Kumanovë, 8. 11. 2016: Kohë e bindjeve dhe e blerjeve. Kohë e vrapimit, jo për ta hequr dhjamin e tepër në trup, por për ta shporrur dhjamin e turpit të grumbulluar përgjatë qeverisjes. Përgjatë kohës sa ishin në pushtet nuk kishin mundësi t’i bindnin qytetarët për një qeverisje të mirë, zhvillimore dhe të dinjitetshme. Për t’ia marr fjalën sjelljevedhe veprave të tyre, mendojnë se për një muaj përmes zhurmës së fjalëve, gënjeshtarve, takimeve djallëzore, premtimeve që as vetë nuk i besojnë, do të mundohet ta bindin qytetarin, që me të drejtë shprehet se nuk gjen asnjë arsye për t’i votuar ata që gjer më tani ngjasonin për mrekulli kukullat në qeveri, ata që krenoheshin me përmendoret e ngritura dhe në anën tjetër porsi përmendore qëndronin nëpër intitucione vendimmarrëse.
Sigurisht, politikanët që nuk mendojnë pas marrjes së mandatit, por të cilët mendojnë thellë se si ta marrin mandatin, kanë menduar shtegun e dytë; atë të blerjes së votës, kuptohet nëse dështojnë në kartën e bindjes. Nuk bindesh, në rregull, por atëherë duhet të na shesësh votën. Nuk është problem paraja me të cilën do të blihen votat, ngaqë janë para pa djersë, pra të fituara në rrugë joligjore, ndaj shpenzimi i tyre po ashtu në rrugë joligjore disi do të përputhej. Po ta blenë votën, atëherë dije se ta kanë blerë të drejtën për të kërkuar më shumë prej tyre, pse jo edhe të drejtën për t’u ankuar, ngaqë në të vërtetë ke shitur kartën e llogarikërkimit.
Për rrjedhojë, pasi t’ia japin besimin atyre që kurrë nuk dëshmuan se e meritojnë besimin, ende po i thënë mirë faleminderit, politikanët e mbyllin derën e bashkëbisedimit dhe takimit me qytetarët, pra me votëdhënësit mendjelehtë, me arsyen se tashmë kanë shumë punë për të bërë. Normalisht, nuk është gjë e lehtë vjedhja dhe pastaj arsyetimi a mbulimi i vjedhjes!
Me kalimin e kohës, fillon që edhe koha të mos ju kalojë mirë, ndaj qytetarët e mjerë eten për llogaridhënie. Duan llogaridhënie, mirëpo harrojnë se përmes bindjes pa argumente apo shitjes së paarsyeshme të votës, ata kanë degdisur mundësinë e llogarikërkimit dhe për pasojë lypsarët e dikurshëm (politikanët), tani llogarisin se nuk kanë llogari t’i japin llogari atyre që po kërkojnë me ngulm llogari. Pikërisht atyre që lejuan për të satën herë me radhë lehtas të lajthiten! Ç’të bëjnë të gjorët? Pasi shohin se janë mjelë mirë e ngjeshur prej politikanëve dhe pasi si rrjedhojë e premtimeve të rreme kishin harruar t’i mjelin edhe lopët, me atë nervozë të harlisur, tani shkojnë t’i mjelin lopët, dhitë dhe delet, ngaqë nuk i ngelet punë tjera për të bërë.
Kështu që, ngadalë e sigurt, lëre se politikanët i harrojnë qytetarët, por edhe qytetarët i harrojnë politikanët me gjithë thesin me premtime. Për pasojë, po kjo harresë, pas disa viteve, vetëm një muaj këta të gjorë i largon prej mjeljes së lopëve, dhive dhe deleve, për t’i përdorur sërish si dele që japin qumësht e lesh dhe nesër pse jo të shiten goxha mirë si kurban, edhe pse në të vërtetë këta të mjerë shkojnë për lesh.
T’jua kujtoj shoqëri e dashur se për mashtrimin e parë turp i qoftë politikanëve. Për mashtrimin e dytë turp ju qoftë juve. Kurse për mashtrimin e tretë, më shumë se tri herë i lumtë politikanëve, të cilët po ju përdorin për lesh, kurse ju qaheni se përse së fundmi çmimi i qumështit ka rënë.