PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: MUNGESA E STRATEGJISË PËR VEPRIM TË PËRBASHKËT POLITIK NË NIVEL KOMBI

Tetovë, 2. 12. 2016: Arsyeja e katërmbëdhjetë pse duhet të protestojmë në ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedonia, më 11 dhjetor 2016, është: MUNGESA E STRATEGJISË PËR VEPRIM TË PËRBASHKËT POLITIK NË NIVEL KOMBI.
Partitë në pushtet, sidomos të shqiptarëve në Maqedoninë, përherë janë kundër lindjes së subjekteve të reja politike.
Ky qëndrim nuk ka ndryshuar ndër shqiptarët që nga fillimet e demokracisë e deri më sot. Kështu, udhëheqja e partisë së parë politike të shqiptarëve në Maqedoni, PPD, ishte kundër lindjes së partisë së dytë, PDP, më vonë edhe kundër lindjes së PPDSH, si fraksion i saj.
Deri më sot, në të gjitha rastet e lindjes së subjekteve të reja janë përsëritur këto qëndrime kundër lindjes së subjekteve politike, duke mos vlerësuar se ato e forcojnë demokracinë, e pasurojnë sistemit pluralist dhe e vënë në lëvizje mendimin ndryshe, si vlerë themelore e demokracisë.
Jo përherë lindja e subjekteve të reja e dëmton një lëvizje politike, por gati përherë atë e dëmton mungesa e strategjisë për veprim të përbashkët politik në nivel kombi.
Një tendencë tjetër, e ripërsëritur shpesh ndër shqiptarët, ka qenë edhe lindja e subjekteve të reja nga nënsqetullat e partive ekzistuese. Dhe ky ka qenë një gabim strategjik që i ka dëmtuar rëndë proceset demokratike dhe sidomos e ka topitur ndjeshëm lëvizjen politike të shqiptarëve në Maqedoni, me vetë faktin se në këto subjekte të reja, të lindura përmes fraksioneve, zakonisht janë rreshtuar individë të pakënaqur nga udhëheqjet e partive të veta të mëparshme dhe, në radhë të parë kanë qenë të disponuar vetëm për revanshizëm dhe hakmarrje politike, jo edhe për nxitjen dhe avancimin e proceseve të reja në jetën politike të vendit.

Secili individ dhe grup, për t’i artikuluar qëndrimet e veta ndryshe nga subjektet tjera ka të drejtë të pakontestueshme të hynë në skenën politike, me program dhe vizion të vetin për zgjidhjen e çështjeve politike, ekonomike e kulturore të qytetarëve që dëshiron t’i përfaqësojë në pushtet.
Efekti më negativ nga lindja e subjekteve të reja është kur ato frymëzohen, përgatiten dhe shfaqen në skenën politike për arritjen e qëllimeve të caktuara, shpeshherë në interes të qëllimeve strategjike të qarqeve politike nga jashtë, të cilat nuk e kanë kursyer mbështetjen politike dhe përkrahjen financiare ndaj këtyre subjekteve, me të vetmin qëllim: dëmtimin e interesave të shqiptarëve në Maqedoni dhe më gjerë.
Vetëm ndër ne shqiptarët, si te asnjë popull tjetër në këto hapësira, përherë ushqehen shpresa të kota nga lindja e ndonjë subjekti të ri politik, sidomos me angazhimin e ndonjë figure të re politike në udhëheqjen e tyre, pa e vlerësuar sa e si duhet angazhimin e tij konkret në të kaluarën. Kështu, na janë dashur mbi dy dekada e gjysmë të përballemi me shumë dështime, zhgënjime dhe disfata, sidomos në ciklet zgjedhore, duke ushqyer iluzione të rrejshme në stilin ,,haj ta provojmë edhe këtë lider”, duke harruar se liderët e vërtetë lindin, kaliten dhe shfaqen natyrshëm dhe pa imponime në skenën politike të një vendi, kur këtë e kërkon koha dhe rrethanat e caktuara, jo kur dëshiron një individ, ose grup individësh, të imponohet në situata të caktuara si bartës i një koncepti dhe ideje të madhe, shpeshherë të stisura si ,,atdhetare” e ,,çlirimtare”.
Kështu, shqiptarëve në Maqedoni u kanë kushtuar shtrenjtë këto eksperimente, duke ndihmuar dhe përkrahur shumë figura politike pa vizion, pa ide, pa koncept të qartë dhe pa bagazh të nevojshëm që t’u prijnë proceseve politike.
Nga 23 subjektet politike të formuara nga shqiptarët deri më sot, shumica e këtyre liderëve që erdhën me ideve të shfaqura me pompozitet në skenën politike, në saje të idesë ,,ta provojmë edhe këtë”, vetëm ua pamë sherrin, pa asnjë dobi konkrete në interes të lëvizjes politike të shqiptarëve në Maqedoni.
Të shpresojmë se pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit, subjektet politike të shqiptarëve në Maqedoni, sidomos ato më të rejat, nuk do t’i përsëritin këto gabime në të ardhmen, se përndryshe bashkë thyem qafën të gjithë!
(31.XI.2016)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura