XHEVAHIR CIRONGU: ANTIGONA FAZLIU – PËRJETËSISHT NË GONXHEN E LIRISË SË KOSOVËS E TË KOMBIT TONË

Durrës, 11. 11. 2016: Kosovën e kishte mbuluar plaga e shekullore serbomadhe. Mbi trupin e saj që kullonte gjak, vajtonte shqiponja me dy kokë për truallin Arbëror! Bijtë e bijat e Kosovës, si pushuan kurrë përpjekjet e tyre titanike edhe në ditët më të vështira, atëherë kur çizmja e zezë e ushtrisë serbe ushtronte dhunën më të egër ndaj popullatës kosovare. Kalvari i kobshëm nëpër dekada si dhuna sistematike ushtarake, ekonomike, psikologjike, e deri tek ajo kulturore e arsimore, për vëllezërit tanë kosovarë, tashmë kishte arritur kulmin e duhej t’i jepej frymarrjeje dhe oksigjen, që lulja e Lirisë të vinte një herë e përgjithmon në Kosovën e larë në shekuj me gjak nga bijtë e bijat e saj, të cilët flijuan edhe me jetën e tyre për Liri!
Sot hedhim vështrimin tonë tutje pas mënxyrës së dekadave që lam pas. Qielli i kosovës martire loton lotin e dhimbjes mbi ato plagëdhimbje që ende kullon gjak! Dhimbje, dhimbje! Zemrat tona kuvendojnë për të djeshmen e hidhur. Në plagën e trupit të Kosovës, me sakrificë e gjak u shkrua me gërma të arta fjala Liri!
Takohemi me të djeshmen dhe kujtojmë të rënët në fushën e betejave pë liri. Ata i kemi gjithmonë pranë zemrave tona. Kujtojmë dëshmorët e atdheut tonë, sepse rrënjët e Lirisë që gëzojmë sot, janë te gjaku i tyre përjetësisht! Vitet kalojnë dhe ne shfletojmë kalendarin historik. Aty tek ai kalendar historik, lexojmë pas kaq vitesh të Lirisë së Kosovës, edhe emrin e dëshmores së Kombit tonë të shkruar me gërma të arta, të vashës së Gradicës së Drenasit Antigona Fazliu! Ishte marsi i vitit 1981. Luleve të pemëve të atij marsi, iu shtua edhe një lule tjetër, por këtë radhë kjo lule frymonte e lulëzonte më shumë, dhe flakakuqonte si petalet e trëndafilave të kuq pranvere. Sa bukur! Një emër kuptimplot, kur e shqipton shpaloset si palët e flamurit tonë kombëtar! Lisat, gurët e krojet e fshatit, u gëzuan atë ditë kur lindi Antigona! Por, më shumë e ndjenin prindërit e saj, i ati Agush e nëna zemërmadhe Hyra. – Ta kemi me jetë, e të rritet për Kosovën, uroi të pranishmit Agushi atë ditë kur i thirri emrin vashës Antigonë! – Bijtë tanë ja kemi falur Kosovës, iu përgjigjën një zëri të ftuarit në atë ceremoni gëzimi familjar. Agushi vështroi drejt te flamuri kuqezi që ishte vendosur në balloren e murit të dhomës së miqëve. Në këto çaste ra heshtja. Të gjithë vështrimin e kishin te flamuri Kombëtar! Ishte nënë Hyra që theu heshtjen duke thënë: ‘’Bre burra, pse heshtni! Tek ai flamur unë lexova përjetsisht emrin e vashës së vogël të kësaj shtëpie! Epo, ta gëzojë emrin Antigona, lulja e lirisë së marsit për gjithë Kosovën! …Dhe kënga me tingujt e çiftelisë oshëtiu me zërin burrëror deri në bjeshkët e Drenasit! Pikërisht, ishte ai vit i vitit 1981, ku në gjithë kosovën martire fryne era e lirisë! Është krenari, që sot pas 17 vitesh të shkruash sado pak rreshta për dëshmoren Antigona. Në themel të lirisë së Kosovës e të Kombit tonë, është edhe gjaku i dëshmores së fshatit të Gradicës patriotike e atdhetare. Edhe familja Fazliu shquhet për patriotizëm e atdhedashuri.

Familja ‘’Fazliu’’ përbëhej në gjirin e vet familjar 6 fëmijë , 3 djem e 3 vasha: Hajrizi, Aziz, Avni, Kimete, Sadete e Antigona. Një familje e përndjekur nga okupatori serb. Agushi e Hyra u flisnin shpesh fëmijëve për masakrat ogurzeza që përdorte okupatori serb ndaj kosovarëve. Asnjëherë nuk u trembën para vështirësive prapagandistike, internimeve e ekonomike që ushtronte regjimi serb në Kosovë. Me zgjuarsi e trimëri edukuan me frymën patriotike e atdhetare fëmijët e tyre që t’u dilnin zot fateve të atdheut e të Kosovës. Pikërisht, kjo i nxiti që të merrmin pjesë aktive qysh në rininë e tyre gjithë fëmijët e kësaj familje në lëvizjet patriotike për lirinë e Kosovës. Me vështirësi, por të vendosur për kauzën e lirisë së Kosovës, Agushi e Hyra, iu dhanë edhe arsim fëmijëve të tyre. Tek arsimimi i fëmijëve ata shikonin fatet e lirinë e Kosovës. Ndaj, edhe emrin vajzës më të vogël të kësaj familje patriotike ia thirrën Antigona! Vitet ecnin me hapin e tyre. Edhe Antigona rritej s’bashku me ato. Ajo i donte librat, ndaj edhe ishte e lidhur fort pas tyre, sepse aty mësonte të shkruante shqip. Jo më kot ia thirrën emrin Antigonë, atë ditë marsi kur lindi ajo vashë e fshatit Gradicë!? Kishte kuptim të thellë dhe aromë lule lirie! Prandaj dukej qartë e ndriçonin si yje në sytë e saj fjalët : Atdhe, Arbëri, Antigona! Lule marsi, Liri! Shkollën fillore e tetë vjeçare e mbaroi me rezultate shumë të mira. Ajo vazhdoi më tej shkollën e mesme për mjekësi. I donte dhe i respektonte shoqet e fëmijërisë e të shkollës 8 vjeçare si: Lavdije Dervishi, Jehona Fazliu, Lavdije Zyberi etj. – Më pëlqen profesioni i mjekut, u thoshte shpesh prindërve e gjithë të afërmëve Antigona, sepse t’u shërbesh njerëzve e atdheut , ke bërë gjënë më sublime ndaj vetes! Si mbaron shkollën 8 vjeçare vazhdoi arsimin e mesëm për mjekësi në shkollën mjekësore ‘’Ali Sokoli’’. Lexonte libra të ndryshme, por më shumë ato historike. Tregimet e shumta që tregonte i ati dhe e ëma me karakter historik për bijtë e bijat në Kosovë -Shqipëri e të mbarë trojeve shqiptare nëpër shekuj, Antigona i dëgjonte me vëmendje të madhe e bënte pyetje nga më të ndryshme sikur të ishte në moshë madhore. Ajo ishte ende e vogël, por kuptonte aq shumë sa një ditë vëllai më i madh Hajriz i thotë këto fjalë: “Motër Antigonë! Je e vogël ende , sa të rritesh edhe pak, pastaj mendo e vepro ndaj pyetjeve që po bën, prandaj …! Ajo, si u mendua pak i kthen përgjigje:” Jo vëllaçko, jam rritur para kohe dhe i kuptoj mirë bisedat e tregimet e babës e të nënës, atdheu na thërret të gjithëve..! Të gjitha këto copëza bisede bëheshin atëherë kur sapo binte muzgu i mbrëmjeve rreth vatrës ku zjarri flakëronte si një flamur; por edhe zemrat e tyre i ngjanin prushit të zjerrit për atdheun, për Kosovën, për Shqipërinë! Një ditë, tregon Lavdije Zyberi, Antogona kishte marrë një pako të vogël me fasho të bardhë e pak jod në një shishe. I mbante poshtë bangës atje në klasë. – Po këto pse të duhen moj Anigonë?, – e pyeta unë. Më duhen për të bërë provë se si mjekohen plagët, – ma ktheu përgjigjen. Afrohe pak krahun, dhe improvizoi sikur unë kisha plagë në krah duke e ‘’mjekuar’’ atë. Në këtë kohë Lavdija ishte shoqe e ngushtë me Antigonën, atëherë kur ato vazhdonin shkollën e mesme mjekësore. Ndjenja e atdhedashurisë tek vasha me emrin aq domethënës Antigona, ishte rrënjosur në çdo qelizë të trupit të saj. Këto veti vyrtyti patriotike ajo i kishte merrë nga babai e nëna nëpërmjet tregimeve, por e fakteve, sepse nënë Hyra ishte bijë nga fshati Hade i Kastriotit, e cila ishte gjaku i poetit dëshmor Fazli Grajqevci. Ndërsa i ati Agush nipi i mësuesit dhe patriotit Halit Geci nga Llausha e Skënderajt, i cili ra heroikisht për lirinë e Kosovës më 26 nëntor 1997, vritet nga forcat serbe , në varrimin e ngritjen e flamurit para varrit të këtij dëshmori, del në skenë për herë të parë më 28 nëntor 1997 UÇK-ja.
Në këto rrethana, vasha e Gradicës lë bangat e shkollës duke u përqafuar me shoqet e mësuesit për t’u bashkuar formacioneve luftarake për lirinë e Kosovës. – Do kthehem shpejtë te bangot e shkollës, bashkë me Lirinë e Kosovës, u tha shoqeve e mësuesëve atë ditë trimëresha Antigonë, para se të largohej për në mal! Dhe..’’. Pas marrjes së komandës në brigadën 114, nga Ilaz Kodra si udhëheqës i ri i saj, më 8 nëntor të vitit 1998, në Shkabë të Drenasit, vendlindjen e heroit Fehmi Lladrovci, komandanti i ri do të organizonte betimin solemn të ushtarëve, me ç`rast në betimin e saj përurues, do të shkëlqente edhe Antigona Fazliu, si ushtarja më e re, e cila tani e tutje do të merrte pjesë edhe në beteja të drejtpërdrejta me armikun. Infermierja e re do të angazhohej në dy fronte, në mjekimin e të plagosurve dhe në luftimet kundër armikut’’..’’ Antigona Fazliu me rastin e 28 Nëntorit të parë pas rënies së Adem Jasharit ishte zgjedhur për ngritjen Flamurin Kombëtar. Pikërisht heroizmi i familjes Jashari, ishte ai që nxiti edhe Antigonën, t’i ndërpriste mësimet në shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli”, ( Marrë nga Veteranët e UÇK –së ) .
Ajo iu shërbeu me devotshmëri të plagosurve së bashku me Dr. Lec Gradicën dhe Emine Gashi – Leci, atje në vendlindjen e saj të dashur në spitalin e UÇK- së , i cili ishte vendosur në Gradicë të Drenasit.
E gjithë familja e vashës Antigonë ishte përfshirë në luftën ndaj okupatorit shekullor serb, e vendosur deri në fitoren e lirisë së Kosovës! Antigona Fazliu ishte betuar atë ditë më 8 nëntor 1998 kur ajo u rreshtua në Brigadën e 114 se , do luftonte deri në vdekje për lirinë e pavarsinë e Kosovës. Në këtë kohë Antigona sapo kishte hyrë në 18 pranverat e jetës së saj. Më shumë se ëndrrat rinore për jetën, ajo donte lirinë e Kosovës, sepse kështu do realizonte gjithë dëshirat e saj. Me mallin e dhimbjes, por edhe me krenari e kujtojnë vashën e Gradicës Heroinën e Kombit tonë Antigonën, edhe ish mësuesit e saj . Ata janë: Sokol Qerimi,Gani Abdyli,Rrahim Abdyli,Qerim Qerimi,Aziz Bardhi,Aziz Dostani,Nexhmedin Dervishi,Abedin Dibrani,Vehbi Nika,Rushit Topilla, Ahmet Hajra,Hajre Hajra,Tahir Selmani,Lutfi Krasniqi,Shaban Xhemajli, Besim Morina,Haki Tahiraj,Mehmet Qorri,Enver Gashi,Sali Heta,Rexhep Sallahu,Oflin Sejda,Murat Gashi,Gani Morina,Abdyl Zeka,Tafil Qorri,Sami Bytyqi,Beçir Gllareva,Musa Beçiri,Ilire Ahmeti,Afrim Koca,Adem Hamza,Rizah Hamza,Mehmet Bublaku,Emin Hasi ,Hafir Gashi,Selman Mehani,Agim Koca,Fadil Beka,Oflin Sejda,Servete Gashi,Shehide Gashi,Sefer Biringjiku etj. Ishin këta mësues të cilët i mësuan Antigonës alfabetin dhe shkrimin shqip. Ajo bëhej me flatra si shqiponja në flamur kur shkruante në fletore fjalët: Nënë, Atdhe, Shqipëri, Kosovë, Liri!
Atë ditë kur bëri betimin para flamurit të Kombit në Brigadën 114, puthi flamurin e tha këto fjalë: ‘’ Ta kam falur gjakun tim ty flamur, lirisë së Kosovës, kombit shqiptar!’’. Çdo ditë në gjithë Kosovën luftimet zhvilloheshin të ashpra ndaj okupatorit serb. Masakrat e ushtrisë militare serbe ndaj kosovarëve, si në qytete e fshatra ishin nga më çnjerëzore në pranverën e vitit 1999-ës.Të tilla masakra kishte kohë që si kishte parë njerëzimi qysh nga lufta e Dytë Botërore. Ishte marsi i vitit 1999,si një lum i vërtet vërshuan drejt nënëns Shqipëri mbi 500 mijë kosovarë, të cilëve u hapën portat e zemrës e të vatrave të tyre vëllezërve të një gjaku, për ti shpëtuar gjenocidi të egër militarist serb. E gjithë bota u mahnit nga kjo pritje vllazërore që iu bënë shqiptarët e shqipërisë popullsisë kosovare. Çdo lot e gjak i derdhur atë pranverë afronte ditën e çlirimit të Kosovës. UÇK-ja e ndihmuar edhe nga aleatja jonë SHBA,ngjallte shpresë te populli kosovar se dita e lirisë do triumfonte!
Ishte data 30 prillit të vitit 1999. Luftimet sa vinin e ashpërsoheshin ndaj okupatorit shekullor serb. Në Verboc të Drenasit u bë një betejë e ashpër midis forcave serbe dhe Brigadës së 114 – të që udhëhiqej nga komandati i saj Iliaz Kodra. Pikërisht atë ditë bije heroikisht në fushën e betejës komandant Iliaz Kodra. Por…edhe vasha e Gradicës Anigona Fazliu! Flamuri vajtonte për Iliazin e Antigonën! Por edhe për 167 dëshmorët e tjerë të kësaj brigade që flijuan për liri e pavarsinë e Kosovës. Pushuan këngën bilbilat e lulet e prillit vajtonin për bijtë që i falën jetën e gjakun atdheut e kombit tonë. Dashurinë për atdheun e kombin, Antigona e kishte mbjellë thellë në kopshtin e zemrës së saj, ndaj ia fali përjetësisht gjakun lirisë së Kosovës. Antigona Fazliu do kujtohet gjithmonë, sepse emri i saj është shkruar me gërma të arta në gonxhen e lirisë së Kosovës. Dëshmorët e Atdheut e të kombit kanë vetëm Jetë!

Foto nga jeta e dëshmores Antigona Fazliu
Durrës, 10 Nëntor 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura