Prishtinë, 7. 11. 2016: (Rëndësia e “Trepçës”) – Kompleksi i “Trepçës” është një konglomerat xehtaro-metalurgjik industrial më i njohur në Evropë dhe ishte me rëndësi të madhe, jo vetëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës, por edhe të ish-Jugosllavisë. Në dekadën e nëntë të shekullit të kaluar, nga “Trepça” nxirreshin edhe nga 1,5 milion tonë xehe në vit, me përqindje të caktuar plumb, zink, argjend, kadmium, bizmut, ar, një pjesë e të cilave përpunohej e finalizohej në fabrika, ndërsa pjesa më e madhe e metaleve eksportohej. Eksporti i prodhimeve të “Trepçës arrinte në 120 milionë dollarë në vit. Kishte 41 njësi organizative, me 23500 punëtorë, prej të cilave nja 30 njësi ishin brënda Kosovës, me 18500 të punësuar. Pasuritë natyre të Kosovës ishin dhe janë “miti për Kosovën si tokë e shejtë, apo djep i Serbisë”!
Pas ndryshimeve në Kushtetutën e Serbisë (28 mars 1989), organet e Serbisë vërshuan me një mal programe, plane e ligje, me të cilat morën me dhunë kompetencat dhe qeverisjen legjislative, ekzekutive e gjyqësore të Kosovës, dhe aplikuan masa të dhunshme në të gjitha ndërmarrjet ekonomike dhe institucionet shoqërore në Kosovë. Duke filluar nga 5 korriku 1990, masa të tilla u aplikuan edhe në KXMK “Trepça” dhe në 12 organizata punuese të saj në Kosovë, duke i suprimuar organet e shkarkuar udhëheqësit legjitim (shqiptarë), e vendosur organe dhe udhëheqje të dhunshme (serbë). Organet e dhunshme përjashtuan prej pune punëtorët shqiptarë, kuadrat profesionale e me përvojë. Nga 9004 punëtorë shqiptarë që ishin në vitin 1989 në 7 organizata në të cilat u aplikuan masat e dhunshme në ndërkohë, në vitin 1990 ra në gjithsejt 436 sish, ndërsa punëtorë serbë e malazezë nga 3742 që ishin në vitin 1989, u rrit në 4644 në vitin 1990. Ky përjashtim prej pune i punëtorëve dhe ekspertëve me përvojë shqiptarë, bëri që nxjerrja e xehes dhe prodhimi i metaleve, shprehur në miliona dollarë (sipas çmimeve të vitit 1995) pësoi rënie, nga 144,85 mln.dollarë që ishte në vitin 1988, ra në 3,71 mln.dollarë në vitin 1994. Rënia kaq e madhe e fitimeveve nga eksploatimi i pasurive të “Trepçës” nxiti udhëheqësinë e Serbisë të kërkojë e gjejë mënyra e mundësi për eksploatim e fitim më të madh, bëri programin e rivatilizimit dhe angazhoi minatorë me përvojë e mjete nga shtete të jashtme: Plonia, Çekia e Bullgaria, dhe lidhi disa kontrata me kreditorë të jashtëm, nga Rusia, Greqia, Franca, Suedia dhe Amerika. Në kohën kur lidhi disa nga këto aranzhmane, Serbia ishte nën sanksione të KS të OKB-së, për shkak të angazhimit të saj në luftën në BeH.
Transformimi pronësor i “Trepçës”
Pas ndryshimeve kushtetuese, Serbia miratoi një sërë programe, plane, ligje, dekrete e vendime, speciale e të përgjithshme, të cilat ose ishin në përmbajtje eksplicit diskriminuese, ose në Kosovë zbatoheshin në mënyrë diskriminuese ndaj shqiptarëve. Shumë prej tyre kishin të bënin drejtpërdrejtë ose tërthorazi me transformimin pronësor të ndërmarrjeve ekonomike:
1) Ligji mbi masat e përkohëshme për mbrojtjen shoqërore të të drejtave vetëqevrisëe dhe të pronës shoqërore (“Gazeta Zyrtare e RSS”, nr.49/89, 53/89);
2) Programi (dhe Plani operativ për realizimin e detyrave nga Programi) për realizimin e paqes, lirisë, barazisë, demokracisë dhe prosperitetit në KSA të Kosovës (“Gazeta Zyrtare e RSS”, nr.15, dt. 30 mars 1990);
3) Ligji mbi veprimin e organeve republikane në rrethana të posaçme (“Gazeta Zyrtare e RSS”, nr.30, dt. 26 qershor 1990);
4) Vendimi Nr.326, mbi vërtetimin se në territorin e KSAK janë krijuar kushte të posaçme (“Gazeta Zyrtare e RSS”, nr.31, dt. 26 qershor 1990);
5) Ligji mbi ndërprerjen e punës së Kuvendit dhe të Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të KSA të Kosovës (“Gazeta Zyrtare e RSS”, nr.35, dt. 5 korrik 1990);
6) Dekreti për zbatimn e Ligjit mbi ndërprerjen e punës së Kuvendit dhe të Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të KSA të Kosovës (“Gazeta Zyrtare e RSS”, nr.35, dt.14 korrik 1990);
7) Ligji mbi marrëdhëniet e punës në rrethana të posaçme (“Gazeta Zyrtare e RSS”, nr.40, dt. 26 korrik 1990, dhe nr.54, dt.27 shtator 1990);
8) Ligji mbi kushtet dhe procedurën e transformimit të pronës shoqërore në forma tjera të pronës (“Gazeta Zyrtare e RS”, nr.48, dt. 8 qershor 1991);
9) Ligji mbi mjetet në pronësi të Republikës së Serbisë (“Gazeta Zyrtare e RS”, nr.53, dt. 28 dhjetor 1995).
Me këto akte diskriminuese, pushteti i Serbisë kishte krijuar bazën ligjore për të ndërmarrë masa të dhunshme, për të përjashtuar prej pune punëtorët shqiptarë e për të bërë transformimin pronësor dhe plaçkitjen e kapitalit shoqëror të Kosovës. Në procesin e transformimit të pronës shoqërore në forma tjera të pronës, organet e dhunshme të Serbisë bënë bartjen dhe regjistrimin e pronësisë së kapitalit të ndërmarrjeve të Kosovës në subjekte të caktuara shtetërore dhe ekonomike të Serbisë. Bartës të aktivitetit të atij transformimi pronësor ishin: Fondi për Zhvillimin e Republikës së Serbisë, Agjensioni i Privatizimit, ministritë përkatëse dhe Oda Ekonomike e Serbisë.
Edhepse sipas asnjë ligji, transformimi nuk ishte i obligueshëm, pushteti serb përmes subjekteve të përmendura më sipër dhe organeve të dhunshme të instaluara në Kosovë, atë proces e kreu me dhunë. Fondi për Zhvillimin e Republikës së Serbisë, më 23 tetor 1992, publikoi një direktivë të obligueshme, të quajtur Udhëzimi për mënyrën dhe procedurën e lidhshmërisë përmes kapitalit shoqëror të ekonomisë së Kosovës e Metohisë me ekonominë e Republikës së Serbisë dhe me Fondin për Zhvillim. Me atë Udhëzim, obligoheshin të gjitha ndërmarrjet e Kosovës, të cilat deri atëherë nuk ishin transformuar, këtë proces ta kryenin më së voni deri më 15 dhjetor 1992 (sepse ishte paraparë që me atë datë duhej të përfundonin masat e dhunshme). Ligji (i Serbisë) mbi transformimin e pronës shoqërore në forma tjera të pronës, kishte përcaktuar se në qoftë se ndërmarrja transformohej, së paku 51% e kapitalit shoqëror të bartej në pronësi në ndërmarrjet e Serbisë ose/dhe në Fondin për Zhvillimin e Republikës së Serbisë, ndërsa për pjesën tjetër të kapitalit, të emetohen aksione dhe paratë e fituara nga shitja e aksioneve, në afat të caktuar të paguhen në llogari të:
1) Fondit për Zhvillimin e Serbisë, 60%
2) Fondit Pensional të Serbisë, 30% dhe
3) Fond për Tregun e Punës të Serbisë, 10%
Organet e dhunshme serbe të instaluara në ndërmarrjet e Kosovës, në marrëveshje e bashkëpunim me qendrën e tyre, duke treguar “patriotizmin” ndaj shtetit të vet, në shumë raste e bartnin kapitalin e ndërmarrjeve të Kosovës edhe 100% në Fondin për Zhvillim dhe në subjektet e tjera të Serbisë. Kështu, bie fjala, 17 kombinate e kooperativa bujqësore të Kosovës e bartën pronësinë e kapitalit të tyre 100% në Kombinatin Bujqësor të Beogradit (PKB)!
Sa i përket kapitalit shoqëror të KXMK “Trepça”, në forma e me metoda të ndryshme, ai kapital ishte bartur:
a) 66% në pronësi të Fondit për Zhvillimin e Serbisë,
b) 2,5% në pronësi të Jugobankës së Beogradit,
c) 2,5% në pronësi të “Progresit” dhe “Beobankës” së Beogradit,
d) 2,0% në pronësi të Elektroekonomisë së Serbisë, dhe
e) 27% kishte mbetur në pronësi shoqërore
Në bazë të atij tranformimi të dhunshëm, keqpërdorimi e diskriminimi dhe kontratave me kreditorë të jashtëm, sot Serbia shfaqë pretendimet e saj për pronësi mbi kapitalin e “Trepçës”, dhe kundërshton Ligjin mbi Trepçën, të cilin e miratoi Kuvendi i Kosovës (më 8 tetor 2016).
Qeveria e Kosovës sa ishte në ekzil, me një vendim të vetin, të publikuar më 19 mars 1992, ndër të tjera, bënte me dije se:
1)Të gjitha kontratat dhe aktet e tjera që kanë të bëjnë me tjetërsimin e pasurisë së patundshme të ndërmarrjeve shoqërore në territorin e Republikës së Kosovës, të cilat I kanë ndërmarrë organet e dhunshme të pushtetit të Serbisë nga data 5 korrik 1990,- i konsideron joligjore dhe të pavlefshme;
2) Qeveria i konsideron të pavlefshme edhe të gjitha aktet e tjera që janë ndërmarrë apo do të ndërmerrën në ristrukturimin e pronës së ndërmarrjeve shoqërore, në dhënjen e koncesioneve firmave të hueja në territorin dhe pasuritë natyre e material të Kosovës; …etj. “Bujku”, 19.03.1992).
Trepça nën administrimin e UNMIK-ut
Pas luftës (1999), të cilën Serbia e humbi në Kosovë, administrimin e “Trepçës”, sikur edhe të gjitha ndërmarrjeve të pronës shoqërore, e mori UNMIK-u, në bazë të kompetencave që kishte sipas Rezolutës së KS, 1244. Në Rregulloren e UNMIK-ut, nr.1999/24, dt.25 korrik 1999, ishte përcaktuar se “UNMIK-u administron me pasurinë e luejtshme e të paluejtshme, duke përfshirë edhe paratë dhe pasurinë tjetër të regjistruar në emër të RSFJ ose të Serbisë, ose të cilitdo organ të tyre, e cila gjendet në territorin e Kosovës”. Fakti që pjesa dërmuese e kapitalit të “Trepçës” ishte në pronësi publike dhe shoqërore (66% e nomnuar në pronësi të Fondit për Zhvillim të Serbisë, dhe 27% në pronësi shoqërore), bëri të mundur që UNMIK- (tetor 2000) ta merr në kompetencë administrimin e “Trepçës”, e të menaxhojë përmes Agjensionit Kosovar të Mirëbesimit (AKM). Edhe UNMIK-un Serbia e kundërshtoi atëherë, duke pretenduar se “Trepça” ishte pronë e saj, por kundërshtimi ishte i kotë, ngase UNMIK-u e kishte kompetencën të administronte me pronën shoqërore e publike të Kosovës, kudo që gjendej ajo. Mirëpo, UNMIK-u nuk bëri asgjë për vitalizimin dhe funksioalizimin e “Trepçës” në të mirë të zhvillimit të Kosovës, vetëm sa e ndau në dy pjesë: në pjesën veriore, nën udhëheqjen e serbe, dhe në atë jugore nën udhëheqjen shqiptare. Ndaj pasurisë së “Trepçës”, përpos Serbisë, u paraqitën edhe kreditorë të jashtëm: Korporata “Mythilineos Holding,s.a” nga Athina, e cila kishte një kontratë të përbashkët me “Trepçën”, “Genex-in” dhe “Jugobankën” e Beogradit, në vlerë 519 milionë dollarë, por që në tetor 1998, kontraktuesit serb i kishin mbetur borxh 44.676,605 US/D, dhe “Societe Commerciale de Metaux et Minerais” (SCMM), me një kontratë me “Trepçën”, në vlerë 3.862,418,11 DM, dhe një tjetër me 300.000 dollarë. Kontraktuesit nga Serbia iu kishin mbetur borxh kompanive të përmendura, për obligimet e kontraktuara e të papaguara, dhe pushteti serb për borxhin e papaguar i kishte shndërruar ata në aksionar të “Trepçës”, nepërmes bankave garantuese. Për ta ruajtur status-quon dhe kapitalin e “Trepçës”, UNMIK-u, përmes Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, aplikoi Moratorium për “Trepçën”, për çfarëdo procesi të ndryshimeve statusore, kërkese apo aranzhmani.
P ë r f u n d i m e
1.Të pretendosh sot në pronësi, të cilën e ke marrë me dhunë, në kohën e okupimit klasik, në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme e nën masa të dhunshme, me ligje e veprime diskriminuese, është absurd juridik i llojit të vet, dhe është pretendim i pamoralshëm. Janë gënjeshtra të pabaza thëniet për investime të Serbisë në Kosovë.
2. “Trepça” është jo vetëm kompleksi më i rëndësishëm ekonomik i Kosovës, veçse është edhe çështje e bremdshme e sovranitetit të shtetit të Kosovës, prandaj në asnjë mënyrë as variantë nuk duhet të hyhet në kurrëfar biseda e negociata as me Serbinë dhe me asnjë kreditor të jashtëm (kreditorët le t’i realizojnë kërkesat e tyre nga ata që kanë lidhë kontrata e kanë dhënë garancione).
3) As Këshilli i Sigurimit të KB (sipas Rezolutës 1244), as Bashkimi Evropian nuk kanë të drejtë të arbitrojnë asgjë lidhur me “Trepçën”, as t’i kundërshtojnë ligjet dhe vendimet e shtetit të Kosovës, dhe askush nuk ka të drejtë të anulojë ligjet apo aktet tjera të Kosovës, as nga Njujorku, as nga Brukseli, e aq më pak nga Beogradi (Beogradi e pat anulua edhe Aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës 2008, por nuk arriti asgjë me te).
4) “Trepça” është pasuri natyrore e Kosovës, e të gjitha pasuritë natyrore janë të shtetit brenda kufirit të të cilit gjenden. Pasuritë natyrore as nuk mund të shitën, as të blehen dhe as të falen; ato mund të eksploatohen në mënyrën që e cakton shteti. Shteti i Kosovës jo vetëm se është kompetent, por edhe e ka për detyrë t’i mbrojë pasuritë e veta natyrore, të cilat gjendën brenda territorit të vet.
4) Pas miratimit të Ligjit për “Trepçën”, Qeveria e Kosovës duhet të veprojë pandërprerë për konsolidimin, rivitalizimin dhe funksionalizimin e saj, në dobi të zhvillimit ekonomik ekonomik e social dhe punësimit. Kështu Qeveria do ta lante një borxh edhe ndaj atyre minatorëve të cilët me protestat (1989) dhe grevën (shkurt 1990), sakrifikuan për mbrojtjen e “Trepçës” e të gjithë Kosovës.
Adil FETAHU – Prishtinë, 1 nëntor 2016