GJOKË DABAJ: A MBROHEN ME LIGJ VLERAT KOMBËTARE TË KOMBIT SHQIPTAR?!

Durrës, 21 mars 2017: Rasti i zjarrit në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë më nxiti këto ditë ta bëj e ribëj këtë pyetje. U dha lajmi, u muar në intervistë disa herë drejtoresha e Bibliotekës, i dëgjuam deklaratat e saja “qetësuese”, reaguan edhe mjaft njerëz. Por askund nuk dëgjova të ketë arrestuar dikënd policia dhe të ketë nisur prokuroria hetimet mbi shkaktarët, qoftë edhe të vënies në rrëzik “pa dashur” të asaj pasurie kombëtare të pazëvendësueshme.
Dua të them: A ka ligje?! A mbrohen me ligj vlerat kombëtare të Kombit Shqiptar?! Në kodin penal të Republikës së Shqipërisë, në kodin penal të Republikës së Kosovës, por edhe në kodet penalë të shtetevet të tjerë rretherrotull, në territoret e të cilëvet janë përfshirë pjesë të tokës shqiptare, a ka nene që t’i dënojnë dëmtuesit apo shkatërruesit e çfarëdo vlere të kulturës shqiptare?!
Nuk u dogj këtë herë krejt Biblioteka Kombëtare në Tiranë. Po thonë edhe se nuk u dëmtuan aspak fondet që quhen të rëndësishëm. Po sikur të jetë djegur aty, qoftë edhe një libër që mbahet si i vetmi ekzemplar në botë, a do të dënohej dhe sa do të dënohej shkaktari i atij dëmi të pariparueshëm?!
Kalojmë së këndejmi në të tjerë raste. (Ata janë me qindra. S’po s’po i renditim sot këtu, por vetëm po shkojmë nëpër mendje.)

U bë dhe po bëhet shumë zhurmë lidhur me një ambient të arkeologjisë në Durrës. Janë mbuluar aty me beton, pa pikën e vetëdijes kulturore, shumë objekte të lashtësisë sonë. Krim i qartë, lakuriq fare, i kryer pa ndrojtje dhe pa frikë nga ligji, mbi një pjesë shumë të rëndësishme të kulturës sonë! Nuk pamë të arrestohej askush! A thua nuk ka në kodin tonë penal nene, te të cilët do të mund të mbështetej prokuroria?!
Po i lëmë Durrësin dhe Tiranën dhe po dalim jashtë Shqipërisë. Nëse do të binte një zjarr në Bibliotekën e Vatikanit, a ka shteti i Vatikanit kod penal, i cili do t’i dënonte shkaktarët e atij zjarri?! Nëse dikush do të mbulonte me beton qoftë edhe një gur të Koloseut, a ka shteti italian ligje që i dënojnë veprime të tillë?!
Luvrin a e mbrojnë ligjet e Francës, apo edhe ai është lënë nën kujdesin e OJQ-vet?!
Në vendin tonë, dmth në Shqipërinë tonë që fillon në ujërat e Prevezës dhe që ngjitet deri te rrjedha e Nishavës, kanë ndodhur krime pa numër mbi kulturën tonë. Por është vështirë të bëhet dallimi: A kanë dëmtuar më shumë pushtuesit, apo ne vetë?!
Prandaj dhe është e domosdoshme të shtrohet e rishtrohet kjo pyetje: A mbrohen me ligj vlerat kombëtare të Kombit Shqiptar?! Do të doja ta lexoja këtë përgjigje nga juristët.
Nëse do t’i vija zjarrin shtëpisë së fqinjit, e di që dënohem sipas ligjit. Nëse do t’i mbuloja me beton vazot e lulevet te shtëpia e fqinjit, me lule e pa lule, e di që, o do të haja dru prej fqinjit, o do të vinte menjëherë plicia për të më vënë prangat.
Po Vangjushin, po zonjën drejtoreshë të Bibliotekës Kombëtare, pse s’i arrestoi askush?!
Jam i mendimt që ky problem duhet shtruar sa më parë në parlamentet, së pari në Tiranë e në Prishtinë, pastaj edhe në Shkup dhe në njësitë vendore kudo ku organet ligjvënës e ligjzbatues lokalë i kanë shqiptarët. Është pak të themi se është problem shumë i rëndësishëm.
20 mars 2017. Gjokë Dabaj.

News24, Zjarri në Bibliotekën Kombëtare, drejtoresha:

Nuk janë prekur botime të rralla

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura