ARDIAN RAMADANI: DERI KUR KËSHTU?

(Shkup, 12. 03. 2012) – Më kujtohet kur isha fëmijë, televizioni shqiptar transmetonte një emision të titulluar “Deri kur kështu”, e që përkonte me dhunën dhe etnocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ky emision më nxiti që të marr të njëjtin titull dhe t`ia përshtas realitetit dhe ngjarjeve më të fundit në këtë shtetin tonë të brishtë, Maqedonisë. Është e qartë se detyra e analistit është të bëj analiza që përkojnë me të vërtetën, mirëpo kohëve të fundit të thuash dhe të mbrosh të vërtetën është bërë rrezik, ngase ekziston mundësia që të linçojnë nga puna, të bojkotojnë medialisht, të privojnë nga çdo e drejtë. Mirëpo, duke qenë koshient për thënien se “Intelektuali duhet të ketë qëndrim negativ ndaj dukurive në shoqëri”, mora guximin të shkruaj ca rreshta për ngjarjet e fundit në këtë shtetin tonë.
Krahas shumë problemeve të mëdha që na kanë kapluar ne si shqiptarë, kohëve të fundit monstruoziteti ndaj qenies shqiptare nuk ka të ndalur dhe vetëm sa vjen e rritet. Kurba e huliganizmit antishqiptar është rritur në skajshmëri. E krejt kjo e orkestruar dhe e projektuar nga qeveria, me të vetmin qëllim: shmangien e zgjidhjes së problemeve reale dhe inskenim i skenarëve që të tërheqë vëmendjen nga problemet reale. Ajo që nuk më habit aq shumë është qëndrimi gjakftohtë dhe shumë i qetë i kryeministrit Gruevski. Ajo që duhet të na habisë është qasja ndaj këtyre problemeve e partisë shqiptare në pushtet, BDI-së, dhe e qeveritarëve të saj.

Kryeministri Gruevski dhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti

Shkojmë me radhë…
E para, ndodhi botimi i Enciklopedisë antishqiptare me paratë edhe të taksapaguesve shqiptarë, e qeveritarët aktualë shqiptarë në vend se të kërkonin ndalimin dhe dënimin e autorëve të saj, ata lërë që nuk bënë një gjë të tillë, por Enciklopedia famëkeqe vazhdoi dhe vazhdon të shitet…
E dyta, ndodhi vrasja në pabesi e komandantit të njohur të kryengritjes shqiptare të vitit 2001, komandant Kushtrimit, Harun Aliut të ndjerë me shokë, e përsëri qeveritarët shqiptarë preferuan heshtjen e turpshme. U burgosën shumë luftëtarë shqiptarë me procese të montuara politike, me ç`rast 130 pjesëtarë të kryengritjes shqiptare janë në burg, ndërsa 13 shqiptarë janë të dënuar me burgim të përjetshëm…
E treta, ndodhi rrahja e qytetarëve shqiptarë në lagjen Nerez të Shkupit, e përsëri heshtje…
E katërta, u soll ligji diskriminues për (mos)përdorimin e gjuhës shqipe, e qeveritarët lëre që nuk kundërshtuan, po e përkrahën duke tentuar të justifikojnë se gjoja u zyrtarizua gjuha shqipe…
E pesta, u dogj flamuri shqiptar për të satën herë me radhë e në bllokun politik shqiptar qeveritar heshtje dhe reagime shumë të zbehta…
E gjashta, investimet e mëdha në pjesët maqedonase nuk kanë të ndalur, e në anën shqiptare varfëri, lebeti, mjerim dhe anarki, e përsëri heshtje vrastare…
E shtata, e teta, e nënta… deri në pafundësi…
U vranë dy qytetarë shqiptarë nga dora kriminale, u rrahën shqiptarët e pafajshëm dhe po rrahën edhe më tej, e përfaqësuesit shqiptar në qeveri po me të njëjtin fjalor të Ivo Kotevskit dhe të mediave maqedonase dënojnë dhunën e huliganëve nga të dyja palët. Ec e mos pëlcit. Nga të dyja palët shqiptarët rrahën, vriten, e këndej maqedonasit na dalin të viktimizuar. Mu si në kohën e kolonizimit serb të Kosovës, ku vriteshin shqiptarët, e këndej serbët paraqiteshin viktima.
Politika qeveritare shqiptare preferon heshtjen, ngase pakti i tyre me djallin që po na sfidon ne si shqiptarë çdo ditë është pakt i shenjtë dhe i pathyeshëm, i shenjtë dhe tejet “funksional”. Po, prandaj edhe thirren në kryengritjen e vitit 2001. Për këtë realitet dhe për këtë gjendje ranë dëshmorët, për këtë u dogjën dhe u shkrumbuan shumë zemra të nënave të gjora, bashkëshorteve, për këtë shkuam me dhjetëra vite pas e nuk po mund të rikuperohemi assesi, për këtë realitet të hidhur, i cili vret dhe rrah shqiptarë pa asnjë ngurrim.
Përderisa në njërën anë rrihen dhe vriten shqiptarët e pafajshëm, hapja e Muzeut të kryengritjes së vitit 2001 mund ta ketë qëllimin e mirë, por ama sikur në atë Muze të vareshin dhe të vendoseshin edhe të bëmat dhe veprimet antishqiptare dhe poltronizimi i qeveritarëve aktual shqiptar.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura