Durrës, 04. 10. 2016: Marrim vesh në media që eurodeputeti Z.E.Kukan paska thënë: „Droga është një problem i madh për Shqipërinë… Duhet t’i jepet fund këtij fenomeni, sepse këtu në Bruksel të gjithë e dinë.“
Përgjigjja më e shkurtër ndaj kësaj deklarate është kjo: „Evropa le ta mbyllë tregun e drogës dhe vetëvetiu i jepet fund këtij fenomeni në Shqipëri!“
Edhe Z.E.Kukan, edhe të gjithë eurodeputetët duhat ta dinë që ne shqiptarët nuk jemi aq të pamend, sa të mos i kuptojmë ku rrahin deklaratat e njërit apo tjetrit politikan të sotëm të cilitdo vend të botës.
Ka qenë po kjo Evropë, e cila, nga njëra anë caktonte shpërblim të madh, dhjetë mijë dukatë, për njeriun që do ta vriste Gjergj Kastriotin Skënderbeun dhe nga ana tjetër bënte tregti me Perandorinë Osmane antievropiane.
Ka qenë po kjo Evropë, e cila i la arbërit vetëm, përballë Perandorisë Osmane, për 200 vjet të plotë, 1371-1571, deri sa, më në fund, ia la në dorë asaj Perandorie edhe dy qytetet e fundit arbërorë, Tivarin e Ulqinin. Pas kësaj, pasi ia la në dorë Turqisë, edhe këta dy qytete si krejt Arbërinë, për treqind vjet nuk pushoi së akuzuari arbërit e Ulqinit për pirateri në Adriatik dhe në krejt Detin e Masdheut. Për vete bënte pirateri gjithfarë llojesh, ne nuk na lejonte të bëjmë pirateri!
Ka qenë po kjo Evropë, e cila lahej e lyhej me monarkitë sllave të Ilirikut, ndërsa prej princërvet arbër kërkonte më parë të bëheshin vasalë, pastaj pale a u ofronte ndonjë mbrojtje fare të vogël!
Ka qenë po kjo Evropë, e cila gjuhën greke e ka mbajtur për qindra vjet nëpër shkollat e veta si gjuhë klasike, ndërsa për gjuhën iliro-arbërore dhe për kulturën e iliro-arbërvet as që është interesuar. Përkundrazi, i mbyllte të gjitha valvulat e njohjes së kësaj gjuhe dhe të kësaj kulture.
Eurodeputeti sllovak, Eduard Kukan.
Ka qenë po kjo Evropë, e cila, qysh në shekullin e nëntë bëri çmos që feja e krishterë të përhapej në gjuhën sllave, ndër sllavë e josllavë, në një kohë kur, për t’ia “lejuar” (me zor) M.Luterit liturgjinë në gjuhën gjermane, do të duheshin edhe gati gjashtë shekuj, ndërsa liturgjia në gjuhën shqipe do të lejohej plot një mijë vjet mbasi u është lejuar sllavëvet në gjuhën sllave.
Ka qenë kjo Evropë, e cila, në shekullin nëntëmbëdhjetë, treqind e dhjetë vjet pasi ia kish lënë Turqisë Ulqinin arbo-shqiptar, do t’ia kalonte atë Malit të Zi. Ndërkaq, copa të mëdha të Shqipërisë do t’ia jepte, thjeshtë për qejf, shtetit të sërbëvet. Vetëm të lirë të mos ishin arbro-shqiptarët! Kjo ka qenë “detyra” e Evropës shekull pas shekullit.
Ka qenë kjo Evropë, e cila, në vitin 1913, ua shpërndau shtetevet fqinjë dy të tretat e Shqipërisë. Në këto kohë shtetet fqinjë ndërtuan në tokën shqiptare dy kryeqytete për vete dhe Evropa nuk e tha as gjysmë fjale kundër të këtillë krimeve.
Ka qenë kjo Evropë, e cila, në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, shqiptarët që përpiqeshin e luftonin për çlirimin e Atdheut të vet nga pushtuesit sllavë, i quante separatistë dhe terroristë dhe, kur, më në fund, u detyrua t’ia njohë njëfarë pavarësie një pjese të Shqipërisë, me emrin krahinor Kosovë, prapë i la një pjesë të madhe të tokavet shqiptare në sundimin e fqinjëvet sllavë.
Ka qenë kjo Evropë, e cila, nuk tha asnjë fjalë kundër greqizimit të qindra mijë shqiptarëvet, lënë kriminalisht nën sundimin e grekëvet.
Ka qenë kjo Evropë, e cila nuk tha as nuk ka ndërmend të thotë asnjë fjalë kundër turqizimit të miliona shqiptarëvet në shtetin turk dhe qindra të vërteta të tjera kundër iliro-arbro-shqiptarëvet, mund t’i adresohen dhe do t’i adresohen po kësaj Evrope.
Por unë tash nuk po dua të hyj në arsyet pse ka ndodhur kështu. Por po dua t’i them Z.E.Kukan, (i cili, duke qenë një deputet me përkatësi sllovake, do të duhej t’i kuptonte pak më mirë këto gjëra), se Kombi Shqiptar nuk do të ishte kurrë një gjenerues i dukurivet negative, nëse vetë Evropa nuk do të inkubonte dhe krijonte terren për të këtilla dukuri.
Në kohën e Enver Hoxhës Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë nuk ka prodhuar drogë dhe nuk ka eksportuar drogë. Megjithatë, Evropa, po kjo Evropë, donte ta rrëzonte, donte ta përmbyste, qeverinë shqiptare të asaj kohe dhe është përpjekur për dyzet vjet rresht, për ta likuiduar fizikisht Enver Hoxhën.
Cila ish arsyeja?! Arsyeja ish, se Shqipëria e atëhershme prodhonte ide kundër shfrytëzimit të njeriut prej njeriut.
Po tani, cila është arsyeja?! Tani Evropa nuk po do t’i lejojë shqiptarët për t’u bërë pjesëtarë në shfrytëzimin e njeriut prej njeriut.
A nuk e kupton Z.E.Kukan që, po të mos konsumohej droga nëpër Evropë, shqiptarët nuk do ta mbillnin drogën?!
Pse nuk i thotë Z.E.Kukan Parlamentit Evropian: „Ndalo PËRDORIMIN e drogës!? Nxir ligje kundër PËRDORIMIT të drogës!“ Dhe pastaj, as shqiptarët e as ndonjë popull tjetër nuk do të merreshin më me prodhimin e diçkaje që nuk shitet?!
Ne shqiptarët, pjesa pozitive e jona, jemi kundër, edhe prodhimit, edhe përdorimit të drogës. Mirëpo, në këtë moment, problemi ynë kryesor është të mos përdoret droga prej shqiptarëvet! Ky është problemi ynë i madh! Mbrëmë u vranë dy njerëz dhe u plagosën katër. Thanë që vrasësi ishte përdorues droge. Ky është problem për ne!
A do të arrijmë t’ua mbushim mendjen shqiptarëvet që të mos e përdorin drogën?!
Të mos bëhen budallenj?!
Të mos bien viktima?!
Ndërsa, sa i përket prodhimit, këtë e kanë në dorë bota dhe Evropa si pjesë e botës. Jo ne! Nuk është në dorën e Kombit Shqiptar, të prodhohet apo të mos prodhohet droga! Gjer në ditën kur Evropa ta mbyllë përdorimin, pra tregun e drogës, mos na thoni të mos e prodhojmë drogën!
Gjokë Dabaj – Durrës, 4 tetor 2016