DR.SULEJMAN ABAZI: LUFTA DHE SISTEMI I VLERAVE TË SAJ

(Tiranë, Maj 2012) – Filozofia e përballimit të situatës së krijuar nga konflikti ushtarak në Kosovë, kishte në bazën e vet sigurimin e integritetit territorial të shtetit shqiptar, mbështetjen e veprimeve të Aleancës dhe integrimin me strukturat e saj gjatë operacioneve luftarake kundër Serbisë, përballimin e pasojavë të krizës humanitare si dhe vendosja e lidhjeve shpirtërore dhe operacionale me strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
     Në funksion të kësaj filozofie u angazhuan të gjitha strukturat shtetërore dhe ato civile, mediat e përkrah tyre dhe strukturat ushtarake duke ngritur një mekanizëm në funksion për të gjithë problemet që shtronte kjo situatë. Divizioni i Kukësit, që kishte për mision ruajtjen e kufirit shtetëror nga provokacionet dhe sulmet e ushtrisë sërbe, vinte në këtë përballje, në një kohë që kishte filluar ringritjen e strukturave pas shkatërrimeve të vitit 1997-të, ndërkohë që ende njësitë e repartet e tij ishin larg parametrave organik e operacional.

________________________________

FLET KRYEMINISTRI PANDELI MAJKO, NE KUVENDIN SHQIPERISE…

________________________________

     Në këto kushte, vështirësitë ishin të shumta e prezente dhe ato reflektonin mangësi në reagimin luftarak në kufi e në thellësi të zonës së mbrojtjes së Divizionit. Krahas realizimit të misionit kushtetues, ndërkaq, mjaft forca të tij do të angazhoheshin në një bashkëveprim të llojit të veçantë për përballimin e faktorëve veprues të krizës humanitare, e cila u krijua nga shpërngulja masive e shqiptarëve të Kosovës nga trojet e tyre etnike. Lidershipi ushtarak, i cili e njihte dhe e ndiqte nga afër këtë situatë, me vullnetin politik, moral e profesional dhe përgjegjësinë e misionit të tij, bëri planifikimin paraprak.

______________________

BETIMI I FORCAT TE ARMATOSURA SHQIPTARE – 1999.

___________________________

     Në kushte të përshtatëshme të trajtimit të situatës, në kohë dhë në hapsirë, do të urdhëronte njësitë e repartet e vartësisë së drejtëpërdrejtë, respektivisht Divizionin e Tiranës dhe disa njësi të specializuara, si Brigada “Komando”, BrK së Mekanizuar në Laç, batalionin special të SHPFA, Regjimentin e Policisë Ushtarake, nënreparte e reparte të Brigadës Xheniere, të Regjimentit të MADM, të Brigadës së Ndërlidhjes, të Brigadës së Transportit Ushtarak dhe elementë të tjerë logjistik etj, të cilat do të integroheshin brënda elementëve të rendimit të luftimit të Divizionit të Kukësit.
     Të gjithë këto elementë operacional do të bëheshin barrikadë e pakapërcyeshme për okupatorin sërb në vijën e parë të kufirit shtetëror. Reagimi i njësive dhe reparteve të vartësisë të Shtabit të Përgjithshëm të FA, në bashkëveprim me strukturat e Divizioni të Kukësit, do të shënonte një përvojë të re në historinë e Forcave të Armatosura Shqiptare, ndaj një situate të përgjithëshme lufte dhe provokacioneve të përditëshme të ushtrisë Jugosllave në kufi.
     Në harkun kohor të 50 viteve, ushtrisë Shqiptare do t’i imponohej të përballonte me dinjitet dy raste konflikteve të tilla. Në vitin 1949-të, monarko fashistët grekë sulmuan kufijtë juglindor të Republikës së Shqipërisë dhe në rastin më të fundit, lufta në Kosovë. Përballja me forca të shumta greke në drejtimin e Korçës, në vitin 1949-të dhe me detashmentet e përparuara sërbe në kufirin Shqipëri Kosovë në vitin 1999-të, formojnë kontekstin teoriko praktik të veprimeve operacionale të Forcave tona të Armatosura në dekadat e fundit.
     Është e paplotë ajo teori e mendimit ushtarak, e cila nuk trajton periudhat më të vështira dhe më komplekse të historisë së strukturave të veta ushtarake e të situatave më të vështira të ekzistencës në rrjedhat e historisë së vet kombëtare. Historia nuk humbet dhe nuk e asgjëson kurrë vetveten vetëm pse kërkon të pasqyrohet, ajo nuk është vetëm një vorbull e marrëzishme e mendimit “të shfrenuar” njerëzor, ajo nuk është një cikël i përjetshëm e i pandërprerë humbjesh absurde, ajo me vetprezantimin dhe shkrirjen në memorien e kombit të vet ndriçon dhe ndriçohet, ajo flet dhe shkruhet, ajo ngelet e stampuar në memorien e kombit, dhe pasqyron vet historinë e lavdishme të tij.
     Gjithësekush e di dhe kupton se historia n’a ka dhënë një mësim fondamental, humbjet janë të përkohëshme. Pas humbjeve mund të ketë përsëri humbje, por ka shpresë, ka dhe fitore. Historia na ka mësuar ne shqiptarëve se ngandonjëherë dhe disfatat në dukje potencialisht të pakthyeshme mund e janë kthyer dhe në fitore. Rrethanat dhe rrjedhojat e luftës në Kosove dhe tronditja që pësoi tërë kombi shqiptar, u kthyen në shanse shqiptare.
Këto shanse, sot janë të prekëshme dhe me një shpresë në horizontin shqiptar. Në këtë rrugë integrimi pa kthim, do të pranojmë vetëm vonesat kalendarike, por jo shpresën për një zgjidhje të plotë të çështjes kombëtare, sepse vet çështja shqiptare buron nga filozofia e historisë si një e tërë dhe e pashkëputur nga historia evropiane dhe ajo botërore. Sipas historianëve dhe analistëve botëror mësojmë se nacionalizmi shqiptar deri më sot nuk i ka bërë dëm askujt. Në vite e dekada, përveçse kërkesave për të drejtat e tyre, shqiptarët nuk kanë shkelur e lënduar askënd. Dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe.
Në këtë linjë vlerësimi, ndoshta sot mund të jetë e domosdoshme të realizojmë me një vështrim më të arësyeshëm dhe të kujdësshëm vlerat e asaj që u përjetua dhe u përballua në situata tejet të vështira për shtetin shqiptar dhe për të gjithë shqiptarët në rajon, gjatë konfliktit në Kosovë.
     Interes të veçantë në këtë periudhë, mendoj se duhet të paraqes krahas të tjerave veprimtaria ushtarake, e cila ju imponua shtetit Shqiptar në kushtet e një konflikti dhe lufte të hapur, në mbështetje të luftës së popullit shqiptar në Kosovë. Kjo veprimtari kërkonte bashkërendim me strukturat e komunitetit ndërkombëtar dhe në planin ushtarak. Vënia e tërë elementëve të mundshëm veprues nga Shtatmadhoria Shqiptare, konfiguroi zbatimin e një operacioni, shkallë shkallë, kompleks dhe me objektiva të qarta.
     Në kontekstin dhe analizën objektive, moral psikologjike e profesionale të këtyre veprimtarive operacionale, të cilat sfiduan sulmet antishqiptare dhe siguruan sovranitetin kombëtar, veçanërisht është e evidentuar qëndresa shëmbullore e reparteve dhe popullsisë vendore në rrethet Kukës, Has dhe Tropojë.
     Të tilla momente kulmore historia i ka vlerësuar e vlerëson, si ish Divizionin e Korçës në vitin 1949-të dhe atë të Kukësit gjatë konfliktit në Kosovë. Vlerave të këtij kontributi, në funksion të përmbushjes së misionit, i janë shtuar në të dy rastet kontributi i spikatur i reparteve të Rezervës së Komandës së Përgjithëshme dhe në vartësi të drejtëpërdrejtë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, pa prezencën dhe ndërhyrjen e të cilave, misioni i mbijetesës dhe ruajtjes së integritetit territorial nuk do të realizohej.
     Kjo e vërtetë historike, kjo vendimarrje në kuadrin e reagimit ushtarak, është jo vetëm një vlerë e atdhedashurisë dhe profesionalizmit të lidershipit politik e ushtarak, komandave, shtabeve dhe reaparteve vendore, por dhe atyre të RKP-së.

_____________________________

BETIMI I VULLNETAREVE T UCK-se NE QENDREN STERVITORE – FEKEN.

_______________________________

     Përfshirja e tyre në operacione të përbashkëta, është një shprehje e aftësive drejtuese të lidershipit, komandave e shtabeve, vullnetit dhe qëndresës së tyre, për t’i dalë zot situatës, të përkujdesjes së veçantë që realizojnë shtrukturat shtetërore në këto kushte për efektivat në vijën e parë e në thellësi dhe angazhimin e tyre të mëtejshëm në detyra të rëndësishme të përballimit të situatës.
     Përfundimi me sukses i misionit, mbart në vetvete në kohë të tjera dhe rrezikun e qëndrimeve dhe analizave subjektive, shumëkush vrapon e dëshiron të mbajë në duart e veta flamurin e fitores, pa menduar gjatë, se vërtet këtë flamur një njeri mund t’a mbaj në dorë, por ai është shprehje e bashkimit, mundit e sakrificave të të gjithë protagonistëve të ngjarjeve.
     Çdo përpjekje për të zbehur dhe retushuar sadopak kontributin e njësive dhe reparteve të thellësisë nga elementë të veçantë vlerësues, është një qëndrim abstrakt, i pabazë e egoist, aspak etik e profesional, është shprehje e megallomanisë dhe privatizimit të fitores në emër të karrierës së pamerituar. Ka qënë ky një qëndrim subjektiv, vënë re në konfliktin e fundit, në trajtimin e raporteve masë – individ, pjesmarrje, kontribut, efektivitet operacional, raport forcash, mbështetje reciproke, fuqi zjarri, hapsirë veprimi, kryerje manovre, elementë këto që veprojnë në terren, pavarësisht nga dëshirat apo deformimet që mund t’i bëhen realitetit.
     Kulmi i këtij subjektivizmi, është shtrirë në disa raste, në fetishizimin e rolit të individit. Në kohët moderne, nuk mund të pranohet dhe të realizohet etiketimi i gjeneralëve pa gjeneralizëm, nuk mund të realizohet prodhimi ose fabrikimi i një tip heroi në kurriz të heroizmit të strukturave ushtarake të përfshira në luftë apo konflikt e të përgjakura me okupatorin në vijën e parë të zjarrit.
     Vlerësimi dhe respektimi i atributeve, përparësive, sakrificave, privacioneve të strukturave vendore dhe rolit respektiv të strukturave të tjera, pa ngatërruar e minimizuar vlerat thelbësore që secila prej tyre përfaqëson, është një detyrim moral, profesional por dhe historik, që veprimtari dhe vlera të tilla të fiksohen në memorien historike të ushtrisë Shqiptare në një kontekst të përgjithshëm, pikërisht në qëndresën dhe heroizmin masiv për t’i dalë zot fateve të vendit.
     Çdo lloj vlerësimi tjetër bie ndesh me atë çka ndodhi realisht, me traditën, moralin dhe vlerat shumdimensionale të ushtrisë Shqiptare ndër dekada, të cilat burojnë nga shpirti liridashës e fisnik i popullit shqiptar. Në kontekstin e kësaj analize, historiografia ushtarake ende dhe sot u është “borxh” veprimtarisë dhe aktivitetit luftarak të njësive dhe reparteve vendore dhe atyre të vartësisë së Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
     A do të mund t’a quanim të mjaftueshme një takim në nivel të një “simpoziumi” të improvizuar, pa pjesmarrjen e protagonistëve dhe aktorëve kryesorë të veprimtarisë operacionale në kufirin shtetëror të shtetit shqiptar?
     A do të mundte komanda e Divizionit të Kukësit të realizonte një veprimtari të tillë të karakterit “shkencor” pa kontributin e institucioneve ushtarako shkencore të Ushtrisë dhe elementëve të tjerë të shoqërisë civile dhe pushtetit vendor, organizatave joqeveritare e mjaft hallkave të tjera vepruese në realizimin e misionit?
Nuk është aspak e tepërt të perifrazojmë thënien e Xhemi Shi se: “Është habitëse, që edhe çështjet më të panjohura të konfliktit të Kosovës, po studjohen me detaje nga studentët e doktoraturës”. Analizat e sotme mbi një konflikt të armatosur, për të gjitha anët e veprimit të tij, është një konceptim normal për nga përmasat, kohëzgjatja e angazhimit diplomatik dhe ushtarak, për nga pasojat, forcat pjesmarrëse e shumë faktorë të tjerë, të cilët janë të përshtatshëm e dinjitoz si objekt të një studimi, por në këto kushte nuk është normale të nxitosh dhe të bësh gabime vlerësimi.

__________________________________

FORCAT TE ARMATOSURA SHQIPTARE – 1999.

_____________________________

     Me të drejtë mund të shtrojme pyetjen: A ka sot një platformë të studimit ushtarako shkencor të periudhës konfliktuale 1998-99-të? Përse ky nxitim në pasqyrimin e vlerave pa një platformë programuese për të shkruar dhe hulumtuar mbi këtë pjesë me shumë vlera në historinë e ushtrisë Shqiptare? Duhet t’a pranojmë dhe t’a themi me zë të lartë, se në kufirin shtetëror ishte gjithë ushtria Shqiptare, ishte gjithë populli dhe strukturat e shtetit, ishin partnerët, bashkëpunëtorët dhe tërë elementët sfidues ndaj krizës humanitare dhe luftës në Kosovë.
     Të gjithë këta elementë që trajtuam më lartë kanë qënë faktorë përcaktues, të pazëvëndësueshëm por dhe të palëkundshëm në vlerat dhe kontributin e tyre në përballimin e provokacioneve ushtarake në kufijtë shtetëror. Kush mendon ndryshe dhe i atribuon vlerat vetes apo një individi është i gabuar. Populli ynë filozofon me të drejtë “trimi i mirë me shokë shumë”.
     Duke e vlerësuar më shumë se sa një veprimtari mbështetëse, misioni i njësive e reparteve të rezervës së Shtabit të Përgjithshëm të FA ka qënë një dinamikë luftarake në vijë të parë, me forca dhe mjete të specializuara me kapacitete operacionale optimale dhe me një drejtim e komandim efektiv.
     E vërteta flet për vetë faktin se në këto struktura, në vijimësi, në kushtet e veprimit të një urdhëri paraoperacional të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ka patur një përkujdesje të veçantë në kuptimin dhe zbatimin e detyrave nga komandat dhe shtabet, përzgjedhjen e efektivit e të kuadrove dhe në trajtimin e elementëve veprues të karakterit moral psikologjik në radhët e tyre, në masa të gjithanëshme për kompletimin me armatim dhe teknikë të kohës, për planifikimin dhe zhvillimin e stërvitjes në kushtet e situatës luftarake, me një mbështetje sa më të plotë logjistike etj.
     Diku në një botim të mëparshëm kam theksuar për thyerjen e tabusë në thirrjen dhe përgatitjen e kontigjentëve rezervistë në një njësi të qytetit të Tiranës, në interes të kompletimit, në rast agresioni në kufijtë shtetëror, në të njëjtën kohë, kur reparte të vijës së kufirit nuk arrinin të realizonin parametrat e kompletimit minimal dhe të vendosjes në gatishmëri operacionale, qoftë dhe me sinjal kushtrimi.
     Duke evokuar veprimtarinë luftarake të Divizionit të Tiranës, njësive e reparteve të tjera rezervë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe atyre vendore, në zbatim të misionit për ruajtjen e integritetit të kufijve shtetërore në veri të Shqipërisë, gjykoj dhe vlerësoj se përmbush një detyrim moral e profesional, si komandant i kësaj njësie, gjatë operacionit për përballimin e provokacioneve serbe dhe plotësoj një lloj boshllëku apo “vakum” që ka zënë vend tashmë dhe evidencohet lehtë në pasqyrimin e qëndresës dhe reagimit luftarak të kësaj periudhe nga shteti shqiptar.
     Pa mohuar vlerat e efektivave të njësive dhe reparteve të Divizionit të Kukësit, të cilët u angazhuan në këtë situatë agresive e kërcënuese për një periudhë gati 18 mujore, strukturat dhe ushtarakët e njësive dhe reparteve rezervë të SHPFA, u gjendën të rreshtuara në brezin kufitar në momentet kulmore të operaciont, në pozicionet dhe drejtimet kryesore taktike, me arsenalin e kompletuar të personelit, teknikës dhe armatimit, duke rritur ndjeshëm kapacitet operacionale të zonës e duke u bërë një mbështetje e fuqishme për komandat, shtabet dhe efektivat vendase.
     Jo vetëm gjatë situatës intensive, por dhe më pas, kontributet dhe vlerat e profesionalizmit ushtarak dhe të përkushtimit të oficerëve shumë shpejt filloi t’i zërë pluhuri i harresës. Përshëndes përpjekjet e publiçistit dhe kolonelit në rezervë Halil Katana, i cili u kujton të tjerëve se duhet të kontribojnë në pasqyrimin e vlerave të asaj periudhe. Vazhdimisht, të ndodhur në vorbullën e propogandës, të opinioneve dhe të qëndrimeve politike, ideologjike e morale, përballja me konkurencën, mbijetesën, paragjykimet dhe lënien në përgjithësi në harresë i bën në përgjithësi ushtarakët të mendoheshin thellë, por gjithësesi vetëm të mendoheshin.
     Ja një rast tipik i asaj që pritej të ndodhte. Politika e tërhoqi ushtrinë nga zona e mbrojtjes së Divizionit të Kukësit pa kurfarë ceremoniali në përfundim të detyrës. Mungesa e kompliancës i bënte të mos ndryshonin qëndrimin njerzit dinak të politikës, përball kërkesave të hapura të drejtuesve ushtarakë edhe kur këto kërkesa synonin të rrisin vlerat e Forcave të Armatosura në sytë e opinionit publik shqiptar.
     Në fund të fundit ushtarakët në kufirin shtetëror përball agresorit serb kryen misionin e tyre fisnik dhe për këtë sot të gjithë ndjehen krenar. Është fakt që nuk pranohet një paradë ushtarake atëhere kur ishte e nevojëshme dhe me efekte të plota dhe degjeneron në një parakalim të rëndomtë pas një muaji në mjediset e Brigadës së Tankeve në Tiranë, si shpërblim ndaj atyre që e ideuan. Ky është nderi dhe vlerësimi që ju bën politika ushtarakëve. Shpresojmë që të mos ndodh më kështu. Veprimet që u kryen më pas ndoqën rrugët e tyre “të zakonëshme”. U kursyen dekorimet për ushtarakët, u kursyen shpërblimet dhe filluan të veprojnë opinionet. Po gradimet para kohe a e justifikuan vlerësimin që u bëri lidershipi ushtarak vartësve të tij?! Edhe sot nuk dua t’a besoj kërcënimin e ish Ministrit të Mbrojtjes që i bëri zotit Fatmir Zanaj (në atë kohë Drejtor i Marrdhënieve Civilo Ushtarake) për shkarkim nga detyra për arësye se nxori në intervistë në TVSH direkt nga vendrejtimi operacional në grykën e Morinit komandantin e Divizionit të Tiranës. Inati i kësaj kategorie njerzish të ngushtë nga shpirti nuk paska të sosur.
     Ndërkohë që ka një përkujdesje të jashtëzakonëshme “nga të specializuarit” për të hedhur në currikulium edhe një seminar 3 ditor në Ankara për trainimin e nënoficerëve, askush nuk është kujtuar deri më sot për të hedhur në jetëshkrimin e kuadrove pjesmarrës në veprimet luftarake në veri të vendit mbi shkallën e përkushtimit e të profesionalizmit të tyre në operacionin e vërtetë luftarak në Kukës. Këtë vlerësim e meritojnë oficerët e ish Divizioneve të Kukësit dhe Tiranës, oficerët e trupave “komando”, oficerëve dhe kapterëve të batalionit special, të Policisë Ushtarake, xhenierët, tankistët, zbuluesit e shumë e shumë të tjerëve, të cilët u rikthyen në detyrat e tyre pa fjalë e pretendime dhe sot më përkushtim shërbejnë aty ku i ka zënë detyra. Në kushtet e një analize të veçantë, këtë veprimtari të gjërë të karakterit ushtarak, do t’a vlerësonim si një operacion luftarak qëndrese dhe vendosmërie për t’i dal zot Shqipërisë.
Duke vlerësuar elementët gjithpërfshirës të kësaj veprimtarie të veçantë në llojin e vet, për strukturat tona ushtarake, ende institucionet ushtarako shkencore nuk kanë ndërmarrë inisiativa studimore, në bashkërendim me protagonistët e këtij veprimi, për të hedhur e pasqyruar në memorien e ushtrisë këtë përvojë të re pozitive, e cila do të ketë vlera të mjafta edhe për të ardhmen.
Strukturat ushtarake pranë prefekturave dhe bashkive treguan se në kushtet e angazhimit të strukturave ushtarake në operacionin luftarak në kufijtë shtetëror ishin teresisht jashtë loje dhe nuk e kryen si duhet funksionin e tyre. Problemet që u shtruan në kushtet e përballimit të krizës humanitare, efektet e të cilave ranë mbi një pjesë të strukturave ushtarake dhe dukuritë që ishin të akumuluara nga koha, u zgjidhën përgjithësisht me ndërhyrjen e drejtëpërdrejtë të funksionarëve të prefekturave dhe atyre vendor.
     Në kushtet e një situate të paralajmëruar, a ishte evidentuar gjëndja dhe problemet e sistemit të lajmërimit, mobilizimit, të strehimit të popullatës, të lajmërimit të kushtrimit ajror etj? Fakti që shumë të tilla u zgjidhën në një kohë të reduktuar dhe cilësisht jo në nivelin e duhur na tërheqin fort vëmëndjen. Ndoshta duhet parë kjo strukturë në të ardhmen për të gjetur pozicionin dhe vlerat e veta në organet e pushtetit lokal.
Gjëndja e papërshtatëshme e strukturave të policisë kufitare në një shtrirje prej 187 km front, pamundësia e tyre organike, materiale e logjistike për të kryer misionin, në kushtet e reprezaljeve të “komandove” dhe detashmenteve sërbe, qëndresa e tyre në kushtet e një raporti forcash të pakrahasueshëm gjatë gjithë kohës së shtrirjes së konfliktit, direkt në kufirin shtetëror, është një problem që edhe sot duhet të tërheqi fort vëmëndjen e institucioneve të shtetit shqiptar.

_______________________________________

FORCAT TE ARMATOSURA SHQIPTARE – 1999.

________________________

     Evidentimi i postave kufitare të shkatërruara, efektiva të reduktuara në kushtet e një situatë të veçantë luftarake, mbajtja e organikave të pandryshuara me efektiva të barabarta si në veri dhe në kufirin lindor e jugor, kur duhet të ndodhte ndryshe, vështirësitë e tyre për të bashvepruar me njësitë e repartet e ushtrisë etj, ishin disa nga faktorët e një vështirësie të përgjithëshme në funksionimin dhe e fektivitetin e këtyre strukturave. Nuk mund të mendohet në situata të tilla që të mos bëhen përpjekje për të monitoruar dhe mbajtur nën kontroll regjimin e ruajtjes së kufirit shtetëror. Ballafaqimi në Bashkinë e Krumës midis specialistëve të mbrojtjes dhe të rendit pikërisht për këtë element veprimi, megjithëse evidencoi shumë probleme dhe u mbyll me propozime të vlefshme nuk ndryshoi ndonjë gjë esenciale në kohë. Nuk është ndonjë çudi kjo që konstatohet. Ka shumë njerëz që diskutojnë gjithë ditën dhe nuk janë në gjëndje të marrin vendime. Kështu ndodhi edhe në Krumë!!
     Përfytyrimi klasik i situatave luftarake në kufirin shtetëror, në kushtet e këtij lloji reagimi të armikut, pësoi një transformim në kushtet e realizimit të kësaj lufte dhe pasojave të saj mbi strukturat tona ushtarake dhe popullsinë në berzin kufitar. Ato u vlerësuan realisht me të gjithë efektet e tyre psikologjike e ushtarake. Provokacionet sërbe në kufi u realizuan me drejtime të veçanta dhe në disa raste dhe në disa drejtime njëherësh.
     Ato u realizuan përgjithësisht me forca të pakta, e shumta deri në një kompani, me trupa speciale, kryesisht komando, në goditjet me snaiper e me artileri të kalibrave 82, 120, 160, 155 mm, nga distanca por dhe me qitje të drejtëpërdrejtë. Këto goditje u bënë në “modë” të veprimit të armikut kryesisht mbi objektet civile dhe rrallë mbi objektet ushtarake. Në veçanti në rrezen e këtyre goditjeve synoheshin bazat e UÇK-së, që mendoheshin se ishin në zonën e mbrojtjes së Divizionit të Kukësit etj. Reagimi nga trupat tona ishte i reduktuar, por në disa raste dhe i ashpër dhe mjaft i vendosur me përdorimin e armëve automatike dhe të artilerisë e në disa raste edhe të tankeve.
     Reagimi i ashpër i forcave të Brigadës së Këmbësorisë në Tropojë u dha të kuptonte shtabeve sërbe, se nuk ishte e lehtë të penetroje në territorin shqiptar. Kjo situatë që e shoqëroi teatrin e veprimeve luftarake gjatë gjithë kohës, me gjakftohtësi shmangu një konfrontim të përgjithshëm, por nga ana e sërbëve u synua që të mbaheshin nën një presion të vazhdueshëm shantazhi psikologjik dhe ushtarak gjithë strukturat ushtarake të ushtrisë sonë. Agresiviteti dhe imponimi psikologjik e ushtarak synuan te mbanin forcat tona nën një angazhim të “bezdisshëm” dhe të realizonin shkëputjen e lidhjeve shpirtërore dhe ushtarake midis forcave të ushtrisë sonë dhe strukturave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fakti që ky objektiv nuk u realizua nga ana e serbeve, i bëri ata më shumë të papërmbajtshëm e agresivë në veprimet e tyre.
     Nga bombardimet e ushtrisë serbe në vijën e kufirit, mbi pothuajse të gjithë fshatrat e brezit kufitar, shumë banorë të tyre u larguan nga shtëpitë duke u çvendosur në thellësi të vendit. Pse ndodhi kështu? Fakti që ata u ndodhën nën një kundërveprim dëmtues të forcave serbe, kryesisht nga goditjet me artileri dhe depërtim të trupave të tyre komando me misione terrori, mbase duhej menduar e planifikuar më mirë për një kundërpërgjigje me masa të tjera të karakterit organizativ e shmangës, në mënyrë që kjo tërheqje e popullsisë të mos ishte spontane dhe me inisiativë të vet banorëve të zonës.
     Masat e një mbrojtjeje, qoftë dhe “pasive”, në kushtet e mbështetjes së qëndrimit zyrtar të vet shtetit shqiptar, do të konceptonin realisht reagimin mbrojtës dhe efikas për të mos krijuar valë refugjatësh brënda vendit. Largimi i rreth 15 mijë banorëve të këtyre zonave, është një tregues i cili nuk ndodhi rastësisht. Ai u krye i imponuar për shkaqet e mësipërme. Ky fakt duhet të tërheq vëmëndjen e studjuesve ushtarakë dhe të organeve të pushtetit qëndror e vendor në të ardhmen.
     Shumë shpejt, nga të dhënat e zbulimit tonë dhe të aleatëve, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, konstatoi dhe doli në përfundimin, se minimi i brezit kufitar ishte një veçori në kushtet e një përqëndrimi të madh të forcave dhe mjeteve të ushtrisë Jugosllave dhe provokacioneve të tyre sistematike në zonën e mbrojtjes së Divizionit të Kukësit. Përse u minua kufiri, çfarë parashikuan shtabet jugosllave me këtë veprim, në dukje të karakterit mbrojtjës?
     A e parashikonin shtabet jugosllave një reagim të mundshëm të trupave të Aleancës dhe të njësive e reprteve tona nga toka shqiptare, apo “meraku” i tyre ishte vetëm bllokimi i rrugëkalimeve më të mundëshme Shqipëri Kosovë, të cilat mund të ishin arteriet e mbështetjes dhe furnizimit të formacioneve luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës? Këto ishin verisione të parashikuara nga faktori ushtarak shqiptar, e megjithë vlerat e tyre pozitive të një sigurie të përkohëshme, këta faktorë nuk duheshin marrë një herë e mirë të mirëqënë, në kohë dhe hapsirë.
     Manovra dhe disllokimi i njësive e reparteve rezervë të SHPFA ishte pikërisht një reagim i paramenduar dhe real në masat mbrojtëse, por dhe më gjërë në një situatë më tej të zhvilluar.
     Veprimtaria operacionale e Forcave të Armatosura Shqiptare në kufijtë shtetëror të vendit ka ngjallur shpesh në rrethet e politikës dhe të opinionit të gjërë publik shqiptar polemika të vazhdueshme dhe herë pas here, deri dhe qëndrime pasionante, larg realitetit dhe domosdoshmërisë të kryerjes së një veprimtarie të tillë. Subjektet e polemikave të tilla janë shfaqur me të dy anët e medaljes, qoftë në stresin e përgjithshëm dhe ankthin se, “një rrezik po na kërcënon” dhe për rrjedhojë “….ku i kemi Forcat e Armatosura”, po kështu dhe për “vrerin” që u zbraz ndaj strukturave të ushtrisë sonë, gjoja për paaftësinë e saj për t’i vënë fre provokacioneve sistematike të ushtrisë serbe në rrethet veriore të vendit.
     Në një rast të tillë, oficerët dhe manovratorët e artilerisë e ndjenë këtë mbi shpinë, kur çonin terheqësat e mekanizuar në Kukës dhe në Tropojë, për faktin e thjeshtë se në Qafë të Malit na i kishin zënë rrugën një “politikani të madh”. Këta njerëz të mirë, që përballeshin me të ftohtin, me peripecitë e rrugës, me natën dhe lodhjen e madhe e kishin për “hak” të provonin kërcënimet e shoqëruesve të këtij politikani, i cili kur u kthye në Tiranë nuk ngurroi të informonte opinionin publik shqiptar “për nja 3 diagaçë të ndryshkur që kishte parë në Qafë të Malit”.

______________________________

FLET GJENERAL KUDUSI LAMA – ISH’KOMANDANTI I DIVIZIONIT TE KUKESIT

_____________________________________

     Mundësia për të krijuar një skenar të imagjinuar ose të stimuluar i ka çuar ata në nënvleftësimin e një rreziku real dhe në përçmimin e vlerave njerëzore e profesionale të ushtarakëve. Kjo është e paimagjinueshme dhe e pafalshme.Turp…. Të gjitha këto polemika, në më të shumtën e rasteve të publikuara në media ose të zhvilluara në mjediset e Parlamentit Shqiptar, të jepnin të kuptoje së diçka në këtë veprimtari “nuk shkonte”. Se çfarë nuk shkonte këtë e dinë më mirë ata që kanë qënë në qëndër të vëmendjes të këtyre “debateve të zjarrta”, pasi e kuptojmë më mirë sot në këtë kohë se sa “largpamës” kanë qënë dhe se sa kanë menduar seriozisht për fatet e Shqipërisë.
     Në më të shumtën, kjo na jep të kuptojmë, se në situata të tilla kur koha na do më të bashkuar se kurrë, nuk është aspak e çuditëshme tek ne që të mendohet se rreziku është larg, kemi kohë të diskutojmë dhe të grindemi me njëri tjetrin, “…sepse zjarri është akoma në fshat dhe nuk ka mbritur në lagje, por dhe kur të mbrrij në lagje nuk ka ardhur ende në shtëpinë time”. Shqipëria është shtëpia e të gjithëve dhe kur Shqipëria është në rrezik, për të, e kemi për detyrë të ngrihemi në këmbë dhe t’a mbrojmë të gjithë.
     Kur Shqipëria është në rrezik nuk është koha të grindemi e të shajmë njëri tjetrin, por është koha të bashkohemi e të mbështesim njëri tjetrin, për të bërë atë që është më e mira.
     Kur Shqipëria është në rrezik, e kemi për detyrë që t’u drejtohemi miqve dhe aleatëve, t’u kërkojmë ndihmë, të mbështetemi tek ata dhe jo t’i “hedhim benzinë zjarrit”. Këtë lloj bashkimi e mbështetje e kemi pasur shumë e shumë kohë më përpara dhe nuk kemi arësye të mos e kemi edhe sot.
– Shënime të Ish Komandantit te Divizionit të Tiranës, kolonel Sulejman ABAZI, një vit pas përfundimit të luftës në Kosovë. Të botuara në librin “Psikologjia e luftës kundër luftës”.

_________________________________

NGA ARKIVI I LAJMEVE TE RTSH – PER LUFTEN NE KOOVE 1999.

________________________________________________

(ILUSTRIMET I PERGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura