Tetovë, 26. 11. 2016: (Kush duhet ta mbrojë identitetin kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni?) – ARSYEJA E TETË pse duhet të protestojmë në ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedonia, më 11 dhjetor 2016, është DISKRIMINI NË SFERËN E ARSIMIT DHE KULTURËS.
Arsyeja e tetë Shkollat e mesme në Tetovë dhe qytet tjera shqiptare në Maqedoni, edhe pas 26 vjet nga rënia e komunizmit, mbajnë emra të personaliteteve joshqiptare, edhe përkundër faktit se në këto shkolla mbi 80% të nxënësve janë shqiptarë. Këtë gjendje nuk arritën ta ndryshojnë partitë politike të shqiptarëve për 26 vjet me radhë, edhe pse përfaqësuesit e këtyre subjekteve vazhdimisht kanë qenë pjesë e pushtetit lokal dhe qendror.
Emrat e shkollave të mesme në Tetovë:
Shkolla e mesme e mjekësisë ,,Nikolla Shtejn”,
Shkolla e mesme për kuadro në ekonomi (e bujqësisë) ,,Mosha Pijade”,
Shkolla e mesme e tekstilit ,,Gjoce Shtojçevski”,
Gjimnazi i Tetovës ,,Kirill Pejçinoviq”,
Shkolla e mesme e ekonomisë ,,8 Shtator” (dita e Pavarësisë së Maqedonisë).
Gjendja është e njëjtë edhe në qytetet tjera me shumicë të popullsisë shqiptare në Maqedoni.
Kjo domethënë se, në Maqedoni nuk ka shkolla shqipe, me emra të huaj të shkollave, programe dhe tekste mësimore të përkthyera.
Edhe institucionet tjera më të rëndësishme kulturore në këtë qytet mbajnë emra të personaliteteve joshqiptare, si qendra për kulturë ,,Ilo Antevski-Smok”, Biblioteka e qytetit ,,Koço Racin” etj.
Kjo gjendje nuk u ndryshua deri në ditën e sotme, edhe përkundër detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Ohrit për sigurimin e barabarësisë së plotë mes shqiptarëve dhe të tjerëve në këtë shtet.
Edhe në fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të këtij viti, partitë politike të shqiptarëve i paraqesin me shumë pompozitet programet e tyre politike, për ndryshime pozitive në të mirë të shqiptarëve në Maqedoni, liri dhe barazi të plotë të tyre në këtë shtet, por si mund t’u besohet premtimeve për realizimin e këtyre programe politike, sidomos të partive që kanë qenë në pushtet me vite të tëra dhe këto premtime kanë mundur t’i realizojnë deri më sot.
Partive dhe politikanëve që nuk u mjaftuan disa mandate për realizimin e premtimeve të tyre, si mund t’u besohet në mandatin e ardhshëm 4 vjeçar?!
(25.XI.2016)