BESIM R.CENGU: PSE GORANËT PO ARRATISEN PREJ IDENTITETIT TË VET?!

(Pashtriku.org, 22. 01. 2013) – Gora është një njësi simpatike etnokulturore e krahinës së Lumës, e cila që kur është aty (diku pas shekullit të 11-të, kur trazirat ballkanike kishin filluar të stabilizoheshin), e ka ndarë të mirën dhe të keqen me shqiptarët, ka patur një fat të përbashkët, ka luftuar nën një flamur kundër invadorëve të huaj. Mjafton të përmendim Nail Danin e Rapçes dhe Molla Rasim Zapodin e Zapodit, që ishin po aq patriotë sa edhe Islam Spahia i Kolesjanit e Hoxhë Mehmeti i Shtiqnit të Kukësit. Kontributet në luftrat nëpër keto shekuj bashkëjetese, kanë qenë gjithnjë të përbashkëta dhe qoftë përfitimet, qoftë edhe pasojat, kanë rënë njëlloj si mbi shqiptarët, ashtu edhe mbi goranët.
Asnjë lidhje nuk ka mes goranëve e boshnjakëve
Nxitje për këtë shkrim, u bë një takim që u zhvillua në vjeshtën e vitit 2005 në Prishtinë të një grupi të etnicitetit boshnjak me kryeadministratorin e Kosovës, Soren Jesen Petersen.
Ai takim mund të kishte ndoshta shumë prej përfaqësive etnike përveç boshnjakëve. Me të vërtetë kjo çasje ngjan si paradoks, por ja që kështu ndodh konkretisht. Komunitetit boshnjak, i cili, për hir të së vërtetës, as në aspektin etnik, as atë historik, as kulturor e gjuhësor, nuk kanë asnjë pikëpjekje me Gorën e goranët, nuk kish pse të mos ishte aty, nëse jeton e vepron si gjurmëlënës social në mesin e shqiptarëve. Prania e tij në mesin tone veçse do ta pasuronte jetën e përditshme shqiptare në Kosovë dhe gëlimin e saj të përditshëm. Por ja që faktet historike e shkencore flasin qartë, më tjetërndryshe asaj që pretendohet.
Ka shumë kohë që kam vrarë mendjen, se pse komuniteti goran, që përbëhet prej 25 fshatrash, me një popullsi që nuk i kalon 17 mijë banorët, kërkon të ikë me vullnetin e plotë prej indentitetit të vet, përcaktuar nga rrethanat historike kur ai është formësuar!

Realisht, kjo orvatje disi e pakuptimtë, ose është akt naiv i një pjese drejtuese politike dhe intelektuale gorane të pasluftës në këtë regjion për t’iu përshtatur një lloj politike të ditës (praktikë e njohur e krijuar nën sundimin e Jugosllavisë titiste), ose orjentim me dashje (nga dikush prej përfaqësuesve të tyre) për ta zhdukur këtë identitet që padyshim është pasuri autentike e bashkëjetesës me shqiptarët, dhe që në fakt përbën një vlerë e pasuri të pamohueshme të Shqipërisë në përgjithësi e Kosovës në veçanti.
Pak retrospektivë
Gora është një njësi simpatike etnokulturore e krahinës së Lumës, e cila që kur është aty (diku pas shekullit të 11-të, kur trazirat ballkanike kishin filluar të stabilizoheshin), e ka ndarë të mirën dhe të keqen me shqiptarët, ka patur një fat të përbashkët, ka luftuar nën një flamur kundër invadorëve të huaj.
Mjafton të përmendim Nail Danin e Rapçes dhe Molla Rasim Zapodin e Zapodit, që ishin po aq patriotë sa edhe Islam Spahia i Kolesjanit e Hoxhë Mehmeti i Shtiqnit të Kukësit.
Kontributet në luftrat nëpër keto shekuj bashkëjetese, kanë qenë gjithnjë të përbashkëta dhe qoftë përfitimet, qoftë edhe pasojat, kanë rënë njëlloj si mbi shqiptarët, ashtu edhe mbi goranët.
Pikërisht për këtë, një studiues i sotëm i kulturës e historisë së Gorës, Nazif Dokle, është nxitur ase ka pasë shumë dëshirë që të theksojë një frazë sintetike, e cila përmbledh shkurtimisht fatet e përbashkëta që lidh zonën e Gorës me krahinat shqiptare përreth.
Ai as më pak e as më shumë thotë: “Gora, është po aq shqiptare sa edhe Prishtina, Gora, është po aq shqiptare sa edhe Tirana”. Dhe për më tepër ai (por edhe studiues tjerë goranë dhe jogoranë), në asnjë rast të vetëm nuk kanë mundur të gjejnë konkordanca me Bosnjen.
Madje, ata kanë theksuar se “serbokroatishtja është shumë larg asaj gjuhe që flasin goranët. Mund të ketë afëri me maqedonishten apo bullgarishten, por me sllavët tjerë të veriut që janë stabilizuar në Ballkan assesi”.

Nail Hyseni – Dani i Rapçes dhe Islam Spahia i Kolesjanit

Praninë e lidhjeve tradicionale të shqiptarëve me goranët, e dëshmojnë më së miri qindra familje të fshatrave shqiptare që banojnë në të gjithë fshatrat gorane. Sipas një studimi, afro 50% e banorëve në vendbanimet gorane, janë prej fshatrave Çajë, Buzëmadhe, Kalimash, Shtiqën, Novosej, Topojan, Përbreg, Plavë, Shajne, Bushtricë. 
Për më tepër, ka edhe lagje që kanë marrë emrat e fshatrave nga kanë ardhur, si bie fjala lagja Kalimash në fshatin Orgjost. Ky fakt flet qartë se ata banorë kanë origjinën prej fshatit Kalimash që ndodhet në dalje të qytetit të Kukësit.
Arsyet se pse ato kanë ardhur në Gorë, janë objekt i një teme tjetër, por unë solla shembull për të përforcuar idenë e bashkëpunimit e mirëkuptimit tradicional me goranëve dhe shqiptarëve. Po kështu, këtë marrëdhënie të mirë dhe të stabilizuar e dëshmojnë edhe lidhjet e shumta martesore të ndërsjellta, ritet, zakonet, praktika e përditshme e jetesës, etnografia…në tërësi veshja tradicionale.
Ndërmarrja me shumë vlerë për çeljen e ekspozitës fotografike e Drejtorit të Muzeut Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Parim Kosova, e cila u hap në Hamamin e Prizrenit, në muajin shtator të vitit 2005 e dëshmoi më së miri lidhjen e shumëfishtë që ekziston midis shqiptarëve e goranëve.
Atëherë çfarë i shtyn goranët të konvertohen në boshnjakë?
Mbetet krejt e paqartë sjellja e disa përfaqësuesve të komunitetit goran, që rreken të jenë njohës të traditës e historiesë të këtyre trevave, pas përfundimit të luftës në vitin 1999 në Kosovë, ashtu siç nuk dëgjohet më fraza e lartpërmendur prej Nazif Dokles.
Madje zëri i këtij studiuesi në fjalë, është mekur deri në fikje. Ai tashmë ka braktisur përfundimisht ato çka pat thënë dhe i pat mbrojtur, duke lënë të kuptohet tek studiuesit tjerë të interesuar se është një shtupë që i ka ndalur gojën dhe që e ka shndërruar në një instrument të shëmtuar në sherbim të interesave antigorane.
Dihet se Gora deri në vitin 1999, gati kish mbërritur në kufinjtë e asimilimit total prej politikës së Serbisë. Ajo realisht e praktikisht pas ndryshimit që solli kjo luftë (edhe sot e gjithë ditën) ka rastin fatlum të inkuadrohen në jetën e re në Kosovë, duke mbartur e ringjallur të gjitha vlerat më të mira që ka kjo zonë.
Ka mundësinë reale e të shumëndërruar (edhe sot e gjithë ditën) që të zhvillojë gjuhën e saj të bastarduar për shkak të agresionit kulturor serb mbi gjithë psikologjinë kolektive, mbi gjuhën e traditat gorane.
Mjerisht sot në Gorë nuk flitet gjuha e nënës (nashkja) por serbishtja e pastër. E kam fjalën vetëm për pjesën e Gorës në Kosovë, ndërsa në fshatrat e Gorës në Kukës nuk ndodh kjo. Vetëm kjo veprimtari asimiluese e shtetit jugosllav, e organizuar nën parullën e “dorës së zgjatur të Serbisë” po të merret e analizohet, dalin në shesh efektet shkatërruese kundrejt Gorës dhe goranëve. Sadik Idrizi (jo Sadik Idriz, siç e shqiptojnë mediat dhe për këtë shqiptim nuk do të jetë kurrë dakord as Nazif Dokle) sot ministri i shëndetësisë në qeverinë aktuale, e pohon me gjysëm zëri theksimin tonë se “goranët nuk kanë asnjë lidhje me Bosnjen”.
Ai është edhe botues i disa librave artistikë në gjuhën jogorane, dmth, serbe, por nga ana tjetër ia ka qejfi të quhet boshnjak (kuptohet për t’i sherbyer politikës së ditës, siç bën edhe kolegu i tij Nazif Dokle). Ai është edhe mik i një shqiptari prej fshatit Çajë të Shqipërisë që jeton prej afro një shekulli në Krushë.
Çudi ky veprim i tij dhe i disa përfaqësuesve të komunitetit të sotëm goran. Ndoshta është rasti i parë në historinë e etniciteteve në Ballkan, kur një komunitet kërkon të arratiset prej qenies së vet! Kërkon ta braktisë kostuticionin shpirtëror, të cilin e ka ndërtuar me aq mund e sakrifica duke u rropatur për të mbijetuar nëpër mugëtirën e historisë tonë të përgjakshme!
Aq më keq kur veprime të tilla bëhen në kundërrjedhë të koncepteve të sotme të mirëkuptimit, e janë të gjitha mundësitë për të zhvilluar dhe emancipuar kulturalisht e shpirtërisht vetveten deri në ngritjen e shkollën në gjuhën gorane (e jo boshnjake si sot), nëse ajo është e aftë stukturalisht për të ndërtuar një abetare gorane.
Ndërkohë që fëmijët goranë sot kanë nevojë për gjuhën e tyre, për kulturën e të parëve të vet, për përvetësimin e zakoneve e traditave shumë të mira, e jo për gjuhë të tjera apo për konceptet e rrënjosura në koshiencën e komunitetit goran prej pushtuesit serb e shërbëtorëve të tyre të sojit Vahid Ibro.
Të qenit goran, është e duhet të jetë krenari për të gjithë ato që banojnë në atë zonë. Nazif Dokle e Sadik Idrizi më shumë nder i bëjnë Gorës e vetes kur paraqiten si goranë, se sa si përfaqësues të ndonjë komuniteti tjetër me të cilin nuk kanë as afëri shpirtërore, as gjuhësore e as historike. Askush prej goranëve nuk ka pse rrudhet për përcaktimin e identitetit të vet. Fati i goranëve nuk është Bosnja e boshnjakët (të cilët i respektojmë), as Serbia e cila është provuar tashmë (fatkeqësisht ëndërr e disa prej përfaqësuesve të popullit të Gorës), por Shqipëria e shqiptarët pasi Gora është në mesin e shqiptarëve.
Kukës, 18 dhjetor 2005

============================
Një artikull i Besim Cengut dhe një Ide inkomode e Baki Ymerit

Shënim:
Një vit para se Kosova të shpallte pavarësinë (2007), unë shkrova një artikull me titull “Çfarë kanë boshnjakët e serbët me goranët, bre!!??” që u botua në shtypin e Prishtinës, por edhe më tej. Këtë artikull e kishte botuar edhe revista “Shqiptari” në Bukuresht që e nxjerr Dr. Baki Ymeri një prej intelektualëve më të shquar shqiptar në Bukuresht dhe që në mos gaboj është vlerësua si njeriu i parë i vitin 2002 në kryeqytetin rumun. Dr. Bakiu i nxitur prej artikullit tim shkroi një “Ide inkomode” shumë interesante për Gorën dhe goranët dhe ma nisi. Unë po e bëj publike për këtë “Ide inkomode” pa e komentuar. Komentojeni vetë ju miq që e lexoni. Duke ju vleresuar Ju, por edhe kohën tuaj të çmuar ju rekomandoj ta lexoni kur të jeni të lirë dhe jepni konsideratat edhe për artikullin tim, por më shumë për “Idenë inkomode” të Baki Ymerit. Për të mos qenë emër anonim autori i Idesë, po ju përcjell edhe një biografi të shkurtër të tij.
Faleminderit

*   *   *


BESIM R.CENGU:

ÇFARË KANË BOSHNJAKËT E SERBËT ME GORANËT, BRE!!??

Para disa kohësh në revistën “Sharri” (nr. 56-57 viti 2006-2007) u botua një artikull imi, në të cilin me sinçeritet pata shtruar shqetësimin, se pse goranët po tentojnë të arratisen prej identitetit të vet. Këtë dukuri (për mua absurde) vërtet unë nuk po e kuptoj, ose nuk po arrij të kuptoj. Përnjimend pse ky “pasion”, apo edhe opsesion me simdromë negative për këtë komunitet që realisht është vlerë e pamohueshme e shqiptarëve, është prezent tek shumë pjestarë të këtij komuniteti!?
Kush më thotë e më sqaron mua, për ç’arsye bëhet kjo!?
Nëse kjo lojë shkon në të mirë të goranëve, ma argumentoni, të bindem edhe unë dhe që publikisht të them, se paskam qenë gabim. Nëse nuk shkon, pse veprohet kështu që pashmangshmërisht shpie drejt asimilimit të goranëve që të paktën ne shqiptarët kurrësesi nuk e dëshirojmë. Unë kam qenë shumë i ndërgjegjshëm kur e strukturova artikullin, me qëllimin, se kështu do t’i shërbej interesit të Gorës dhe goranëve, të cilët jo vetëm se i respektoj, por edhe në situatën që ne jemi dua që ato të prosperojnë dhe të kenë dinjitetin e nëpërkëmbur për shekuj me rradhë.
Kam shfletuar në internet reagime rreth shkrimit tim dhe jam ndeshur me shumë kundërshti naive të disa goranëve (kryesisht nga Shishtaveci) të cilët fatkeqësisht, as nuk kishin arritur të kuptonin shkrimin, por nga ana tjetër, as nuk kishin asnjë forcë argumentuese e vlerësuese për të përballuar faktet reale dhe të vërteta si drita e diellit. Madje për shkak të mungesës së argumentit dhe njohjeve elementare shkencore arrinin deri në etiketime të pakulturuara dhe krejtësisht të pabaza.
Nuk kishin faj.
Edhe unë nuk iu përgjigja (jo për ofendim), pasi nxorra lehtësisht konkluzionin se në atë faqe të internetit nash-shishtaveci.com, nuk shkruanin individë kompetentë, por vetëm emigrantë që kanë lindur në fshatra goranë, por nuk kanë lidhje me historinë e Gorës në të kaluarën dhe ecurinë e saj në situatat e reja politike dhe sociale. Unë jam një nga njohësit e kësaj treve që kam patur rastin ta shkel me këmbë dhe njëkohësisht një nga miqtë e shumë goranëve, me të cilët fati më ka lidhur që në rininë e hershme.
Nuk kam lënë fshat të pjesës së Gorës në territorin e Kukësit pa shkelur dhe pa fjetur në shtëpitë e tyre. Pas lufte njoha edhe fshatrat goranë në komunën e Sharrit.
Nejse, t’i lëmë këto, por të analizojmë dy takime që sqarojnë edhe më tej drojën time të shprehur në atë artikull të botuar në revistën “Sharri” numër 56-57 të vitit 2006-2007. Në të dy takimet, flitet për komunitet boshnjak e serb, por nuk zihet në gojë Gora dhe goranët me veçoritë e tyre pa asnjë lidhje as etnike, as historike si me Bosnjën, ashtu edhe me Serbinë.
Loja politike boshnjake
Xhezair Murati, shef i koalicionit boshnjak “Vakat”, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë nga Gora, Sadik Idriz(i), ishin në Gorë. Asgjë të keqe nuk ka nga një takim me një komunitet, por kur atij i mohon identitetin e tij shekullor, atëherë puna qëndron ndryshe. Për mua kësaj i thonë mohim i së drejtës themelore të një populli, madje edhe ofendim.
Shefi i Koalicionit, Murati, tha para shumë goranëve se “qe një vit po marrim pjesë në Ekipin Negociator, për të avancuar sa më shumë komunitetin tonë (për cilin komunitet e ka fjalën, për atë goran apo boshnjak). Më tej ai vijoi “…sa i përket statusit, të gjithë e kanë të qartë atë. Këshilli i Sigurimit, deri në fund të vitit, do ta përfundojë këtë problem. Ne si minoritet nuk duhet të merremi me statusin, sepse ka kush merret, por ne duhet të interesohemi për pozitën tonë në Kosovë”. Deri këtu mirë, por ende nuk e marrim vesh qartë se për cilin minoritet e ka fjalën. Atë e sqaron mirë me guxim të “çartur” Sadik Idriz(i) kur në këtë takim u shpreh: “Plani i Ahtisarit është përqendruar në masë të madhe në mbrojtjen e minoriteteve, jo vetëm atij serb. Në dokumentin e tij ekziston garanci e madhe për minoritetet, e që do ta mbikëqyrë bashkësia ndërkombëtare. Prandaj, nuk duhet të frikësohemi, aq më pak që jemi boshnjakë(!!!)”.
E çuditshme shprehja “…nuk duhet të frikësohemi, aq më pak që jemi boshnjakë(!!!)”. Çdo të thotë kjo!? Me ndërgjegje të plotë e thotë gorani Sadik këtë pohim!? Nuk do të doja ta besoja një gjë të tillë! Mirëpo është reale kjo shprehje dhe sigurisht që “kjo lojë politike dite” e ndihmon atë personalisht, pa çka se nuk i konvenon komunitetit goran, pjesë e të cilit është. A nuk është arratisje prej identitetit ky akt?
Si mundet ta thotë një intelektual goran një gjë të tillë, duke shkelur e nëpërkëmbur, jo vetëm historinë e traditën e Gorës, por edhe dinjitetin e një komuniteti të tërë. Unë kurrë nuk besoj se banorët e Shishtavecit, Restelicës, Borjes e Brodit, Zapodit e Rapçes, Orgjostit e Vraniçit etj, do ta pranojnë këtë identitet të ri të stisur, me të cilin kurrë nuk kanë patur lidhje dhe afëri. Edhe më indiferentët e kuptojnë se këto takime dhe këto definime antishkencore e antihistorike, bëhen për efekt të politikës që nuk i shërben askujt e sidomos Gorës e goranëve. Thënë më shkoqur; pse takime të tilla u shërbejnë disa individëve që paguhen për këtë punë, aspak nuk ndihmon në përcaktimin e goranëve në pozicionin e vërtetë brenda për brenda vetvetes, trevës ku jetojnë dhe identitetit të tyre në mesin e shqiptarëve.
Duhet ditur mirë e saktë tanimë, se populli i kësaj treve, nuk duhet të vuajë më prej instrumentalizimit që e kanë brerë deri në kufinjtë e asimilimit. Kultura dhe tradita gorane është pasuri e padiskutueshme shpirtërore e një populli që do lirinë, gjuhën e tij, veçoritë e traditën, që e dallojnë prej të tjerëve. Ajo evidencohet e praktikohet vetëm duke qenë si goranë, duke mësuar gjuhën nashke nëpër shkolla, duke kënduar këngët tradicionale e praktikuar festat, dasmat, ritet… sipas traditës gorane.
Ndryshe, pas një kohe të ardhme jo fort të gjatë, zor se do të ketë identitet goran. E humbja e këti identiteti, do të thotë humbje e shumçkaje prej shpirtit tonë të përbashkët, goranë e shqiptarë.
Përpëlitjet e fundit të Serbisë në Gorë
Po këto ditë në Gorë ishte edhe Sanda Rashkoviç – Iliç. Shefja e të ashtuquajturës Qendër Bashkërenduese Serbe për Kosovën, e ruajtur me kujdes prej shërbimit policor të Kosovës ka qëndruar në fshatin Glloboçicë, i cili kohët e fundit, me hapjen e një shkolle paralele sërbe, ka shërbyer në një farë mënyre si shembull se bishti i gjarpërit lëviz ende, se ende thonjtë e dorës sërbe nuk janë shkulur prej fytit të Gorës.
Ajo si përpara një komuniteti serb, e çlirët, u dha garanci “qytetarëve të saj” se Rusia dhe Kina, do ta përdorin veton në Këshillin e Sigurimit kundër pavarësisë parashikuar nga paketa e Ahtissarit. “Kam shkuar e marrë pjesë në shumë qendra të mëdha botërore të vendosjes, ku kam marrë garanci të fortë nga Moska dhe Pekini, se do ta përdorin të drejtën e vetos gjatë votimit të Pakos së Ahtisarit në Këshillin e Sigurimit. Përveç tyre, edhe shumë vende të Afrikës, nuk do ta përkrahin Planin e Ahtisarit, me që edhe ato përballen me probleme të tilla në vendet e tyre”, – u thotë goranëve Rashkoviç – Iliç, duke nënvizuar se “Serbia, bashkë me Rusinë, janë duke u angazhuar që rreth statusit të Kosovës të vazhdohen bisedimet, me qëllim të gjetjes së një qëndrimi të përshtatshëm për zgjidhjen e këtij problemi”. Rashkoviç ka shtuar se, “në kuadër të decentralizimit, duhet të themelohet edhe komuna e Gorës”.
Sipas saj do të jetë një prej komunave serbe!!! Ja pra këtë e shprehu shefja e të ashtuquajtur Qendër Bashkërenduese Serbe për Kosovën. Në asnjë rast ajo nuk e njohu identitetin goran, ashtu sikurse Xhezair Murati, shef i koalicionit boshnjak “Vakat”, i ndihmuar prej Sadik Idriz(it), që gjithashtu i përcaktuan boshnjakë. Madje sikur nuk i doli boll Sandës shantazhi para goranëve, por ajo largon edhe gazetarët pjesëmarrës për të biseduar më shtruar me mësimdhënësit dhe qytetarët goranë, të cilët e përkrahin praninë e Serbisë në Kosovë.
Jam shumë kurioz të di se a shkojnë të njëjtët njerëz në këto takime, apo janë të ndarë në parcela, në popull “boshnjak”, “serbë”… Si rrjedhojë kur vijnë përfaqësues prej Sërbisë “boshnjakët e Gorës” nuk marrin pjesë dhe e kundërta. Kjo lojë është tragjikomedi që e luajnë vetëm ata që nuk duan Gorën dhe goranët.
Ç’del nga këto dy takime?
Në Gorë u organizua një takim me pro serbët e Rashkoviçit. Madje në heshtje nga pjesëmarrësit u pranua edhe inisjativa e saj për “themelimin e komunës së Gorës” që do të ketë të njëjtin status në kuadrin e decentralizimit me komunat serbe. Po kështu në takimin me drejtuesit e “Vakatit” nuk u fol aspak për Gorën e goranët, por përkundrazi për boshnjakët (me të cilët qenka populluar Gora).
Mirëfilli dhe trup, themi se nga këto dy takime, del se nëse para vitit 1999 treva e Gorës dhe popullsia e saj, janë përdorë si “dora e zgjatur e Serbisë”, sot në pragun e definimit të statusit për Kosovën që është pavarësia e pashmangshme, popullsia e saj është parcelizuar në dy pjesë; boshnjake dhe në serbe. Sipas kësaj praktike krejtësisht antigorane, ky komunitet duhet të pjesëtohet edhe në parcelë maqedone apo edhe bullgare. Vetëm ashtu siç duhet të jetë nuk po pranohet; gorane, ashtu sikurse edhe është
objektivisht.
Deri tani vetëm politika shqiptare ka qëndrim të drejtë. Ajo nuk ka tentuar të marrë parcelën e vet në Gorë, se dëshiron realisht të krijojë bashkëjetesë normale. Është mirë të shfrytëzohet kjo tolerancë tradicionale e shqiptarëve. Për shkak të kësaj tolerance, komuniteti goran ka jetuar dhe ekzistuar në shekuj. Unë nuk e di më tej si të flas. Vetëm dua të them se inteligjienca gorane duhet të hapë sytë dhe të orjentohet drejt. Është koha vendimtare, ndryshe do të jetë vonë.

——————————————–


BAKI YMERI: IDE INKOMODE

Nuk bëjmë propagandë arumune nga Bukureshti, por ua bëjmë me dije goranëve, sot me një fjali, ndërsa nesër me akte e fakte, se nuk janë as serbë e as boshnjakë, por vllehe, alias arumune të shqiptarizuar, dashamirë të tregtisë dhe blegtorisë.
Ata janë vllehët e Rodopeve që janë shkulur nga Rodopet e Bullgarisë para 200 vitesh, duke gjetur kullota të begatshme në zemër të Sharrit, që nga Gora e deri në Opojë e tej matanë saj, duke krijuar një bashkëjetesë shembullore me shqiptarët, duke e përqafuar fenë apo gjuhën e pushtuesit serb menjanë, duke e përvetësuar gjuhën dhe traditat e kombit shqiptar në anën tjetër.
Duke e shfrytëzuar tolerancën gorane, serbët e intolerancës ballkanike menjanë, dhe sllavomaqedonasit e indoktrinuar me ksenofobi patologjike në anën tjetër, kanë bërë çmos për t’i sllavizuar. Kjo ishte e dyta. E para ka te bëjë me faktin se boshnjakët që e kanë përqafuar fenë e pushtuesit osman, nuk janë serbë por vllehë të serbizuar. As serbët autoktonë të Kosovës, jo për kolonistët, por e kemi fjalën për ata serbë të cilëve shqiptarët u thonë “shkije të butë”, nuk janë serbë, por vllehë të serbizuar, siç janë edhe një përqindje e vogël e shqiptarëve të Kosovës, vllehë të shqiptarizuar, (e kemi fjalën për ata që mbajnë mbiemra (a)rumune).
Ndaj, mos u besoni pallavrave fundamentaliste të atyre që militojnë për troje të pastra etnike, për një Kosovë serbe apo shqiptare, ngase Kosova nuk është e fundamentalizmit ballkanik por e demokracisë parlamentare euro-amerikane, me të drejta të barabarta, me kufinj të hapur për të gjithë, pa urrejtje, mosdurim, intolerancë dhe ksenofobi.
Gjeografikisht dhe demokratikisht, vetëm përmes një politike të këtillë mund ta bëni Kosovën Dardani dhe Dardaninë Shqipëri, jo me gjakderdhje por me djersëderdhje, siç e bënë gjermanët Gjermaninë Gjermani.
Baki Ymeri (Bukuresht)

BIOBIBLIOGRAFI

Baki Ymeri është i njohur si poet, përkthyes, eseist dhe publicist. U lind në Shipkovicë të Tetovës (1 gusht 1949), nga një baba shqiptar (Ajvaz Voka), dhe nga një mama rumune (Aurelia Graur). Kreu gjuhën dhe letërsinë shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Kosovës në Prishtinë (1969-73). Duke qenë i ndjekur nga pushteti komunist i ish-Jugosllavisë, arratiset në Rumani (1973), vazhdon studimet e specializimit në Vjenë (1974) dhe në Bukuresht (1975). Ndërkohë shkruan, përkthen dhe boton artikuj e studime mbi lidhjet farefisnore rumuno-shqiptare, përhap literaturë shqipe në relacionin Bukuresht-Shipkovicë-Prishtinë, shpifet, ndiqet, arrestohet (1975) dhe dënohet nga Gjykata komuniste e Qarkut të Shkupit me gjashtë vjet burg të rëndë (1976). Arsyetimi i procesit të montuar politik ishte: bashkim për veprimtari armiqësore kundër bashkësisë sonë socialiste. Që nga viti 1971 përkthen letërsinë shqipe në gjuhën rumune dhe anasjelltas, jep provimet e doktoratës në Universitetin e Bukureshtit, polemizon, afirmon dhe mbron çështjen shqiptare të Kosovës në shtypin rumun dhe atë shqiptar, merr pjesë në simpoziume ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, afirmon diasporën shqiptare, bashkëpunon me një varg revistash e gazetash në veri dhe jug të Danubit, vepron në kuadrin e Këshillit Udhëheqës të Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, themelon Shoqatën e Miqësisë Rumuno-Shqiptare, afirmon dhe përkrah bijtë dhe bijat e rilindësve tanë. Të gjitha aktivitetet i kryen vullnetarisht, pa kurrfarë të ardhurash. Gjatë këtyre viteve ka botuar në revista të ndryshme mijëra vargje nga vepra të dhjetëra shkrimtarëve rumunë klasikë e bashkëkohorë, në gjuhën shqipe, maqedonase dhe sllovene, si dhe disa vëllime që u përkasin poetëve që pasojnë: Nikita Stënesku: Ekspozitë e të palindurve (Prishtinë, 1986), Angjel Dumbrëveanu: (Kënga e mullibardhës (Shkup, 1986), Sllavko Almëzhan: Xhuxhmaxhuxhët harruan të rriten (Prishtinë, 1989), Marin Sorescu: Eja të ta them një fjalë (Prishtinë, 1990), Halil Haxhosaj: Umbra cuvintelor/Hija e ëndrrave (Bukuresht, 2004), Karolina Ilika: Duke dashur në fshehtësi (Pogradec, 2004), Sali Bashota: Exilul sufletului/Ekzili i shpirtit (Bukuresht, 2004), Ibrahim Kadriu: N-a rămas timp pentru sărbători/ S’mbet kohë për kremte (Bukuresht, 2005), Mardena kelmendi: De la suflet la suflet / Nga shpirti në shpirt (Bukuresht, 2007), Merita Bajraktari: McCormack, Ferestrele sufletului, Dritaret e shpirtit (Albin, Tiranë, 2006), Miradije Ramiqi: Shpirt i përflakur / Suflet înflacărat (Bukuresht, 2007), Leom: Am văzut lumea (Bukuresht, 2007). Bibliografi lirike: Kaltrina (botim dygjuhësh shqip-rumanisht, Bukuresht, 1994); Dardania (botim dygjuhësh, Bukuresht, 1999; Zjarr i Shenjtë (Tetovë, 2001; Lumina Dardaniei/Drita e Dardanisëi (Muzeu i Letërisës Rumune, Bukuresht, 2004): Drumul Iadului spre Rai/Rruga e Ferrit për në Parajsë (Bukuresht, 2005). Për poezinë e tij kanë shkruar: Marin Soresku, Oktavian Soviany, Luan Topçiu, Radu Voinesku, Marin Kodreanu, Xhelku Maksuti etj. Baki Ymeri është autor i qindra artikujve për diasporën shqiptare dhe bashkautor i dy monografive mbi sivëllezërit tanë në veri të Danubit: Shqiptarët e Rumanisë (Tetovë, 1994), Emigracioni nga Maqedonia Perëndimore në Rumani (Shkup, 2004). Ai është njëherësh njohës i një numri të konsideruar gjuhësh të huaja, autor i qindra artikujve mbi diasporën shqiptare, zbulues thesaresh të shoqërisë Drita, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, prezent në disa antologji poetike, laureat mirënjohjesh të ndryshme, i nominuar nga Instituti Biografik Amerikan (ABI): Njeriu i Vitit 2001. Jeton dhe krijon në Bukuresht, ku jep kontribut për afirmimin e vlerave letrare të Kosovës në gjuhën rumune, boton, udhëheq dhe shpërndan revistën Shqiptari/Albanezul. Sipas dr. Luan Topçiut, Baki Ymeri është njeriu që shkriu jetën për historinë e shqiptarëve të Rumanisë dhe, mbi të gjitha, për poezinë, këtë dhuratë hyjnore, që e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë të frytshme.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura