PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: REPUBLIKA E MAQEDONISË, NJË BETEJË E PAPËRFUNDUAR MES FQINJËVE DHE SHQIPTARËVE AUTOKTONË

Tetovë, 10. 02. 2017: Të gjitha kombet dhe shtetet fqinje të Maqedonisë së sotme, bullgarët, serbët dhe grekët, kanë krijuar mite të veta për Maqedoninë, kurse vetëm shqiptarët, edhe pse janë popull autokton dhe jetojnë në vazhdimësi historike në këto territore, edhe sot e kësaj dite sillen si të huaj në trojet e veta etnike në këtë shtet.
Sipas bullgarëve, të cilët maqedonasve ua mohojnë gjuhën, kulturën dhe identitetin, përveç tjerash edhe flamurit kombëtar dhe shtetëror të tyre trengjyrësh i japin këtë simbolikë: ngjyra e gjelbër e simbolizon fushën e gjerë pjellore të Dobruxhës, e cila shtrihet përgjatë lumit Danub, i cili kalon mes Bullgarisë dhe Rumanisë së sotme; ngjyra e bardhë simbolizon rajonin e ,,Detit të Bardhë”, (bellomorski) siç e quajnë bullgarët rajonin përgjatë bregut të Detit Egje; ndërsa ngjyra e kuqe simbolizon krahinën e Maqedonisë dhe luftërat e ,,lavdishme bullgare”, nga Mbretëria e Carit Samoil, e cila mes tjerash i pushtoi edhe territoret e Maqedoninë e sotme, kurse Ohrin e shpalli për kryeqytet të vetin, të cilin edhe sot bullgarët e konsiderojnë si qytet të shenjtë të tyre. Këtë raport ndaj Maqedonisë dhe maqedonasve, sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më vonë, bullgarët e kanë kultivuar dhe ruajtur përmes qasjes së tyre të veçantë ndaj historisë, kulturës, gjuhës dhe identitetit kombëtar të maqedonasve. Kjo është lidhja emocionale e popullit bullgar ndaj Maqedonisë së sotme, edhe pse Bullgaria është nënshkruese e Marrëveshjes së Bukureshtit (10 gusht 1913), për ndarjen e Maqedonisë, mes Bullgarisë, Greqisë dhe Serbisë, ndërsa pas pavarësimit të Maqedonisë e ka njohur atë si shtet. Ky shtet vazhdimisht ka mbajtur qëndrim të përmbajtur ndaj Maqedonisë dhe nuk e ka njohur asnjëherë pakicën maqedonase, as pas pavarësimit në vitin 1991 e deri më sot. Por, me vetë faktin se Bullgaria zyrtare asnjëherë nuk ka kërkuar njohjen e pakicës bullgare në Maqedoni (mbi 200 mijë qytetarë të Maqedonisë kanë marrë shtetësi bullgare gjatë viteve të fundit), dëshmon qartë se popullsinë e deklaruar si maqedonase e konsideron si bullgare.

Edhe serbët kanë krijuar mite të vetat për Maqedoninë si krahinë e tyre, si ,,Serbi Jugore”, ,,Banovinë e Vardarit” etj., sidomos pas krijimit të ish republikës socialiste të Maqedonisë, si krijesë politike, si dhe njohjen e kombësisë së re me emrin maqedonas, me urdhër të Partisë Komuniste Jugosllave dhe me përkrahjen e Kominternit (Internacionales Komuniste), në vitin 1944. Serbia, edhe pse e ka njohur zyrtarisht Republikën e pavarur të Maqedonisë, vazhdon me këmbëngulje ta kontestojë pavarësinë e Kishës Ortodokse Maqedonase, duke e llogaritur atë si pjesë të Kishës Ortodokse Serbe. Për këto dhe arsye të tjera të kësaj natyre, pjesa e dytë e pyetjes së Referendumit për pavarësinë e Maqedonisë, i mbajtur më 8 shtator 1991, po ashtu ka lënë mundësi për ribashkim të mëvonshëm të këtij shteti me republikat ish jugosllave, sidomos me Serbinë.
Grekët, sidomos pas vitit 1993 e deri më sot, e kontestojnë emrin e shtetit të sotëm të Maqedonisë dhe çfarëdo lidhje të kombi të ri maqedonas të krijuar pas vitit 1944, me historinë e Maqedonisë antike, me pretekst të një rajoni të Greqisë me po këtë emër, i cili shtrihet nga brigjet e detit Egje, me qendër Selanikun, deri në kufirin jugor të shtetit aktual të Maqedonisë, i cili zyrtarisht njihet në këtë shtet si njëri nga 13 rajonet e këtij shteti (sipas ndarjes territoriale të vitit 2011). Kontesti për emrin, mes Greqisë dhe Maqedonisë edhe aktualisht negociohet në kuadër të Kombeve të Bashkuara dhe paraqet pengesën kryesore për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Vetëm shqiptarët nuk kanë krijuar mite për Maqedoninë, sidomos pjesën e territoreve që përfshin Maqedonia e sotme, e cila përgjatë historisë është dominuar vazhdimisht nga shqiptarët autoktonë, që nga lashtësia ilire-dardane, ndërsa Shkupi si kryeqytet i sotëm i këtij shteti, atributin e kryeqytetit e ka pasur edhe gjatë Mbretërisë Dardane edhe gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, si kryeqytet i Vilajetit të Kosovës. Pas vitit 1963, nga ky qytet me shumicë të popullsisë shqiptare filloi dëbimi i dhunshëm i shqiptarëve autoktonë, si edhe nga shumë qytete dhe vendbanime të tjera shqiptare në Maqedoni.
Është koha që faktori politik shqiptar, jo vetëm vendës, përveç zgjidhjes përfundimtare të statusit kushtetues juridik dhe politik të shqiptarëve në Maqedoni, si popull konstituiv (shtetformues), të kërkojnë, në bazë të së drejtës ndërkombëtare, njohjen e statusit special (autonomi personale) për qytetin e Shkupit (si kryeqytet historik i shqiptarëve, i Mbretërisë Dardane, i Vilajetit të Kosovës, si qytet i çliruar nga shqiptarët në Kryengritjen e Dervish Carës (1844) dhe në vitin 1912, nga sundimi Osman etj.); për qytetin e Manastirit (si vendlindja e alfabetit të gjuhës shqipe dhe vatër e arsimit dhe kulturës shqiptare); si dhe për qytetin e Ohrit (në bazë të rëndësisë historike të manastirit shqiptar të Shën Naumit dhe trashëgimisë së gjithmbarshme kulturore shqiptare, të përvetësuar padrejtësisht nga sllavët dhe pushtuesit tjerë të këtij qyteti.
Në këtë periudhë historike të lëkundjes së popullit maqedonas, mes identitetit sllav dhe maqedonas antik, faktori shqiptar vendës është i vetmi garantues i ardhmërisë së këtij shteti dhe mbrojtës e garantues i identitetit të kësaj popullsie joshqiptare, të deklaruar sipas vullnetit të vet. Prandaj, në interes të paqes, sigurisë në rajonin më të gjerë dhe perspektivës së këtij vendi përmes integrimeve euroatlantike, faktori politik shqiptar duhet të jetë i vetëdijshëm për rolin e tij që ia imponojnë rrjedhat aktuale politike dhe konstelacionet e reja gjeopolitike në rajonin më të gjerë.
Udhëheqësit aktual të subjekteve politike të shqiptarëve në Maqedoni, meqë aktualisht nuk janë të vetëdijshëm për këtë rol që ua imponojnë rrethanat e reja, siç duket, të kapur nga shërbimet e huaja sekrete dhe të komprometuar skajshëm nga krimi i organizuar, duhet sa më parë t’ua lëshojë vendin forcave të reja politike progresive, duke ikur vetë në histori si pjesë tepër e dhembshme e një periudhe të dështuar për shqiptarët, sidomos gjatë 26 viteve të fundit.

(9 shkurt 2017)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

MIRËNJOHJE …

Vëllezërit Blend dhe Eris Ejupi dhurojnë shtatë laptopë (Macbook) për nevojat e shkollave të Podujevës Nga Alketa Zejnullahu…