Durrës, 23. 02. 2017: Është një analist që del shpesh në ekranet televitivë dhe mua nuk më ka pëlqyer asnjëherë. Por dje, kur po fliste për demonstratën e 18 shkurtit, një deduksion i tiji m’u duk deri diku i saktë. Ai tha: “Të dyja palët janë banda.” E kish fjalën për udhëheqjet e PD-së dhe të PS-së në Republikën e Shqipërisë. Hapa fjalorin dhe e pashë: Bandë do të thotë: grup njerëzish të bashkuar për të bërë vjedhje, plaçkitje e krime; grup njerëzish ZAKONISHT NË PUSHTET, që vepron në dëm të popullit me metoda kriminelësh e tradhtarësh.
Kjo është një e vërtetë, para së cilës shqiptarët e Republikës së Shqipërisë janë gjendur, në mënyrë të paevitueshme, që nga viti 1990 e në vazhdim, deri në një kohë, tash për tash, të papërcaktueshme. Ky është fati, në këtë fillim të shekullit XXI, jo vetëm i shtetasvet të Republikës së Shqipërisë dhe i krejt Kombit Shqiptar, por i të gjithë kombevet të botës. Kapitalizmi klasik, që u rivendos në shkallë botërore pas dështimit të komuizmit, nuk mund të sillte ditë më të mira për njerëzimin, aq më pak për kombet e vegjël.
Komunizmi dështoi PËR FAJET E VET. Popujt i kish me vete, jo vetëm atje ku qe vendosur pushteti i tij, por edhe në vendet ku sundonte kapitalizmi. Mirëpo, prijësit dhe teoricienët e tij u treguan të gabueshëm. Ata nuk ia dolën dot, nuk mundën, nuk ditën, të gjenin MËNYRAT E DUHURA për ta çuar përpara shoqërinë njerëzore. Në vendet komunistë triumfoi e keqja dhe njerëzimi u kthye në kapitalizmin klasik, dmth, në atë kapitalizëm, i cili e pat zhytur botën në dy luftëra botërore dhe në atë kapitalizëm, i cili s’u kish sjellë dot liri as shtetasvet të vet në vendet më të zhvilluar e le më kombevet, skllevër të kapitalit monopolist dhe neokolonialist botëror.
Ky është realiteti botëror, i cili, po nuk u hap një horizont i ri, nuk e çon asnjë popull në liri e mirëqenie. Voto për cilën parti të duash! Që të gjitha janë BANDA! Në shkallë BOTËRORE!
Tani le të shohim çfarë mund të bëjë „revolucioni demokratik“ shqiptar, duke mbledhur në mes të Tiranës disa dhjetëra mijë tifozë. Them tifozë, sepse shumica e tyre janë thjeshtë turmë dhe s’dinë tjetër, veçse të shajnë Enver Hoxhën dhe t’i quajnë komunistë ata që, edhe në paçin qenë dikur anëtarë të partisë së komunistëvet, komunistë nuk kanë qenë kurrë. Aq më pak, tani që janë bërë kapitalistë, duke zhvatur popullin e vet. Turma e painformuar nuk i dallon këto gjëra, sidomos kur nuk ka kush t’ia bëjë sqarimet.
Partia Demokratike Shqiptare i mblodhi tifozët e vet në Bulevardin „Dëshmorët e Kombit“ dhe nuk pat asgjë të re për t’u thënë. A vërtet do të jetonte më mirë nesër, kur të rrëzohej Ed Rama, ajo turmë që u mblodh aty?! Me përjashtim të një pjese zhvatësish, edhe më të paskrupullt se këta të Socialistes, që të gjithë të tjerët do t’i nënshtroheshin rrumpallës, siç i janë nënshtruar nga nëtëdhjeta e këndej. Madje, do të thosha, nga dita kur vdiq Enveri e këndej.
Por cilët do të ishin faktorët që do ta ngrinin peshë krejt popullin dhe t’i siguronin Partisë Demokratike Shqiptare një fitore të sigurt në zgjedhjet e qershorit?
Duke e konceptuar thjeshtë si një ëndërr të pamundshme, unë po përmend këtu vetëm njërin prej atyre faktorëve.
T’i premtonte popullit që qeveria e saj nuk do të lejonte më të nxirren paratë me thasë nga Republika e Shqipërisë dhe të çohen në shtete të tjerë.
Lidhur me këtë pikë mund dhe duhet të flitet shumë… Mund të flitet për veprimtarinë e bankavet të huaja, të cilat s’kanë ardhur këtu për t’i bërë të lumtur shqiptarët… Mund të flitet për kompanitë e huaja, filluar që nga të quajturit fasonë e deri te nafta, kromi e hekuri, që gjithashtu nuk vijnë në Republikën e Shqipërisë për t’i bërë të lumtur shqiptarët… Mund të flitet për mallrat e importit, të cilët, në të gjithë rastet, kanë këtu çmime më të lartë se në vendet ku prodhohen e, në shumë raste, janë edhe jashtë përdorimit. Bono per Albanesi, siç është rasti me ilaçet për njerëzit, me pesticidet për insektet, me farërat, me plehërat kimikë e deri te veturat, të cilat, në vend që t’i çojnë në hekurishte, ua shesin shqiptarëvet… Mund të flitet, më në fund, edhe për thasët me para që i nxjerrin këndej vetë pushtetmbajtësit tanë të të dyja bandave dhe i çojnë në Qipro a në Panama, vende ku brenda ditës mund t’i humbin që të gjitha.
Nëse PD-ja do të mund t’u thoshte shqiptarëvet që, që nesër asnjë thes me para nuk do të do të çohet më në Rinas, sa votues do të kishte ajo parti?! A do të kish nevojë ajo parti t’u predikonte shqiptarëvet përralla boshe mbi punësimin?! Por PD-ja nuk mund të bëjë premtime të tillë!
Nëse do të donte t’i siguronte vetes fitore bindëse në zgjedhjet e qershorit 2017, PD-ja do të duhej, në radhë të parë, të dilte edhe me një VETËQORTIM të madh e të guximshëm. Duhej t’i thoshte popullit që, ajo parti, në alternim me PS-në „e reformuar“, është fajtore dhe përgjegjëse për BUJQËSINË SHQIPTARE që e lejoi TË SHKATËRROHEJ dhe është fajtore dhe përgjegjëse për INDUSTRINË SHQIPTARE që e lejoi TË SHKATËRROHEJ. Duhej t’i merrte një nga një të gjitha minierat, të gjitha fabrikat, të gjitha uzinat, të gjithë kombinatet dhe t’u kërkonte ndjesë shqiptarëvet, që nuk është treguar kujdestare e mirë ndaj krejt ekonomisë që e trashëgoi prej regjimit të përmbysur. Regjimi qe përmbysur, ekonomia nuk duhej shkatërruar!
Sigurisht, edhe kjo është ëndërr, sepse: Pse u përmbys komunizmi?! Komunizmi u përmbys, sepse ekonomia e komunizmit përbënte rrëzik për kapitalizmin monopolist. Për atë kapitalizëm, i cili e grumbullon gjithë pasurinë botërore në tre ose në pesë për qind të banorëvet.
Megjithkëtë, unë po i rendit, qoftë edhe për erudicion, të paktën disa nga veprat industriale dhe ndonjë prej vepravet bujqësore, që restaurimi i kapitalizmit, ose i shkatërroi tërësisht, ose ua dorëzoi të huajvet, jo për t’i mjelë, por për t’i rrjepur!
Në TIRANË ka pasur dikur një fabrikë çimentoje, ku punësoheshin njerëzit. Ka pasur një fabrikë konservash, një fabrikë për prodhimin e kartonit, një fabrikë këpucësh; kanë ekzistuar: kombinati i materialevet të ndërtimit „Josif Pashko“, uzina e parafabrikimit të apartamentevet, kombinati i prodhimit të tullavet, kombinati i mishit, kombinati i drurit „Misto Mame“, fabrika e birrës, fabrika e porcelanit, fabrika e përpunimit të qumështit, miniera qymyrgurit e Valiasit, fabrika e përpunimit të rrushit, uzina elektroteknike, uzina elektromjekësore, kombinati i auto-traktorëvet, uzina „Enver“, uzina „Partizani“, uzina mekanike „Dinamo“, uzina mekanike e gjeologjisë, një fabrikë qelqi, një fabrikë pijesh, shtypshkonja „Mihal Duri“, shtypshkronja „Bashkimi“, kombinati poligrafik, artistikja „Migjeni“, kombinati i tekstilevet „Stalin“… Një Tiranë, aq e vogël në atë kohë, kish aq shumë industri, sa arrinte t’i punësonte që të gjithë banorët e aftë për punë. Kish edhe kurorën e gjelbër „Gjergj Dimitrov“ rretherrotull, ku përsëri gjenin punë, ata banorë të qytetit që nuk punësoheshin dot në industri. Ekzistonte aty edhe një rrjet tregtie, i cili gjithashtu punësonte shumë njerëz (por jo aq sa të të ngatërrohen këmbët kur kalon rrugës). Kish edhe administratën, si kryeqendër e shtetit, dhe tiranasvet s’u mbetej tjetër të kërkonin, veç BRIRËVET. U hëngrën brirët për kapitalizëm tiranasvet dhe tani mbetën duke bërtitur: „Nano ik! O Sali, hap kutitë!“ dhe „ Edi ik!“
(Duhet të jemi të sigurt që bërtitja e tyre s’ka për të pushuar, deri sa, në shkallë botërore, njerëzimi të gjejë një zgjidhje tjetër.)
Nuk ka qenë e plotësuar me industri (dhe në plotësim e sipër) vetëm Tirana. Ka qenë e plotësuar dhe në plotësim të vazhdueshëm krejt Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, aq sa do të mund të kalonin beza të tërë pa pasur kurrfarë nevoje për të emigruar. Përveç, nëse dikujt do t’i tekej për të kërkuar QIQRA NË HELL.
Bëhuni trima, dilni nëpër vendet ku ka qenë ndërtuar ajo industri, fotografojini gërmadhat, publikojini, pastaj dilni me policë dhe korrni kanabis nëpër korijet e fshehta të këtij vendi! Bëhuni trima dhe thojani të paktën popullit të vet të vërtetën!
Në SHKODËR kish një kombinat të përpunimit të drurit e të letrës, një uzinë për fermentimin e duhanit, një fabrikë cigaresh, një uzinë të mekanikës bujqësore, një fabrikë konservash, një fabrikë të përpunimit të lëkurëvet dhe këpucëvet, një uzinë telash dhe kabllosh elektrikë, një fabrikë të përpunimit të pijevet, një fabrikë të përpunimit të qumështit, një fabrikë sapuni, një kombinat trikotazhi, një fabrikë tullash e tjegullash, një fabrikë të përpunimit të rrushit, një uzinë „Drini“ për pjesë këmbimi të hidrocentralevet, një fabrikë të pëlhuravet. Kish edhe një fermë që quhej „Perlat Rexhepi“ dhe shumë mundësi të tjera punësimi e jetese krejt normale. Tani, shkodranëvet „të mençur“, pasi e kanë shkatërruar të gjithë atë industri e bujqësi, natyrisht që s’u ka mbetur tjetër, veç ta ruajnë Tiranën prej pushtetarëvet socialistë. Po erdhën në Tiranë socialistët, Shkodra mbaron, po erdhën demokratët, Shkodra lulëzon. Kaq arrin mendja e shkodranëvet „të mendçur“.
Në LEZHË, ka pasur një fabrikë letre, më të rëndësishmen në Republikë, një fabrikë tullash dhe tjegullash, një fabrikë vaji të lulediellit, një fabrikë konservash peshku, frutash dhe perimesh, një fabrikë mielli, një fabrikë parafabrikatesh, një stacion të makinavet e traktorëvet, një ofiçinë mekanike. Një bujqësi të shkëlqyer rretherrotull dhe një turizëm për t’u ruajtur tërë jetën në kujtesë… Në SHËNGJIN kish një port detar për transport të brendshëm dhe një ndërmarrje peshkimi me një flotë të vogël anijesh peshkimi. Kish plazhin me disa shtëpi pushimi. Edhe Lezha, edhe Shëngjini, konsideroheshin si dy qendra me perspektivë të madhe zhvillimi.
Në VLORË, ka pasur një fabrikë çimentoje, një kombinat konservash me emrin “Ernest Telman”, një uzinë mekanike “Kastriot Muço”, një fabrikë të përpunimit të lëkurëvet, një uzinë të sodës dhe PVC-së, një fabrikë qelqi, një fabrikë të përpunimit të qumështit, një minierë bitumi (në Selenicë), një fabrikë sapuni, një kombinat trikotazhi, një fabrikë tullash e tjegullash, një fabrikë vaji, një kantinë të verëravet, një industri të veshjevet, një fabrikë të ekstrattaninit, një fabrikë llambash elektrike, një fabrikë trikotazhi, një fabrikë për zhveshjen e orizit, një kripore, një port detar, një flotë peshkimi dhe një turizëm të lakmueshëm. Por vlonjatëvet „të mençur“ u patën mbetur sytë ANDEJ, përtej detit, dhe donin të bëheshin të lumtur, jo me industrinë që ua kish ndërtuar komunizmi, por me „industrinë“ e klandestinëvet. Kapitalizmi i joshi vlonjatët “e mençur” edhe me një tjetër mundësi pasurimi: me “industrinë” “Gjallica”. Më në fund, një përfaqësues i kapitalizmit evropian, u gjeti, vlonjatëvet dhe të gjithë shqiptarëvet, një Zan Çaush, për t’i shpëtuar! (Krhaso, tash, Zan Çaushin me Ismail Qemalin!)
Në HIMARË, kish një fabrikë vaji, një fabrikë të ekstraksionit, një kantinë vere, një fabrikë buke, një punishte konservash, një përpunim të qumështit e të frutavet dhe banorët s’kishin fare nevojë t’i bërtisnin njëri-tjetrit, kush ishte shqiptar e kush ishte “grek”.
Në SARANDË, kish një fabrikë mielli, makaronash dhe biskotash, një fabrikë për konservimin e midhjevet, një punishte për esencat bimore, një ofiçinë, nga më të mëdhatë në vend, për riparimin e automjetevet, një port detar dhe një industri artizanale të qilimavet dhe sixhadevet. Në SASAJ, në Himarën e Poshtme, kish një fabrikë vaji dhe një hidroelektrocentral, në grykëdaljen e një tuneli 2350 të gjatë, që as në Zvicër nuk do ta gjeje. Në DELVINË, kish një fabrikë të përpunimit të ullirit dhe vajravet vegjetalë, një fabrikë të përpunimit të frutavet dhe perimevet, një fabrikë të verës dhe pijevet alkolike, një fabrikë për çembrionizimin e misrit dhe një industri cilësore të mobiljevet.
Në KRUJË, kish një industri artistike që prodhonte qilima, sixhade e artikuj të tjerë të traditës, një industri të veshëmbathjes, një fabrikë të përpunimit të frutavet, një fabrikë të përpunimit të drurit, specializuar për mobileri, një fabrikë mielli, një frigorifer të madh, një ekonomi bujqësore “Mustafa Kaçaçi” me profil kryesor ullirin. Vetë Kruja ishte një dokument i madh historik e kulturor, i rifreskuar në Kohën e Enverit, me monumentin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe me Muzeun e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, nga më mbresëlënësit… Në FUSHË-KRUJË, kish një fabrikë të çimentos, një fabrikë të zhveshjes së orizit, një fabrikë të çembrionizimit të misrit, një fabrikë për tharjen e prodhimevet bujqësorë dhe një institut të foragjerevet dhe kullotavet… Në VORË, kish një fabrikë tullash silikate dhe tjegullash, një fabrikë tubash drenazhimi, një fabrikë uthulle dhe, gjithandej rrehterrotull, një ndërmarrje të madhe bujqësore me emrin “17 Nëntori”… Në LAÇ, kish, në Kohën e Enverit, një kombinat kimiko-metalurgjik të pëmasavet rajonale, që përfshinte: një uzinë superfosfati, një uzinë të shkrirjes së bakrit blister dhe një fabrikë të kuarcitevet; kish një kombinat druri që përfaqësonte 25% të krejt asaj industrie në shkallë Republike, kish një ndërmarrje ndërtimore të pëmasavet të mëdha dhe një park automobilistik të mallravet, i cili, për nga vëllimi i punës, zinte vendin e parë në Republikë dhe, në krejt këto hapësira, Laçi kish një bujqësi të mjaftueshme për vete dhe për të shitur. Merrni guximin, fotografojini dhe publikojini tash rrënojat e industrisë së Laçit!… Në MILOT, kish një fabrikë të verës dhe rakisë, kish një industri të parafabrikatevet dhe një bazë të asfalto-betonit… MAMURRASI ishte qendër e ndërmarrjes bujqësore “Skënderbeu”, e cila kultivonte grurë, miser, sojë, luledielli, kish një kompleks të madh të gjedhit në Shllinzë, shquhej për pemëtari dhe kish shumë vreshta… Në krejt tufën e qytetevet e të qytezavet, Vorë, Krujë, Fushë-Krujë, Mamurras, Laç, Milot, në Kohën e Enverit, kish një rrjet tregtie, ndërtuar për t’u shërbyer banorëvet, ndërsa sot, sabotuar prej atyre që donin t’i shërbenin vetëm vetes dhe që s’arritën t’i shërbejnë as vetes.
Në GJROKASTËR, kish një fabrikë cigaresh nga më cilësoret, kish një fabrikë të prodhimit të pijevet, kish një fabrikë të përpunimit të lëkurëvet, një fabrikë këpucësh, një kombinat të veshjevet e trikotazhit, një fabrikë të përpunimit të rrushit, një uzinë të prodhimevet metalikë, të njohur në shkallë vendi, një industri mekanike dhe një turizëm nga më atraktivët në botë… Në TEPELENË kish një thertore të madhe që furnizonte me mish edhe Tiranën, kish një grumbullim të bimëvet medicinale, një industri të lëndëvet të ndërtimit, një stacion makinash e traktorësh, si kudo nëpër qendra rrethesh, një ekonomi bujqësore, ecila i punësonte të gjithë banorët që nuk punësoheshin dot në industri dhe s’kish nevojë askush për “asistencë sociale”. Shihni sot: Sa familje tepelenase marrin nga një të quajtur “asistencë sociale”, lëmoshë mjerane!?… Në MEMALIAJ, kish një minierë të madhe qymyrguri, kish një fabrikë pasurimi të qymyrgurit dhe fosforitevet, një fabrikë tullash, një ndërmarrje për prodhimin e materialevet të ndërtimit, një park automobilistik, një ndërmarrje të furnizimit të punëtorëvet, një fermë bujqësore që prodhonte zarzavate e perime për punëtorët… Në KËLCYRË kish një industri të prodhimit të pijevet dhe një fabrikë konservash për fruta e perime… Në PËRMET kish një fabrikë të miellit e makaronavet, një fabrikë të përpunimit të rrushit, një repart trikotazhi, një fabrikë tullash e tjegullash dhe një rrjet tregtie të mjaftueshëm për komunitetin, gjithsesi me perspektivë zhvillimi.
Në KUKËS, qytet i ndërtuar i tëri nga fillimi, kish një rrjet tregtie të mjaftueshëm për të furnizuar popullatën, kish miniera kromi në Gjegjan, Gërdheshtë, Shëmri e Kalimash, kish një fabrikë të pasurimit të kromit, kish një fabrikë të përpunimit të rrushit, një ndërmarrje ndërtimore, një industri mekanike dhe një industri të lëndëvet ndërtimore, krejt këto me një numër jo të vogël të punësuarish… Në BAJRAM CURR dhe, kuptohet, në krejt rethin, kish një ndërmarrje bujqësore rentabël, një ndërmarrje gjeologjike, një fabrikë të pijevet, një fabrikë mielli, një fabrikë për tharjen e kumbullës, një park automjetesh dhe një ofiçinë për riparimin e automjetevet, një minierë kromi, një minierë kuarci, një ndërmarrje ndërtimi dhe një rrjet tregtie të kënaqshëm. Me ndërtimin e hidrocentralevet të Fierzës e të Komanit, Bajram Currit dhe krejt rrethit të Tropojës i qenë hapur perspektiva të gjithanshme zhvillimi… Në FUSHË ARRËS të rrethit të Pukës, kish një stabiliment të përpunimit të drurit, të njohur në Republikë, një fabrikë për tharjen e lëndës së sharruar, një fabrikë të kollofonit, dy fabrika pasurimi të bakrit, një fabrikë e fibrës, një park automjetesh. Krejt rrethi kish një ndërmarrje bujqësore dhe 19 kooperativa bujqësore. Banorët e rrethit të Pukës nuk kishin asnjë arsye për t’u larguar prej vendit të vet, nëse nuk do të ish shkatërruar krejt ç’qe ndërtuar nga 1945-a e deri në vitin 1990.
Në ELBASAN, kish një kombinat metalurgjik të përmasavet rajonale, një industri çimentoje, një fabikë të madhe mobiljesh, një uzinë të materialevet zjarrdurues, një fabrikë konservash, një fabrikë të përpunimit të qumështit, një fabrikë sapuni, një fabrikë vaji, një fabrikë duhani, një fabrikë tullash e tjegullash, një industri të veshjevet, një tregti të mjaftueshme për të furnizuar popullatën me ç’t’i nevojitej, një ndërmarrje të madhe ndërtimore… Në CËRRIK kish një industri të përpunimit të naftës, një termoelektrocentral, një stacion të makinavet e traktorëvet, një institut për duhanin dhe një ndërmarrje bujqësore, themeluar qysh në vitin 1945… LIBRAZHDI kish një fabrikë konservash dhe pijesh, një industri të përpunimit të drurit, specializuar për traversa hekurudhash, shtylla minierash dhe voza, kish një stacion të makinavet e traktorëvet, një ndërmarrje pyjore dhe një ndërmarrje bujqësore… PRRENJASI kish minierën e Pishkashit, kish një ndërmarrje të ndërtimit të minieravet, një ofiçinë mekanike, një park automobilistik dhe një rrjet tregtar të mirëfurnizuar. Librazhdi dhe Përrenjasi ishin qytete minierash të hekur-nikelit dhe ndodheshin në një rrugëkalim të rëndësishëm. Nuk po flasim për GRAMSHIN, se atje prodhoheshin fishekë.
Në KORÇË, kish një fabrikë të hershme birre, një fabrikë të përpunimit të lëkurëvet, kish një fabrikë të qelqit dhe fajancës, një fabrikë të përpunimit të qumështit, kish një kantinë vere, një uzinë të instrumentevet të precizionit, një kombinat të madh të trikotazhevet, një minierë qymyri, një ndërmarrje ndërtimi, një park automobilash, një stacion makinash e traktorësh, një fabrikë të konservavet. Unë nuk e di pse duhej të emigronin korçarët, duke pasur gjithë këto mundësi punësimi mu në derë të shtëpisë… Në MALIQ kish një kombinat sheqeri me prodhim të mjaftueshëm për krejt Republikën dhe lënda e parë, panxhari i sheqerit, sigurohej në Fushën e Maliqit dhe në fushat e Elbasanit… Në POGRADEC kish një fabrikë të përpunimit të qumështit, një minierë qymyrguri, një minierë hekur-nikeli, një kombinat trikotazhi, një fabrikë tullash e tjegullash, një kantinë vere, një flotë peshkimi dhe një turizëm elitar… Në ERSEKË kish një fabrikë të përpunimit të qumështit, një fabrikë të blojës, një fabrikë konservimi të frutavet, një ndërmarrje të përpunimit të drurit, kish edhe një minierë qymyrguri në Bezhan… Në LESKOVIK kish një kantinë vere e rakie, një qendër hidrotermale dhe një rrjet regtie të rregullt… Kish në të gjitha këto treva, edhe blegtori, edhe bujqësi, edhe pemëtari të lakmueshme, aq sa askush nuk mbetej pa punë dhe askush nuk vuante për mjetet më të domosdoshëm të jetesës.
Në BERAT kish një kombinat të madh të tekstilevet, në të cilin punësoheshin mbi 20 mijë vetë. Por kish edhe industri tjetër: një fabrikë konservash, një fabrikë të përpunimit të qumështit, një uzinë të pjesëvet të ndërrimit, kryesisht për kombinatin e tekstilevet, një turizëm atraktiv nga më autentikët, një park autobusësh dhe kamionësh… KUÇOVA dhe URA VAJGURORE ishin zona të naftës. (Janë edhe sot, por kush e merr atë naftë?!) Në Kuçovë, që atëherë i thoshin “Qyteti Stalin”, ka pasur edhe një uzinë mekanike për nevojat e industrisë së naftës. ÇOROVODA i kish të gjithë për të punuar e për të jetuar, që s’i kish pasur kurrë më pare, ndërsa POLIÇANI ish qyteti ku prodhoheshin armët.
Në FIER, kish një fabrikë të përpunimit të qumështit, një fabrikë sapuni, një fabrikë tullash e tjegullash, një fabrikë vaji, një kantinë vere, një fabrikë margarine, një uzinë të mekanikës bujqësore, një uzinë plehrash azotikë. Në LUSHNJË ish një fabrikë letre, një uzinë e lëndëvet plastike, një fabrikë tullash, një fabrikë e përpunimit të qumështit, një fabrikë e përpunimit të rrushit. Në RROGOZHINË kish një fabrikë sapuni. Në PATOS ish uzina mekanike e naftës. Në BALLSH ish rafineria e përpunimit të thellë të naftës, ish një fabrikë konservash dhe në të gjithë këta qytete e fshatra kish një tregti të mirorganizuar, si kudo në Republikën e atëhershme Popullore Socialiste të Shqipërisë. I shkatëruan që të gjitha, bandat që erdhën në pushtet, dhe tash hahen njëri me tjetrin.
Në PESHKOPI, kish fabrikë konservash, fabrikë tullash e tjegullash, fabrikë të përpunimit të rrushit. Në BURREL ishte uzina e ferrokromit. (Është edhe sot, por kush e shfrytëzon?), në KLOS të Matit, fabrika e pasurimit të kromit, në KRASTË, fabrika e pasurimit të kromit, në BULQIZË miniera e madhe e kromit, në BATËR minierë kromi, në THEKËN minierë kromi, në KRASTË minierë kromi, në CËRUJË minierë kromi, në SHKALLË minierë kromi, në RUBIK, përpunimi i bakrit dhe flotacioni i metalevet të çmuar. Në krejt këtë hapësirë gjeografike, të quajtur miopisht “Shqipëi Lindore”, por, në të vërtetë, pjesë e Shqipërisë Perendimore, në Kohën e Enverit, qenë krijuar kushte të mirë për të jetuar, falë edhe pasurisë së jashtzakonshme minerare.
Në DURRËS kanë qenë: fabrika e cigarevet, fabrika e gomës, fabrika e konservavet, fabrika e përpunimit të pijevet, fabrika e përpunimit të qumështit, miniera qyymyrit, uzina e radio-televizorëvet, uzina elektro-mekanike, uzina e mekanikës bujqësore… Në KAVAJË, fabrika e konservavet, fabrika e letrës, fabrika e karrikevet, fabrika e qeramikës, fabrika e qelqit, fabrika e vajit… Në SHIJAK, fabrika e konservavet, fabrika e niseshtesë, fabrika e prodhimit të karrovet, qerrevet dhe karrocerivet, reparti i punimevet artistikë, stacioni i makinavet dhe autotraktorëvet, që edhe sot e ka emrin Sëmëtë.
Këtë listë industriale duhej t’ua paraqiste PD-ja shqiptarëvet, duke e marrë fajin mbi vete, pse lejoi që të shkatërrohej, dhe duke thënë, me sinqeritetin më të pastër: S’patëm nga t’ia mbajmë! Dhe e vërteta është pikërisht kjo: S’patën nga t’ia mbajnë, as PD-ja, as PS-ja, filluar që nga Ramiz Alia.
Restaurimi i kapitalizmit kërkonte asgjësimin e ekonomisë komuniste. Perendimi kapitalist fërkonte duart dhe vinte dy lloje kushtesh: Një të hapur dhe një të kamufluar. Kushti i hapur ishte, të denigrohej me të gjitha mënyrat e format sistemi komunist, të shaheshin e të fyheshin, deri në neveri, udhëheqësit e komunizmit. Kushti i kamufluar ishte, të rrënohej, mundësisht deri në lërim të themelevet, si Kartagjena dikur, krejt ekonomia ish-komuniste. Cilado bandë që të vinte në pushtet, duhej t’u nënshtrohej pikërisht këtyre dy kushteve, duke marrë si shpërblim nga një copë kockë edhe për vete.
Rrjedhimisht, as ajo që thashë në fillim, se PD-ja duhej t’u premtonte shqiptarëvet se, tani e tutje, nuk do të lejonte më evadimin e kapitalevet jashtë Republikës së Shqipërisë, nuk është zbatueshme. Duke pranuar „ekonomi të hapur“ dhe „konkurencë të lirë“, vende të vegjël si Republika e Shqipërisë, në fakt, kanë pranuar zhvatjen prej të huajvet më të fuqishëm të çdo gjëje që atyre u pëlqen për ta zhvatur. Gjithë puna është se: Cila prej bandavet tona i reziston sado pak kësaj rrjepjeje.
Pikërisht këtu, shqiptarët duhet të dinë të zgjedhin!
Dhe unë mendoj që, në këtë periudhë kohe, PD-ja as përafërsisht nuk është në gjendje ta ruajë vendin nga të zhveshurit total prej çdo lloj pasurie normale. Ajo që PD-ja flet kundër kanabizimit, s’është veçse luftë për ta pasur vetë kanabisin dhe për ta shfrytëzuar për vete.
PS-ja, të paktën disa gjëra po i bën më mirë se PD-ja. Ajo, doemos, edhe do të pasurohet. Nuk mund të pretendohet që, në një rend kapitalist, partia në pushtet të mos ketë interesa pasurimi. Përndryshe, nuk kish pse të bënte luftë për të marrë pushtetin. Në këto rrethana, të cilat, siç e pamë, nuk varen prej nesh, por prej forcavet më madhore REGRESIVE botërore, ne shtetasvet të Republikës së Shqipërisë s’na mbetet tjetër, veçse të ushqejmë dy dëshira: Të mos ndodhë përçarje, qofte edhe formale, midis Ed Ramës dhe Ilir Metës, dhe të mos e kenë vendosur politikëbërësit perendimorë që ta heqin Ed Ramën.
Gjokë Dabaj, Durrës nga 18 – 22 shkurt 2017