PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: SHQIPTARËT NUK PËRFITOJNË ASGJË EDHE NGA QEVERIA E RE NË MAQEDONI

Tetovë, 30. 01. 2017: Secili mund t’u besojë udhëheqësve të subjekteve politike të shqiptarëve në Maqedoni për vullnetin dhe qëllimet e mira, nëse nuk futen në beteja të mëdha politike kështu të çarmatosur dhe në kushte kur çdo kundërshtar e ka fitoren e garantuar.
Përderisa shqiptarët në Maqedoni, përmes subjekteve të veta politike do të vazhdojnë të futen në kurth, me legjitimimin e pushtetit dhe sundimit mbi shqiptarët përmes zgjedhjeve të falsifikuara, të padrejta, jo të lira dhe jodemokratike, të organizuara dhe kontrolluara nga pushteti, përmes ligjeve diskriminuese, listave të pa pastruara nga qindra mijë votues fiktivë, sistemit zgjedhor jodemokratik, njësive zgjedhore të pa balancuara, përjashtimit nga listat votuese të dhjetëra mijë shqiptarëve pa shtetësi, përjashtimit nga listat votuese të qytetarëve shqiptarë në botën e jashtme, si dhe pa pasur pasqyrë reale për numrin e përgjithshëm të popullsisë në vend, përmes regjistrimit të popullsisë sipas standardeve ndërkombëtare.
Kur shqiptarët në Maqedoni, edhe përkundër faktit se janë popull autokton, jetojnë në vazhdimësi historike në trojet e veta etnike dhe përbëjnë shumicë të konsiderueshme në nivel të shtetit, por edhe më tej trajtohen si pakicë kombëtare, në bazë të kushtetutës, në të cilën është përcaktuar se Maqedonia është shtet nacional i popullit maqedonas, i cili shqiptarëve vetëm ,,u siguron barazia të plotë qytetare dhe bashkëjetesë të përhershme me popullin maqedonas, romët, turqit, vllahët, serbët, boshnjakët dhe kombësitë e tjera që jetojnë në këtë shtet”.

Përderisa subjektet politike të shqiptarëve nuk do të krijojnë strategji të përbashkët dhe nuk do të sigurojnë mekanizma për avancimin e të drejtave të ligjshme të popullit shqiptar në Maqedoni, ata do të trajtohen edhe më tej si qytetarë të rendit të dytë, do të diskriminohen në të gjitha sferat e jetës, do të varfërohen, do t’i braktisin vendlindjet e veta, do të ndëshkohen kolektivisht dhe individualisht përmes proceseve të montuara politike dhe, përfundimisht do t’i nënshtrohen procesit të akulturimit, asimilimit dhe zhdukjes në masë, pavarësisht se cili subjekt politik i shqiptarëve merr pjesë në qeveri dhe cili nga subjektet politike joshqiptare do ta formojë qeverinë e këtij shteti.
Për aq më tepër, nëse qytetarët tolerojnë të mbeten në pushtet të njëjtat subjekte politike për disa mandate me radhë, kur dihet se ky proces është shkelje rëndë e normave themelore të demokracisë dhe i jep shans pushtetit për instalimin e diktaturës.
(29 janar 2017)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura