Tetovë, 7 mars 2017: Të kesh shtet kombëtar me traditë mbi njëqindvjeçare, me të gjitha institucionet e nevojshme, përfshirë edhe shërbimet diplomatike, të inteligjencies dhe sigurisë kombëtare dhe:
– pjesa dërmuese e ideatorëve të lëvizjes çlirimtare, strategëve dhe komandantëve të luftës të vriten prapa shpine, në prita të kurdisura brenda territoreve me popullsi etnikisht të pastër shqiptare, siç u likuiduan udhëheqësit kryesorë të luftës çlirimtare në Kosovë, më 1998-1999 e më vonë;
– të likuidohen në rrethana të dyshimta, komandantët kryesorë të luftës, kryesisht të ardhur nga viset tjera shqiptare (Shqipëri dhe Kosovë) e gati asnjë nga komandantët udhëheqës vendës, siç ka ndodhur në luftën e vitit 2001 në Maqedoni;
– të kurdisësh kurthin për likuidimin e dhjetëra komandantëve të këtyre luftërave, në gjendje paqeje, në rrethana tepër misterioze, siç ndodhi në Kumanovë më 9-10 maj 2015, kur edhe në çdo vendbanim më të vogël ekzistojnë struktura të organizuara të partive politike të shqiptarëve, në vendbanimet e banuara kryesisht me shqiptarë, ndaj të cilëve duhet të ketë përkujdesje permanente nga partitë politike, institucionet vendëse, institucionet kompetente të shteteve tona dhe shteteve aleate;
– t’ua kënaqësh epshet e shovinistëve më të egër dhe t’ua rritësh ndjenjat nacional-shoviniste gjakpirësve dhe armiqve tanë, duke ua ushqyer bindjen se me tradhti mes vete, shqiptarët mund t’i fusësh në kurthe për pak interesa dhe t’i lidhësh si viçat në kasaphane;
– popullit shqiptar në Maqedoni t’i kurdisen kaq shumë procese të montuara politike dhe ndaj tij të ndërmerren aq shumë ekspedita policore-ushtarake, vrasje, plagosje dhe ndëshkime të rënda, sidomos ndaj qytetarëve të pafajshëm, në kohën kur ekzistojnë gjithë këto struktura politike, institucione shtetërore dhe mediume të panumërta që kontrollohen nga vetë shqiptarët, si mund të shpjegohet kjo pa pjesëmarrjen e vetë shqiptarëve në rrjetet e shërbimeve të spiunazhit të armiqve historikë të kombit dhe shtetit shqiptar?!
Merimanga helmuese e rrjeteve të spiunazhit rus, serb e grek po shtrihet këmbëkryq në institucionet kryesore të shteteve tona dhe strukturat udhëheqëse të subjekteve politike shqiptare, gjithandej!
Mos i vajtoni këta heronj dhe dëshmorë, se po dridhen tokë e qiell nga tmerri dhe trishtimi, o kriminelë, gjakprishur e atdheshitës, deri sa të zbardhet çdo detaj për këtë tradhti të madhe!
Bëje, ose vdis! (Ukshin Hoti)