Berlin, 12. 02. 2017: Njëfarë sekretari i lëdëkë-së me mëndje robi (Ismet Beqiri, i thonë), thuase formulonte një koncept të hollë politik, do t’i dërgojë Albin Kurtit një mesazh të pështirë. “Unë nuk kam, si ti, një Atdhe rezervë”!
O Perëndi! Sa e ultë për të njohur etikë, dhe, poshtu, sa e marrë për të pretenduar mendim. Është, pra, fundi i së Keqes kur një Person bashkon në vete si emblemë – budallëkun dhe poshtërsinë. E ky “Sikletar” partie bën pikërisht ekzemplarin e tij tipik.
Edhe sikur mesazhi t’i vente vetëm Albinit, do ta mjaftonte përbuzjen. Por jo! Tehu obskur e primitiv, i shkon dhe Rexhep Qosjes, Idriz Ajetit, Agim Vincës…
Të drejtat e tyre, qenkëshin, ashtu, më të pakta. Më pak mendim (sidomos jo të thellë e të largët për thundrat e tij), më pak gëzim, dhimbje, vështrim drejt lartësish, shkrim (sidomos jo të bukur), më pak shpresë…Vetëm disiplinë, margjinë sociale e lojalitet ndaj “Sikletarit” që aderon vetë në rangun e dytë tabelar. Sepse, si dihet, statusi i të parit është i rezervuar, në kufi llastimi, për serbët minoritarë, atje ku nuk mbërrin dora e palarë e tij.
Po këtë thoshte më herët dhe Thaçi i Brojës, mentori i tij nga një tjetër avlli politike. Është po ajo mendësi. Edukatë provinciale. Shpirtshitje Mefistoje. Jashtëqitje kombi e historie. Ky është kulmi i mjerimit njerëzor dhe territ kulturor. Madje, përtej akoma. Shenjë endemike e patogjenisë se njeriut politik kosovar.
Shqiptarët mund të kenë disa shtete-feudë, por një të vetmin Atdhe! Dhe imagjinojeni: këta janë besuar të shestojnë linja strategjike të tij, të s’ardhmes mbarëkombëtare. Ç’fatalitet!
“Dhe qeshën skllav e skllavëri,
sa e bukur kjo liri”! (Burns)
Kështu revoltohet poeti anglez, po a nuk i ngjan kjo një t’parathënme të trishtuar për një vend – në tjetër kohë e skaj të Europës?
O popull që dremit ëndrrën e lirisë së shpifur, zgjohu dhe shih kush flet në emrin Tënd. I padijshmi, hajni, vrasësi, spiuni, shërbëtori i djallit…
Këta janë armiqtë e tu të vërtetë. Hijena që thithin gjakun tënd të pafaj. Ngjashëm me pararendësit e tyre serbë, veçse me ide, dogmë e petk mashtrues nacional. Hidh sytë përreth. Bukureshti nuk është larg…Ndaj, fshikulloi njëherë e mirë përtokë. Fuqia Jote është sovrane. E pamposhtshme. Dhe e drejta poashtu: e Jetës dhe Hyut!