SULEJMAN ABAZI: MOS I SHANI, MOS I FYENI! ATA GUXUAN TË DALIN NGA RRETHI I FERRIT TË POLITIKËS ANTISHQIPTARE

Tiranë, 14. 12. 2016: Do të trajtoj pak gjëra dhe një problem të veçantë, pasi me përfundimin e zgjedhjeve, do të duhet akoma kohë që situata të futet në rrugën e normalizimit. Analiza që po zhvillohet këto ditë mbi përfundimin e zgjedhjeve në IRMJ, nga përfundimi numerik në disfavor të shqiptarëve, ka të vërtetën e hidhur brenda saj, por në vleresimin e përgjithshëm të vet thelbit të shfaqjes së këtij fenomeni, sot me këto zgjedhje, qëndrimet në ekstrem, duke vlerësuar emocionalisht ndjesinë kombëtare, po i kapërcen caqet e një gjykimit gjakftohtë.
Kurrë nuk duhet të presim degën ku jemi ulur vetë, veçanërisht për problemin që na dhëmb më shumë. Mjaftë njerëz të analizës politike nuk kanë lënë gjë pa nxjerrë nga goja për këtë fenomen, që favorizoi opozitën në krahun e elektoratit maqedon. Eshtë një sëmundje e vjetër, që akoma gjallon brenda nesh, duke sharë vetveten, brenda gjenezës tonë, duke e kërkuar fajtorin me çdo çmim, pa marrë parasysh pasojat e një tragjedikomedie që vazhdon të luhet brenda nesh, pikërisht për shkak të këtyre qëndrimeve.
Kurrë nuk do t’i anatemoja këtë masë kaq të madhe shqiptarësh, që këtë herë ja kursyen votën “liderëve” të tyre, përkundrazi, etiketimi si një veprim i “ç’kombëtarizimit të tyre” është shumë fyes. Jo, ata nuk janë ç’kombëtarizuar, por ata guxuan të braktisin falangat politike, militantizmin e sëmurë, duke i dhënë një shuplakë të fortë djajve të politikës. Ata me kurajo qytetare kanë treguar se e duan shumë veten e tyre, familjen, kombin dhe atdheun, duke kërkuar rrugën e shpëtimit prej një klase politike të kriminalizuar, që duhet të ishte flakur me kohë në honet e Drinit, Radikës e të Vardarit.

Po lëshohet lum sharjesh deri “në tradhëti” malësorët e Brezës dhe Karadakut, të Dibrës, njerëzit që me bukë e kryp në strajcë filluan luftën 2001-it. Të vjen ndot kur këta njerëz analistë të kafeneve dhe të studiove “alla Fevziu” janë vënë në shërbim të propogandës antishqiptare dhe të strukturave të kriminalizuara partiake. Po ju kujtojmë këtyre një gjë farë të vogël. Këtë herë këta shqiptarë që nuk ishin as 1000, as 5000, as 10 000, por plot rreth 80 mijë, janë bërë piknisje e një ndryshimi pozitiv, që do të vij gradualisht në politikën shqiptare në IRMJ. Kush nxjerr nga goja sharje e fyerje, tregon se nuk është në gjendje të gjykoj me gjakftohtësi, por i janë errur sytë dhe ka rënë pre e një propogande separatiste, për të ushqyer urrejtjen dhe për të thelluar akoma më shumë përçarjen brenda nesh.
Këtë do ta kuptojnë më mirë nga rruga që pritet të marrë zgjidhja e krizës politike në drejtimin e shtetit, ku faktori shqiptar, tashmë jo më nga numri i deputetëve, por nga balanca që krijoi në krahun maqedon në raportet pozitë opozitë, në çdo rast do të jetë brenda parlamentit dhe qeverisë një Opozitë Bllokuese, që nuk do t’i hap më rrugën qëndrimeve diskriminuese dhe antidemokratike të pushtetit autoritarist e ultranacionalist të tipit “Gruevski”.
Të mos ngutemi, të bëjme durim, t’i japim të drejtën vetes për të respektuar këtë qëndrim të ekuilibruar, si një reagim kundër bashkëqeverisjes së keqe, veçanërisht kundër politikanëve të korruptuar shqiptar, të cilët me këtë rast, po tu ketë mbetuar sado pak cipë, disa prej tyre duhet të largohen menjëherë nga jeta politike. Mos harroni, në shkencat Politike nuk kanë vend emocionet, as nacionalizmat, as përbetimet, por ka llogari dhe kalkulime, pjesë e të cilëve janë të gjithe faktorët politik veprues, veçanërisht vlerësimi i qëndrimit të faktorit ndërkombëtar.
Pse të mos themi që këtë herë shqiptarët e kuptuan mirë detyrën e tyre, po në interes të tyre dhe për të mirën e tyre? Le të presim dhe të shpresojmë, pasi me faktet kokëfortë që i shërbejnë zbardhjes së të vërtetës, nuk ka kompromis, por vlerësim dhe respektim të tyre. Sulejman Abazi, Tiranë më 13/12/2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

MIRËNJOHJE …

Vëllezërit Blend dhe Eris Ejupi dhurojnë shtatë laptopë (Macbook) për nevojat e shkollave të Podujevës Nga Alketa Zejnullahu…