DR.SKËNDER DEMALIAJ: PROFESOR ANASTAS ANGJELI – ANËTAR I RI I AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË EUROPËS

Tiranë, 30. 07. 2014 – Zgjedhja e tij është nder jo vetëm për Profesorin, por edhe për Kuvendin e Shqipërisë, deputet i të cilit është, i cili ka nevojë të ketë në përbërjen e tij njerëz me vlera të larta intelektuale. I bën nder politikës shqiptare, pjesë e së cilës është tash 24 vjet, e cila ka nevojë sot më shumë se kurrë të demokratizohet, të emancipohet e të europianizohet. I bën nder Partisë Socialiste, pjesë e së cilës është, i bën nder Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar i të cilës është. I bën nder Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, që e ngriti me përkushtim të madh, me përgjegjësi të lartë e me shumë dashuri.
I ngjiti shkallët e karrierës politike dhe shkencore me shpejtësi. Botimet e tij janë të një spektri të gjërë, në shqip dhe në anglisht dhe kanë të bëjnë me financat shqiptare, ndërkombëtare, me kredinë, me hyrje në ekonomi, me marketingun bankar, me makroekonominë, me financat e përgjithëshme dhe sferën e qarkullimit, me tranzicionin dhe lirinë ekonomike në Shqipëri, me ligjëratat nobel në ekonomi… Gjejmë trajtime teorike për çështje të përgjithshme e të veçanta, ushtrime dhe teste. I pranishëm në botimet shkencore shqiptare dhe të huaja dhe në shtypin e përditshëm.
Njohës i shkëlqyer i disa gjuhëve të huaja, ka patur mundësi të shfrytëzojë një literaturë të bollshme, të cilën e ka përzgjedhur me kujdes dhe e ka përdorur me efektivitet në analizat dhe ballafaqimet me realitetin shqiptar.

Tek Akademik Anastas Angjeli gjejmë një gërshetim të shkëlqyer të mësimdhënësit me studimet shkencore, të njohësit të teorive të ekonomisë botërore me drejtuesin e sektorit të financave, të zotëruesit të shkollave më të njohura ekonomike me aplikuesin në praktikën e përditshme… Parashikues dhe i aftë për të punuar në grup e për t’i udhëhequr ato.
Zgjedhja e tij dëshmon se kur punon e realizon projekte të mëdha të vlerësojnë dhe të nderojnë. Arritjet dhe sukseset të bëjnë krenar, të bëjnë me më shumë dinjitet.
Meritokracia është vlera europiane. Pikërisht kjo e ka bërë Europën lokomotivë të zhvillimit njerëzor. Vetëm me mentalitet europian, me vizion europian, me vlerat europiane, me punën e dijen e saj bëhesh pjesë e rëndësishme e Europës.
Profesor Anastasin e gjen në punë 24 orë në 24. Nuk di ç’është pushimi. Puna, puna dhe vetëm puna është çelësi i suksesit të tij. Mëngjesin e punës e fillon me pedagogët dhe studentët e Universitetit Mesdhetar. Pastaj shfaqet tepër aktiv në seancat e Parlamentit. Diskutimet dhe mendimet e tij i çojnë më përpara punët e nisura nga mazhoranca e re e majtë. Pasditeve e gjejmë në takime e biseda me studiues shqiptarë dhe të huaj, me grupe të ndryshme interesi, me përfaqësues të shoqërisë civile, me mediat. Në orët e vona të natës duke shkruar. Është pjesë e jetës së tij botimi i librave të rinj në vazhdimësi se vetë zhvillimet politike, sociale, ekonomike janë tepër të vrullshme dhe po u shkëpute, qoftë edhe një çast prej tyre, mbetesh prapa. Libri i tij i fundit: “Ditari i tranzicionit ekonomik”, me 1132 faqe është një enciklopedi e vërtetë për Shqipërinë e tranzicionit. Është një program pune, një projekt i guximshëm, real dhe shkencor, sesi mund të shkëputet ky vend nga tranzicioni i mundimshëm e i gjatë, sesi mund të zhvillohet e të ecë me hapa më të shpejtë Shqipëria drejt BE-së. Është modeli sesi një studiues serioz ndjek me lupë në dorë zhvillimet e vendit dhe ato botërore dhe punon çdo ditë për vendin e tij. Është modeli i pushtetarit që gjen përherë kohë për të studiuar dhe për t’u marrë me studime shkencore. Jo vetëm puna, por edhe komunikimi me njerëzit është pjesë e suksesit të tij…
Një komunikim që shquhet për etikë, mirësjellje, për dashamirësi dhe inkurajim, i kulturuar, i gatshëm për ndihmë, i predispozuar për t’u krijuar kushte optimale të gjithëve për zhvillimin e personalitetit.
Kredibiliteti i drejtuesit lidhet me dy faktorë: kompetenca dhe besueshmëria. Të dyja janë pjesë e pandarë e Profesorit në punën e tij të përditshme. Në fund të fundit njerëzit besojnë tek suksesi, tek fitorja, te ajo që bëhet dhe realizohet. E këto nuk i kanë munguar asnjëherë Profesorit, kanë qënë pjesë e ngjitjes së tij drejt majave më të larta. Suksesi u buzëqesh atyre që bëjnë realitet premtimet e që mbajnë fjalën e dhënë. Për të ndërtuar një shoqëri është e domosdoshme t’i prekësh njerëzit në ndjenjë. Fuqia e fjalës është forca e vërtetë lëvizëse në mbretërinë e padukshme të mendimit dhe në bashkimin intelektual.
Profesor Anastasi është intelektual jo se ka tituj dhe grada të larta shkencore, jo thjesht se ka ngritur një universitet të suksesshëm, se shkruan e boton çdo ditë, por se kujdeset e sillet si intelektual i vërtetë dhe mban lidhje të përhershme me inetlektualët më në zë në Shqipëri e jashtë saj.
Analiza intelektuale, përgjegjësia intelektuale, guximi intelektual, parashikimi intelektual- është ADN-ja e punës së tij si intelektual.
Përvoja botërore ka treguar se suksesi arrihet kur punët realizohen me njerëz me një vështrim të përbashkët dhe mbi bazën e forcës së zotimeve të ndërsjellta. Nga ky parim është udhëhequr në punën e tij Profesor Anastasi. Po vilen frutet e para me shumë kokra… Më të shëndetshme e më të ëmbla do të jenë në të ardhmen….
Erick Fromm thoshte se njeriu mund të jetë i sigurtë në vetvehte nëse i përmbush ato që kanë pritur të tjerët.
Akademiku shqiptar dhe europian Anastas Angjeli ecën i sigurtë në trasenë që ka shtruar prej dekadash. Me shumë besim tek vetja e tij dhe stafi që ka zgjedhur. Më shumë vendosmëri dhe kurajo.
Kurajo sipas psikologëve s’është një akt i izoluar, një impuls i momentit. Është një aksion komplet dhe komlpeks, i cili duhet ndjekur deri në qëllimin final. Kurajo s’është vetëm virtyti i të filluarit të një pune, por i të vazhduarit më tej, i të kompletuarit dhe i të parit të gjërave larg. Nisur nga kjo, vizioni i tij është i qartë, është vizioni i shekullit të ri.
– Autori është Doktor i Shkencave Psikologjike.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura