POEZIA E NDJENJËS DHE E PËRJETIMEVE EMOCIONALE

Poezi e ndjenjës dhe e përjetimeve emocionale

Pashtriku.org, 14. 10. 2022

Poezia, si gjinia letrare me ndjeshmëri më të drejtpërdrejt ndaj jetës, është përdorur nga poetesha Fatime Kalimashi prej më se një dekade dhe niveli i saj cilësor ka ardhur në rritje. Me leximin e poezisë së saj në shtatë vëllime poetike, nuk mund të mos kujtojmë poetin e madh francez Pol Elyar: “Poezia, që në kohët më të lashta është gjuha që këndon dhe unë besoj, se nuk ka për të ndryshuar kurrë ndonjëherë”.  

Poetesha Kalimashi, nga Rahoveci i Kosovës, përmes poezisë i këndon jetës, dashurisë, unitetit si faktor që do të sillte realizimin e aspirateve të shqiptarëve. Megjithse e emigruar qysh në vitin 1995 në Zvicër, ajo e mban të gjallë dhe të shtrenjtë dashurinë për vendindjen dhe Kosovën: për vetë lidhjet e fuqishme shpirtërore që ajo ka me vendlindjen, duke e afirmuar atë me një kernari të ligjshme:

Jam një bijë nga Anadrini

Lind e rrit me dashuri

Është Rafsh’ i Dukagjinit

Vend i  njohur për mirësi.

Në poezinë e Kalimashit, kemi një përputhje të heroit lirik me unin e saj poetik, përmes së cilës, duket se Kalimashi afirmon konstruktin e saj shpirtëror:

Shpirtin e kam zh(veshur) në poezi

E kam larë me ujin e bekuar

Atje ku rrjedh uji kristal

Mbi bjeshkët me gurë të çmuar.

Zemrën veshur me bardhësinë e dëborës,

E kam ushqyer me rreze prej dielli

Atje ku ëndrat realizohen

Me ëndra të bukura ylberi.

Shpirtin e kam veshur me një pëlhurë

Bashkangjitur yjeve të qiellit

Atje ku hëna shkëlqen në errësirë

Shpirtin im jeton në dritë të diellit.

Meditimet e poetes janë brenda sferës shoqërore dhe jetës së përditëshme, tema të cilat e pasurojnë tematikën e vëllimeve të saj poetike. Poetesha Kalimashi këndon dhe afirmon prirjen artistike drejt ndjeshmërisë shpirtërore ndaj atdheut, duke na dhënë imazhe poetike emocionuese:

Lamtumirë vend i dashur

Lamtumirë Atdheu im

Me një copë zemre të zbrazur

Sot po nisem për mërgim.

Pavarësisht zemrës së “zbrazur” për shkak të largimit nga vendlindja, poetja përmes një krahasimi simbolik, deklaron përjetësinë e saj ndaj atdheut: “Unë dallandyshja që ty të kam fole”. Për folenë e saj të madhe, Kosovën, Kalimashi, ndjen dhembje trishtuese  për mos stabilitetin e sja politik:

Më fal për gjëmën, ndoshta e teprova

Por vendin e shoh të mjerë

Një nga një nga aty po largohen

Çdo ditë po mbyllet nga një derë.

Pavarësisht këtij realiteti tronditës, poetja bëhet ndërgjegje qytetare dhe afirmon shqetësimin e tërë emigrantëve përmes figurave që flasin shumë:

Mallin për vendlindjen

As loti kurrë s’e shoi…

Malli për familjen mbyt vetminë

Dashuria për Atdhe shpirtin përvëlon

Të huaj në mërgim e të huaj në Atdhe.

Si zogjtë shtegtar kur kërkojnë fole…

Dua ta puth tokën kur e shkel me këmbë

Në ajrin e pastër të mbjell dashuri

Në çdo shpirt njeriu dua vend të kem

Të mos harohem në largësi…

Në poezinë e Fatime Kalimashit pasqyrohen njerëz të thjeshtë, me brengat, hallet, gëzimet dhe perjetimet e tyre emocionale, trajtuar me freski motivesh, plot mjete shprehëse pa përsëritur të njëjtat figura stilistike. Ajo e vendos veten në qendër të këtyre përjetimeve duke afirmuar ndjenjat e saj të thella për jetën:

Këngë a poezi

Dhimbje apo dashuri

Është diçka që ndien poeti

Diçka më e madhe se deti.

Madje poetja tërheq vëmendjen e aparatçikëve dhe tërë shoqërisë që të kthejnë fytyrën nga njerëzit e thjeshtë që ndjehen një me atdheun:

Në këtë botë nuk erdha pse deshët ju

Jam dhuratë nga zoti i falenderuar

Nëse sot nuk ma dini vlerën

Nesër keni për të më kërkuar.

Me një gjuhë dhe figuracion të thjeshtë, ajo ka arritur të japë tablo jetësore nga jeta e përditëshme. E bukura në poezinë e Kalimashit qëndron tek e thjeshta, sikundër ka theksuar edhe një shkrimtar i huaj: ”Kisha mësuar artin për të bërë vargje të lehta  me vështirësi”.

Më erdhe në ëndërr

Hape derën ngadalë

Më buzëqeshe ëmbël

Pa më thënë një fjalë

Më dhe një prqafim

Aromë trëndafilash…

Simboli i trëndafilit është përdorur nga petesha Kalimashi si lejtmotiv në tërë poezinë e saj, për vetë imazhet poetike të dashurisë njrëzore, bukurisë dhe humanizmit. Në poezitë për nenën, të cilat janë disa, Kalimashi sjell me emocione një komunikim imagjinar që dëshmon për një mall përvëlues:

Sa do doja të fluturoja

Nëpër botë anembanë

Ti dërgoja një cop zemre

T’i tregoj asaj ku jam

Do ta pres në përqafim

Me një këngë, këng’ bilbili

Të shfaqet ëngjëlli im

Në mes lulesh trëndafili.

Duket se një akuarel i bukur ka kaluar natyrshëm në poezinë e Fatime Kalimashit, duke theksuar origjinalitetin poetik të poeteshës për vetë figuracionin e qartë me një funksion të përcaktuar dhe lehtësisht të perceptushëm nga lexuesi.  Që në leximin e parë, lexuesi kupton se poezia e Fatime Kalimashit është poezi e detajeve jetësore dhe e çasteve poetike, prandaj poezia ka vlera emocionuse dhe artistike.

Nuk njoh urrejtje

Derisa e vlerësoj jetën

Si veten i dua edhe të tjerët

Mbi gjithçka peshoj të vërtetën.

Hakmarrjen s’e kam në gjak

Ç’thonë të tjerët s’bëhem merak….

Në thelbin e procesit krijues Fatime Kalimashi ka kontaktet e poetes me realitetin që e rrethon, si dhe kërkesën e fuqishme të saj për ta zotëruar këtë realitet dhe për ta rikrijuar atë. Poetja me forcën e talentit të saj, herë-herë edhe abstragon për të kapur më të qenësishmen nga ky realitet, duke përdorur ngjyra poetike për ta dhënë atë sa më bukur.

Sa do të doja të bëhem zog

Të fluturoja me shumë gëzim

Të thith nektar në çdo lule

Pranvera është ilaçi im.

Poetesha Fatime Kalimashi di të kap çastin poetik dhe e zhvillon poezinë me një varg të rjedhshëm në harmoni me idenë e pasur. Në poezi ndihen imazhet  poetike përmes  figurave me vlerë të mirëfilltë estetike, gjuhë të pasur plot ritëm dhe melodi. Tema shoqërore, veçanërisht trajtimi i gruas, ka një vend qendror:

Sonte loti ma shuan buzën e tharë

Nga malli i fjalës së thënë

Atë që ma ndalonte koha

E shkelur si grua e shkelur si nënë. 

Poezia e Fatime Kalimashit është e mbushur me refleksione të brëndshme, ngrohtësi jetësore dhe vlera emocionale. E parapëlqyer për të, sikurse është e natyrshme, do të mbetet tema e dashurisë:

Në dashuri pritjet janë të gjata

Si netët kur kalojnë pa gjumë…

Ëngjëllushe moj zanë mali

Falja një puthje këtij djali

Më ka djegur i shkreti malli

Për një puthje botën ta fali.

Sikundër shihet, në lirikën e Kalimashit ka jetë, ka origjinalitet:

Dhimbjen që se duron shpirti

Dashuria është shërim

Në sytë e saj takova veten

Ia përqafova lumturinë

Në sytë e saj ëndërrova jetën

Ndërtuar mbi të vërtetën

Asaj ia fal edhe jetën.

Figuracioni letrar, herë-herë është befasues, përmes një metafore dhe krahasimi të thjeshtë, ajo shpreh një mall përvëlues:

Doja ta pëqafoja

T’ia mbledh flokët me dorë

Veç ta hiqja një herë merakun

T’i shkrihesha sikur borë…

Nuk dashurohet vetëm në ëndrra

Por edhe pa ëndrra dot s’jetojmë.

Në mënyrë deklarative, Kalimashi shpalos kredon e vet poetike:

Nuk jam prush që ndezi zjarre

Nuk jam zemër për hakmarrje

Nuk kam shpirt as të urrej

Dashuri dhe paqe ndjej.

Fatime Kalimashi deklaron se “Dashuria është melodia e shpirtit”. Në një stil Lasgushjan, ajo përjeton çaste lumturie:

Sytë mbyllur buzët çelur

Përqafuar përkëdhelur

Puthje malli mallëngjyer

Mbeti çast i paharruar…

Në dashuri nuk flas shumë

Heshtja mbretëron në sytë e mi

Unë nuk ëndërroj vetëm në gjumë

Por sa herë dua të të shoh ty…

Merre lotin tim

Shuaje buzën e eur

Atë ditë kiur të kthehem

Dua të të shoh buzëqeshur…

Mos e ngri zërin të dëgjojnë malet

Se zemra dhe shpirti  nuk i durojnë ndarjet…

Në kohën që sot, në mënyrë të shkujdesur eliminohet fare poezia e vërtetë, e cila ka  veçoritë dhe specifikën e saj si gjini arti, poetesha Kalimashi na jep një poezi plot dashuri, ngrohtësi njerëzore dhe thjeshtësi perceptimi, sikurse është natyra dhe stili i saj poetik. Tek Kalimashi kemi edhe shkëndija didaktike, që përkojnë me realitetin e sotëm:

Asgjë në jetë s’keni për të humbur

Çdo ditë e më shumë kërkoni dituri

Do të njohim vlera, duke njohur vlera

Nga gabimet mësohet për herët e tjera.

Një mendje e ditur

Është rrugë e ndriçuar

Ajo vlen më shumë se ar

                        Një thesar margaritar.

Është i çuditshëm optimizmi i saj entusiast:

Kurrë mos thuaj kurrë

Vetë jeta është mrekulli

Ka zemra më të forta s’e gurë

Që s’i tund asnjë stuhi.

Por Fatime Kalimashi është realiste, prandaj edhe poezia e saj është e pastër nga deformive dhe spekulime demagogësh. Përmes një personifikimi të fuqishëm Fatime Kalimashi si një qytetare aktive, brenda një konceptimi materialist, sjell një gjendje ankthi që mbart koha e mbarsur me rreziqe:

Si çdo herë borë në pranverë

Zot shpëtona edhe këtë herë

Shpëto lulet që kanë çelë

Edhe në këtë stinë

Na ruaj nga ligësitë e kohës

Na shto bukën e gojës.

Kjo thirrje e një poeteje militante, tingëllon si kambanë alarmi në ndërgjegjen e bashkombësve të saj, për të qenë vigjilentë ndaj ligësive që sjellin kohët e trazuara në botë. Po me kaq ndjeshmëri dhe figuracion brilant, Fatime Kalimashi jep dukuri jetësore të karakterit filozofik, që shoqërojnë jo pak lexues në jetën e përditshme:

Nuk e di ku jam

Më ka humbur udha

Nuk di ç’më ka gjetur

Me shpirt jam përpjekur

Prap ra shi në udhët e mia

Po lulëzon vetmia.

Në poezinë e Kalimashit ndjehet edhe fryma e poezisë reflektive, në marëdhniet që vendos poetja me realitetin dhe lexuesin. Si bijë e truallit arbëror, autorja me një patetizm derklarativ dhe prozaik, që nuk arrin të kthehet në figuracion, i bën thirrje ndërgjegjes së kombit:

Pa dëgjoni qeveritarë

E ju popull i ngrat shqiptarë

Le ta dijë gjithë bota mbarë

Në Kosovë s’ka me pas ndarje

As urrejtje e as përçarje

Vetëm të bashkuar sot e përgjithmonë

I ruajmë rrënjët, gjuhën e kombin tonë

Amanet prej të parëve tanë

Vetëm të bashkuar jetohet për vatan.

Gjithsesi ky është shqetësimi shpirtëror i poeteshës Kalimashi që jeton  ndjeshmërisht me popullin dhe kombin e saj. Thirrja e poetes ngrihet në mision:

Është koha ta falim veten dhe të tjerët

Ta falim njëri tjetrin pa ia parë sherrin.

Është koha e fundit si njeri të kërkosh falje

Se kur ti pendohesh, gjen dhe rrugëdalje.

Ajo që e befason lexuesin, është përdorimi i tercinës klasike të poezisë, çka na bind, se ajo e njeh mirë vargëzimin poetik:

Nganjëherë bëni hata

Thurni vargje me sevda

Kush nuk mundet me iu ngja.

Nganjëherë tregoni ngjarje

Sa për mirë e sa për ndarje

Të vërtetën s’keni qare.

Oh! Ju shkronja të arta

Sa të shkrurtra e sa të gjata

Unë fal jush thash çka pata.

Tek poezia e Fatime Kakimashit, kemi përputhje të heroit lirik me unin e poetes për shkak të meditimeve të saj, të cilat janë brenda sferës shoqërore dhe jetës së përditëshme të ngarkuar me probleme dhe tensione të vet jetës. Kemi gjithashtu përpjekje për një gjuhë të pasur poetike. Figurat e saj kanë vlerë të mirëfilltë estetike.

Fatime Kalimashi duket sikur i ruhet temave të mëdha dhe i anashkalon ato me disa poezi të vogla. Në pezinë e Fatime Kalimashit gjejmë përsiatje filozofike që lindin nga pasuria kulturore, poezia e saj dallohet për analizë të gjendjeve të brendëshme, për simbolikë dhe naracion, për imponim të elementit subjektiv mbi lexuesin. Ka shumë mendim në kontekstet poetike.

Lakonizmi i poezive të saj jo rrallë përplaset me poezi deklarative që u mungon përpunimi petik dhe figutracioni artistik, sepse sasia ka dëmtuar cilësinë. Megjithatë lexuesi ndien kënaqësi estetike dhe  impresione të vecanta,  kur në to zbulon detaje artistike që të emocionojnë. Heroi lirik nuk shpreh vetëm botën e poetes, por është edhe bashkëkohësi i shqetësuar për problemet e shoqërisë.

Përmes poezisë, Fatime Kalimashi këndon me gjithë forcën e shpirtit të saj për njerëzit, që me një gjuhë dhe figuracion të thjeshtë, ka arritur të japë tabllo jetësore dhe ndjenja, si produkt të realitetit. Plehanovi ka shkruar: “Kush nuk pranon asnjë realitet tjetër  vec “Unit” të tij duke kërkuar “të renë”, nuk do të gjej  tjetër veçse  një absurditet të ri.” Kalimashi në krijimtrinë e saj niset nga realteti dhe di ta pasqyrojë artistikisht atë.

FITIM ÇAUSHI                                                                             

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

PISA 2022

PISA 2022 Nga Xhelal Zejneli Hulumtimi PISA 2022 është cikli i tetë i hulumtimit PISA në të cilin…
Read More

100 VJET …

100 VJET … 100-Vjet të ekzistimit dhe veprimtarisë së Klubit Futbollistik Prishtina së shpejti do t’i gjejmë të…