Shkup, 31 mars 2017: Akademia Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Arteve, me seli në Shkup,
– duke marrë parasysh Deklaratën e partive shqiptare parlamentare në Maqedoni, të nënshkruar në Shkup, më 7 janar 2017, me të cilën përfaqësuesit e tyre janë zotuar se: ,,Përmbushja e këtyre objektivave do të mbikëqyret nëpërmjet krijimit të Tryezës së partive shqiptare parlamentare”;
– duke u bazuar në parimet themelore, sidomos nenin 1 dh 2, të Deklaratës universale për të drejtat e njeriut, të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (10 dhjetor 1948);
– duke marrë parasysh Paktin ndërkombëtar për të drejtat civile dhe politike të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me Rezolutën e saj 2200 A (XXI), të datës 16 dhjetor 1966, të hyrë në fuqi më 23 mars 1976, në nenin 1 të së cilit thuhet: ,,Të gjithë popujt kanë të drejtën e vetëvendosjes. Në bazë të kësaj të drejte, ata e përcaktojnë lirisht statusin e tyre politik dhe ndjekin lirisht zhvillimin e tyre ekonomik, shoqëror dhe kulturor”;
– duke vlerësuar se të gjitha shtetet demokratike duhet t’i respektojnë parimet e Konventës ndërkombëtare për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit racor, duke respektuar sidomos nenin 1 të saj;
– duke u mbështetur në nenin 14, kreun për ndalimin e diskriminimit, të Konventës Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe liritë themelore, të miratuar nga Këshilli i Evropës (Romë, 4 nëntor 1950), në të cilin thuhet: ,,Realizimi i të drejtave dhe lirive të garantuara me këtë Konventë, duhet të sigurohet pa asnjë formë diskriminimi në bazë gjinore, racore, ngjyre të lëkurës, gjuhës, besimit fetar, përcaktimit politik apo çfarëdo bindje tjetër, prejardhje kombëtare ose sociale, përkatësie etnike edhe të pakicave kombëtare, gjendjes materiale, prejardhjes në bazë të lindjes apo cilitdo status tjetër;
– duke pasur parasysh dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, sidomos nenin 20, paragrafi 3, ku thuhet: ,,Programet dhe veprimtaria e shoqatave civile dhe partive politike nuk mund të orientohen drejt rrënimit të dhunshëm të rendit kushtetues të Republikës dhe drejt nxitjes ose thirrjes së agresionit ushtarak, ose nxitjes të mosdurimit dhe urrejtjes kombëtare, racore ose fetare”, si dhe nenin 3, paragrafi 1, pika 2, të Ligjit për partitë politike në Republikën e Maqedonisë, ku thuhet: ,,Veprimtaria e partive politike nuk mund të orientohet drejt nxitjes së urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar, racor dhe fetar”;
– duke marrë për bazë edhe konventat dhe aktet tjera ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut, si dhe aktet e normat pozitive ligjore të miratuara nga organet e pushtetit në Republikën e Maqedonisë, për garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, pa dallim të përkatësisë etnike, fetare dhe gjuhësore;
– duke qenë dëshmitarë, sidomos gjatë ditëve të fundit, se histeria nacional-shoviniste e shprehur kundër shqiptarëve nga një parti politike dhe disa shoqata të qytetarëve në Maqedonia, i kanë plotësuar të gjitha kushtet që organet kompetente të ngrenë procedurë për ndalimin e punës së tyre, për shkak të shkeljes së dispozitave kushtetuese, normave pozitive ligjore dhe konventave ndërkombëtare;
– duke pasur parasysh faktin se, organet kompetente të këtij shteti nuk kanë ndërmarrë masa adekuate në lidhje me këtë çështje tepër të ndjeshme për të sotmen dhe të ardhmen e këtij shteti, duke e rrezikuar me këtë edhe paqen në vend dhe sigurinë ndërkombëtare, me cenimin e normave më elementare të demokracisë, lirive dhe të drejtave themelore të njeriut;
– duke konsideruar se neglizhenca ndaj këtyre akteve antinjerëzore dhe antidemokratike e organeve të pushtetit, me shkeljen e normave elementare të qytetërimit bashkëkohor, parimeve demokratike dhe konceptit të shtetit ligjor, duke mos kontribuar për parandalimin e konflikteve të mundshme ndëretnike, me këtë duke e rrezikuar edhe jetën e qytetarëve, paqen dhe sigurinë e përgjithshme;
U drejtohet:
– organeve të pushtetit në Republikën e Maqedonisë;
– institucioneve ndërkombëtare; si dhe
– partive politike parlamentare të shqiptarëve në Maqedoni, me këtë
A P E L
1. Organet e pushtetit në Republikën e Maqedonisë t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme, në zbatimin e dispozitave të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, për parandalimin e protestave të organizuara ditëve të fundit, në të cilat fyhen rëndë ndjenjat kombëtare të qytetarëve shqiptarë, gjuha shqipe dhe dinjiteti i këtij populli;
2. Prokuroria Publike Speciale t’i ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për fillimin e hetimeve në lidhje me motivet e këtyre protestave, nxitësit dhe organizatorët e tyre, dhe eventualisht ngritjen e padive kundër kryerësve të këtyre veprave penale dhe kundërvajtësve, nga frymëzuesit dhe organizatorët e këtyre protestave;
3. Institucionet ndërkombëtare të ndërmarrin masa parandaluese për qetësimin e situatës së krijuar në këtë shtet, me tendencë të eskalimit në konfliktit të hapur ndëretnik, me të cilin do të rrezikohej paqja në vend dhe siguria në rajon e më gjerë;
4. Partitë politike parlamentare të shqiptarëve në Maqedoni, më së voni deri më 3 prill 2017 (e hënë), të sigurojnë kushte sipas Deklaratës së 7 janarit 2017, për mbledhjen e Tryezës, nga e cila të gjitha subjektet pjesëmarrëse të miratojnë një deklaratë të përbashkët, me të cilën do t’u drejtohen opinionit të brendshëm dhe të jashtëm, organeve të pushtetit në Maqedoni dhe institucioneve ndërkombëtare, për t’ua bërë me dije se, nëse nuk do të ndërpritet vala e këtyre protestave antishqiptare, në afat sa më të shkurtë dhe nuk do të pushojnë obstruksionet për konstituimin e organeve legale dhe legjitime të Parlamentit dhe Qeverisë, këto parti parlamentare të shqiptarëve të marrin vendim ekzekutiv dhe të pakthyeshëm që, partia politike OBRM-PDUKM (VMRO-DPMNE) për shqiptarët në Maqedoni të shpallet e jashtëligjshme, jodemokratike, antishqiptare dhe armiqësore ndaj shtetit dhe qytetarëve të tij. Partitë politike dhe subjektet tjera të shqiptarëve, nga ky moment nuk duhet të pranojnë në asnjë formë dhe me asnjë kusht të bashkëpunojnë me këtë parti politike dhe partitë e shoqatat me orientime antishqiptare dhe antidemokratike, ndryshe, do të vihej seriozisht në pikëpyetje sistemi i organizimit politik në këtë vend, për çka nuk do të mbajnë përgjegjësi partitë politike dhe subjektet tjera të shqiptarëve në Maqedoni.
Kryetari, Prof. Dr. Abdulla Mehmeti – Shkup, 30 mars 2017