin përzier të tërat. Gjë e gjallë nuk pipëtinte. Edhe qentë e kishin harruar zanatin, lehjen…
E shtunë, 26 shtator 1998
Atë mëngjes rigonte shi kur në Galicë hapeshin 14 varre të reja. Azem Galica hijerëndë vëzhgonte nga obelisku përballë. Lotët tanë përziheshin me currilat e flokëve dhe treteshin në dheun e shkriftë që nxinte mbi barin blerosh. Nën qarrin shekullor, dëshmitarin besnik të rravgimeve jetësore, qëndronin lulet e rinisë. Vallë, cila zemër mund të përballonte para tyre?! Aman, aman! Gjymtyrë të nakatosura, kafka të copëtuara, trutë shkapërderdhura, sy të nxjerrë me maja thikash, xhepa të hapur nën lëkurë, vesh të prerë e dhëmbë të dërrmuar. Hapu tokë e bjerë o qiell! Por, njeriu qenka edhe më i fortë se guri e se druri.
Dhe, fare pranë e pranë, zunë vend në gjirin e ngrohtë të tokës mëmë: Shasivar Ademi, Fatmir Ademi, Burim Ademi, Gani Ademi, Agim Ademi, Bajram Sahiti, Hetem Halili, Bujar Halili, Bekim Halili, Nazmi Halili, Nexhat Halili, Hajredin Lahu si dhe dy mysafirë, dhëndurët: Sejdi Kabashi nga Polaci dhe Enver Kastrati nga Palluzha.
Në të mbarua edhe një kumt i zi. Trupi i pajetë i Enver Halitit gjendej në Duboc…Kur dielli rrokullisej tej Bjeshkëve të Nemuna, varrtarët kishin mbaruar punën e tyre. Edhe ne u larguam në heshtje duke i lënë varret binjake të Enver e Murat Halitit nën ndriçimin e plotë të hënës që kishte hedhur sy mbi Sukën e Madhe të Galicës.