FATMIR LEKAJ: ‘KOMBI NEUTRAL’ – REFERENCË UTOPIKE E ‘KOMBIT KOSOVAR’

Pashtriku.org, 07. 02. 2017: Debati për kombin në ndërlidhje me debatin për ”identitetin kosovar” është bërë temë diskutimi në Kosovë dhe më gjerë. Madje është përshkallëzuar dhe ka marrë një formë destruktive nga disa pseudointelektualë të mbështetur mbi idenë e kombit neutral për krijimin e ‘kombit kosovar’.
Megjithëse kjo është një temë e gjerë dhe e ndërlikuar akademike, do të përpiqem në këtë shkrim të kufizuar për këtë temë, të bëj një përmbledhje të shkurtër rreth çështjes substanciale të fenomenit komb.
Në literaturën akademike hasim shpesh në modele/qasje për organizimin e bashkësive politike. Nëpërmes këtyre modeleve dëshirojmë ta studiojmë, analizojmë dhe kuptojmë më mirë përmbajtjen komplekse të kombit si fenomen shoqëror. Është për të ardhur keq kur këto modele perceptohen dhe paraqiten (në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, me vetëdije apo pa vetëdije të plotë) si të vërteta të plota empirike për kombin. Empirikja e fenomenit të kombit është e ndërlikuar në atë masë sa që nuk mund të konkludohet se ndonjëra nga këto modele e përshkruajnë në mënyrë ekuivalente realitetin empirik të një kombi. Për shembull duke bërë thjeshtëzime të tilla si: Kombi qytetar (në Francë) Kombi kulturor ose etnik (në Gjermani) dhe Kombi-multikulturor (në Kanada) etj.
Njëkohësisht duhet pasur parasysh se në punën akademike këto modele janë të domosdoshme për ta studiuar dhe analizuar empiriken komplekse të fenomenit komb. Kjo është edhe një ndër arsyet kryesore pse studiuesit e çështjes së kombit, i operacionalizojnë këto modele dhe nëpërmes tyre bëjnë matjen e një kombi të caktuar (ose në mënyrë krahasimore të kombeve të caktuara) se sa është komb qytetar, sa është komb kulturor dhe sa është komb multikulturor. Cili nga këto modele për kombin mbulon më shumë empirinë komplekse të një kombi, varion prej kombit në komb. Por në përgjithësi mund të thuhet se këto modele për kombin/et janë të pranishme së bashku pothuajse tek çdo komb, por duke variuar në kohë e hapësirë dhe në kualitet e kuantitet.

Studime dhe analiza të tilla shkencore kryesisht kanë për qëllim avancimin epistemologjik për ontologjinë e fenomenit komb, dhe rrjedhimisht të fitojmë dituri më të mëdha për mundësitë e të organizuarit më të drejtë të bashkësive politike. Modeli i kombit kulturor ose etnik nënkupton se kombi është pikënisje për shtetin. Ky model përmban dy variante, variantin e moderuar dhe variantin radikal. Varianti i moderuar ka gjuhën dhe bashkësinë historiko-kulturore si pikënisje për shtetin. Varianti radikal ka popullin në kuptimin biologjik si pikënisje për shtetin. Varianti radikal në rrafshin empirik për kombet konsiderohet si i paqenë (në veçanti në shtetet perëndimore). Tradicionalisht, referencë e modelit të kombit kulturor ka qenë kombi gjerman, mirëpo ky konstatim është më shumë një kategori historike duke e marrë parasysh se në kohën që po jetojmë, kombi gjerman njëkohësisht përmban në vete shumë elemente të kombit qytetar.
Modeli i kombit qytetar nënkupton se shteti është pikënisje për kombin. Pra është shteti që ju japë qytetarëve një identitet të përbashkët kombëtar, nëpërmes institucioneve dhe simboleve shtetërore. Tradicionalisht referencë e modelit të kombit qytetar i quajtur edhe modeli politik i kombit ka qenë kombi francez. Një pyetje kritike që duhet shtruar është se a e mbulon ky model i kombit qytetar plotësisht kompleksitetin empirik të kombit francez?
Modeli i kombit qytetar fokuson në cilësitë politike dhe njëkohësisht ndërkomunikon cilësitë kulturore të kombit francez. Kombi francez tradicionalisht ka qenë përfshirës duke njohur dhe garantuar barazi formale në hapësirën publike për të gjithë qytetaret si individ. Por njëkohësisht duke mos njohur në hapësirën publike identitetin kulturor: etninë dhe gjuhën e individëve që i përkasin një grupi kulturor joshtetformues. Ndërsa, tradicionalisht mos njohja e religjionit si kategori e identitetit kulturor në hapësirën publike vlen për të gjithë qytetarët, pra edhe për qytetarët që i përkasin grupit kulturor (shtetformues) francez. Kështu që për dy kategoritë e identitetit kulturor; etninë dhe gjuhën ka standard të dyfishtë ndërsa për kategorinë e tretë religjionin ka standard të njëfishtë (standard universal). Kjo do të thotë se shumica franceze (grupi shtetformues) ka të drejtën ekskluzive të shfaqjes etnike dhe gjuhësore në hapësirën publike. Dhe njëkohësisht ka pritjet e veta që qytetarët që i takojnë një grupi kulturor joshtetformues të kenë sjellje franceze në jetën publike, (njohuri për kodet e kulturës franceze, të komunikohet në gjuhen frënge në vendet publike: punë etj).
Kjo formë e organizimit të bashkësisë politike franceze konsiderohet nga njëra anë si asimiluese ndaj individëve me identitet kulturor që i përkasin grupit apo grupeve joshtetformuese. Nga ana tjetër kjo konsiderohet si një domosdoshmëri e organizimit politik për ta mbajtur shoqërinë/shtetin të bashkuar, që të mos fragmentohet mbi bazën e identiteteve kulturore. Shembulli im për kombin francez ishte i qëllimshëm, sepse krahasuar me të gjitha kombet tjera perëndimore, kombi francez është kombi me më së shumë cilësi qytetare (komb qytetar). Por megjithatë kombi francez nuk ka mundur të krijojë neutralitet të plotë ndaj etnisë franceze, cilësive të veta etnike si grup kulturor shtetformues (cilësitë e kombit kulturor).
Kapaciteti më i madh, në kuadër të studimeve për nacionalizmin, Anthony D. Smith, konstaton se dikotomia në mes kombit etnik dhe kombit qytetar shikuar nga këndvështrimi historik është e pasaktë dhe shikuar nga këndvështrimi sociologjik është çorientuese dhe e tepruar, sepse kombe etnike janë edhe kombet politike që gradualisht janë transformuar duke u bazuar në territorialitet, dhe në shoqëri politike multikulturore. Rrjedhimisht edhe Anglia, Franca, Holanda, Spanja, Suedia, Polonia, Rusia-Moskovite etj., janë kombe etnike që gjatë shekujve si shtete të forta janë zgjeruar territorialisht duke aneksuar rajone me popuj të ndryshëm dhe njëkohësisht kanë ruajtur pozicionin e etnive dominuese. Madje në këtë kuptim, sipas Smith, edhe kombi amerikan është formuar nga elita e një etnie dominante (protestante britanike) edhe pse ky karakter etnik amerikan është transformuar më pas, duke rezultuar më shumë në një komb pluralist, në veçanti si rezultat i përshkallëzimit të valëve të emigrantëve në Amerikë (Anthony D. Smith 2008: 101 – 102)
Në mënyrë metaforike mund të konkludohet se në rrafshin empirik, modeli i kombit qytetar dhe modeli i kombit kulturor janë si vëllezërit siamez, në veçanti tek shtetet unitare. Prandaj një pikënisje objektive për kombin është se nuk ka komb/shtet neutral, sepse çdo komb/shtet është i formuar nga një grup kulturor shtetformues. Pra, nga një grup kulturor që dominon dhe kontrollon pushtetin, gjuhën dhe simbolet shtetërore (kjo vlen në veçanti për shtetet unitare).

Filozofi politik kanadez Will Kymlicka në analizën e tij për kombin brenda teorisë normative politike, pohon se pushteti shtetëror nuk mund të jetë neutral. Sipas tij, pushteti shtetëror në mënyrë aktive e stimulon gjuhën e përgjithshme (gjuhën e grupit kulturor shtetformues) dhe njëkohësisht stimulon një kulturë shoqërore (”societal culture”) duke zgjedhur ditët e festave zyrtare, planprogramet arsimore në shkollat publike, ndarjen e subjekteve politike etj.
Kymlicka më tutje pohon se gati të gjitha shtetet moderne në mënyrë aktive stimulojnë komb-ndërtimin nëpërmjet një gjuhe dominuese, simboleve nacionale etj. Ky komb-ndërtim favorizon anëtarët e kulturës shumicë. Pakicat e kanë zgjedhjen ose të integrohen në kulturën shumicë ose ta zhvillojnë kulturën e tyre shoqërore (Will Kymlicka 2001: 25 – 38). Will Kymlicka konsiderohet si teoricieni më i devotshëm i ideologjisë së multikulturalizmit. Ai ka lancuar modelin/qasjen multikulturaliste për një organizim më të drejtë të bashkësive politike. Kymlicka është teoricien liberal por i kundërvihet mendimit klasik liberal për organizimin e bashkësive politike të bazuar vetëm në të drejtat qytetare (citizenship rights). Për këtë arsye shpesh keqinterpretohet se pikënisja e tij është komunitariste, pasi që ai për dallim nga teoricienët e tjerë liberal është edhe pro të drejtave grupore.
Kymlicka në fakt, ka pikënisje individin dhe jo grupin, por njëkohësisht sipas tij duhet pasur parasysh se individi është pjesë e grupit. Për ta organizuar një bashkësi të drejtë politike: duhet të ketë drejtësi në mes grupeve kulturore brenda një shteti dhe njëkohësisht duhet të ketë drejtësi në mes individëve që i takojnë këtyre grupeve kulturore brenda këtij shteti. Individi nuk është vetëm individ por është edhe anëtar i një grupi kulturor. Prandaj nuk mund t’i trajtojmë grupet kulturore si të pavarura nga individët, sipas Kymlicka-s.
Duke e marrë parasysh se të qenit individ autonom është koncept i rëndësishëm brenda teorisë liberale, shtrohet pyetja se si ka mundësi që Kymlicka të jetë njëkohësisht multikulturalist dhe liberal? Sipas tij, që të mund të jemi individ autonom duhet të kemi një identitet që i përmbahemi për të mundur të bëjmë zgjedhje të lira. Kështu që ne e kemi një prapavijë si pikënisje kur i bëjmë zgjedhjet tona të lira, kjo prapavijë/pikënisje është identiteti grupor. Në këtë mënyrë Kymlicka i arsyeton të drejtat grupore, jo për shkak të grupit domosdosmërisht si vlerë në vete por për shkak të individit.
Me këtë pikënisje, multikulturalizmi i Kymlicka-s parasheh institucionalizimin e grupeve kulturore joshtetformuese, sidomos të minoriteteve kombëtare (grupet: kulturoro-historiko-gjeografike) brenda një shteti të caktuar. Këtë institucionalizim të të drejtave për minoritetet kombëtare Kymlicka e quan në mënyrë gjithëpërfshirëse “mbrojtje nga jashtë” (‘external protections’) e që nënkupton një sërë të drejtash grupore për minoritetet, për t’i mbrojtur ata nga hegjemonia kulturoro-politike e grupit maxhoritar shtetformues brenda një shteti (Kymlicka 1995: 35 – 43).
Kymlicka është kritikuar për konceptin e tij normativ të multikulturalizmit, për faktin se institucionalizmi i esencializmit grupor mbi bazën kulturore fragmenton bashkësinë politike në një shtet. Pyetja brengosëse është se çfarë e mban të lidhur një bashkësi politike që ka bazë institucionalizmin e esencializmit kulturor? Sipas Kymlicka-s lidhës i një bashkësie politike të këtillë është fakti se duke pranuar tjerët pranohesh edhe vet ai që je. Kjo është një kontratë shoqërore që individët e grupeve të ndryshme kulturore e bëjnë në mes vete. Gjithashtu, sipas tij, mundësia për një patriotizëm të përbashkët mbikulturor brenda shtetit është i mundshëm në një bashkësi të këtillë politike. Kymlicka, duke forcuar tezën se nuk ka komb neutral njëkohësisht legjitimon domosdoshmërinë e institucionalizmit të esencializmit grupor në mënyrë që të arrihet një organizim më i drejtë i bashkësive politike. Njëkohësisht lind pyetja se a mund të jetë modeli multikulturalist i Kymlicka-s i vlefshëm për Kosovën?
Edhe pse Kymlicka me modelin e tij multikulturalist fokuson më shumë në shtetet mirë të konsoliduara demokratike se sa për shembull në shtetet e post-konfliktit si Kosova, megjithëkëtë statusi i minoriteteve në Kosovë (së paku formalisht) është në linjë të drejtpërdrejt (ndoshta edhe më shumë) me ato të drejta qe Kymlicka i quan mbrojtje nga jashtë (‘external protections’).
***
Është për tu mburrur që në një shtet unitar postkonflikti si Kosova ku mbi 90 përqind janë shqiptar, t’u jepen minoriteteve të drejta kushtetuese në atë shkallë saqë as shtetet më demokratike nuk janë në gjendje t’i formalizojnë në kushtetutat e tyre këto të drejta në të njëjtën shkallë. Kjo është një pikënisje e mirë për të dëshmuar se nacionalizmi shqiptar nuk ka qenë dhe nuk është hegjemonist. Përndryshe, siç ka thënë Gandi “një komb tregon shkallën e qytetrimit të tij në mënyrën se si i trajton minoritetet”.
Ndërsa statusi i maxhoritetit shqiptar (de facto; grupit kulturor shtetformues) në Kosovë, nuk është në linjë me këtë qasje multikulturaliste, sepse Kymlicka nuk bën thirrje që statusi i grupeve kulturore shtetformuese në shtetet unitare të reduktohet në mënyrë krejtësisht të barabartë me minoritetet, siç është rasti i shqiptarëve në Kosovë. Me fjalë tjera, Kymlicka nuk kërkon nga grupet kulturore shtetformuese në shtetet/kombet edhe më të avancuara demokratike ta dekonstruktojnë në mënyrë radikale infrastrukturën e vet politiko-juridike duke e zhbërë veten nga të qenët grup kulturor shtetëformues (komb titullar) në minoritet. Pos tjerash, ai nuk kërkon as ndryshimin e flamujve kombëtarë/shtetërorë në flamuj gjeografikë/shtetërorë, ashtu siç iu imponua nga bashkësia ndërkombëtare ma shumë se 90 përqind të popullit shqiptar të Kosovës që de facto është popull shtetformues (komb titullar).
Sipas Planit të Martti Ahtisaarit, bashkësia politike në Kosovë mbetet de jure pa grup kulturor shtetformues (komb titullar). Madje sipas këtij plani, Kosova nuk përkufizohet as si shtet i shqiptarëve (apo shqiptaro-kosovarëve) dhe i grupeve tjera etnike që jetojnë në të. Reduktimi i mbi 90 përqind të shqiptarëve nga de facto një grup kulturor shtetformues në de jure një minoritet sikurse minoritetet tjera në Kosovë nuk ka referencë empirike as në shtetet më te avancuara demokratike perëndimore.
Nëse qëllimi i organizimit të bashkësisë politike në Kosovë ka qenë drejtësia (dhe jo vetëm stabiliteti politik), atëherë pse edhe grupet tjera shtetformuese në shtetet tjera perëndimore nuk e reduktojnë statusin e tyre në minoritet për shkaqe drejtësie? Pse për shembull shumica e shteteve perëndimore kanë flamuj etnikë, madje edhe të bashkëdyzuar etniko-religjiozë që përjashtojnë simbolikisht dhe emocionalisht grupet tjera kulturore joshtetformuese në këto shtete? Pse nuk i bëjnë flamujt shtetërorë – gjeografikë si në Kosovë, edhe shtetet tjera, kur kjo i shërben një drejtësie mbinacionale në mënyrë që asnjë qytetar mos ta ndjejë veten të përjashtuar simbolikisht dhe emocionalisht nga simboli shtetëror?
Organizimet e bashkësive politike janë çështje shumë më komplekse se sa mendohet. Etnicizimi në bashkësitë e ndryshme politike (shtetet kombëtare) tradicionalisht ka qenë i predispozuar të determinojë efekte të ndryshme negative që kërcënojnë bashkësitë politike; asimilimin, përjashtimin/segregacionin, fragmentimin (seperatizëm, irredentizëm). Një pyetje që duhet shtruar është se a ka kjo traditë e etnicizimit pasoja për dinamikën e federalizimit të Bashkësisë Europiane? Çfarë e dallon esencialisht “Federatën europiane” nga Federata amerikane?
Federalizmi amerikan bazohet në territorializëm, ”shtetet” territoriale. Ky parim i territorialitetit federativ në Amerikë determinon përfshirje. Sado që për shembull, vendimet politike në organet qendrore federative mund ti prekin interesat e ”shteteve” teritoriale në Amerikë. Mungesa e identitetit kombëtar në keto ”shtete” teritoriale dekurajon mundësinë domethënëse të mobilizimit kundër vendimmarrësve dhe vendimmarrjeve në organet qendrore në Amerikë. Ky fakt, fatmirësisht, e mirëmban dhe stimulon identitetin Amerikan duke i zbehur edhe më shumë identitetet tjera konkurruese dhe linjat e tjera etnike të konfliktit brenda Amerikës.
Ndërsa, duke e marrë parasysh se ”federalizmi” Europian bazohet në përkatësi etnike (grupet kulturore shtetformuese) është i predispozuar të pësojë lëkundje për çështjet edhe nga më të vogla politike. Mjaftojnë vetëm disa pyetje të thjeshta kritike për ta kuptuar se sa larg është Bashkimi Europian për t’u bërë një federatë e mirëfilltë si federata Amerikane: pse nuk ka angazhim serioz dhe pajtueshmëri të zgjidhet një gjuhë zyrtare në Europë, sikurse në Amerikë? Pse shtetet kombëtare perëndimore nuk i pushojnë së vepruari ministritë e jashtme, pasi që Bashkimi Europian ”ka politikë të jashtme”? Pse shtetet kombëtare europiane i dërgojnë njëri-tjetrit ambasadorë etj. etj.? Pse këto dukuri dhe shumë dukuri tjera nëse thuhet se jemi të bashkuar në një ‘komb/shtet Europian’ (BE)?
Paraqitjet dhe perceptimet sipërfaqësore dhe jo kritike të modeleve për kombin në ndërlidhje me ”kombin kosovar”, duke ndërkomunikuar kompleksitetin e fenomenit komb në rrafshin empirik janë konfuze dhe pa bazë shkencore. Paraqitjet dhe perceptimet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë se vetëm kombi shqiptar ende është rob i nacionalizmit dhe se kombet tjera e kanë tejkaluar krejtësisht nacionalizmin është gjithashtu konfuz dhe pa bazë shkencore.
Nuk ka shtet kombëtar unitar krejtësisht neutral ndajë kulturës/etnisë, andaj është iluzion të pritet që të krijohet një komb kosovar me mbi 90 përqind shqiptarë i mbështetur mbi idenë e neutralitetit të këtillë që nuk ka referencë empirike as në shtetet unitare më të avancuara demokratike. Është përgjegjësi morale që vullneti i mirë, dëshira, puna dhe vizioni intelektual, të jenë të fokusuara për organizim më human të bashkësive politike si në plan kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Por njëkohësisht duke qenë kritik dhe parimor, dhe jo duke qenë konfuz dhe joparimor me standarde të dyfishta.

Fatmir Lekaj, politolog.

________________
Referencat:
Smith, D. Anthony (2008): Nationalism; Theory, Ideology, History. Cambridge: Polity Press
Kymlicka, Will (1995) Multicultural Citizenship. A liberal theory of minority rights. Claredon Press.
Kymlicka, Will (2001) Politics in the Vernacular. Nationalism, Multiculturalism and Citizenship. Oxford University Press.

=====================
FATMIR LEKAJ: TIPOLOGJITË E SHTETIT, PUSHTETIT DHE AUTORITETIT
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=6093
***
FATMIR LEKAJ: ZGJERIMI I DOMENIT SHKENCOR POLITOLOGJIK
https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=6019
***
FATMIR LEKAJ: SONDAZHI DELIBERATIV SI MJET PËR FORCIMIN E LEGJITIMITETIT TË DEMOKRACISË
https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=6100

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura