MEHMET HAJRIZI: SHËNIME PËR VEPRIMTARINË E XHAFER SHATRIT (39)

Pashtriku, 17 shkurt 2020:
7.16 Xhafer Shatri
I lindur më 10. 11. 1949, në Tomoc të Istogut. Ka studiuar Gjuhë dhe Letërsi Shqiptare në Universitetin e Prishtinës. Është gazetar.
Aktualisht jeton në Gjenevë të Zvicrës, ku punon si përkthyes pranë Pallatit të Drejtësisë.
I martuar, prind i tre fëmijëve

Për herë të parë, për bindje politike, organet e pushtuesve e kanë arrestuar në vitin 1965, si nxënës i vitit të dytë të gjimnazit kur e kanë dënuar me 15 ditë burg dhe e kanë përjashtuar përgjithmonë nga shkolla.
Si student i vitit të parë, më 1969 është arrestuar dhe dënuar me 9 muaj burg.
Ka qenë njëri ndër themeluesit e Grupit Revolucionar, anëtar i Komitetit Drejtues dhe në kuadër të tij përgjegjës për rininë, përgjegjës i Komitetit të GRK-së për Universitetin e Prishtinës, anëtarë të të cilit ishin: Rexhep Malaj, Hydajet Hyseni, Gani Sylaj dhe Hilmi Ramadani.

Xhafer Shatri

Është arrestuar më 6 maj 1974, në Tomoc. Më vonë, në janar të vitit 1975, e kanë dënuar me 8 vjet burg.
Më 1978 për shkak të kryengritjes në Ndëshkimoren e Podgoricës e kanë dënuar edhe me tre vjet burg.
Pas mbajtjes së dënimit në burgun e Pejës, Mitrovicës, Nishit, Idrizovës, Shkupit, Danilovgradit, Beogradit, Kotorrit, Mitrovicës së Sremit dhe Ferizajt, së fundi nga Burgu i Prishtinës ia arrin të iki më 4 shkurt 1982. Prej atëherë ka jetuar dhe ka vepruar në mërgim.
***
Gjatë viteve 1982 – 1986 ka qenë udhëheqës i Lëvizjes për Republikën Shqiptare në Jugosllavi, njëherësh edhe kryeredaktor i organit të saj, “Zëri i Kosovës”, organizatë e dalë nga bashkimi i tri organizatave kryesore ilegale të kohës: OMLK, LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ.
Gjatë viteve 1986 – 1991 ka qenë themelues dhe përgjegjës për informacion dhe kontakte me të huajt i ‘Komitetit të Kosovës për Informimin e Opinionit Botëror’, gjegjësisht drejtor i ‘Qendrës së Kosovës për Informim’ me seli në Gjenevë.
Në periudhën 1991 – 1998 ka qenë anëtar i Qeverisë së Kosovës, e cila doli nga referendumi i mbajtur në tetor të vitit 1991, në të cilin populli u deklarua për Kosovën shtet sovran e i pavarur dhe nga zgjedhjet më 1992.
Gjatë qëndrimit të tij jashtë ka qenë në kontakt me të huaj të të gjitha niveleve; militantë e të arratisur të kombeve e vendeve të ndryshme; e sidomos diplomatë, shtetarë, ushtarakë, etj., përfshi edhe përfaqësues e shtetarë të Fuqive të Mëdha.
Krahas shumë artikujve të botuar në shtypin shqiptar dhe të huaj ka shkruar tre libra:
– Polemikë me kryekuislingun e Kosovës (1986),
– Vështrim i përgjithshëm mbi politikën serbomadhe në Kosovë (1987) dhe
– Pse dergjet në burg Adem Demaçi (1989)
Aktualisht nuk është anëtar i asnjë partie.
***
Në GRK ka bashkëvepruar me anëtarët e tjerë të udhëheqjes dhe të Komitetit të studentëve, kurse në celula me Rexhep Malajn (i cili udhëhiqte veprimtarët, si Fazli e Kadri Abdullahu, Ilmi Ramadani, Kadri Zeka, Hydajet Hyseni, Basri Musmurati etj.), pastaj me Jashar Alinë, Avdyl Zeqirajn, Salih Kabashin, Xhavit Dërmakun, Meriman Brahën, Adem Salihajn dhe Feriz Seferajn, profesor nga Suhogërlla. Ferizi ishte veprimtar i fillimit të viteve shtatëdhjetë dhe anëtar i udhëheqjes së GRK, i ngarkuar me përgjegjësinë e përkujdesjes materiale të Organizatës, por nga gjysma e vitit 1974, pas arrestimeve të bashkëveprimtarëve, duke qenë edhe vetë i ndjekur, e pushon aktivitetin dhe tërhiqet nga Organizata.
Xhafer Shatri kishte kontakte të rregullta dhe bashkëpunonte në formë këshillimi edhe me ish të dënuarit politikë, si Hasan Dërmaku, Selatin Novosella, Ramadan Shala etj.
VIJON …
_______________
MEHMET HAJRIZI: SHËNIME PËR VEPRIMTARINË E MEHMET HAJRIZIT (38)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=9653

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura