Berlin, 2 prill 2017: Ndërsa një mjes me diell lexoja Petrarkën, do të ndalesha disa herë me frymëzim çlirues në vargjet që sikur t’jepnin krahë t’kaloje gropën e thellë të deshpërimit.
“Virtyti kundër barbarisë
Armët do marrë të luftojë
Se vlera antike e trimërisë
Në zemrën italike do rrojë”!
Por, jo! Ishte më shumë një ëndërr, një përftesë, një çast dishrimi…Në një kohë e vend tjetër, Kosovë, vijon të ndodh e kundërta: virtytit i zënë pusi me fjalë, kurthe, gjyqësi politike, me armë e mort…
Planimetria e kartelave të krimit ka parathënë, tashmë, damkën njohëse që duhet të bartin Virtytësit, njëlloj arni të zi hebrenjësh: atyre do tu ndalohet ajo që të tjerëve u lejohet në jetën publike. Posi shenjim i një lisi të gjatë që duhet prerë, për të mos i bërë hije xhuxhëve në ethet e triumfit kënetor.
Në mes të pirgut dertar, Presidenti Hashim, ka tani dhe një tjetër. Të rëndë, më të rëndin e të gjithave: si të reciklojë në pushtet argatërinë e tij politike. Që, ashtu, me imunitet fuqie dhe dëshmi lojaliteti, të shmangë vrânsirat që vijnë…Piramida lëkundet. Si prorë ndër vite, ai nevojitë paterica mbështetëse të cilat dikur i gjente herë me Pacollin (edhepse e cilësonte të “kompromituar” në kohë lufte) e herë me Isanë (edhepse e denigronte si “njeri i së kaluarës”). Etika s’kishte rëndësi. Pushteti justifikonte gjithëçka. Por llogaritë janë turbulluar. Aleancat dridhen. Një pol i ri fuqie mësyen fitueshëm drejt kupolës së vartësve të tij: djemëria gjumëprishëse e Vetëvendosjes! Ndaj ka lëshuar qarkore, njëfarë fermani plot helm, që të mprehen thonjtë për ti përlyer, neveritur, gërrithur, e ilegalizuar…Po a nuk pati dhe më parë përbetime të liga për ti skajuar ata margjinash politike? Ishte një investurë dinake dhe e paftyrë që ti linçonin si ligjthyes, si “armiqë të Republikës” dhe, të tillë, të hidhedhin jashtë rrezes së simpatisë popullore. Mirëpo, meqë kjo nuk doli e mjaftë, rafiniteti i bordellit politik vete tutje: ata duhet të shpallen qytetarë me precedent ligji.
E pastaj, Presidenti, gjithnjë në vijë latimi të taktikës poshtëruese – do të dekretojë largimin e tyre nga Listat zgjedhore. Mbase i famshmi dekriminalizim i arenës politike, mund të mos jetë selektiv. Por ka një dallesë të thellë, gati një greminë që ndanë kampet politike. Ndërkohë që Virtytësit mund të pësojnë pak, Veskqinjtë nuk do ndjejnë prekjen fare, sepse, thjeshtë, banditë janë pothuajse të gjithë, dhe, nga pamundësia e herrjes, mbeten të gjithë në lojën e gjuhës pështymore dhe fushatës ndytësore. Pastaj, së dyti, ndërsa Virtytësit do të ishin viktimë e inskenimeve dhe arbitraritetit politik, të tjerët, Veskqinjtë e shumtë si krimbat, janë përdhosës real të ligjit: me krime politike, hajnie dhe ordinare, mbi të cilat kanë thurë fijet lumnisë së përgjakur. Me gjasë, vetëm në këtë mënyrë ata mund të bëjnë tutje. Porse, rendi i kauzalitetit, i varsisë nyjëtuese të shkak-pasojës provon se, nëse ishte gjaku i tjetrit që do ti ngjiste në fron, do jetë sërish po ai që mund ti rrëzojë prej tij…
“Princi duhet të sundojë ashtu që t’ia kenë frikën, por të mos e urrejnë”. Ndërkaq, ky diferencim finok, i hollë e i epërm machiavelist vështirë të gjejë trollëzim në Kosovë. Sundtarët kanë arritur të bashkojnë dy anët e së keqes: t’jenë të urryer, dhe, njëkohësisht, t’ua kenë frikën, e kjo, nga ana e saj, ndjesinë e parë do t’a bëj të heshtur, të vrarë e të shuar..! Kështu duket rrethi i mbyllur, që thërret në kupë të qiellit elitën e vërtetë, të dijes e flijimit, për reflektim historik.