HALIM PURELLKU: REAKSIONI TURK KUNDËR ALFABETIT DHE ARSIMIT SHQIP (1908-19012)

Tetovë, 24. 11. 2016: Revolucioni xhonturk dhe rivënia e kushtetutës osmane (23 korrik 1908) fillimisht krijuan kushte paksa më të favorshme për zhvillimin e lëvizjes kulturore-kombëtare shqiptare. Por, xhonturqit pas forcimit në pushtet hoqën dorë nga premtimet që ua kishin bërë popujve të shtypur të Perandorisë. Tani në vend të premtimeve autonomiste për popujt jo turq, ata zbatuan opsionin e “osmanizmit” me të cilin formalisht të gjithë shtetasit e perandorisë shpalleshin për “osmanlinj” me “barazi të plotë para ligjit”. Mirëpo, Kushtetuta përcaktonte se gjuhë zyrtare e detyrueshme mësimi në shkolla ishte turqishtja, me këtë ju mohohej në thelb shqiptarëve e drejta për të u arsimuar në gjuhën amtare. Do të thotë se me opsionin e “Osmanizmit” turqit, nga pozitat e nacional shovinizmit turk i mbështetur dhe nga institucioni fetar mysliman i Shehulilamit, jo vetëm që luftonin emancipimin kulturor por dhe mohonin dhe luftonin identitetin kombëtar të popullit shqiptar. Prandaj dhe shpejt pas revolucionit Xhonturk shpërthyen kundërthëniet midis pushtetit osmanist të xhonturqve, i përkrahur dhe nga segmente të caktuara të shoqërisë shqiptare për interesat e tyre personale e klanore, dhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Në prag të kongresit të Manastirit, në trojet shqiptare funksiononin vetëm 15 shkolla. Do theksuar se shkollat shqipe të asokohe shquheshin edhe për karakterin e tyre kombëtarë shqiptar dhe laik, që do të thotë se toleranca tradicionale ndër fetare tek shqiptarët mbretëronte edhe aso kohe në shkollat shqipe, ku ishin përfshirë nxënës të të gjitha besimeve fetare. Për Lëvizjen kombëtare Shqiptare mbetej dhe më tej objektivi kryesor përhapja e shkollave shqipe dhe futja e gjuhës shqipe si lëndë mësimore në shkollat shtetërore, si dhe zhvillimi i gjuhës kombëtare në përgjithësi, ndaj dhe si imperativ u shtrua nevoja e caktimit të një alfabeti të vetëm të gjuhës shqipe. Përgatitjet për caktimin e një alfabeti të vetëm zgjatën gjatë gjithë epokës së Rilindjes kombëtare, për të u kurorëzuar në fazën e fundit të saj (Rilindjes). Kjo u arrit fal veprimtarisë krijuese në lëmin e gjuhësisë dhe të letërsisë të brezave të tërë të rilindësve shqiptar; gjuhëtarë, shkrimtarë, poetë, publicist etj. Një ndihmesë të madhe dhanë dhe organet e shtypit të fundshekullit XIX dhe fillimi i shek. XX.

Iniciativën për organizimin e një kongresi kombëtar për të arritur në një përfundim të unifikuar të çështjes së alfabetit e mori klubi “Bashkimi” i Manastirit, në mbledhjen e 23 gushtit të vitit 1908. Pas përgatitjeve gjatë muajve gusht-shtator 1908, klubi “Bashkimi” në Manastir, thirri Kongresin e Parë të Përgjithshëm për diskutimin e një alfabeti të njësuar. Një alfabet i njësuar do të ishte fillimi i letërsisë mbarë shqiptare. U ftuan (Ftesa-”Zëdhënia”) për të marrë pjesë në kongres, klubet dhe shoqëritë patriotike brenda e jashtë vendit, të cilat dhe u zotuan se do të dërgonin përfaqësuesit e tyre në kongres.
Kongresi i zhvilloi punimet nga 14 e deri më 22 nëntor 1908, në hotelin “Liria” të Themistokli Gërmenjit, në Manastir. Në Kongres morën pjesë gjithsej 50 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga të cilët 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote. Nga delegatët pjesëmarrës ishin dhe Salaheddin beu, Gjergj Qiriazi, për Manastirit, Hafis Ibrahim efendiu, Emin beu, Haxhi Jashar efendiu dhe Rrok Berisha për Shkupin, Malik Elmazi për Nakoleter (mbase Nakolec, të Prespës) Xhemal beu dhe Beqir Dalipi për Ohrin, Ramiz beu për Dibrën, Sadik efendiu për Kërçovën, Haxhi Vildan efendi Dibra për Stambollin etj..
Delegatët zgjodhën për Kryetar të Kongresit, Mid’hat bej Frashrin, nënkryetar Gjergj Qiriazin dhe Luigj Gurakiqin, kurse sekretar Hil Mosin, Toma Avramin dhe Nushet bej Vrionin. Të gjithë Delegatët votuan propozimin që Gjergj Qiriazi të udhëhiqte seancën e ditës së parë të punimeve të Kongresit, deri sa të arrinte Mit’hat Frashëri, i cili për shkaqe objektive arriti me vonesë nga fundi i punimeve të ditës së parë. Dy ditët e të para të kongresit; të shtunën e të dielën (14-15 nëntor), ishin të hapura për gjithë publikun dhe ishin prezent rreth 400 veta. Në ditën e tretë të punimeve kongresi zgjodhi një komision prej 11 vetash, në krye me Gjergj Fishtën, anëtarë i komisionit ishte dhe Gjergj Qiriazi.
Detyra kryesore e Komisioni, sipas Gjergj Qiriazit, ishte: “Alfabeti duhet ta bashkoj kombin dhe i vetmi instrument me të cilin ai do të përparojë”. Në këtë kuadër, Komisionit iu njoh e drejta e pakufishme për sjelljen e vendimit rreth çështjes së alfabetit që do të obligonte të gjithë. Ndërkaq, në ditën e tretë, të katërt dhe të pestë të mbledhjeve, Komisioni diskutoi, veç të tjerëve, për themelimin e Alfabetit. Pas diskutimeve të shumta, me datë 20 nëntor 1908 komisioni miratoi rezolutën e hartuar në gjuhën shqipe, e cila qe miratuar me nënshkrim nga të gjithë delegatët e pranishëm në kongres. Në kongres u krijua një alfabeti i ri mbi bazën e atij latin, i cili u rekomandua që bashkë me alfabetin e Stambollit detyrimisht të përdoren në shkolla. Por, Alfabeti thjesht latin për shkak se ishte më praktik u përhap gjithnjë e më shumë dhe nga fundi i Luftës së Parë Botërore u bë tashmë alfabeti i përbashkët e i vetëm për gjithë shqiptarët alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe.
Kurse në ditën e fundit të punimeve të Kongresit, ku ishin të pranishëm vetëm delegatët, u aprovuan dy rezoluta:
1. Klubet në Shqipëri do t’i dërgonin raport një herë në muaj Klubit të Manastirit, ndërsa ky do t’u dërgonte atyre, si dhe shoqërive raportin e përgjithshëm.
2. Pas dy viteve do të mbahej Kongresi në Janinë,në të cilin do të trajtohej çështja e gjuhës dhe e literaturës.
U vendos që klubi qendror, me të cilin do të mbanin lidhje të gjithë klubet tjera, të ishte Klubi “Bashkimi” i Manastirit, e jo Klubi i Stambollit për të cilin insistonin të moderuarit dhe turkoshakët, kjo dëshmon për dominimin e krahut kombëtar në Kongres. Njëkohësisht, me këtë vendim Klubi i Manastirit u ngritë në qendër kryesore të vendosjes për bashkërendimin e veprimtarisë organizative e politike-kulturore në luftën për të drejtat kombëtare.
Ndonëse zgjidhja e çështjes së një alfabeti të njësuar dhe të vetëm të shqipes, ishte çështja themelore në kongres, ai ka rëndësi të madhe jo vetëm në rrafshin linguisti por dhe në atë politik. Sepse krahas mbledhjeve plenare që i zhvillonte kongresi, u mbajtën edhe gjashtë (6) mbledhje të fshehta në shtëpinë e Gjergj Qiriazit, për të cilat nuk ishte njoftuar kongresi në mbledhjet plenare.
Në ato mbledhje merrnin pjesë atdhetarë më të vendosur e më të përgatitur në mendime, që e ndjenin si detyrim përpunimin e një platforme politike dhe hartimin e një programi të përbashkët kombëtar. Mbi bazë të vendimeve që u morën në këto mbledhje u hartua një program kombëtar prej 18 pikash, i cili është një nga dokumentet më të rëndësishme të Kongresit të Manastirit. Në këtë dokument nga kërkesat kryesore politike ishin:
• Autonomi territoriale-administrative për Shqipërinë;
• Njohja zyrtare e kombësisë shqiptare dhe të gjuhës shqipe;
• Ngritja e arsimit të pavarur shqiptar duke i kthyer të gjitha shkollat e ulta e të mesme shtetërore turke në Shqipëri në shkolla kombëtare shqiptare, në të cilat gjuhë e mësimit do të jetë gjuha shqipe, kurse turqishtja do të mësohej si lëndë e veçantë nga viti i katërt i shkollës fillore;
• Marrëdhëniet e shoqërive, të klubeve e të komiteteve shqiptare me organizatën e (xhonturqve) “Bashkim e Përparim” etj.
Rëndësia e veçantë e këtij Programi politik qëndron në atë se përmbysi pretendimet e turqve të rijë dhe turkoshakëve shqiptar për ta kufizuar Kongresin vetëm me çështje të alfabetit, por dhe për atë se dëshmonte që edhe pas shpalljes së kushtetutës objektivi themelor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ishte realizimi i autonomisë së Shqipërisë. Më pas ky Programi prej 18 pikash, duhet të paraqitej nga deputetët shqiptar si kërkesa shqiptare në parlamentin turk,
Kështu, pas nëntë ditësh pune, më 22 nëntor 1908, Kongresi i Manastirit i përfundoi punimet me sukses dhe hyri në historinë e kulturës shqiptare si Kongresi që vendosi për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Çështja e alfabetit nga pushteti turk nuk shihej si çështje kulturore, por u fry si çështje religjioze dhe politike. Ndonëse pushteti zyrtar turk formalisht bënte sikur mban qëndrim neutral, ai e nxiste dhe e mbështeste luftën kundër alfabetit shqip latin. Menjëherë pas Kongresit të Manastirit një nga mjetet kryesore që përdorte pushteti turk ishte propaganda që gjuha shqipe të shkruhet me alfabet arab. Ndërkaq, që në fund të vitit 1908 Ministria e Arsimit e Turqisë mori masa administrative dhe urdhëroi që në shkollat e vilajetit të Kosovës shqipja të mësohej me shkronjat arabe. Një urdhër i tillë iu dha në shkurt të vitit 1909 edhe prefekturës së Elbasanit.
Do theksuar se përkrah reaksionit turk u vu edhe kupola më e lartë e fesë myslimane; Shejhylislami, i cili i kërkoi Ministrisë së Arsimit ndalimin e përdorimit të alfabetit lanin për gjuhën shqipe dhe, më 5 prill 1910 me anë të një qarkoreje të njëjtën ua kërkoi edhe të gjithë myftinjve të Shqipërisë. Shumica e myftinjve u rreshtuan në zbatimin e kësaj politike, nga të cilët u shquan myftiu i Manastirit, Rexhep Nuredini (Voka), por dhe myftinjtë e Prishtinës, Dibrës etj. Sa që, po në prill të vitit 1910, Shehylislami bashkë me shehlerët e hoxhallarët fanatikë e turkomanë mallkuan shkronjat shqipe dhe ua ndaluan myslimanëve përdorimin e tyre.
Ndërkohë, pas shtypjes së kundërrevolucionit në prill të vitit 1909 dhe pasi i forcuan pozitat në Stamboll, xhonturqit ndërmorën masa shtypëse ndaj lëvizjes kulturore shqiptare. Në Shkup dhe në Manastir zhvillohej agjitacion i rreptë kundër zbatimit të alfabetit latin, ashtu që në Manastir qe ashpërsuar lufta midis atdhetarëve shqiptar dhe xhonturqve rreth alfabetit shqip. Për rrjedhojë, në vitin 1909 qe ndaluar nga pushteti alfabeti latin, në shkollat ku mësohej në gjuhën shqipe. Kjo luftë vazhdoi dhe në vitin 1910. Pas hartimit të alfabet të ti ri turko-arab “me katër germa të reja”, pushteti turk me anë të qarkores së datës 6 .o2.1910 e ndaloi kudo në Shqipëri alfabetin latin, dhe urdhëroi që gjuha shqipe në të gjitha shkollat myslimane private dhe shtetërore të mësohet me alfabetin arab, kurse urdhëroheshin autoritetet e pushtetit të i mbyllin të gjitha shkollat ku mësohej gjuha shqipe me shkronja latine, si që ishte rasti në Shkup ku u ndërpre kursi i gjuhës shqipe me shkronja latine pranë shkollës idadije të këtij qyteti.
Njëkohësisht, Qeveria turke urdhëroi dhe ndalimin e botimit dhe shpërndarjes së librave, gazetave, revistave me alfabetin shqip.
Krahas shpërndarjes së abetareve me alfabetin arab, që në janar 1909, Qeveria osmane organizonte dhe financonte mitingje kundër alfabetit shqip me shkronja latine si në Shkup, Manastir, Ohër, Tetovë, Dibër, Përlepe, Follorinë etj. Këto mitingje organizoheshin pran xhamive e objekteve tjera fetare dhe drejtoheshin nga hoxhallarët. Një miting i tillë qe organizuar në xhamin e sulltan Muratit në Shkup, nën organizimin e Said Hoxhës deputet i Shkupit. Mitingjet organizoheshin nën parullën: se përdorimi i shkronjave jo arabe paraqit rrezik për fenë myslimane.
Pushteti ndërmori masa represive ndaj të gjithë mbështetësve të alfabetit shqip; qofshin ato nëpunës, veprimtarë, intelektual, nxënës etj. Masat ishin të natyrave të ndryshme si arrestim, përjashtim nga puna, transferim në ndonjë vend tjetër të perandorisë, si p.sh. nën akuza të këtilla nga fundi i majit të vitit 1909 vetëm në Ohër, në Pogradec e në Strugë u arrestuan 17 veta, midis të arrestuarve ishin edhe Hamdi Ohri, Xhemaledin Beu, kryetar i klubit të Ohrit dhe Mehmet Beu, sekretar i klubit, si dhe u përjashtuan një numër i nxënësve nga shkollat, si në Shkup, në Manastirit, në Korçë etj.
Megjithatë, përkundër gjithë këtyre masave të ashpra nuk pushoi puna e klubeve për hapjen e shkollave private dhe botimin e librave shqip me alfabetin latin të ndaluar,. Me veprimtarinë e tyre kombëtare klubet dhe gazetat e kohës që botoheshin brenda e jashtë vendit ndihmuan që për një kohë të shkurtër të bëhet një ndarje e plotë shpirtërore midis shqiptarëve e turqve, vlerësonte konsulli serb në Manastir, Luba M. Mihajlloviq.
Këtë fjalë rasti do ta përmbyll me një vlerësim të prof dr. Petro Janurës në veprën e tij me titull: Nga historia e alfabetit të gjuhës shqipe, Shkup, 1969, i cili thotë: “Alfabetin e sotëm që e përgatitën shekujt me anën e njerëzve dashamirë të shkrimit e të kulturës shqipe, zyrtarisht e stilizoi në formë definitive dhe e vuri në zbatim data 1908, që u ratifikua prej datës 1912 edhe pse në këto data nuk u dha asnjë urdhër, por etika e ndërgjegjes së ndershme kombëtare, që i pruri këto data, u bë urdhër për tu pranuar përgjithnjë ky alfabet.”
Tetovë, 21.11.2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura