Pashtriku.org, 08. 10. 2016: Ibish Neziri ka lindur në fshatin Bardhaniq, Kosovë më 1957. Ai është gazetar dhe autorë i disa librave. Nga viti 1980 deri në vitin 1986 ka qenë i burgosur politik. Si gazetar ka punuar në gazetën “Zëri i Kosovës” dhe në gazetat kroate, “Hrvatska Danas” dhe “Hrvatska domovina”, ku ka botuar me pseudonime. Në vitin 1993 emigroi në Zvicër, ku punoi në Organizatën e Azilit (Asyl Organisation) dhe si mësues i gjuhës shqipe si mësim plotësues për 14 vite. Aktualisht punon si përkthyes profesionist dhe ndërmjetësues kulturor.
Ibish Neziri: Unë jam Ibish Neziri, zyrtarisht quhem Neziraj po kurrë në jetën teme se kam quajt ndryshe vetën teme pos Neziri. Jam i lindur në korrik të vitit 1957, në fshatin Bardhaniq, një fshat që përafërsisht plus minus, i bjen t’i ketë njisoj larg Gjakovën, Deçanin dhe Klinën. Është një zonë malore krejt mes pyjesh atje, gjatë gjithë historisë njihet si vend liridashës si vend që ka dhënë kontributin e vet për liri qoftë në mbajten, ruajten, strehimin e luftëtarëve nga Lëvizjet Kaçake e deri tek ushtarët e luftës së fundit, ushtarët e UҪK dhe gjatë luftës së fundit ka qenë zonë e UҪK-së. Unë kam lindur në at fshat, në një familje relativisht të madhe, familja ka qenë rreth nëndhejtë anëtarëshe kur kam lindur unë dhe në moshën e fëminisë jemi ndarë nga ajo bashkësi e madhe famijare dhe kam jetuar me babën, me vëllezërit dhe motrat. Baba ka jetuar 103 vjet, nana ka jetuar 86 vjet dhe unë aty e kam kry shkollën fillore dhe pastaj gjimnazin e kam përfunduar në Pejë dhe kam studjuar për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe deri në vitin 1980. Në vitin 1980 jam burgosë për shkak të aktivitetit tim, të veprimtarive të mija në organizatën ilegale që ajo është quajtur atë kohë Fronti i Kuq Popullor qendrën e ka pasur në Bohum të Gjermanisë. Me rastin e arrestimit më janë zënë disa libra, më jënë zënë disa afishe, të cilat ishin të gatshme të shpërndahen për festën e flamurit.
Erëmirë Krasniqi: Ku e bëjshit këtë aktivitet?
Ibish Neziri: Po aktivitetin ne u përpoqëm ta… bënim në gjithë Kosovën, afishet i shpërndanim në gjithë Kosovën. Ndërkaq grupi ishte grupi, organi… dega grupit ose dega grupit të organizatës të Frontit të Kuq Popullor ishte në Pejë ajo ka pasur edhe degë të tjera për të cilat ne faktikisht nuk kemi pas kontakte për shkak të ilegalitetit, për shkak të fshehtësisë, por ne jemi përpjekur që aksionin ta kryenim në Pejë, por edhe në Prishtinë, mirëpo jemi penguar sepse me 19 nëntor unë u arrestova dhe…
Erëmirë Krasniqi: Qysh jeni përfshi fillimisht, qysh jeni përfshi në këtë aktivitet politik?
Ibish Neziri: Unë thashë se kam lind në një fshat, i cili gjithmonë ka qenë fshat liridashës, vend ku ka strehue, ku i ka mbajt luftëtarët e lirisë, ata kanë qëndruar gjatë edhe në shtëpinë e babait tim, unë jam rritur përmes atyre tregimeve, jam rritur përmes atyre historive të dëgjuara nga babi im dhe miqtë e tij, të cilët e vizitonin shpesh. Po edhe nga rrëfimet në anën tjetër të nanës time, e cila tregonte se si u ka përgaditur ushqimin si kanë ardhë, si kanë hy, si kanë dal. Për shumë rrëfime që i kanë pasë edhe në këtë rast s’mund të mos ua tregoj edhe një ngjarje që shpesh i lenë edhe atë anën qesharake, e ka edhe atë anën e vet qesharake…
Axha i… shkoj ma konkretisht, Mehmet A. Grashkoci është axha i babës Presidentës së tanishme, ai ka qenë njëri ndër ta, pastaj Dema Lipozhari, Ramë Binaku i Dashinoci, ka pasë edhe kaçakë të tjerë po iu them ashtu siç iu kanë thënë edhe pleqt, të cilët kanë qëndruar gjatë në shtëpinë tonë. Dhe në një rast ata ishin n’shtëpi, fundi i luftës Brigada e Bogës, Bogelska Brigada, e rrethon fshatin, i mbledh gjithë njerëzit përpara shtëpisë së babait tim ndërkohë që ata ishin strehuar në shtëpi dhe kaçakët, kjo ndodh dikun nga viti ‘45, fillimi i ‘45 duhet të jetë, viti ‘45. “Halil, ku janë kaçakët? Ku janë kaçakët?” E shtrengojnë fshatin me qitë kaçakët, do të thotë. Edhe plaku thotë, “More, o shok Vuçk” thotë, “ju fshatin e keni mbledh kot, ju kot e keni grumbullu fshatin, po kta s’kanë buk me hongër vet e le mo për kaçak, kaçakët nuk hajnë gjithçka, ata dojnë mish e pite, e këtu veç dy vet i majn kaçakët.” “Po kush i man kaçakt?” Thotë, “Kaçakët i maj unë edhe t’i man qeky plaku.” Një plak i lodhur me një shkop i mbështetur. Kur thotë, “I maj unë dhe i man ky plaku,” ai plaku e çon shkopin me i ra thotë, “Mos fol! Pse po fol Halil!” Dhe don t’i bie shkop. Edhe kjo kalon pastaj në një qeshje të përgjthshme dhe ata thojnë, “Ik, se s’ka gjë”.
Herën tjetër shkojnë futën në odë, “Halil, a din ku janë kaçakët?” Thotë “Po.” “Po, ku janë?” “Po, kurrë ma afër nuk i ke pasë.” “Si more kurrë ma afër?” Thotë, “Kurrë ma afër nuk i ke pasë.” Thotë, “Mos bon hajgare!” Thotë, “Po ju kallxoj drejt”. E vërteta ishte se ata ishin në anën tjetër të murit, do të thotë vetëm një muri i ndate me ushtarët… ushtarët e Jugosllaivsë kaçakt, kështu që unë jam rritur përmes atyre tregimeve, e kjo ishte njëri ndër faktorët, ky ishte njëri ndër faktorët që kanë ndiku në krijimin tim. Pastaj janë ato librat e rilindasëve Naimi me, “O malët e Shqipërisë” e ku ta di unë e gjithë ato libra, gjithë ato libra që janë shku, libra tjera që janë ardhë nga Tirana të cilat ne sot i mohojmë padrejtësisht, sepse ç’është e vërteta ne me libra të tyre jemi rritur, jemi edukuar, kështu që ky ka qenë edhe ai formimi im.
Pastaj është edhe një tregim tjetër për një mësuses nga Shqipëria, i cili ka qenë në zonën tonë dhe kur tregonte babai për te, kur janë largu mësuesit pas prishjes së marrdhanjeve Jugosllavi-Shqipëri, babait tim ia len amanet, i thotë, “Ndihmoje arsimin sa të munesh, ndihmoje arsimin, se pa arritë arsimimi kulmin kurrë Kosova nuk ka me dal,” siç thonte babai “prej shkaut.” Po thotë, “Kur del arsimi, kur arrin arsimimi kulmin,” thotë, “atëherë kur babai punon në polici, fëmija në shkollë dhe në mbramje kur fëmija në shtëpi nuk i tregon babait çfarë ka mësuar në shkollë”, thotë “atëherë e arrin kulmin”. Dhe babai im e ka mbështet arsimin jashtëzakonisht shumë, kur them e ka mbështet arsimin, unë them nga ky aspekt, mësuesit kanë ardhur nga Gjakova nga rrethi i Pejës, do të thotë kanë ardhur larg dhe ai shpeshherë më thonte, “Dil në kodër të fshatit, shih a ka dritë në shkollë a jo?” Dhe nëse kishte dritë në shkollë do të thonte, se mësuesit ishin në shkollë s’kishin mundur të ktheheshin, sepse s’kishte ndonjë lidhje tjetër pos udhëtimit në këmbë dhe udhëtimi në këmbë zgjaste tri orë a katër orë. Çonte njërin nga vëllezërit e mij dhe i merrte mësuesit, nuk i linte në shkollë. Do të thotë, më shumë dimrit i ka majt në shpi të vet, sesa kanë nejt mësuesit, kanë qëndruar në shtëpitë e tyre. Gjitha këto kanë ndikuar në formimin tim, më kanë zgju interesimin për hulumtime mëtutjeshme, për të mësuar më shumë dhe kështu ka ndodhur, do të thotë ajo rruga e krijimit tim.
Erëmirë Krasniqi: Ҫka ka ndodhë me… te burgosja, qysh ka ardhë deri aty?
Ibish Neziri: Sa jam informu… ende konkretisht nuk e di. Sa jam informu një shok i yni i cili vinte nga Gjermania me porosi për tek ne është burgosur, është mbajtur dy-tre ditë, është liruar dhe duket se përmes tij jemi dekonspiru. Shumë vonë e kam marrë vesh nga një intervistë e tij që ai është burgosur në atë kohë në të…’80-tën. Dhe ai duket se, duket të ketë qenë i përcjellur në takimin me mu pastaj përcjellja është zgjeru dhe unë kam fillu të survejohem, t’përcillem nga sigurimi i shtetit i cili atë emrin taman origjinal e ka pasë UDB. Dhe në nëntor të ’80-tës derisa përgadisnim aksionin unë jom burgosë, atë kohë jemi denu dy persona, jemi denuar për propagandë armiqësore nga neni famoz i vitit një mijë e nënqind e… më fal, jam denuar për propagandë armiqsore nga neni 133 i Ligjit Penal të Jugosllavisë i cili ishte nji, nji… ligj ose nji nen famëkeq i ligjit penal, sepse njeriu denohej edhe për shkak të mendimit, do të thotë as për të menduar nuk guxonte dhe me atë nen jam denuar. Jam denuar me dy vjet burg, ndërkaq ai shok që ka ardhë nga Gjermania është denuar me një vit e gjysmë burg. Janë dënuar edhe dy të tjerë, nga rrethi i Gjakovës dhe kështu kemi mbetur në burg.
Erëmirë Krasniqi: A mundeni me na…
Ibish Neziri: Gjithsej katër vetë, por pa qenë në lidhje do të thotë, pa mundur të na venin në lidhje me njëri-tjetrin në aktakuzë dhe përpjekja e tyre për ta formuar këtë grup prej ne të katërve ka dështuar dhe jemi denuar që të dy palët, dy-dy, jemi denuar me nenin 133.
Erëmirë Krasniqi: Kjo me siguri ka qenë e randsishme për me iu denu si grup për me konstruktu nji rast ma të madh?
Ibish Neziri: Për denime po. Për denime ama të…
Erëmirë Krasniqi: Po, a kishit mujt me na ndërtu nifar historie t’qesaj iniciative politike? Mendoj, qysh ka fillu? Qysh keni fillu ju m’u angazhu në të? E organizume prej kujt? Ҫfarë lloj ideale?
Ibish Neziri: Po kjo ka qenë pjesë e Frontit të Kuq Popullor, atëherë nuk është dashtë shumë dikush të ketë ta organizoj dikë tjetër, fillimisht do të thotë ka mjaftuar kontakti me literaturën, kontakti me programin, me statutin e organizatës dhe shoktë e kanë gjetë shokun. Do të thotë, për pa pasë një lidhje një diçka që afron shoktë në mes vete ka qenë e vështirë të… bashkohen shoktë, parandaj do të thotë kjo ka qenë, “Qe e kom marrë një libër të mirë” apo “M’ka ra ndorë një program ishte interesant, qe lexoje. A qenka i mirë, a po bojmë diçka?” Në këtë mënyrë ka shku ajo rruga e krijimit të grupeve dhe organizatave. Të pakten flas për grupin tim në këtë rast.
Erëmirë Krasniqi: Kush ka qenë… po, nëse mundeni me na tregu kush ka qenë në grup?
Ibish Neziri: Kush ka qenë në grup a po? Po unë dhe Malush Ademi jemi burgosur herën e parë, do të thotë Malush Ademi dhe unë, Malushi ka qenë në Gjermani edhe unë kam qenë këtu. Ne jemi burgosur, së pari janë marrë në ’80-tën në pytje edhe dy apo tre tjerë të cilët do të thotë kanë pasë kontakt me neve edhe ju ka ra në sy kontakti me neve. Kjo është sa ka t’boj me denimin e parë, mu atëherë më është zënë një trakt që edhe sot e kësaj dite përmendsh ia di përmbajten atij trakti dhe unë tani edhe po e them:
“Armiku ynë shekullor Titzmi Jugosllav po i mbush burgjet me patriot shqipëtar, por le të dijë se nuk do të na frigoj dhe nuk do të na largoj dot nga lufta e shenjtë për çlirim nacional dhe social si dhe për bashkim me vendin amë Shqipërinë socialiste. Rroftë populli shiptar! Rroftë partia e punës! Rroftë Shqipëria! Rroftë Partia e Punës së Shqipërisë në krye me shokun Enver Hoxha!”
Kjo ka qenë përmbajta e traktit me të cilin edhe jemi arrestu, ka qenë një copë [pan]kartë dhetë me dhetë centimetra, letër e kuqe e shkruar me ngjyrë të zezë dhe vetngjitse, vetëm i heqej ajo folia nga mrapa dhe ngjitej kudo, kjo ishte ajo, ajo… të them afishe, trakt.
Erëmirë Krasniqi: Sa vjet i keni pasë kur jeni burgosë?
Ibish Neziri: Po llogarisim tash. Unë jam burgosë, i lindur me 24 korrik ’57, i burgosur 19 nëndor ‘88 do të thotë 23 vjet, 23 vjet kam pasë kur jam arretsuar. E pastaj në pranverën e vitit ‘81…i ndodhën gjëra tjera Jugosllavisë, përfundimisht fillun t’i rrënohen themelet po këtu në Prishtinë ku edhe po e bajmë intervistën. Me 11 mars filluan demonstratat…
Erëmirë Krasniqi: A keni qenë pjesë e tyre?
Ibish Neziri: Po une s’mund t’them që kam qenë derisa unë isha në burg t’paktën jo pjesë direkte po mund të them që edhe… nuk ka pasë, do të thotë edhe ndikimi nuk ka qenë jo prezent edhe ndikimi im edhe i organizatës me të cilën kemi vepru, do të thotë edhe ata kanë ndikuar, ka ndikuar edhe vet gjendja e krijuar n’Kosovë, vet rrethanat e krijuara në Kosovë. Në Kosovë pas shenimit të 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit ndodhi një ndryshim i qind për qind, populli u entuziazmue, do të thotë edhe filloi t’i sheh gjërat më ndryshe filloi ta kuptoj lirinë më ndryshe, filloi ta sheh se… vet liria është të kuptuarit e domosdoshmërisë, domosdoshmëria ishte që Kosova përfundimisht të lirohej prej Serbie. Edhe kjo do të thotë ishte, ato ngjarje sollën rrethana t’reja, sollën burgosje t’reja edhe… ishte dikush që nuk mund t’shkoj deri n’fund edhe emri im përsëri u lakua nëpër rasa.
Erëmirë Krasniqi: Domethonë, protesta e ’81-shit kanë afektu edhe gjendjen e qëndrimit tënd n’burg? A ju ka pru ajo…
Ibish Neziri: A më ka penguar?
Erëmirë Krasniqi: E ka afektu po mendoj… a jeni dyshu prap? A janë… mundu me ju lidhë me grupet tjera?
Ibish Neziri: Po, fillimisht fillimisht jo. Unë përsëri… kanë filluar përsëri, unë jam marrë në pytje pas arrestimit të nji grupit nga Gjakova, unë jam marrë në pytje, jom marrë në pytje njëherë për… do të thotë dikush atje ka përfol emrin tim… dhe nuk e ka përfolur krejt kot dhe krejt rasisht. Pastaj, ka pasë edhe të tjerë që janë arrestuar dhe edhe dikush tjetër e ka përfol emrin tim, është lakuar emri im nëpër rasa, “prej kuj”, “prej Ibishi” “nga kush”, “nga Ibishi”. Unë vet paraprakisht kam qenë dy vera para se të arrestohem, dy verat e fundit para se të arrestohem unë kam qenë vet kam shkuar gjurmëve, do të thotë ose me qëllim të krijimit të lidhjeve me organizatat ilegale që kanë vepruar në Evropën Perëndimore në vitin 1978, kam shkuar në Zvicër por jam kthyer pa ndonjë lidhje. Dhe në vitin 1979 kam shkuar në Gjermani dhe nga atje unë kam sjellur literaturë të bollshme, kam sjellur libra, kam gazeta, revista të ndryshme të cilat pastaj kanë kaluar dorë më dorë të cilat janë lexu…
Erëmirë Krasniqi: Çka kanë përmbajtë?
Ibish Neziri: Po përmbatje, kuptohet se çfarë përmbatje, po për shembull, “Lëvizja Patriotike e Kosovës dhe Hasan Prishtina”, “Kosova Djep i Shqiptarizmit”, Fjalimi i Ramiz Alisë për Lidhjen Shqipëtare të Prizenit, në njëqind vjetorin e lidhjes shqipëtare të Prizrenit pastaj gazeta “Shqipëria e Re”, “Zëri i Popullit” disa numra, pastaj “Lahuta e Malësisë” e Gjergj Fishtës, ishte “Tradhëtia e Kapllan Resulit”, një libër që faktikisht është i vjedhur libri, autorisa është vjedhur sepse Kapllani nuk është autor i librit katërciprisht vërtetuar, por një libër e cila ka kaluar dorë më dorë dhe e cila ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm te rinia e asaj kohe. Ka pasë libra të Enver Hoxhës, sidomos “Vepra e Shtatë”, e cila ka të bëjë jashtzakonisht shumë me Kosovën, me ato relacionet që Enver Hoxha apo Komiteti Qëndror i Partisë Punës Shipnisë dhe Qeveria e Shqipërisë ia dërgon përfaqësuesve të vet diplomatik, të cilët i ka dërguar në Kombet e Bashkuara, sidomos të Mehmet Shehut e të tjerve. Çfarë qëndrimi duhet të majnë dhe çfarë të flitet atje, çfarë të thuhet për Kosovën, dhe madje m’kujtohet mirë një shprehje aty thotë, “Rregulloja mirë samarin atij revizionistit të Beogradit”, ishte fjala për Titon, ndreqja mirë samarin në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që mbahet çdo vit edhe sot e kësaj dite.
E këto kanë qenë ato librat, libra të cilat faktikisht kanë folur shumë për Kosovën, kanë folur për arrestimet, sepse në Kosovë gjithnji ka pasë arrestime, anipse këto kanë shkuar në heshtje. Adem Demaçi ishte burgosur në vitin 1975, ishte burgosur për herë të tretë me sa e sa intelektual të rinjë, Metush Krasniqi, po ashtu Kadri Osmani, Xhafer Shatri. Edhe, do të thotë kishte shumë të burgosur të tjerë edhe ato gjithmonë i kanë aktualizu këto çështje nëpër libra dhe nëpër gjëra të ndryshme, revista të ndryshme, apo botime të veçanta, prandaj edhe ishin këto që kanë kaluar dorë më dorë libra të cilët e paraqitnin atë nevojen e krijimit të Republikës së Kosovës, të republikës së shtatë në Jugosllavi, krijimin e Republikës së Kosovës. Për të cilën, do të thotë, unë edhe sot e kësaj dite nuk e mendoj se duhet të jetë, sepse projekti i shqiptarve nuk ka qenë as atëherë në kohën e ilegalitetit kur unë kam vepruar dhe kanë vepruar shumë shokë të mij, nuk ka qenë projekt Kosova Republikë, Kosova shtet i pavarur, por ka qenë projekt bashkimi i… nevojshem dhe bashkimi, do të thotë, i drejtë i territoreve shqiptare në një shtet të veçantë sepse nuk janë shumë vjet që… prej histori të paktën që trojet tona janë nda dhe janë okupuar dhe kto ishin ato…
Erëmirë Krasniqi: Qysh…
Ibish Neziri: Këto ishin ato që kanë bërë të angazhohemi të organizohemi, anipse gjithmonë është gjetë një pretekst. Ta zëmë 28 nëntori, hajde ta shënojmë në këtë mënyrë 28 nëntorin ose ja po protestojmë po fillojmë protestën për ushqim, siç ka ndodh me 11 mars, por që në prapavi nuk ka qenë çashtja tek ushqimi por ishte çashtja tek…
Erëmirë Krasniqi: Protesta në menzë…
Ibish Neziri: Urdhëroni?
Erëmirë Krasniqi: … Ushqimi në menzë qysh është marrë si pretekst, a mund të na spjegoni?
Ibish Neziri: Po ajo është marrë si pretekst gjoja se ushqimi është ushqimi i keq, gjoja se ushqimi i dobët i keq e pritjet e gjata në menzë, e ku ta di unë. Unë në atë kohë kam qenë i burgosur do të thotë, por po e paramendoj, por edhe nga bisedat me shokë tjerë, po ajo në prapavi [ka] qenë… fillimi, qëllimi… fillimi i qëllimit demonstratave, kundër pushtimit t’Kosovës kundër mbajtes së Kosovës nën okupim.
Erëmirë Krasniqi: Qysh ka qenë qëndrimi juj në burg gjatë qasaj kohe?
Ibish Neziri: Qendrimi im n’burg gjatë qasaj kohe? Po të flasim për periudhën e hetuesisë është një periudhë e tmerrshme. Në hetuesi ushtrohen tortura që njeriu, mendja e shnoshë e njeriut nuk mund t’i akseptoj, që mund të ia kalojnë edhe Gestapos së Hitlerit, që mund t’ia kalojnë edhe atyne hetuesve të Stalinit në Bashkimin Sovjetik. Torturat që jonë ushtru mbi të rinjët e Kosovës dhe pytjet janë “Kush? Me cilin? Ku?” Dhe gjana të tilla, do të thotë gjithmonë ju ka interesue, t’i krijojnë, t’i krijojnë lidhje dhe të zgjerojnë rrethin e njerëzve që burgosen. Ata e kanë pas një metodë t’veçantë, t’kanë fol t’kanë thanë që, “E ke ba kët, kët, kët, kët”, do të thotë ata e kanë saju veprën që gjoja ti e ke bërë dhe… Ti ke thënë, “Jo nuk e kam bërë.” E ke mohuar atë, ata pastaj kanë ushtru totruta tilla të tmerrsme që smund t’paramendohen. Dhe përsëri e kanë përsëritur të njejtën gja, “Ti e ke bër kët, kët, kët, kët”, dhe përsëri ka fillu tortura, do të thotë, pas mohimit t’juj dhe i kanë sjell njerëzit në atë gjendje që pastaj ata për t’i ikur torturës, “Çka ke bo, a po fol, a po ja nisim përsëri?” Dhe pastaj ata ato, ato që i kishte dëgjuar prej hetuesit apo prej hetuesve i ka përsëritur, i ka përsëritur, do të thotë, “Po, e kom bërë kët, kët, kët, kët”, dhe kjo ka ndodhur vetëm për t’i ikur torturës për t’iu shmangur dajakut dhe me të dalë në gjyq i kanë mohuar ato gjëra mirëpo gjygji, faktikisht gjygjet jugosllave asnjë gja nuk kanë marrë parasysh, për gjygjet jugosllave kanë mjaftu akuzat e ngritura nga UDB-ja e… Jugosllavisë.
Unë me këtë rast nuk mund të mos e përmend një shembull konkret të studiuar mirë, për të vërtetuar këtë mund ta gjeni në librin “Këtu jam për ti luftuar armiqt” monogarfi për dëshmorin e kombit Xhemail Fetahaj. Ai është burgosur si shtatëmbëdhjet vjeçar, si shtatë.. do të thotë para moshës shtatëmbëdhjet vjeçare ka përfunduar aktivitetin e tij, dhe e ka përfunduar vetëm dhjetë ditë para se të përfundoj lufta meqë nga afërsia duke luftuar nga afërsia në llogoret serbe, ishte futur në llogoret e ushtrisë serbe dhe aty u vra ai njeri. Do të thotë unë i kam patur në dorë leterkëmbimin i cili është n’libër, i futur n’liber, në mes të sigurimit t’shtetit, gjyqtarit hetues dhe prokurorit, do të thotë leter këmbimi trekëndësh duke i dhënë instruksione njëri tjetrit se si të vepronin në rastin e Xhemail Fetahaj, do të thotë, është dokumentacioni i publikuar edhe me faksimil është i publikuar në libër. E kjo ka qenë ajo metoda e tyre.
Unë në atë kohë, do të thotë pas hetimeve i burgosur n’nëntor në mars me 22 dhe 23 mars, me 22 mars jam nxjerrë para gjykatës, me 22 mars të vitit 1981, do të thotë dhjetë ditë pas fillimit të demonstrateve n’Prishtinë dhe jam denuar me dy vjet n’bur… dy vjet burg, ndërkaq në gusht filluan përsëri hetimet tjera, përsëri… jo këtë herë me dy vet, këtë herë grupi u saju prej temdhjetë vetëve, përfshirë edhe mua. Dhe përsëri e njejta procedurë e hetimeve, e njejta procedurë e hetuesisë që zgjati që zgjati poashtu nga gushti deri në shkurt të vitit 1982 dhe herën e dytë u denova me denim prej, unik do të thotë denimi i parë plus denimi i dytë, ishte denimi prej gjashtë vjetësh si udhëheqës i grupit Fronti Kuq Popullor për rrethin e Pejës.
Erëmirë Krasniqi: Domethonë tash e bonen njëfar lidhje mes të burgosurve të rinj dhe juve?
Ibish Neziri: Po dhe meje…
Erëmirë Krasniqi: Qashtu…
Ibish Neziri: U bë nje lidhje përmes t’burgosurve të rinjë dhe meje dhe doli do të thotë grupi, Fronti i Kuq Popullor për rrethinën e Pejës, për shkak të cilit si udhëheqës morra denimin prej gjashtë vjetësh dhe… edhe këtë rast unë… sepse sigurisht ju interesojnë detajet dhe unë e përmendi ketë rast, unë u denova me… n’shkurt u denova, tri ditë zagjti gjykimi. Në mars me 17 vdiq babi im n’moshën 103 vjeçare, une morra vesh në një vizitë të jashtëzakonshme, sepse vizitat e zakonshme ishin me një dhe me 15 të muajit, një vizitë që zgjaste pesë minuta, nuk zgjaste më shumë dhe ajo ishte mes grilash, do të thotë grilat i kishim n’mes, një rrjetë t’metalt qe as gishtin nuk mund te fusje n’mes vrimash të rrjetës për, për ta prekur gishtin. Ta zëmë nana apo motra kur vinin në vizitë dhe në një vizitë të jashtëzakonshme prej tre minutash, do të thotë, sa arriti vllai t’më komunikonte lajmin për vdekjën e babës. Kaq zgjati vizita dhe mua ma ndërprenë vizitën. Dhe jo atë ditë por të nesërmën vetëm për t’më thyer shpirtrisht mu më futën në biruc, do të thotë biruca ishte një dhomë e vogël, vetëm ti pa njeri, pa… do të thotë që… mbase kur në një rast të tillë njeriu ka nevojë t’i këmbej dy-tri llafe me dikend. Do të thotë, krejtsisht i vetmuar dhe ajo bahej vetëm për t’më thyer shpirtërisht. Ajo ishte bërë me urdhër nga lartë dhe urdhëri nga lartë ishte urdhëri nga sigurimi i shtetit.
Hetimet mua m’i kanë udhëhequr… do të thotë hetimet ndaj meje janë udhëhequr nga Slavković Milim… Milivoje, zavendës i shefit t’sigurimit për Kosovë dhe Asllan Sllamniki, nji kriminel se për Slavkovićin une nuk befasohesha se ishte nji kriminel i tillë, por një kriminel, një shqipfolës siç ishte Asllan Sllamniki, një kriminel i cili n’hetuesi vinte më thonte me ca durë t’leshta si, si, si një gorillë vinte m’thonte, “Ti sallatë për drekë nuk ke për t’m’dale. A e din ti sa njerit i ka dalë bari mbi trup, sa njerit i ka dalë bari mbi vorr prej ktyre durëve?” Dhe mi tregonte ato duar {shpjegon me gjeste si ka mbajtur duart}, mi tregonte ato duar kështu, “Ti sallatë për drekë mu nuk m’del, sallatë për drekë nuk m’del”, m’mblidhte mirë, m’gozhdonte mirë, mi hiqte syzat dhe pastaj m’dërrmonte… kshtu… Dhe ata kur kanë ardhe herën e parë n’gusht që të dytë se edhe herën e parë edhe herën e dytë i kanë kryer hetimet, po kur kan ardhur për hetimet e dyta n’gusht të 92-shit, m’falni n’gusht të 91-shit m’thotë Slavković Milivoje, “Gde si mi Ibish Neziri? U novembar si me prevario ali dajem ti reč ne možes više.” [Ku t’kom Ibish Neziri? Në nëntor më ke mashtruar, por ta jap fjalën se nuk do të mundesh më.] Edhe do të thotë, nga këtu fillon përsëri seria e dytë e hetimeve dhe pason denimi prej gjashtë vjetësh burg.
Qëndrimi im në vetmi në Pejë ishte qëndrim prej nji jave. Nëse flasim për gardianët e burgut të Pejës me përjashtim të dy-tre tjerë, une edhe sot e kësaj dite kam një respekt t’jashtzakon… t’jashtë… jashtëzakonisht t’madh për ta, një respekt të jashtëzakonshëm, sepse vërtetë e kanë merituar respektin, na kanë trajtuar për aq sa ata kanë guxuar, për aq sa ata kanë pasur hapsirë, na kanë trajtuar jashtë… jashtëzakonisht mirë, dy-tre tjerë kanë qenë t’indentifikuar me kambë e me kry me UDB-në. Dhe në atë kohë n’burgun e Pejës ishte një drejtori e dhunshme, ishte një drejtori e dhunshme dhe një gardian i cili nuk jeton më, një gardian i cili ka mbajtur kontakte mes meje dhe shokëve mrenda burgut i quajtur Bilall Përgjegjaj. Ai shkon dhe alarmon drejtorin e burgut thotë, “Kemi njeriun qe që një javë ditë nuk ka ngranë bukë”, edhe vie drejtori i burgut në ora nantë mbrëmje tek unë dhe kërkon llogari se pse s’kam hangër bukë dhe detyrohem t’i thom, “Hajt, hiqmu qafesh, hiqmu qafe, hiqmu syshë, nuk t’kom shpallë grevë urije sepse po t’shpallë grevë urije unë do t’njoftoj, por s’kam shpallë grevë urije dhe hiqmu syshë!” Dhe ai largohet me atë mallkimin, “Kurrë n’gojë mos t’raftë”.
Edhe pas dy ditësh mua bashkë edhe me njëzet e gjashtë tjerë nga burgu i Pejës… ku i kishin sjellur dy a tre nga Prizreni, dy a tre nga Mitrovica, na nisemi me një autobus drejt Zagrebit, për neve ishte drejtimi i panjohur, ne nuk dinim se ku jemi, fare rastësisht me një vend ku i… me kërkesën e disa t’burgosurve është nalë autobusi për shkaqe do të thotë, për shkak të nevojave fiziologjike është nalë autobusi e kom pa një pllakatë shkrunte “Nova Gradiška”, atëherë e kam marrë me mend se jam në… jemi në Kroaci dhe na kanë dërguar në burgun e Zagrebit, në Petrinska shtatë. Një burg… si mrenda, si jashtë i tmerrshëm, por aty nuk na kanë mbajtur gjatë, na kanë mbajtur tre-katër orë dhe nga aty me një furgon, të lidhur me zingjirë. Të lidhur me zingjirë dhe me dryna të cilët shumë shpesh sharruan në mish, sepse duart u ajën, na futën ni ni ni autofrigorifer, na futën dhe na dërgun përsëri neve në drejtim të panjohur dhe tek pas një jave kemi marrë vesh se ku jemi.
Kur na fusin në oborrin e një burgu, në të katër anët ndërtesa dhe na pshtetën për mur, njëri nga shokët e mi me të cilin isha i dënuar dhe i cili ishte afër meje ishte më i ri se unë thotë, “Po dojnë me na pushkatu”, sepse i pau të gjithë t’armatosur, me qentë dhe me armë n’gjendje gadishmërie, u trishtu ai njeri, i them, “Jo jo, mos ke dert”, ndërkaq kur u hap dera para se ne t’dilnim nga aty drejtori i burgut thotë, Miloš Polarić po ashtu një kriminel i… i… i… i… kriminel i… i tmerrshëm thotë, “Je li, ovi su patrioti Envera Hoxha, je li?” [Përnjimend, këta janë patriotat e Enver Hoxhës, njimend?] Do të thotë, n’këtë mënyrë dhe na mbështetën për mur dhe aty unë kam qëndruar më së gjati n’mesin e atyre të burgosurve. Para nesh e kishin dërgu edhe nji grup tjetër dhe kishe filluar transferi i aty… i atyre, i grupit të parë, i njerëzve të grupit t’parë nëpër bugjet tjera kroate. Dhe ne kur kemi shkuar aty, që n’ditën e parë, që n’momentin parë ne jemi nënshtru nji torture tmerrësisht të… t’madhe, rrahje secili i burgosur ka pasur ishin njerëzit të ri 17, 18 vjeçar, 20 vjeçar, 22, 23 vjeçar, ishte edhe ndonjë i vjetër, por më pak. Gjithsejt nëpër atë burg kanë kaluar shtatëdhjetë e pesë t’burgosur politik shqiptar, dhe aty kanë ardhur me shërbime mujore njerëz nga t’burgosun kupt… m’falni, kanë ardhur me shërbime mujore gardianë nga e gjithë Kroacia, nga gjitha burgjet e Kroacisë me moton “Kush donë të rrahë shqiptarë”, dhe aty ditën dhe natën nuk ka pushuar tortura, ditën e natën jemi torturuar.
Ka qenë koridori gjashtëdhjetë metra më tepër i gjatë dhe jonë detyru njerëzit që me brushë t’dhomve ta pastrojnë koridorin n’mënyrën ma poshtruse kanë marrë batanijën e kanë qitë n’koridor ni dyshek mbi ma… mbi batanije nji t’burgosur mbi dyshek dhe dy tjerë është dashtë ta tërheqin dyshekun kinse për ta pastruar dhe lustruar mirë koridorin. Do të thotë kjo ka qenë trajtimi që ata na kanë bërë, me orë të tëra na kanë lanë në kambë. Aty ishte një gardian shqiptarë, të cilin asnjëri nuk e njihte dhe i cili quhej Pero, për t’mos u kuptuar se kush është ai, por megjithatë bota është e vogël dhe njerëzit njihen shumë shpejtë dhe ai vinte tek dera, vinte veshin tek vrima n’derë për të degjuar se çfarë po flisim ne dhe për t’na spiunuar tutje. Ai ishte Agim Sejdiu nga rrethi i Istogut, nga… nëse nuk gabohem nga Studenica dhe ai zbulohet rastësisht nga ajo shprehia që shqiptari kur ta ndezë cigarën, ne i…. pinim cigare, ne ishim duhangjinjë dhe cigaret nuk na i lenin në… cigaret na i lenin por jo dhe shkrepsat, nuk i linin shkrepsat dhe kur atyre ju tekej vinin t’na ndeznin dhe në nji mbramje kur… hapet dera për ti ndez cigaret, ai ndez cigarën, ishte ai Pero, Agim Sejdiu, zvani Pero ose Agim Sejdiu i quajtur Pero dhe ai kur e ndezë cigarën dora i shkon instiktivisht n’zemër edhe një shprehi tek shqiptarët dhe n’ketë mënyrë, n’këtë mënyrë deko…de..de…dekonspirohet. Agim Sejdiu dekonspirohet se nuk është Pero por është Agim Sejdiu dhe pastaj qarkullonte nga dhoma n’dhomë lajmi Pera nuk o..po… Pera nuk o… Pera osht’ shqiptar, Pera osht’ shqiptar domethanë t’njoftohen t’burgosurit tjerë t’kihej kujdes.
Pas dy qind e tridhjetë ditësh n’atë burg, n’fund kam mbetur fare vetëm, kam dalë me peshë trupore dyzet e gjashtë kilogram dhe ate i veshur me rroba të dimrit, rroba të burgut të dimrit në të cilat bënin pjesë edhe këpuctë e thella dhe të rëna, këpuctë… këpucë që përdoren në… nëpër kantiere ndërtimi do të thotë i tillë ishte burgu i Kroacisë. Dhe nga burgu i Kroacisë në dhjetorin e vitit 1982 unë dërgohem po ashtu i lidhur me tren, dërgohem deri në burgun e Zagrebit dhe nga burgu i Zagrebit pastaj në burgun e Staragradiškës. Aty ishin disa nga ata më t’ciliët kishin… kishim qenë në Gospiç bashkë. Po aty e gjejmë edhe simbolin tonë të rezistencës, simbolin tonë të lirisë, Adem Demaçin, dhe në atë burg unë kam qëndruar katër vjet, dhjetë ditë me pak se katër vjet kam qëndruar në atë burg. Një kohë kam qenë edhe në dhomë me Demaçin, dhe në atë burg puna ka qenë e detyrueshme për të gjithë të burgosurit. Kushtet e jetesës kanë qenë jashtëzakonisht të kqija, shtretërit shumë të kqinjë, dyshekë të stërvjetëruar, batanjie të stërvjetëruara, një papastërti e tmerrshme. Dhe do të thotë në kushte dhe rrethana të tilla kanë mbajt dënimin të rinjte shqiptarë. Ai ka qenë një burg, jo normal, ai ka qenë një burg për recedivistë. Dhe në atë burg ka pasë edhe 32 herë të dënuar, një person i dënuar deri në tridhjetë e dy herë, do të thotë nga dy herë deri në 32 herë të dënuar ka pasur në atë burg. Dhe në dhomë nuk ke qenë me ni, dy, tre apo katër, por kanë qenë 36, 38 vetë në dhomë. Ka patur nga të gjitha kategoritë, që njeriu s’mund t’i marrë me mend. Dhe e vërtetë ishte poshtërim i njeriut, shkelje në mënyrën ma drastike të drejtave qoftë edhe të burgosurit.
Erëmirë Krasniqi: Qysh ishin ato ditët kur ishit në dhomë me Demaçin, po mendoj a majshit najfarë lidhje me shqiptarët tjerë, a e keni pas t’artikulum najfarë qëndrimi politik sa keni qenë mrenda, qysh… qysh e…
Ibish Neziri: Qendrimi…
Erëmirë Krasniqi: …Qysh i keni rezistu krejt ato?
Ibish Neziri: Qëndrimi politik ka qenë i njejtë i pa ndryshuar {kollitet}. Falë, secili vetëvetës bindjes së tij. Nuk ka pasur luhatje në mes të burgosurish politikë. Nuk ka pasur thyerje, nuk ka pasur, do të thotë të gjithë kanë qëndru stoikisht. Burgu i Staragradiškës nuk ka qenë një burg i zakonshëm, nuk ka qenë një burg për shqiptarë faktikisht përkundër kushteve dhe atyre që i përshkruva ma parë. Burgu i Staragradiškës ka qenë një universitet për shqiptarë, universitet i shëndrruar nga Adem Demaçi dhe vetë të burgosurit sepse, ne kemi dalur kemi pasur shëtitje me përjashtim të dimrit. Gjatë dimrit nuk ka pas shëtitje, në repart të punës, në pavijon, ndërkaq gjatë pranverës, verës dhe vjeshtës kanë qenë shëtitjet e pasdites, dy herë në ditë të shtuneve, t’shtuneve dhe të dielave ka pas shëtitje. Dhe gjatë këtyre ditëve ne kemi dalur në shëtitje dhe asnjëherë Adem Demaçin nuk e kemi lanë të shëtiste vetëm, Adem Demaçi ka shëtitur bashkë me neve. Do të thotë, dy-tre me te dhe ato shëtitje kanë qenë shkollë sepse Adem Demaçi ka dhonë spjegime t’ndryshme, ka dhonë sqarime t’ndryshme, Adem Demaçi ka spjeguar, ato kanë qenë tema: Historia e shqiptare, gjeografia e atdheut, të drejtat e njeriut, tregime të ndryshme, do të thotë tema të ndryshme nga politika, nga historia, nga sociologjia, nga filozofia, do të thotë nga të marrëdhenjet ndërkombtare.
Të gjitha llojet e temave janë diskutu në burgun e Staragradiškës. Shtypin e përditshëm e ka parapaguar burgu nga një ekzemplar në të gjitha gjuhët nga një ekzemplar edhe “Rilindja” ka ardhur. Por Rilindja ishte zadhënse e Lidhjes Socialiste të Popullit Punues të Kosovës të cilën sot aq lart e ngrisin, që faktikisht nuk ishte më tepër se një zadhanëse e organeve jugosllave. Ne kemi marrë edhe shtypin, kemi parapaguar, secili nga ne ka pasë t’paktën një revistë të parapaguar. Dhe unë nëse kam lexuar “Duga-n intervju”, “Nin-in” apo “Ilustrovana Politika”, unë i kam nënvizu artikujt që duhet t’i lexoj secili nga ne. Artikujt që ka pas çka lexon njeriu në ta, t’njejtën gja e kanë bërë edhe të tjertë, dhe në këtë i parritshëm ishte Adem Demaçi, do të thotë ai i nënvizonte të gjithë artikujt, me atë moton që mos i lshoni pa i lexu, me porosinë që mos i lshoni pa i lexu dhe shtypi kalonte nga dora në dorë. Ne lexonim, ai ishte i parapaguar, zyrtarisht do të thotë edhe vinte legalisht tek ne dhe pastaj ne ia përcjellnim, shëtitej, i këmbenim me pavjonet tjera gazetat. Por për çudi t’burgosurit dijnë edhe gjëra tjera t’bajnë dhe ne kemi arrit të kemi edhe një radio në burg.
Radioja osht montu e tëra në burg ka qenë një kuti kartoni e zakonshme. Kapakt ato për za dhe për stacione i ka pas kapaka të pastave t’dhembeve dhe ajo dëgjohej natën me kokë t’mbuluar me batanie, me kokë të mbuluar dëgjohej natën me kufje në veshë dhe të nesërmen lajmet iu ipeshin shokëve. Unë kam pas mundsinë ta kem atë radio për kohë të gjatë, dhe fillimisht kur ia percillnim lajmet Demaçit ai i dëgjonte lajmet me kujdes. Radioja është montuar e tëra në burg, ka qenë një kuti kartoni e zakonshme, kapakët ato për za e për stactione i ka pasë prej kapakave të pastave të dhomve dhe ajo dëgjohen natën me batanije, me kokë të mbuluar e dëgjonim natën me kufje në veshë dhe të nesërmen lajmet iu ipeshin shokëve. Unë kam pasë mundësinë ta kem atë radio për kohë të gjatë, dhe fillimisht kur ia përcjellnim lajmet Demaçit, ai i dëgjonte lajmet me kujdes, por pas dy- tre herësh, vinte, “Ku po i merrni këto lajme?” Pyet, “Ku i merrni këto lajme?” Dhe baci nuk rrehej, bacit duhej me i tregu drejtë. “Bacë e kemi një radio kshtu, kshtu, kshtu”…dhe ai pastaj, reagimi i tij ishte paska i ashpër, jo për diçka tjetër por ngase ne i dhimbseshim, se “Po ta zënë radion pastaj e pësojshe keq në qeli, do denohesh”. Mirëpo kur u bind se ne s’e kem ndërmend për me u dorëzu në atë drejtim tha, “Mbajeni me rradhë, dhe ai që e mban më së shumti le t’a mbajë ai…” E që unë e kisha nja ni muj, e kisha mbajtë më gjatë isha në rrjedhë të ngjarjeve, kur i raportova për lajmet fola ma shumë, mbase ndoshta edhe sajova ndonji, ndonji llaf më shumë (buzëqesh), ai më tha mbaje ti radion.
Erëmirë Krasniqi: Ҫka raportojshit në radio?
Ibish Neziri: Po unë, e ndëgjoja, e ndëgjoja Tiran… Tiranën e ndëgjoja, e ndëgjoja Tiranën, e ndëgjoja BBC-në, ndëgjoja Zërin e Amerikës edhe do të thotë, i ndëgjoja do të thotë radiot e huaja se çfarë thonë për Jugosllavinë. Dhe… do të thotë, lajmin e parë që e kemi marrë, lajmin e parë kur është burgosur grupi i Beogradit, një grup i Gjillasit, me 28, ka qenë ajo Françuska shtatë e njohur. Është burgosur, për shkak të një platforme, ku e di unë, me akademinë e shkencave të arteve të Serbisë e me ata, do të thotë këtë lajm ia kam interpretu Demaçit n’mëngjes. Ata janë burgos të shtunën, të shtunën në mramje është dhanë lajmi, edhe unë të nesërmen në mëngjes, të dielen i kam thënë Demaçit, “Bac, ka ndodh kshtu, kshtu, kshtu” dhe fjalë për fjalë ma thotë, thotë “Shiko Bac,” ai mu m’a thotë një emër tjetër, ai vetëm një herë ma ka thanë emrin tim Ibish, edhe kurrë ma, ai m’thotë edhe sot e kësaj dite, më thotë “Kërlezhë” [Krleža]. Kërlezha është një enciklopedist kroat, dhe ai sot e kësaj dite Kërlezh më thotë edhe kurrë s’më ka thanë ndryshe, edhe m’thotë, “Shiko Kërlezh, sot Beogradi është duke bërë përpjekje ta ndez zjarrin në Kosovë, po mos harro, ai zjarr ka për t’iu shpërthyer midis Beogradit. Dhe unë këtu s’kam çka komentoj, sepse të gjithë e dijmë se çka ndodhi më vonë, se çfarë ndodhi me 24 apo 26 mars të ‘99-tës, do të thotë, n’mes Beogradit vërtetë shpërtheu zjarri, edhe do të thotë, kështu… Burgu i Starogradiskës për shqiptarët ka qenë një shkollë, ka qenë një universitet të cilin e ka udhëhequr Demaçi.
Erëmirë Krasniqi: A ka vazhdu ai me qëndru aty gjatë kohës kur ju keni qenë aty?
Ibish Neziri: Adem Demaçi, Adem Demaçi, Adem Demaçi ka qëndruar aty, unë e kam lënë aty po n’dhomën në numër 28 të pavijonit të katërt, të burgut të Staragradiškës, ditën që kam dalë nga burgu. Adem Demaçi ka dalë në prill, me 12 ose me 13 prill 1990, katër vjet më vonë.
Erëmirë Krasniqi: Çka ndodhi me juve pas burgut?
Ibish Neziri: Pas burgut unë përsëri iu bashkova organizatës, por jo ma Frontit të Kuq Popullor, sepse Fronti Popullor ishte shkrirë bashkë me organizatat tjera, bashkë me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare të Shqiptarëve në Jugosllavi, me OMLK-në, Organizatën Marksiste Leniniste të Kadri Zekës. Kjo e para ishte e Jusuf Gërvallës, ishte shkrirë dhe kishin formuar Lëvizjen Popullore të… Lëvizjen Popullore për Republikën e Shqiptarëve në Jugosllavi, edhe nga ajo kohë unë kam qenë pjesë e asaj organizate. E kam vazhduar aktivitetin tim në kuadër të organizatës, mirëpo shpejt pas shërbimit ushtarak, vetëm katër muj, mirëpo shpejt pas daljes nga burgu jam detyru të shkoj në shërbimin ushtarak, dhe unë mendoj se nuk ka pasur ushtarë ma të vjetër se unë në Jugosllavi, sepse kam qenë 30 vjeçar dhe edhe sekretariati i Mbrojtjes Popullore, Sekretariati Komunal i Mbrojtjes Popullore është detyruar nga UDB-ja, nga sigurimi i shtetit t’më dërgoj ushtar.
Shërbimin ushtarak e kam kryer në Lubljanë, dhe ka qenë një kapitull i veçantë i jetës sime, një kapitull që për çdo ditë ka pas provokime, nga më të ndryshmet, ka pas përpjekje për të inskenuar ndonjë shkak apo arsye për të më arrestuar sërish. Mirëpo unë kisha një përvojë të gjatë mbas vetës, kisha një kujdes të shtuar dhe jo vetëm që jam kujdesur për vetëvetën, po jam kujdesur edhe për të rinjtë shqiptarë që kanë qenë në shërbimin ushtarak. Sepse gjatë atyre viteve ka pas shumë shqiptarë të arrestuar edhe jam kujdes që mos të bohem objekt gjykatash, as une as edhe burgosurit tjerë, as të ushtarët tjerë më falni. Shqiptarë që shërbenin në atë kazermë dhe ato kanë kaluar shumë vjet, ishte viti 1987-88 do të thotë nga marsi në mars, dhe edhe sot e kësaj ditë njerëzit me të cilët unë e kam kryer shërbimin ushtarak, me një mënyrë ose tjetër kontaktojnë me mu, jemi gjithnji në lidhje që nga ajo kohë, sepse na ka lidhe një kohë jashtëzakonisht e vështirë.
Pas daljes nga ushtria duke e parë se nuk kam gjasë për të gjetur ndonjë punë, kam llogaritur si profesion, e kam llogaritur profesionin e juristit, sepse në fund të fundit thoja se do t’hapja ndonjë advokaturë dhe kam filluar të studjoj me korrenspondencë në Fakultetin Juridik. Nuk e kam përfunduar Fakultetin Juridik dhe kam punuar dhe kam vazhduar aty deri n’vitin 1990. Gjatë asaj kohe një shok me të cilin kam qenë në burg ka udhheqë, ai ka qenë jo politikisht ka qenë diçka për komunikacion nëse nuk gabohem, ka udhëheq një diskotekë në Prishtinë dhe ai m’ka ofrue, “Zgjedhe punën…” këtë mundem me bo, këtë e boj, “zgjedhe punën që donë ta bosh në diskotekë, ndaq disko joker (DJ), ndaq çka dush”. Unë s’dija çfarë t’boja tjetër pos garderobier dhe kam punuar gardorobier gjatë sezonës t’dimrit n’atë diskotekë deri në të 90-tën. Gjithnjë aktiv në organizatë, kam udhëhequr me Këshillin e Rrethit të Lëvizjes Popullore të Kosovës, të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës sepse kjo në vazhdimsi e ka ndryshue emrin, derisa sot vetëm Lëvizja Popullore e Kosovës pas dy… pas vitit 1990. Unë kam qenë udhëheqsi i Këshillit të rrethit për Pejën i ksaj organizate dhe ne kemi vazhduar përsëri me afishe me parulla me veprimtari t’ndryshme.
Erëmirë Krasniqi: Ҫfarë karakteri tash kishte, se jemi në një situatë tjetër politike?
Ibish Neziri: Karakteri i shkëputjes, karakteri i shkëputjes prej Jugosllavisë, karakteri i shkëputjes prej Serbisë dhe do të thotë, Kosova Republike pastaj filloi t’shihej si një hap drejt bashkimit, do të thotë shpallja e Kosovës, statusi i Republikës për Kosovën ishtë një hap më afër bashkimit, një hap me afër realizimit të projektit të parë të apo të programit të parë të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës.
Erëmirë Krasniqi: A e ndjejshit ju rënien e Jugosllavisë?
Ibish Neziri: A e ndjeshit? Jo ne nuk e ndjeshim…
Erëmirë Krasniqi: Po se në të ‘88-tën veç kanë fillu me ndodh ndryshimet…
Ibish Neziri: Jo, ne nuk e ndjeshim, nuk e ndjeshim, nuk e ndjeshim atë, por ne punonim që ajo t’binte. Këtu filloi rrënimi dhe këtu përfundoi rrënimi i Jugosllavisë, dhe unë e kam zhvillu veprimtarinë në atë organizatë deri n’vitin 1990 e tutje, po në vitin 1990 kam filluar të punoj n’gazetari.
Erëmirë Krasniqi: N’cilën gazetë?
Ibish Neziri: Në Kroaci u ndryshu sistemi, n’Kroaci u ndryshun njerëzit, erdhën njerëzit tjerë. Erdhën njerz me t’cilët unë kam qenë n’burg dhe njëri nga të burgosurit e burgut të Staragadiskës në vitin 1990 e themeloj një gazetë e cila quhej “Hrvatska Danas”, jo “Danas”, po “Hrvatska Danas”. Ajo ka qenë gazeta e parë e pavarur në ish-Jugosllavi në kohën e pas Luftës së Dytë Botërore dhe ajo angazhohej për konfederalizimin e Jugosllavisë. Redaktori i saj ka qenë Ante Taljančić dhe unë jam angazhuar prej tij për… ta mbuluar me informacione Kosovën, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Në atë gazetë kam shkruar me pseudonimin Jore Misić, pastaj kam punuar për gazetën e tjetër kroate, për gazetën e Marko Veselicës, një gazetë partiake e përdyjavshme dhe në këtë gazetë kam botuar me pseudonimin e Sokol Nika. Do të thotë edhe për këtë gazetë kam shkruar do të thotë për zhvillimet në Kosovë, në Maqedoni, në Shqipëri, kam disa artikuj t’botuar në të.
VIJON…
Ibish Neziri / Intervistë, Pjesa e Parë