ASTRIT GASHI: MINISTRAT ‘NËN HETIME’

(Prishtinë, 15. 06. 2012) – Para disa javësh, Qeveria aktuale e Kosovës, shënoi ditëlindjen e parë. Nuk kishte festë e as ndonjë organizim të veçantë për këtë përvjetor. Ky fakt besoj që shpjegon mjaft bindjen që kanë ata vetë për vitin e parë të qeverisjes. Ndryshe do të kishte fishekzjarrë e festë “evropiane” me himnin pak të pahijshëm prej momentit që kanë hyrë në pushtet “The final Countdown”.Pavarësisht mendimit që qeveritarët kanë për vete, është e udhës që edhe gazetat dhe gazetarët të japin një opinion për punën e secilit nga ministrat. Fatkeqësisht, puna e jo të gjithëve është e matshme.
Po dua të them se ata që nuk janë në këtë listë nuk ma kanë tërhequr vëmendjen dhe kanë afat edhe një vit që ta bëjnë veten për t’u marrë me ta – qoftë me punë, me ndonjë pikanteri apo… me diçka – çka të duan ata vetë për të hyrë në “Top of the POP’s”.

Ministrat e Qeverisë Thaçi’2!

______________________________________

Ramë Buja: E ka perfeksionuar edhe më tej të shprehurit në toskërishte dhe të folurit bukur sipas standardeve të Enver Hoxhës. Të magjeps me fjalorin e bukur sa herë flet nëpër konferenca. Gjatë dimrit të ftohtë u tregua i kujdesshëm me fëmijët. Mbylli shkollat një javë, që fëmijët të mos i thyejnë këmbët në akull duke shkuar në shkollë e të mërdhijnë nga të ftohtit.
Enver Hoxhaj: Ka tubuar “Miles&more” sa për të udhëtuar dy herë përtej atlantikut kur ta lirojnë nga pozita e ministrit. Megjithatë, ka mbetur mbrapa në mileazh ndaj James Berishes dhe… në sukses në krahasim me shefin e ri të Asamblesë së OKB-së, Jeremiqin. Kudo që të shkojë dhe gati në secilën ambasadë e ka nga një mik. Në ministri është i rrethuar nga vendësit e tij. Djali i mirë i Suharekës.
Hajredin Kuçi: Reduktoi postin e ministrit në lëshim të lejeve për vizita të të burgosurve. Ka vazhduar avazin e njëjtë me këdo që i del përpara – të mos u thotë të vërtetën …edhe me gazetarët.
Mimoza Kusari-Lila: Po e vazhdon punën si zëdhënëse, atë që me gjasë e dinte më së miri. Zgjeroi veprimtarinë edhe në marketing dhe promovim. Pasi kreu punë me Serbinë, kohëve të fundit po merret me beton. Luftëtare e ashpër për lirinë e të shprehurit. Shefe e “Ministrisë autonome të Gjakovës”.
Petrit Selimi, zv.ministër i Jashtëm: Drejtor i bordit të OJQ “Qeveria e Kosovës”. Është marrë me ngritje të fondeve dhe organizim të eventeve. U ka marrë punët shumë OJQ-ve. Me shkrime dorë e djathtë e Bedri Hamzës. Lobist i zoti. Ka tërhequr pas vetes shumë gazetarë dhe diplomatë të huaj. I zhdërvjelltë dhe shumë aktiv. Mbret i “Twitter”, ku prezantohet me fusnotë. Ndër më të suksesshmit. E lavdëroi nër sy të ministrit edhe ambasadori Dell.
Vlora Çitaku: Komitetlike e vërtetë. Xhanari i ministrave. Kryesisht ka shpenzuar kohë duke iu bërtitur ministrave të tjerë për mospunë, si dhe duke udhëtuar në Amerikë. Ka luajtur rolin e ministres së Integrimeve euroatlantike, të ministres së Jashtme, të ministres së Brendshme si dhe të koordinatores me ambasada të fuqishme. Shumë e urryer nga zyrtarë të PDK-së. Ndër me të suksesshmet.
Besim Beqaj: “Business Insider”, me gjasë kishte marrë parasysh pasurinë e tij kur vendosi të fusë Kosovën në vendin e nëntë për nga lartësia e mjerimit. Nuk arriti ta shesë postën, deklaroi humbje financiare personale rreth 1 milion euro. Privatizimi i Distribucionit përfundoi para disa ditësh, ndërsa deklarimi i pasurisë bëhet tek pas një viti. Ndërlidhja është e paqëllimshme dhe e panevojshme. Me paraardhësin e tij, Ahmet Shalën, e kanë një mik të përbashkët në Turqi. Të fortë e të pasur.
Dardan Gashi: Në hasmëri me gomat e përdorura, kërkoi që të ndalet importi i tyre. Kur i ranë ndërmend qeverisë votat dhe buxheti e ndalën – i futën taksë prej 5 euro. Efekti: Paguaj 5 euro dhe the qafën në trafik. “It’s all about price tag”. Njëjtë i dështuan edhe disa iniciativa të tjera ekologjike. Ambicioz, po të lihej të punojë do të tregonte sukses. Në hall me nënshkrimin e tenderëve dhe shokët e partisë.
Bedri Hamza: Mendimet për të tashmë i kam bërë disa herë publike. Po e përsëris. Kontabilist i zoti. Agjent patundshmërish. Me ndihmën e përkthyesve riparoi raportet me FMN-në. Herë thotë që kredia është e keqe herë që është e mirë – varësisht se çka i thonë. Nuk ka mendim të vetin. Mendon në konsultim me kryeministrin. Në fakt e mendon atë çka e mendon kryeministri. Vazhdon ta urrejë ish-shefin e tij, Ahmet Shalën.
Bajram Rexhepi: Joserioz, jostabil. Skandaloz. I sukseshëm sepse arriti të shkarkojë policinë nga 25 kilogramë ari të tepërt. Për t’u bërë lajm e montoi sikur është grabitje. “Xharrah” i Vetëvendosjes. Merakli me i rrah shqiptarët. Lufton në “Modern Warfare”në telefon për t’u përputhur me luftëtarët tjerë- realë – të luftës çlirimtare. Merakli edhe i shumë gjërave të tjera lëvizëse, por me to nuk e vlen të merremi se jemi seriozë ne.
Ibrahim Makolli: Për herë të fundit është parë te punkti policor serb në Konçul, rrugës për në Preshevë. Që nga atëherë nuk ka dëgjuar më kush llaf nga ai.
– Autori është kryeredaktor i gazetës “Zëri”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura