BLED KOMINI: NJË KRONIKË PËR NGJARJET NGA SHESHI, NË ҪADËR!

Tiranë, 20. 02. 2017: Ishte një vendim! Sigurisht, një vendim i marrë në shesh. Një nga ato vendime që nuk janë të thjeshta për t’u marrë e për t’u ndjekur më pas, por opozita e mori. Do protestohet derisa të ketë zgjedhje të lira! Kështu u vendos dje, teksa lideri i partisë më të madhe opozitare u drejtohej protestuesve të mbledhur nga të gjitha anët me pyetjen retorike se a do t’i bashkoheshin atij drejt këtij rrugëtimi të vështirë, e ata njëzëri iu përgjigjën, po!
E shënjuar prej kohe për t’u zhvilluar në fund të muajit shkurt, ashtu siç 26 vjet më parë, më 20 shkurt 1991, populli shqiptar rrëzoi bustin e Enver Hoxhës duke rrëzuar dhe diktaturën më të egër komuniste në Evropë, edhe kjo protestë synoi të rikthejë të njëjtën ndjesi, gjendje e shpresë, tek ata që mendojnë se koha ka mbetur në vend, nuk ka lëvizur aspak, e se 18 shkurti 2017 duhet të jetë i njëjtë me atë të përmendur pak më lart. “Ose do të bëjmë zgjedhje të lira,” – tha zoti Basha – ”ose zgjedhje nuk do të ketë. Rrugë të mesme nuk ka. Zgjedhjet për fasadë, zgjedhjet e njollosura nuk do t’i pranojmë… Zgjedhje me kriminelë të veshur me pushtet nuk do t’i pranojmë.” Në fakt, kauzat janë të ndryshme, por opozita ia doli që dje të parashtrojë kauzën e saj të zgjedhjeve të lira, pa kompromis, duke e paralelizuar me atë të 20 shkurtit 1991, ku shqiptarët thërrisnin njëzëri “Liri, Demokraci” dhe e “Duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”. E, në fakt, as dje nuk munguan të njëjtat thirrje, si nga podiumi ashtu dhe nga protestuesit që ishin tubuar masivisht në shesh. Ishte një skenar i ngritur më së miri, favorizuar edhe nga ngjarjet rajonale të ditëve të fundit, ku 500 mijë qytetarë rumunë në protestë në sheshin kryesor të Bukureshtit i kërkuan dorëheqjen qeverisë, pavarësisht se kjo e fundit e tërhoqi ligjin e kontestuar që dekriminalizon veprimet korruptive të zyrtarëve.

Pas fjalimit të liderit të opozitës, i cili vuri si kusht kryesor për mbajtjen e zgjedhjeve të “lira e të ndershme” ngritjen e një qeverie teknike, nisi të ngrihej “çadra”, që do të mbante brenda saj të gjithë demokratët e demokratet e “ngujuar” derisa programi parazgjedhor i opozitës të plotësohet. E ngritur në shesh, me profile të montueshme shpejt, kjo “çadër” u bë simboli i “revolucionit”, përmendur nga ish-kryeministri Berisha, si moment i ndryshimeve historike që do t’i paraprinte realizimit të platformës së partive opozitare. Në të vërtetë, për të tërë ata që menduan se do të ishte një “çadër” e thjeshtë, ku brenda saj do qëndronin vetëm pak persona, nuk është e paktë të thuhet se zhgënjimi ndodhi. Në realitet ishte një “çadër” e madhe, me një kapacitet tej normales, e me përmasa të tilla sa për të tubuar brenda saj qindra protestues. Kështu, faza e dytë e protestës nisi me organizimin e “qëndresës në shesh”. Një fazë kjo që nuk dihet ende se kur do të përfundojë, por një gjë është e sigurt, se dita e përfundimit të saj duket e largët. Kjo dhe për vetë faktin se, siç e shprehu dhe kryeministri aktual, “reformat do të vazhdojnë”, duke iu referuar faktit se reformat e ndërmarra prej qeverisë së tij nuk do të ndalen prej protestës, e as prej kërkesave të opozitës.
“Çadra”, e cila në fakt ishte një tendë e madhe pothuajse me përmasa 40-30 metra katrorë, mblodhi rreth vetes simpatizantë e dashamirës të shumtë, të cilët iu bashkangjitën kauzës së shpallur prej liderit të opozitës. Një numër i madh protestuesish qëndruan brenda saj mbrëmjen e djeshme, duke sfiduar të ftohtin dhe vështirësitë e stinës.
Ata jo vetëm qëndruan me orë të tëra duke pritur sistemimin e saj, por të tubuar bashkërisht, ashtu siç kishin ardhur në protestë, prej qyteteve të ndryshme të Shqipërisë, pranuan të “ngujohen” së bashku me deputetë e drejtues të lartë të partive opozitare brenda saj.
Tingujt e muzikës, turma e mbledhur përreth tendës, si dhe vendosja në qendër të rrugës, e bënin çadrën të ngjante nga kreu i sheshit “Skënderbej” si një tubim që sfidon jo vetëm politikën aktuale, por dhe mënyrën e të protestuarit të opozitës gjer tani.
Pavarësisht faktit se tubimi i protestuesve qe paqësor, masat e marra prej Policisë së Shtetit nuk munguan. Një kordon policor e mbajti nën vëzhgim të gjithë aktivitetin e ndodhur pas orës 16:00, kur përfundonte dhe afati i mbajtjes së protestës. Gjatë tërë pasdites e mbrëmjes, forca të shumta policiore qëndruan në vend, por duke ruajtur distancën, madje në një moment të caktuar mediat fokusuan zotin Basha duke i përshëndetur e shtrënguar duart për punën e tyre të palodhur, pavarësisht kushteve atmosferike e reshjeve të shiut që vazhduan gjer në mëngjes.
A do të ngjallë kjo protestë lëvizjen masive popullore siç ndodhi disa ditë më parë në Bukuresht? Kjo mbetet ende për t’u parë. E sigurt është se panorama e protestës po ndërkombëtarizohet nga momenti në moment, dhe pavarësisht numrit të atyre që qëndrojnë nën strehë për të protestuar, lajmet e mbrëmjes në rajon, si dhe më gjerë, e përfshinë gjerësisht informacionin e asaj çka po ndodh në Shqipëri në edicionet e tyre informative.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura