BEHXHET SH.SHALA-BAJGORA: NGA REPUBLIKA E MALZHEDEZEKUT DERI TE REPUBLIKA E TRETË – RRUGË E GJATË DHE ME SHUMË RREZIQE!

Prishtinë, 11. 06. 2014 – “Përmbytje” e madhe në shkretëtirën e Saharasë) – Zgjedhjet parlamentare të 8’të qershorit 2014 përfunduan me vlerësimin se këto ishin zgjedhjet më të mira pas përfundimit të luftës në Kosovë. Pas shpalljes së rezultateve preliminare nuk pati kundërshtime që ishte edhe një vlerë e shtuar e këtyre zgjedhjeve. Fitues doli PDK-ë me një koalicion krejt të panatyrshëm (Partia e Drejtësisë, Partia Shqiptare Demokristiane, ADK dhe Lëvizja për Bashkim) që fitoi afërsisht 31% të votave. E dyta, me afërsisht 26% të votave ishte LDK që nuk bëri koalicion parazgjedhor por se në listën e saj i shkriu nacinaldemokratët e Bujar Abdullahut, demokristianët e integruar të Zef Morinës dhe ekologët e Arif Krasniqit. Për mua ishte befasuese dallimi prej 5% në favor të PDK-së aq më parë që LDK dhe lideri i saj Isa Mustafa as që e vinin në dyshim fitoren. Duket se Isa Mustafa vetëm ka menduar se si do të duket enterieri i ri në zyrën e kryeministrit pas 8 qershorit 2014. LVV doli e treta me afërsisht 14 % të votave pa bërë koalicion me askend. AAK iu afrua 10% pa koalicion me subjekte të tjera por me akademikun dhe politikanin që më së shumti e ka dëmtuar AAK në zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare, frontmenin e LDD-së tash që luante sipas muzikës së AAK-së, Nexhat Dacin i cili, në stilin e Luixhit të XV-të, “pas meje kijameti“, fundosi LDD në këmbim të një posti të deputetit apo ndonjë posti tjetër nëse Ramushi do të bëhej kryeministër! Nisma për Kosovën e kaloi pragun me shumë vështirësi (nëse mbetet kështu) me 5.40%, pa bërë koalicion me askend. Ndërkaq, AKR ndonëse e përforcuar shumë me liberalët e Gjergj Dedajt dhe me Begzad Gashin që rishtaz e formoi një degë të një partie nga Gjermania, ende po rri varur në prag të 5% në pritje të postës nga Kazakistani me 3000 vota, të cilat, nëse është ashtu, 100% janë të Gjet Pacollit. Dhe, këto vota mund ta hedhin Nismën në vend të AKR-së ndërsa AKR-në në vend të Nismës! Kosova është rast i veçantë, rast sui generis dhe në botë njihemi më së shumti për këtë! Pas zgjedhjeve në LDK kërkohej koka e Isa Mustafës sepse humbi dy palë zgjedhje. Me kokën e Isait do të shkonin edhe shumë koka të tjera, që silleshin si satelitë rreth kokës së Isës sikur që ishin sjellur rreth kokës së Rugovës, kokës së Fatmir Sejdiut dhe, pa dyshim se do të silleshin ngjashëm rreth çdo koke që do të vinte pas Isa Mustafës pas gijotinimit të këtij të fundit! Gijotinimit politik, kuptohet vetvetiu! Koka e dytë pas Isës do të duhej të ishte realisht e Agim Veliut, si shef i shtabit zgjedhor të LDK-së! Te AAK-ë, llaskucët që sillen rreth Ramushit nuk kishin e as që do të kenë guxim të kërkojnë përgjegjësi nga lideri dhe shpëtimtari i tyre por koka e Ardian Gjinit, si shef i shtabit zgjedhor të AAK-së do të duhej të përfundonte në shportën e gijotinës! Mirëpo, meqë të gjithë këta fshehen prapa koqeve të Ramush Haradinajt, edhe koka e Ardianit mbeti aty ku ishte. Tash e rruar mirë, e skuqur dhe vezulluese! Si të ishte semafor Malisheve! Te Gjeti të gjithë u zhdukën dhe u bënë punëtorë të Mabetex-it, nga realisht edhe e fitojnë kafshatën e gojës! Jo nga politika! I vetmi ishte Bajram Kosumi që tha diçka e cila, nuk e besoj se do të mbahet mend ma gjatë se koha që duhet për ta lexuar reagimin e tij!


Maska(renjtë) e Kosovës!

PDK i fitoi zgjedhjet sepse bëri koalicionin parazgjedhor me kohë! LDK nuk i fitoi zgjedhjet sepse nuk e bëri koalicionin me kohë! AAK-ë, po të mos ishte Ramushi do të vallëzonte me AKR-në përfundi pragut! Realisht, nuk janë Ramush Haradinaj dhe Gjet Pacolli qift për vallëzim. Dallojnë, edhe në ritëm, edhe në dinamikë!
Koalicionet parazgjedhore dhe infuzionet paszgjedhore
Koalicionet parazgjedhore të partive të mëdha me ato të vogla bëhen në rast se partia e madhe nuk është e sigurt se mund t’i fitojë zgjedhjet, ndërsa partitë e vogla fitojnë mundësi të bëhen parti parlamentare ose të digjen së bashku me partinë Mëmë! PDK nuk ishte e sigurt se e vetme i fiton zgjedhjet prandaj bëri koalicion parazgjedhor dhe i fitoi zgjedhjet! LDK ishte e sigurt se i fiton zgjedhjet e vetme prandaj nuk bëri koalicion parazgjedhor dhe i humbi zgjedhjet! AAK, gjatë fushatës siguronte se do të ishte fituese e zgjedhjeve ndonëse nuk u besonte as fjalëve që vet i thonin! Po, fushatë ishte kjo! Fushatat parazgjedhore, jo vetëm te ne janë shndërruar në Panair të Gënjeshtrave! Te ne, nëse fushata zgjatë edhe 30 ditë kalendarik ajo e mbanë vetëm një datë, 1 Prillin, Ditën e së të Vërtetës! Infuzionet paszgjedhore në formë të ndonjë marrëveshjeje politike apo Koalicioni për Rikthim të Shpresës!!! janë veprime apo përpjekje për rikthim të shëndetit të dëmtuar politik pas rezultatit të zgjedhjeve. Apo shpëtim nga heqja e kokës siç është rasti i Isa Mustafës! Më herët, kur Hashim Thaçi ishte humbës në zgjedhje, pas zgjedhjeve deklaronte se pas humbjes janë edhe më të fortë! Truri im, me shumë kufizime, nuk e përthekonte këtë sqarim dhe arsyetim! Tash kur LDK humbi zgjedhjet, Isa Mustafa thotë se LDK është partia e parë dhe më e madhe në Kosovë! Edhe këtu, truri im me shumë kufizime nuk po është në gjendje ta përthekojë këtë filozofi se partia që humbë është e para dhe më e madhja! Sipas kësaj, AKR e Gjet Pacollit që nuk e ka kaluar ende pragun zgjedhor po del të jetë super parti! Ky është parimi i Mao ce Dunit se:”sa më keq të bëhet është aq më mirë“! Në vendet normale, partia ose koalicioni që i fiton zgjedhjet ka të drejtën që në afatin e paraparë me ligj ta formojë qeverinë e cila pastaj votohet në Kuvend. Nëse e fiton shumicën e thjeshtë, atëherë udhëheq qeverinë për një mandat ndërsa nëse nuk e fiton besimin e deputetëve të kuvendit kthehet në parti parlamentare ndërsa rastin për formimin e qeverisë e ka ai që mandatohet nga presidenti. Në vendet me demokraci normale këtë e bënë forca e dytë politike. Dhe nëse edhe kjo dështon atëherë shkohet në zgjedhje të parakohshme! Kushtetuta e Kosovës, si monstrum juridik lë hapësirë për ambiguitete të shumta. Me një kushtetutë të dhunuar skajshmërisht nga Ahtisari, si kryedhunues dhe disa dhunues vendorë me traditë nga ish Jugosllavia dhe ish Serbia, tash të konvertuar në patriotë dhe demokratë, shumë lehtë mund të shkaktohet lufta civile pasi që secili e interpreton kushtetutën sipas intereseve personale dhe momentale !

Hum(b)nerësit) e Kosovës!

Tash, partitë që mbetën prapa koalicionit që udhëhiqet nga PDK e formuan një koalicion paszgjedhor me qëllim të largimit të Hashim Thaçit nga posti i kryeministrit apo siç thonë ata moslejim të formimit të qeverisë Thaçi III. Dalja para medieve e treshes Agim Veliu, Ardian Gjini dhe një femre më duket nga Nisma me të cilën i komunikohej “popullit“ të Kosovës se: ”Kosovës po i kthehet qeveria e shpresës“ është e barzvlefshme me daljen në skenë të Al Kapones, Don Vito Korleones dhe Pablo Eskobarit që do të betoheshin se do ta luftojnë krimin e organizuar dhe tregtinë me narkotikë përmes forcimit të shtetit të së drejtës dhe ligjit!!!!! Madje, këta jo vetëm që formuan koalicionin por edhe i ndanë postet ku Ramushi do të bëhej kryeministër, Isa Mustafa do të bëhej Jakup Krasniq e pas dy viteve edhe Atifetë Jahjaga. Dikush nga Nisma do të bëhej Behgjet Pacoll apo Hajredin Kuç (zëvendëskryeministër) dhe kështu me radhë. Deri te roja në stacionin e trafikut urban. Shumë seriozisht e kanë marrë. Për të mirën e Kosovës! Jo për veten e tyre sepse:”nëse këta zgjedhen në këto poste u shtohet stresi, mbesin pa gjumë, punojnë nga 18 orë, u mungojnë familjeve dhe udhëtojnë me trafik urban….!”: pra, nuk fitojnë këta por fiton populli! Teoria e Mao ce Dunit:”sa më keq që bëhet për udhëheqësit e Kosovës, aq më mirë bëhet për popullin“. Me të dëgjuar për ndarje të këtyre posteve, me urgjencë mora vendimin që pasurinë e Bill Gejtsit (70 miliardë $) t’ju ndajë Behgjet Pacollit (se ka pak para), Veton Surroit (se çdo gjë që e bënë e bënë për para), Blerim Shalës (është shok i Vetonit), Ramiz Kelmendit se i duhen për biznes dhe politikanëve të cilët, me vuajtje dhe sakrificë të madhe e kalojnë muajin! Një pjesë të parave do ta ndaja edhe për “intelektualë” me tituj shkencorë për t’i dërguar në ndonjë shtet ku, me dijen që e kanë do ta merrnin dëftesën e shkollës së lartë fillore! Kur munden këta t’i ndajnë postet nëpër kafeteritë e qytetit, pse unë nuk mund t’i ndajë paratë e Bill Gejtsit! Sepse, për aq sa janë paratë e Bill Gejtsit të miat, aq janë edhe këto poste të këtyre që po i ndajnë se bashku me makiato dhe çaj rusi. Së paku, për momentin! Më vonë shohim e bëjmë!
Kush dhe sa fitoi nga kjo ndarje e pronave pa dëshmi të kadastrës
Ramush Haradinaj postin e kryeministrit e ka permanent. Po e mashtrojnë keq! E kanë kthyer në humor këtë post. Post karikatural! Isa Mustafa mendon se doli fituesi kryesor. Nuk është ashtu. Po të jepte apo së paku, po të ofronte dorëheqje si akt moral për humbje të zgjedhjeve, do të mbahej mend se ka ende moral për shkak të përgjegjësisë. Do të shkonte në pension politik. Me pak moral. Tash, me këtë koalicion apo me alkiminë që nga Isa Mustafa të bëhet Jakup Krasniqi, përkohësisht do ta ruaj lëkurën mirëpo, pa asnjë dyshim më vonë do t’i shkojë koka politike. Të cilën kanë filluar t’ia kërkojnë. Edhe të hynte në koalicion me Hashimin, fatin do ta kishte të njëjtë! Kur njeriu vdes është me shumë rëndësi çfarë jete ka jetuar e sidomos çfarë vdekje ka pasur. Në bazë të kësaj bëhet edhe kryeshëndoshi apo e pamja! Nuk është e njëjtë pamja që bëhet për trimëri me të pamen që bëhet për kurvëri. Morale apo politike, nuk ka shumë rëndësi! Nisma për Kosovën nuk ka çka të humbë më shumë se që ka humbur tash! Është e mbaruar fare!
Po del se deri më tani, për momentin fitues janë Veton Surroi dhe Albin Kurti. Binom interesant i dy kundërshtive në aspektin njerëzor, moral, politik, kombëtar dhe politik! Së paku ashtu pata menduar! Albin Kurti e ka përkrahjen e fuqishme të Veton Surroit. Deri më sot, për këto vite që i kam nuk kam hasur në ndonjë rast që e ka përkrahur Vetoni që personi i përkrahur t’ia ketë parë hajrin! Vetoni po sepse të tjerët kanë punuar për te!
Albin Kurti me retorikën e Dantonit dhe konspiracionin e Robespjerit sot po e kërkon kokën e Hashim Thaçit. Nesër sigurisht edhe kokat e Isës, Ramushit, Fatmirit etj. Albin Kurti është shumë më i mençur se unë. E ka të mbaruar fakultetin, është deputet, kryetar i një partie, mbanë poste, e ka shetitur botën dhe është orator si Dantoni! E ka afër vetes Visar Imerin, Shpendin, Ilir Dedën, Yllin, dy dardanët (Molliqajn dhe Sejdiun). Mua më hanë në çdo aspekt! E ka trurin e Kosovës dhe ajkën patriotike. Të shkuarën, të tashmën me të cilën do ta ndërtojë të ardhmën! Nga përvoja e them se ai që ka “prerë“ koka të tjerëve, së pari duhet ta lejë peng kokën e vet! Ashtu përfunduan edhe Dantoni, edhe Robespjeri. Dhe të gjithë hjekësitë e kokave të Revolucionit francez!
Për herë të parë Albin Kurtin e brohoritën duke e ngritur në qiell simpatizantët e LDK-së. Edhe këta të AAK-së! Madje, Halil Matoshi, në mungesë të presidentes Atifete Jahjaga, Albin Kurtin e shpalli hero. Dhe këtu pikërisht qëndron problemi sepse kemi një erozion moral apo dhunim të standardeve dhe kritereve për shpallje të heroit! Kanë ardhë kohëra të vështira…kur Halil Matoshi e shpallë hero Albin Kurtin dhe kur Albin Kurti e pranon dekoratën e Halil Matoshit me të cilën Albini shpallet hero i Kosovës! Jam dëshmitar i shumë zhvillimeve në Kosovë prandaj e them se konflikti i Albin Kurtit me Hashim Thaçin nuk është as për shkaqe parimore, as njerëzore, as morale, as patriotike, as kombëtare, as politike e as për shkaqe shtetërore por është ekskluzivisht i natyrës personale! Kësaj radhe kaq…!
Ndryshe, pse Albini e mohon Thaçin ndërsa e pranon Ramushin dhe Isën kur të gjitha vendimet për bisedime me Serbinë, privatizimit dhe proceseve tjera që e kanë dëmtuar Kosovën janë marrë nga Hashimi, Ramushi dhe Isa Mustafa! Parimi është parim dhe vlenë për të gjithë! Albini po i vë në stivë të druve duke ua vënë zjarrin kundërshtarëve politikë të cilët, në raste të caktuara i konsideron edhe armiq, ndërsa Albinit do t’ia vënë flakën këta që po ia marrin ngadalë por sigurt LVV dhe me të cilët personalisht kam pasur shumë debate duke e mbrojtur Albinin dhe LVV dikur. Tash, askush nuk do të jetë në gjendje ta mbrojë Albin Kurtin, sepse ai nuk diti ta mbrojë veten e tij dhe ata që e mbrojtën kur ishte më së vështiri! Zoti i ndihmoftë!
Të gjithë po parashikojnë zgjedhje të parakohshme. Unë nuk mendoj ashtu. Do të gjindet një zgjidhje e ndërmjetme sepse politikanët tanë nuk e mbajnë fjalën. Dhe kanë shumë frikë. Jo nga Zoti e as nga populli. Por tmerrohen kur detyrohen të shkojnë në kafe të mëngjesit në Dragodan. Apo kur thirren në party të mbrëmjes po ashtu në Dragodan pas së cilave, puna e parë që duhet të bëjnë kur të kthehen në shtëpi është ndërrimi i brekëve dhe brekusheve!
Në fund të fundit, shqiptarët janë të prirë për paralelizma. Institucione paralele. Nga Republika që e njohu Malshedezeku, si fuqi kryesore e botës ekonomike dhe politike deri te Republika e Tretë që do ta formojë LVV pasi të parën dhe të dytën nuk po e njohin.

 ————————————————–

SHERADIN BERISHA: PAS 8 QERSHORIT NIS ZHGËNJIMI! MISIONI I MASKAVE DO TË JETË: ‘SHITJA – PRIVATIZIMI I PASURISË KOMBËTARE DHE NEGOCIATAT E REJA ME SERBINË!

HAPE: https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=2846

====================================================

(Ilustrimet janë të pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura