Bergamo (Itali), 24. 02. 2017: Të lexosh historinë në përgjithësi, siguron njohuri për ngjarjet, vendet dhe kohërat që janë zhvilluar ndodhitë. Por vjen një kohë dhe lexon historinë e komunitetit dhe ngjarjet e ndodhura në vendin tënd, të trajtuara e të shkruara nga të tjerët, ndjehesh i shtangur, i habitur me mënyrën paraqitjes, tjetërsimin e tyre, ndeshesh me dallime thelbësore, njëanshmëri të neveritshme, shtjellime mashtruese, mjeshtërisht të ndërtuara nga shkruesit e historisë.
Kështu më ndodhi edhe mua, me leximin e një shkrimi historik të ndodhur me banorët e komunitetit të vendit tim. Mbasi e lexova trajtesën historike, të ngjarjeve të vitit 1854, më duhej të bëja një përgënjeshtrim për të spjeguar antagonizmin e dy botkuptimeve fetare të asaj periudhe, mbështetur në trashëgiminë e memorjes time familjare, konkretisht në njohjen e dallimeve fetare dhe me forcat ndërluftuese, të analizuara sipas kohës dhe në vendin e ndodhur, për arsye të sqarimit dhe respektit të së vërtetës.
• Ngjarja i përket gjysëm shekullit të XIX, ku forcat ndërluftuese ishin Rusia e cila mbështetej nga disa vende të të njëjtit besim-ortodoksë, gjë të cilave, propaganda fetare u shkonte për shtat lidhur me angazhimin e komuniteteve ortodokse, jo vetëm në përkrahje të Rusisë, por prej saj ata parashikonin mbështetjen për përfitimet e tyre në shtrirje të hapësirave territoreve të etnive jo-ortokdokse. Kundërshtari ndërluftues ishte perandoria Otomane, e cila ishte drejt rënies së mbretërimit 500 vjeçar, po tkurrej dhe ishte e gatëshme të lëshonte territore të komuniteteve jo turke por të besimit mysliman, për të ruajtur sado pak bërthamën e hapësirës së saj paraperandorake, që do i shërbente për krijimin e shtetit të ri.
• Propaganda Ruse, krahas luftimeve, psikollogjisht realizonte edhe ndërsyrjen kundër komuniteteve të besimeve jo-ortodokse. Fara e përçarjes ndërfetare gjeti kushte të përshtatshme tek komuniteti ortodoks grek, i cili e shihte se mundësia për ekspansion hapësinor i kishte zbritur nga “qielli”, prandaj dhe organizoi pa humbur kohë, luftra në territorin e Çamërisë, Thesalisë dhe Kretës.
• Përpara kësaj gjendjeje, në kushtet kur njëra forcë ndërluftuese po dobësohej, ndërsa forca tjetër po fitonte terren politik, fetar e territor hapësinor; popullsia e Çamërisë u ndodh pa pritur përballë sulmeve të segmenteve të shtetit grek që kjo zonë të bëhej pjesë e tij, duke përdorur dallimin fetar, për përçarjen e komunitetit çam ndërmjet të të njëjtës etni por me besime të ndryshme. Megjithatë besimi fetar, pavarësisht se ishte i ndryshëm, nuk arriti suksesin e parashikuar nga shteti dhe kisha greke, por efektet e asaj propagande i gjejmë tek popullsia me “kombësi” greke, e cila e përdori dhe e përdor edhe sot kundër popullsive autoktone, deri sa i ka shpërngulur pa drejtësisht dhunshëm nga vendi i tyre.
• Parashtrimi i këtij shkrimi historik dhe vargjeve të kënduara nga komuniteti çam i asaj periudhe, bëhet me arësyetimin që të arrihen për tu kuptuar dallimet të cilat u spjeguan më sipër. Të arrijmë të dallojmë se tek vargjet e këngëve popullore nuk është urrejtja ndërfetare e banorëve të Çamërisë (e cila në atë periudhë bëhej e qëllimshme), por ishte synimi grek për të pushtuar territore të komuniteteve jo-greke. Vargjet e më poshtëme qartësojnë më së mirë se trojet e Çamërisë po sulmoheshin padrejtësisht nga kryengritësit grekë me bekimin e shtetit, e cila gjoja luftonte për mbrojtjen e krishtërimit, duke qenë të zellshëm mbasi kishin mbështetjen e krishtërimit Rus.
● Ekzistenca e dy botkuptimeve lidhur me besimet fetare, ku njëri është i natyrshëm, objektiv dhe tjetri i kultivuar, subjektiv, përvoja ka treguar se dialogimet apo bashkëbisedimet ndeshen në kundërshti antagoniste. Njëri botkuptim, duke qenë i natyrshëm, nuk tregon agresivitet ekpansionist, sepse shtrati i tij është i formuar bashkë me krijimin e njeriut dhe territorin e tij; ndërsa botkuptimi tjetër i kultivuar në institucionet kishtare (siç shprehen edhe vetë efendikonjtë), tregohen agresivë, sepse shtrati nuk është formuar mbi reralitetet, si i tillë rrezikon ekzistencën. Prandaj detyrohen ta ruajnë me narçizëm (karakterizohet nga egoizmi, kotësia, krenaria dhe egoizmi), përdorin nihilizmin ( tregonjnë mungesën e besimit në një ose më shumë aspekte të rëndësishme të jetës). Harrojnë se duke mbajtur këto qendrime, arrihet në formën e nihilizmit ekzistencial, i cili thotë se jeta është pa kuptim objektiv.
Gjatë kryengritjeve të shekullit XIX-të, në jugun e Ballkanit, realiteti i qëllimeve të tyre në themel, ishin pa mëdyshje përdorimet abuzive të luftrave fetare, e thënë shkoqur, ishte abuziviteti i përplasjeve mes dy besimeve fetare, kristianizmit dhe islamizmit. Nga studimet dhe hulumtimet e kryera, pa u angazhuar në vlerësimin e përgjithshëm të atyre përplasjeve, në ato luftime dhe kryengritje u keqpërdorën qëllimisht besimet fetare, të cilat u shtrinë padrejtësisht edhe tek popujt etnikë me banime autoktone, por që u luftuan me kriterin e besimit fetar të islamizmit, megjithëse edhe ata luftuan pa dallime fetare kundër pushtuesve të huaj.
Kriteri i luftrave fetare, është përdorur dhe përdoret në vazhdimësi edhe në ditët tona, si i tillë, dashje pa dashje ka marrë rol të rëndësishëm në shoqërinë njerëzore, por që ka sjellë dhe sjell vuajtje, mjerime, emigrime të detyrueshme, shfarosje, plagë të rënda deri në kryerje të gjenocideve.Të gjitha sa trajtohen këtu, na i transmeton të sakta populli çam, me vargjet e më poshtme afro 200 vjeçare, të cilat bëhen të kuptueshme nëse respektohen shtjellimet e mësipërme.
● Në vazhdim le të njihemi me Luftrat dhe kryengritjet e vitit 1854, të cilat na përcillen me vargjet e këngëve të kënduara nga banorët e krahinës së Çamërisë.
Kur shpërtheu lufta e Krimesë, shumë grekë menduan se ishte një mundësi e mirë për të organizuar një luftë në tokat e Çamërisë dhe Thesalisë, me qëllim që ato të bëheshin pjesë e shtetit Grek. Edhe pse shteti grek nën presionin anglez e francez, duhej të ishte neutral, një numër kryengritjesh u organizuan në Epir, Thesali, Kretë me ndihmën e segmenteve të shtetit Grek. Agjentët e Rusisë nxisnin popullin nëpër sheshe, jepnin para dhe armë, ajo ishte e interesuar që të hapej një front tjetër në Ballkan me qëllim që trupat turke të mos ishin të përqëndruara të gjitha në frontin rus.
O shokë e shoqëri,
do t’u them një llahtari (tmerr) (¹),
e paç me këta di si (sy),
kle (ishte) Moskovi sebepli (shkaktari).
Rrëmbeu kriqin e dolli,
këtej Tunës (vend afër Stambollit) ordhit’ hodhi,
i hodhi e i vërviti,
të pabesët në këm’ i griti,
nga Tuna njam (deri) ne Gjiriti.
Më 30 Janar 1854, Spiridon Karaiskaqi (nëntoger në ushtrinë grekë dhe i biri i heroit të pavarësisë greke Jorgo Karaiskaqi) mbajti disa fjalime në fshatrat në lindje të Artës, duke u bërë thirrje njerëzve për t’u ngritur në kryengritje kundër turqve e t’i bashkoheshin Greqisë. Kishte braktisur detyrën e tij dhe i shoqëruar nga disa shokë të besuar, mori me vete edhe 20 mijë dhrahmi që ndodheshin në arkën e korparmatës. Deklaronte që ora e lirisë kish ardhur për të gjithë të krishterët nën zgjedhën e Turqisë, të fitonin lirinë e pavarësinë, se njerëz dhe parà do t’a ndiqnin në këtë luftë. Megjithë zellin e tij vetëm banorët e dy fshatrave e ndoqën dhe tek tuk disa njerëz të tjerë.
Objektivi i parë ishte Arta e cila ra në duart e Karaiskaqit në krye të një force të përbërë nga 2.500 vullnetarë. Ndërkohë, gjenerali grek Teodor Griva (arvanitas) kishte organizuar një bandë prej 300 vullnetarësh në fshatrat e Petës e të Pente Pegadia, po i afrohej Çamërisë së Mesme, afër skajit jugor të së cilës gjëndet edhe fshati Dhragumí. Mulla Qemal Bejdeshati mblodhi bashkëkuftëtarët çamë, që në rast lufte përbënin allajin (mbështetjen) e prirë prej tij dhe u doli përballë sulmuesve grekë, në jug të rrjedhës së lumit Gliq, në afërsi të fshatit me të njëjtin emër. Njëherazi edhe kundërsulmi nga njësi të tjera çame, të udhëhequra nga Hamit bej Çapari, Zejnel Husa etj, armata greke ngadalësoi pak nga pak përparimin, derisa më në fund u ndal në rrjedhën e lumit Kalamà. E sulmur edhe nga luftëtarët e sapo mbërritur nga Labëria, nën drejtimin e Mahmud bej Vlorës, ajo u zmbraps me shpejtësi. Gjatë luftimeve trup me trup, Mulla Qemali ra në btejë, pas disa plagëve të marra nga goditjet e shpatës.
Të xhuma më të xhuma (të premte),
glau (ndodhi-ngjau) e shkreta hata
mulla Qemali u vra
në Nartë, në këshëlla (kështjellë)
vërvitej si ezhdërha (dragua).
Mulla Qemal Bejdeshati,
u bë si që deshi fati,
se të kish ardhur sahati.
U vërvit Qemal shehiti (dëshmor),
kordh e jatagan çi qiti,
«ilerí»(i linduri), fajkoj bërrtiti,
sa mori ibrret (tmerr) jeziti (armiku- i poshtëri),
Grivë qenë e çorroditi,
«rahmë-rahmë» ulëriti.
Përveç Artës, kryengritja shpërtheu gjithashtu në rajonet malore të Epirit, disa qytete ranë në duart e grekëve si Paramëthia, Suli, Camanta e disa fshatra rreth Janinës. Gjithashtu ishte hedhur në kryengritje edhe krahina e Thesalisë. Në Thesali shqiptarët udhëhiqeshin nga Abaz Lalioti nga Llalla, i cili gjatë revolucionit grek braktisi Llallën që gjendej në More dhe u shpërngul në Thesali. Njohja e terrenit, por mbi të gjitha ishte aftësia e tij për të komanduar, zotësia e tij nuk vihej në diskutim, e kishte treguar gjatë revolucionit grek duke i u shkaktuar atyre një sërë humbjesh, e tregoi edhe këtë rradhë në krye të forcave vullnetare shqiptare, duke disiplinuar një trupë të çrregullt, detyroi grekët të ndaleshin deri në ardhjen e përforcimeve e më tej në shuarjen e lëvizjes në Thesali.
Në qytetet kryesore të Greqisë u organizuan komitete lufte për të mbledhur fonde, vullnetarë, armë, kjo gjë ndodhte para syve të autoriteve greke të cilat nuk bënë asgjë për të ndaluar këto veprimtari. Ishin hapur burgjet në disa qytete si në Patra, Mesollongji etj, duke u dhënë mundësi të burgosurve që të kalonin në Çamëri e Thesali me qëllim që të shtohej numri i vullnetarëve, por duke liruar kriminelë ordinerë rritej edhe çorganizimi dhe krimet. Qeveria turke morri masa diplomatike dhe ushtarake. Nga pikëpamja ushtarake derguan forcat e rregullta që ndodheshin në Janinë, u thirrën trupa të tjera nga Manastiri, gjithashtu u mobilizuan vullnetatët nga Labëria e Çamëria.
Dili (dilni) shihni ç’asqer’ vinë?
Vjen Mahmudi me tri milë.
Një numër oficerësh grekë me prejardhje suliote (Nikola Zerva, Noti Boçari, Athanas Kuzonika, Kiço Xhavella, Llambro Ziko), dhanë dorëheqjen nga pozicionet e tyre në ushtrinë greke për t’iu bashkuar kryengritjes. Ndërkohë Arta u rrethua nga 4,600 forca turke të ndihmuara nga artileria e rëndë.
U gre (u ngrit) Llaka, u gre Suli,
kallajxhitë nga Baburi.
Llakë, Sul e Dumeqe,
zunë besë me More.
Jallah gjarpri që i zuri,
kaha Sulejman Behluli,
gjith’ skllev’ e skllava i zuri,
të tërë në kordh’ i vuri.
Vate (shkoi) hëna një mazdrak,
luan hëna me bajrak,
bën fanua (vend) në Sanxhak,
me Moskovin ram në gjak.
Ram në gjak me shqehërinë,
Karadakun e Serbinë,
na kërkojnë Shqipërinë,
raje, çiflik të na binë (bëjnë).
Rrahu (ra, bie) teli për Janinë:
Llakat e Sulit u ngrinë (u ngritën),
u gënjien, u fëllijnë,
janë lidhur me Gërqinë,
ran’ e zunë Çamërinë.
Zunë mesn’ e vilajetit,
Fanarin e bregn’ e detit.
Në mes të marsit numri i kryengritësve i kalonte të 6,000 trupat, kishin pushtuar disa fshatra, burgosnin banorët, vidhnin pronat, pasurinë, thesaret e grave duke i nisur në Greqi. Banorët e këtyre zonave për të mos rënë në duart e banditëve shpërnguleshin në qendrat ku ishin përqëndruar forcat e tjera. Kryengritësit grekë, jo vetëm që sulmonin çamët myslimanë, por edhe çamët e krishterë, tregues i qartë për pushtim territoresh.
Në fillim të marsit, Griva përparoi në drejtim të Meçovës, dhe e pushtoi. Menjëherë filluan vrasjet, vjedhjet dhe djegjet e shtëpive. Ja si i drejtohet populli Çelo Picarit që ishte një nga komandantët e forcave vullnetare labe:
Greu Çelo, bën zananë (zanatin),
gjesh pisqoll’e jataganë,
të bëç dufek me Junanë (grekun)!
Kapetan Griva ka dalë,
bushi vëndin me andarë,
zuri fshatërat me radhë,
u mori shpirtin e mallë.
Griva vet me vllezëri,
bëri vëndin paspurdhi (shkatërroi),
e bëri shkrum’ edhe hi,
nekdo (kudo) gjëmë, nekdo zi.
Ç’e bëtë Çelo Mehmenë,
që të dal’ si ç’kish adenë?!(zakonin)
Del (dil-eja), ore Çelo Mehmeti,
se këtu u bë gazepi
dolli Junani ka deti,
na përvëloi laneti!
Kur u derdh Çelo Picari,
si purtek’u drroth Junani,
në More la vramn’i pari (vrapin),
Grivë derri, kacidhjari (qerosi).
Pashai i Janinës u nis shpejt drejt tij, luftimet zgjatën 48 orë. Në 27 Mars u detyrua të tërhiqej gjatë natës dhe kaloi në Thesali. Në krye të forcave shqiptare ishte Mahmud bej Vlora, i ati i Ismail Qemalit.
Erdhi kartë (letër) nga Meçova,
bën dufek Mahmut bej Vlora,
në male pa tretur bora.
٭٭٭
Sot mbas afro 200 vjetëve, ato këngë arrijnë tek ne (bijtë e atyre banorëve që helmi i gatuar nga ortodoksia greke e përkrahur nga Rusia, Anglia, Franca dhe Turqia, i vrau, i çpronësoi, i shkërmoqi dhe i dëboi dhunshëm nga vendi autokton) për të na treguar thellësitë e urrejtjes të një shteti, i cili u ngrit nga hiçi për interesa të caktuara fetare dhe gjoja për të risjellë në jetë helenizmin e tretur (çdukur) nga Europa shumë shekuj më parë. U krijua një shtet me mentalitetin bizantin, i cili ka emblemë permanente “kryqin dhe shpatën” ndaj popujve fqinj që nuk i nënështrohen bindjeve të tyre etno-fetare.Të sjella sot tek ne, ato këngë mbeten lapidarë gojorë dhe të shkruara, si “thirje” të papushuara, për vigjilencë plotësuese, kujtesa tepër të hidhura dhe prova dëshmije të sakta, akt-akuza në kërkim të vendosjes së drejtësisë.
Shënim:¹)-Fjalët në kllapa mes vargjeve, janë shqipërim i fjalëve të dialektit çam-FD.
Fahri Dahri – Bergamo, më 22 shkurt 2017