Tetovë, 27. 10. 2016: Konferenca shkencore, me temë: ,,Rëndësia e mbledhjes dhe studimit të folklorit dhe etnografisë”, në organizim të Akademisë Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Arteve, me seli në Shkup, i zhvilloi punimet në Kumanovë, më 22 tetor 2016.
Në këtë konferencë prurjet e tyre shkencore i paraqitën një numër i madh i studiuesve dhe punonjësve shkencorë, nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë, Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Instituti i Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Instituti i Folklorit në Shkup etj.
Kryesuesit e Konferencës shkencore: Prof.dr. Abdulla Mehmeti, Prof.dr. Sadri Fetiu dhe Prof.dr. Agron Xhagolli, Doc.dr. Nazmi Beqiri
Sipas Programit të punës së kësaj konference, kumtesa shkencore paraqitën këta autorë: Prof.dr. Agron Xhagolli, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, me titull ,,Rëndësia e folklorit dhe kërkesa për një vazhdimësi të kërkimeve folklorike ndër shqiptarë”; Prof.dr. Sadri Fetiu, Instituti Albanologjik, Prishtinë, me titull ,,Folklori burimor dhe paraqitja e tij në skenë”; Prof.dr. Begzad Baliu, Fakulteti i Edukimit, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, me titull ,,Eposi në ndërdijen kombëtare; Prof.dr. Adem Zejnullahu, Instituti Albanologjik, Prishtinë, me titull ,,Trashëgimia jonë etnokulturore përballë trendeve bashkëkohore”; Prof.dr. Izaim Murtezani, Instituti i Folklorit, Shkup, me titull ,,Lirika popullore e shqiptarëve të Maqedonisë (nga dioptria e publikimit dhe arkivimit të saj)”; Prof.dr. Hysen Matoshi, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, me titull ,,Ekspedita hulumtuese e Kumanovës (2010)”; Prof.dr. Nebi Dervishi, Universiteti i Tetovës, Tetovë, me titull ,,Qeni i Sharrit (Deltari Ilir) dhe Qeni Molos në traditën kulturore e historike shqiptare”; Prof.dr. Hamit Xhaferi, Universiteti i Evropës Juglindore, Tetovë, me titull ,,Tradita dhe kultura popullore në krijimtarinë gojore shqiptare në Maqedoni”; Prof.dr. Mustafa Ibrahimi, Universiteti i Evropës Juglindore, Tetovë, me titull ,,Variante të baladës ,,Motra me nëntë vëllezër” te shqiptarët e Prilepit dhe Krushevës”; Përparim Tomçini, kompozitor, Tiranë, me titull ,,Kënga polifonike në zonat verilindore”; Dr. Rovena Vata, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë, me titull ,,Rëndësia e mbledhjes së materialit folklorik dhe etnografik në romanin “Dielli e din rrugën e vet” të Murat Isakut”; Doc.dr. Nazmi Beqiri, Universiteti i Tetovës, Tetovë, me titull ,,Ndikimi i letërsisë gojore në formimin e personalitetit”; Mr.sc. Rini Useini, Instituti i Trashëgimisë Kulturore Shqiptare, Shkup, me titull ,,Kujtesa shoqërore si ruajtje e kulturës shpirtërore” etj.
Në fund të punimeve u mbajtën edhe diskutime përmbajtjesore në lidhje me temën trajtuar në këtë konferencë shkencore.
Fjala e rastit
Nga kryetari i Akademisë Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Arteve, me seli në Shkup, në hapjen e punime të Konferencës shkencore ,,Rëndësia e mbledhjes dhe studimit të folklorit dhe etnografisë”.
Të nderuar pjesëmarrës dhe mysafirë,
Në të gjitha përpjekjet e popujve të përparuar të botës mendimi i shkencor dhe fjala e argumentuar e studiuesve, akademikëve dhe intelektualëve në përgjithësi, kanë qenë dhe mbeten busulla e vetme në rrugën e përparimit, ngritjes dhe zhvillimit në sferën shoqërore, ekonomike dhe kulturore të tyre.
Në këtë katandisje të kombit shqiptar në kohën e sotme, një shpresë e vetme e këtij populli të lodhur e rraskapitur nga politikat ditore, rënia ekonomike e sociale, indoktrinomi nga indologjitë politike dhe fetare, mendimi i argumentuar dhe me peshë shkencore e studiuesve të mirëfilltë dhe mendimi akademik duhet të jenë fjala e fundit për kahet, rrugën e drejtë të zhvillimit dhe perspektivën e kombit shqiptar në të ardhmen.
Përmes këtij aktiviteti shkencor që po organizon sot Akademia jonë, sigurisht do të zgjohet kureshtja e shumëkujt të pyes se, çka e lidh aktualitetin tonë të pakëndshëm me mendimin dhe prurjet shkencore në fushën e folklorit dhe etnografinë?
Përveç kontributeve shkencore dhe diskutimeve që do të zhvillohen sot nga studiuesit e shumtë pjesëmarrës në këtë konferencë, shpjegimi më i plotë do të ishte se, në folklorin dhe etnografinë, etnologjinë, etnomuzikologjinë dhe përgjithësisht në krijimtarisë tonë popullore ka aq shumë shembuj pozitiv sa do të na e kishin lakmi edhe popujt më të zhvilluar e përparuar të botës. Atëherë, ku qëndron pengesa që nuk jemi në gjendje më të mirë, siç edhe dëshirojmë, që nuk shënojmë arritje në të gjitha fushat e jetës? Sigurisht për faktin se nuk e kemi kuptuar esencën e dobisë nga dija, që krijimtarinë tonë kulturore e artistike nuk e kemi studiuar sa dhe siç duhet.
Nga ky tubim urojmë që e ardhja e kombit tonë të jetë më e mirë se sot, më e begatshme, e dinjitetshme dhe me vlerë, duke i çuar përpara studimet shkencore dhe duke respektuar fjalën dhe mendimin e dijetarëve, studiuesve, profesorëve dhe akademikëve, të cilat janë garancia më e mirë për të ardhmen tonë.
Tema për të cilat do të flasim dhe diskutojmë sot, nuk është vetëm problem i kulturës, por është baza, thelbi dhe gjeneza për thellimin e studimeve të mëtejme për studimin dhe afirmimin e kulturën materiale e shpirtërore, por edhe çështje e gjuhës dhe historinë. Në asnjë burim tjetër nuk mund të mbështetet dija shkencore më sigurt se në burimin e saj të pashtershëm, krijimtarinë dhe traditën tonë të begatshme.
Për këto dhe çështje të tjera të shkencave albanologjike, kam nderin t’i hapi punimet e kësaj konference për të cilën jemi mbledhur sot, me shpresë se e ardhmja i takon shkencës, studimeve, arsimit dhe dijes në përgjithësi.
Ju uroj punë të mbarë dhe suksese!
Na priftë e mbara!
Fjala përshëndetëse
Me fjalë përshëndetëse, pjesëmarrësve dhe mysafirëve në këtë konferencë shkencore ju drejtua edhe Prof. dr. Skender Kodra, kryetar i Akademisë Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Arteve, me seli në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai, mes tjerash foli për fillimin e punës së kësaj Akademia të shqiptarëve në SHBA, e themeluar më 28 nëntor 1995, e cila u iniciua nga intelektualët dhe veprimtarët e shquar shqiptarë, Martin Camaj, Sami Repishti dhe Skender Kodra. Mes tjerash, ai u shprehu mirënjohje drejtuesve të Akademisë simotër, me seli në Shkup, të cilët pas përpjekjeve dhjetëvjeçare arritën që këtë Akademi ta regjistrojnë si subjekt juridik i veçantë edhe në Atdhe. Më tej, ai foli më gjerësisht për aktivitetet dhe vizionin e kësaj Akademie për të ardhmen e kombit shqiptar në të ardhmen.
Mirënjohjet
Pas përfundimit të punimeve të seancës së parë të kësaj Konference, kryetari i Akademisë Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Arteve, me seli në Nju Jork, Prof. dr. Skender Kodra, e shfrytëzoi rastin që t’u ndajë mirënjohje në emër të kësaj Akademie, shkrimtarit dhe veteranit të arsimit nga Kumanova, Nehat Jahiu dhe Vullnet Bajramit nga Shkupi, për kontributin e tij në procedurën për regjistrimin e Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave edh Arteve, me seli në Shkup.Diskutimet në konferencë
Prof. dr. Abdulla Mehmeti, kryetar i Akademisë ShqiptareAmerikane e Shkencave dhe Arteve – Shkup
Në pjesën e diskutimeve, të zhvilluara në përfundim të punimeve të Konferencës shkencore, pjesëmarrësve Ju drejtua edhe kryetari i Akademisë Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Arteve – Shkup, Prof. dr. Abdulla Mehmeti, i cili në diskutimin e tij foli për problematikën që u trajtua në këtë konferencë, si dhe në lidhje me manipulimet në të kaluarën me materialin folklorik dhe etnografik të mbledhur në trevat shqiptare në Maqedoni.
Me këtë rast, a i përkujtoi studiuesit se shumë nga këto materiale të mbledhura në terren kanë përfunduar në duart e studiuesve dhe institucioneve të huaja, mbledhësi e të cilit nuk kanë qenë të vëmendshëm dhe përgjegjshëm për rëndësinë e këtij materiali me vlera të jashtëzakonshme për kulturën shqiptare, aq më pak për tendencat e keqpërdorimit të këtij materiali dhe për realizimin e interesave pseudoshkencore nga studiuesit joshqiptarë dhe institucionet e huaja.
Në lidhje me këtë çështje, ai përmendi rastin e një skandali të tillë, i cili ka ndodhur në vitet e ’70-ta të shekullit të kaluar, kur dhjetëra mbledhës të folklorit në vendbanimet dhe popullata shqiptare, nga vetë mbledhësit shqiptarë të paguar ose shantazhuar, mësues, gazetarë, studiues dhe të punësuar në disa institucione arsimore, kulturore dhe informative në Shkup, të cilët u manipuluan nga një grup punonjësish shkencorë maqedonas të Institutit të Folklorit në Shkup, të cilët këto materiale i keqpërdorën për interesa të veta personale dhe me qëllim të përkthimit dhe përvetësimit të tij si material folklorik joshqiptar.
Këtë rast, në atë kohë e denoncuan disa nga këto mbledhës, sigurisht pas hetimit të këtij manipulimi dhe mos realizimi i pagesës sipas marrëveshjes së lidhur mes mbledhësve të folklorit shqiptar në terren dhe ,,studiuesve” të porositur nga qarqet politike antishqiptare të asaj kohe, të cilat vepronin kryesisht në institucionet shkencore në Shkup dhe Beograd.
Në fund të vitit 1980 dhe fillim të vitit 1981, kjo aferë shpërtheu edhe shtypin e kohës. Për këtë problem fillimisht shkroi gazetari Nijazi Muhamedi, në gazetën ,,Flaka e vëllazërimit” në Shkup, ndërsa më vonë, për këtë mashtrim shkroi edhe profesori i Gjimnazit të Tetovës, mr. Ibrahim Veliu, në revistën ,,Fjala” në Prishtinë.
Lidhur me këtë çështje, në mbrojtje të vlerave kulturore të shqiptarëve në Maqedoni u zhvillua një polemikë e ashpër, e cila u zhvillua një kohë të gjatë në gazetën ,,Rilindja” në Prishtinë dhe ,,Flaka e vëllazërimit” në Shkup, mes profesorit të Universitetit të Prishtinës me prejardhje nga Tetova, mr. Fadil Sulejmani dhe këshilltarit shkencor në Institutin e Folklorit në Shkup, Voisllav Jaqovski, i cili ishte bartës kryesor i këtij projekti për manipulimin me materialin e folklorit shqiptar nga trevat në Maqedoni, përkthimin dhe përvetësimin e tij.
Në lidhje me këtë çështje, në diskutimet e kësaj konference foli edhe studiuesi shumëvjeçar dhe ish drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, prof. dr. Sadri Fetiu, i cili në mbështetje të diskutimit të prof. dr. Abdulla Mehmetit solli dëshmi konkrete për rastin në fjalë, duke përmendur emra konkret të mbledhësve shqiptarë të këtij materiali folklorik nga disa punonjës të arsimit nga rrethina e Shkupit.
Vlerësime për aktivitetin
Në fund, vlen të përmenden edhe vlerësimet e pjesëmarrësve të kësaj Konference shkencore, mes të cilave do të veçojmë atë të Prof. dr. Agron Xhagollit, i cili mes tjerash shprehet: ,,I nderuari organizator i veprimtarisë shkencore kushtuar Rëndësisë së mbledhjes dhe studimit të folklorit, më lejoni që edhe një herë t’ju shpreh urimet më të mira për punën që keni bërë. Çdo gjë që bëhet në interes të vlerave të kombit shqiptar, është e shenjtë për mua. Të tillë e konsideroj edhe organizimin që ju bëtë, ndaj gjej rastin që dhe një herë të shpreh vlerësimet e mia më të larta për punën dhe përkujdesjet tuaja”.
Tetovë, 23. 10. 2016