DILAVER GOXHAJ: MOSMARRËVESHJET NË VETËVENDOSJE!

Tiranë, 28 janar 2018: Mosmarrëveshjet e tashme në VV, gjykuar nga deklaratat e Grupazhit separatist nuk janë gjë tjetër veçse një puç i dështuar. E quaj puç për të vetmen arsye se po përdor të njëjtën taktikë e strategji që u përdor nga e ashtuquajtura “Drejtori Politike” e UÇK-së për të marrë në dorë udhëheqjen e LPK-së e duke katapultuar në të një kryetar nga jashtë. Ai puç i tyre ia arriti qëllimit, pasi udhëheqja e vjetër dhe anëtarësia e LPK-së u treguan të butë, duke u justifikuar për të mos u përçarë në mes të luftës, e që përfundoi me shkrirjen e UÇK-së dhe çuarjen e saj në një gjykatë të posaçme ndërkombëtare, si rast unikat në botë që një ushtri fitimtare aleate e institucionit më të madh ushtarak botëror të dënohet pse ka vrarë pushtuesit e vendit të saj.
Me këtë dua të them se të gjithë këta të Grupit dorëheqës nga Lëvizja VV janë futur gradualisht dhe metodikisht në këtë parti, sikundër edhe po japin dorëheqjen në një mënyrë motodike: çdo ditë nga një dorëheqje.
Por puçi i tyre dështoi për të marrë në dorë udhëheqjen e VV dhe kjo, falë faktit që Grupi e la që t’u shpëtonte çasti i përshtatshëm për një përçarje, pasi pranuan referendumin partiak për zgjedhjen e kryetarit dhe nuk thirrën urgjentisht kongres që ta pengonin një gjë të tillë, në kohën që Albini ishte në burg. Në këtë rast anëtarësia e VV u tregua më e qartë dhe më e vendosur se udhëheqja e vjetër dhe anëtarësia e LPK-së. Kjo do të thotë gjithashtu se Albin Kurti kishte nxjerrë mësim nga historia, ndaj dhe u tregua i shkathët duke hedhur menjëherë nga burgu kandidaturën për kryetar të VV.
Mirëpo, duke u dehur nga ai sukses, udhëheqja e VV dhe Albini po tregohet e pazonja për ta zhdukur gjithë atë rrëmujë që është krijuar aktualisht në gjirin e saj. Udhëheqja e saj e sulmuar nga Grupazhi Molliqaj, Ymeri, Ahmeti & Co u tremb dhe pranoi të zhvilloi bisedime me ta, gjë që një gjë e tillë mund të bëhej vetëm në një kongres të jashtëzakonshëm.

Me sa mësuam nga mediat, Grupi separatist, duke mos pranuar zyrtarisht paqen, guxuan dhe paraqitën këto kushte:
1) të mos kandidoi Albin Kurti për kryetar, duke mos thënë asgjë ideore kundër tij,
2) të kandidojnë për kryetar kushdo tjetër veçse themeluesi i VV jo!, 3) mundësishtë të kooptoheshin në udhëheqje disa të tjerë të përzgjedhur prej tyre,
4) të zgjidhej kryetar njëri prej udhëheqësve të këtij Grupi separatist.
Pikërisht këtu fillon lufta. Vetëm të verbërit mund të mos e kuptojnë se ku qëndron puna. Grupi separatist don të godasë: së pari Albinin, duke arritur deri aty sa shpifin e thonë se ai e akuzon Shpend Ametin “agjent të ambasadave” si dhe bëjnë aluzione të poshtra se gjoja në VV “ka ngacmime seksuale”; don të thotë se ata e pranojnë paqen vetëm me kusht që t’u dorëzohen të gjitha pozitat dhe, në këtë mënyrë Vetëvendosja “të bëhet e padëmshme”, e ngjashme me të gjitha partitë e tjera në Kosovë.
Çdo lëshim i mëtejshëm nga ana e udhëheqjes aktuale të VV do të ishte pushtëruese për atë dhe do të diskreditonte fund e krye Kryesinë e tanishme të saj.
Grupi separatist vijon me intensitet të bëjë një polemikë të maskuar, me gënjeshtra e shpifje, e cila është më e keqe se çdo polemikë tjetër, sepse çështja ngatërrohet, iluzionet mbeten të errëta dhe nuk ka mundësi të jepet një përgjigje e drejtpërdrejtë. Si të tillë, ata nuk meritojnë besim politik.
Puna e parë, VV nuk duhet të merret shumë me thashethemet e shpifjet e tyre, pasi do të ishte spostim nga vija dhe lufta e saj politike. Shumë shpejtë do të dalin në dritë dokumenta, dhe atëherë çështja do të bëhet e qartë për të gjithë. Ata le të vazhdojnë punën e tyre të programuar nga të tjerë ustallarë. Të jeni të sigurtë se një ditë do të shterojnë shtrembërimet dhe shpifjet e tyre. Ju bëtë çdo mundësi për të zhdukur këtë mosmarrëveshje, gjë që tregoi se nuk kemi mosmarrëveshje por një veprimtari agjenturore.
Shohim se edhe kryesia e VV nuk po e sqaron plotësisht gjëndjen dhe shkakun e daljes së këtij Grupi dhe nuk po flitet për të metat e punës së tyre gjatë qenies në udhëheqje të organizmave të VV. Pikërisht tashti duhet të shtrohet çështja në mënyrë të prerë, pa humbur kohë.
Duke mos hedhur një parrullë lufte kundër atij Grupi të mirëstrukturuar me kohë, atëherë do të jetë e pashmangshme disfata e plotë e VV:
1) si pasojë e luftës së tërbuar që zhvillon Grupi në fjalë nëpër të gjitha mediat,
2) si pasojë e gjyqeve të inskenuara nga SHIK-u Kadri Veselit dhe policia dhe “drejtësia” e komanduar prej instruktorëve të këtij puçi të dështuar,
3) si pasojë e luftës së Grupit për të fituar organzatat e lëkundshme të VV,
4) Grupazhi ka forca të freskëta e të strukturuara si në pushtet, në polici por edhe nëpër partitë e tjera, duke u shndërruar në një organizatë të fshehtë kundër VV,
5) ata kanë në dispozicion në kohë të pakufizuar të gjitha mediat me shkrim, me zë e me figurë, ndërsa VV nuk ka as edhe një organ propagande të saj që t’u bëjë ballë sulmeve të Grupit,
6) përmes luftës “parimore” ata u shpallin luftë tani titullarëve kryesorë të VV, duke e falsifikuar vijën politike të saj. Kjo është rruga e sigurtë e disfatës nëse VV vijon të heshtë.
Por disfata nuk është aspak e pashmanghme, kjo edhe për faktin se Grupi nuk është tërësishtë i bashkuar. Duke e duruar në heshtje thashethemnajën dhe shpifjet e Grupit, udhëheqja e VV shndërrohet, as më shumë e as më pak, në përhapëse të atyre thashethemeve e shpifjeve.
Prandaj duhet treguar më të rreptë ndaj këtij Grupi: së pari, të përjashtohen ata me vendim kolegjal partie, kështu partia forcohet duke spastruar rradhët e saj. Duke i përjashtuar ata nuk do të kenë më mundësi të flasin në emër të VV. Dhe, së dyti, të thirret sa më shpejt kongresi, e cila është lufta më e ndershme politike.
Lufta në parti i jep asaj forcë dhe jetë. Po të vijohet ky lloj qëndrimi “i butë”, do të krijohet bindja se Grupi ka të drejtë; do të lejoi me kuptue se edhe VV është barazi me politikën e brendshme e të jashtme të derisotme të Qeverisë së Kosovës. Nuk duhet pranuar armëpushim me hipokrizinë dhe çorganizimin. Vetëm me një program lufte përbuzet hipokrizia dhe shpifjet e tyre.
Nuk ka asnjë rrugëdalje tjetër të luftohen grindjet ndryshe, përveçse thirrjes së një kongresi.
Nëse udhëheqja aktuale e VV nuk është gati për një luftë të vendosur e me një vijë krejt të përcaktuar, për një luftë deri në fund – atëherë është mirë që t’ua dorëzojnë Grupit të gjitha menjëherë. Të lejosh një demoralizim të tillë, të biesh në pazarllëqe si deri sot – do të thotë të shkatërrosh gjithë punën 15 vjeçare të VV.
Dhe, megjithëse po shihet se këta njerëz po dalin dhe numri i tyre po shtohet, kurse “zhurma” e kësaj makine, që punon me të gjithë motorrat e saj shtetërore e partiake të Kosovës, të prish kaq shumë nervat, sa që … me të vërtetë nganjëherë të duket se situata në VV është shumë e rëndë.
Në këto kushte duhet zbritur urgjentisht në terren, për t’i dhënë fund në popull përshtjellimit që është krijuar, që po e bën Grupi separatist. Luftë kundër çorganizmit, kjo të jetë detyra më e rëndësishme dhe të organizohet sa më shpejtë kongresi partisë. Qëllimi i kongresit të jetë: të forcohet Kryesia e VV dhe Këshilli i Përgjithshëm (Asambleja). Ose disfatë të plotë, ose të përgatitet menjëherë kongresi. Vetëm ky është shpëtimi.
Nga sa po shihet, separatistët janë rekrutuar në vendet drejtuese të VV me shumë mendjelehtësi. Kjo ka sjellë që edhe Albini të humbasi çdo besim në parashkimet, programet, planet etj., që bën VV, dhe praktika tregon se të gjitha këto përzgjedhje mëndjelehta kanë qenë të kota. Kjo e ka detyruar Albinin që të merret me punë që nuk i përkisnin atij si themelues dhe drejtues kryesor i VV dhe që e ka diktuar me vonesë nëntokën që po i punohej.
Në të vërtetë, që të përzgjedhësh drejtuesit e gjithë niveleve të hierarkisë së partisë (VV), t’i kontrollosh, të përgjigjesh për ta, t’i bashkosh dhe t’i drejtosh në paktikë, – që ta bësh këtë duhet të kesh mundësi të shkosh kudo, të fluturosh, t’i shohësh të gjitha në vend, në punë. Beso dhe kontrollo. Po për këtë duhet një tufë organizatorësh dhe drejtuesish praktikë e të sinqertë. Mirëpo përvoja tregojë se këta i kanë munguar Albinit dhe VV, pavarësishtë se VV ka të tillë, por me sa duket nuk i ka aktivizuar. Pikërisht kjo ështe e gjithë e keqja e VV. Po e përsëris, madje po e shkruaj me shkronja të mëdha, se e gjithë e keqja për VV është kjo: njerëz ka plot dhe njerëz s’ka. Dhe këtë mungesë njerëzish po e shohim gjatë këtij operacioni dimëror që ka për objektiv kryesor Albin Kurtin, sepse tek ai shohin dështimin dhe vdekjen të gjithë parazitët e Kosovë, të majtë e të djathtë, kolaboracionistët e djeshëm e të sotëm e indiferentët, servilët dhe të pakurrizët.
Kur e sheh gjithë këtë rrëmujë që ka mbretëruar në punën e VV, – me të drejtë që shumë prej idealistëve të saj zemërohen aq shumë sa edhe kalojnë kufirin në fjalorin e tyre, gjë që kundërshtarët ua marrin për kapital, ose ua keqinterpretojnë, sikundër bënë pardje Baton Haxhiu e Bilall Sherifi.
Por megjithatë ekziston një shpresë: çështja e VV është çështje e gjallë, derisa ajo rritet në mënyrë të dukshme, e cila doli edhe partia e parë në Kosovë, edhe pse me gjithë këtë rrëmujë. Por ajo do të fermentohet dhe ka për të dalë verë e mirë.
Dalja e këtij Grupi të strukturuar nga kontrabandistët e dikurshëm në LPK, nuk ka pse e çon udhëheqjen e VV në dëshpërim. Kjo e ka zgjidhjen: Zevendësojini sa më parë këta njerëz që janë zgjedhur me mendjelehtësi.
Këtu ka vetëm një rrugëdalje, një rrugëdalje krejt të domosdoshme, të ngutshme në kuptmin më të ngushtë të fjalës, pa e tepëruar aspak – sepse koha nuk prêt dhe armiqtë e VV shtohen edhe ata. Kjo rrugëdalje është, që gjithë anëtarësia e vendosur e VV më në fund të mblidhen, të gjejnë njerëz dhe ta marrin në duart e veta punën udhëheqëse të VV, sepse me të vërtetë që Kosova është e pasur me idealistë më shumë se në çdo kohë, por, më duhet ta them, nuk ka rregull. Po të kishte rregull nuk vendoseshin dy vëllezër, njëri kryetar i VV dhe tjetri kryetar i Kryeqytetit të Kosovës!
VV duhet t’i gjejë njerëzit, sepse njerëz ka, – por duhet edhe t’i mbrojë ata më shumë se sytë e ballit, jo vetëm që t’i mbrojë e t’i ruaj në kuptimin e drejtëpërdrejtë nga provokimet e SHIK-ut të Kadri Veselit dhe policia, por edhe t’i ruaj për këtë punë të ngutshme, të mos i lejoi të merren me detyra të tjera që janë të dobishme në përgjithësi, por të parakohshme.
Nëqoftëse çdo anëtar i VV do të thotë: kjo nuk është puna ime dhe nuk e thotë këtë me zë të lartë; nëse nuk i përvishet kësaj pune me forcë, me fjalë e me shkuarje derë më derë në popull për të sqaruar veprimtarinë minuese të Grupit të madh të infiltruar në krye të VV; nëse nuk shpjegojnë artikujt e udhëheqjes; nëse nuk marrin kërkesat e popullit të theshtë; nëse nuk fillojnë të kritikojnë këta “agjentë” për veprimtarinë e tyre për të pastruar atmosferën e krijuar prej tyre, (sepse anëtarësia ka të drejtë t’i kundërvihet haptas kësaj “agjenture” sepse ajo merr pjesë drejt për së drejti në vetë punën e Lëvizjes) dhe i njeh të gjitha hollësitë e saj më mirë se çdo anëtar i udhëheqjes kryesore; në qoftë se anëtarësia e gjithë nuk e bën këtë, kjo do të thotë se edhe ajo kërkon që ta lerë Udhëheqjen e VV “vetëm me njerëz që vlejnë pak”, e kjo do të ishte fillimi i mbarimit dhe fillimi i lenies së Kosovës të rrëshqasë drejt Serbisë.
Tiranë, 28.01.2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura