Tiranë, 26 prill 2017: Sa i takon situatës së sotme politike në Shqipëri, për fat të mirë, ata që kanë qoftë edhe nivelin mediokër të logjikës, i shikojnë dhe i vlerësojnë vetë ngjarjet, e bëjnë vetë analizën. Sepse për fat të mirë tonin e për turpin e botës, “bëmat tona” janë në transmetim të drejtpërdrejtë, 24 orë rresht, kaq ditë. Në këtë vend nuk dallohet fundi i një fushate elektorale nga fillimi i tjetrës.
Por ky shkrim mëton të analizojë atë që thotë në titull:-Frymën. Frymën që një pjesë tonën e mban galiç në trotuar, sa herë që fatet e shqiptarëve në rajon ndodhen në zgrip, sa herë që ata janë gati të ndërtojnë diçka, apo të hedhin një hap më përpara si komb.
…Më 2 korrik të vitit (jo aq të largët) 1990, dita kur nënshkruhej Deklarata e Prishtinës (delegatët e Kuvendit të Kosovës – sh.b), një pjesë e popullit tonë ishte në shesh, në rrugë, në dyert e ambasadave.
Vetëm tre muaj më vonë, në vjeshtën e atij viti, kur Shqipëria ishte me litar në qafë për veten e saj, rrugët e Tiranës u mbushën me serbë shqipfolës (apo me shqiptarë të serbizuar?!), të cilët bënin propagandë rrugëve, por edhe në auditore të ndryshme për të… “përmbysur sistemin”!
Askush, deri sot e këtë ditë nuk mori mundimin e as pati guximin të hetojë e të shpallë publikisht, cilët ishin këta “shqiptarë” që erdhën prej së largu, për të “mirën” tonë?
Pavarësisht se falë kasetave televizive të atyre muajve, të televizionit shqiptar që patëm, del qartë se ai “diktatori i poshtër” Ramiz Alia ua dorëzoi “revolucionarëve” shtetin me çelësa në dorë.
Askush deri sot e këtë ditë nuk mori mundimin (e ndoshta nuk do ta marrë kurrë) të hetojë, kërkojë dhe të nxjerrë shkaqet pse ky vend në 27 vite ka shkuar mbi pesë herë në zgrip të luftës civile.
U mbyll për të mos u hapur kurrë çështja e masakrës së vitit 1997, ku brenda disa ditëve, ja muaj, humbën më shumë se katër mijë jetë njerëzish, shifër që i përligj kushtet e përcaktimit të saj si krim kundër njerëzimit.
Tallja drithëruese, që përligjte këtë krim të shëmtuar ishte etiketimi i saj si… “rebelim komunist”!
Thua se këta njerëz që bënë masakrën nuk kishin emra, nuk kishin adresa banimi e se drejtësia nuk mund t’i gjente e t’i ulte në bankën e drejtësisë?
BILANCI TRAGJIK I FRYMËS…
Ajo frymë që realizoi gjithë këto “bëma”, jo vetëm që nuk e mbështeti UÇK-në qysh në fillimet e saj, por e emërtonte atë në sinkron me termat e propagandës shoviniste të fqinjëve tanë vertikalë, si bandë terroriste, si grupim trafikantësh të drogës dhe të armëve.
U desh të fliste Amerika e ta njihte UÇK-në, e pastaj ajo frymë. Edhe këtë e bëri, pasi për vite të tëra kishte furnizuar makinerinë gjigante ushtarake millosheviçiane me naftë, sjellë nga e gjithë bota, në një kohë që ajo, bota i kishte bërë embargo Serbisë.
Ajo frymë, edhe pasi e njohu UÇK-në, i bënte thirrje asaj që të vinte e të çlironte Shqipërinë (vërtet, nga kush?!), e jo të çlironte Kosovën që ishte nën gijotinën e Millosheviçit.
Ajo frymë ua shiti kosovarëve me lekë, marka, dollarë, dhrahmi, dinarë e gjithfarë monedhash në qarkullim, armët për të luftuar me kuçedrën serbe.
Në një kohë që shteti shqiptar ndër dhjetëravjeçarë kishte prodhuar armë, për hir të së vërtetës, edhe me planifikim për llogari të Kosovës.
Sado që të mundohen ta mohojnë këtë fakt, lakenjtë që i shitën pafundësisht armët këto vite, duke hedhur lekët në xhepat e tyre…
Ajo frymë ishte ajo që u bënte thirrje kosovarëve në eksodin e tyre biblik, që të mos shkonin në Vlorë, pasi Vlora nuk i dashkërka kosovarët!
Ajo frymë mori përsipër dhe realizoi në mënyrë “të shkëlqyer” shkatërrimin e të gjitha simboleve të luftës për liri e pavarësi, si askund në botë, duke filluar që nga bustet, monumentet, lapidarët, deri edhe… dhunimin e varrezave të dëshmorëve!
Si kudo në botë, dëshmorëve dhe heronjve shqiptarë, nazifashistët dhe veglat e tyre u morën jetën.
Kurse ajo frymë, si në asnjë vend tjetër të botës, dëshmorëve dhe heronjve u rrëzoi monumentet dhe u përpoq t’u varrosë emrat, historinë dhe lavdinë.
Ajo frymë u përpoq në mënyrë të përsëritur e për fat pa sukses, të fuste përçarjen ndërkrahinore të vendit…
Shkëndijën e përplasjes në Vlorë e dha shkelmi i një ushtari, i cili nuk ishte ushtar i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, shkelmi që derdhi bidonin me qumësht, që ishte duke shitur “biznesmenia” e moshës së tretë në trotuar.
E këta lloj “ushtarësh” nuk flisnin shqip, por belbëzonin shqip!
Forcat ushtarake që vepronin në ‘97 merrnin urdhër veprimi nga gjeneralë origjinarë të disa krahinave të caktuara, që tanimë dihen e njihen nga të gjithë.
Nuk dihet kush u dogj më shumë; Shqipëria në vitin e gatuar me kujdes – ‘97-të, apo Roma në kohën e Neronit?
Ndoshta asaj fryme duhet t’i njihet e t’i faturohen deri edhe vdekjet e dyshimta e shumë para kohe. Si vdekja e ish-ministrit të Mbrojtjes, ashtu edhe ajo e ish-shefit të famëkeqit SHIK, i cili ishte njëherazi edhe komandanti i operacionit kundër demonstratave të jugut.
Sepse, sa për vrasjen dhe zhdukjen e trupit të të ndjerit Remzi Hoxha, besoj nuk ka më dilema për autorësinë…
Asaj fryme i njihet me zë dhe me figurë, deklarata e 27 dhjetorit të vitit 1995: “Për Kosovën nuk ka shkëputje nga Serbia”.
Ishte ajo frymë, që do të arrestonte komandantin legjendar Adem Jashari në… Shqipëri!
Po ajo frymë, disa herë dhunoi e shkatërroi bustin e Adem Jasharit. Ndërkohë që ngriti monumente për tradhtarët e kombit-shërbëtorë të armiqve me të cilët luftoi Adem Jashari. E ato monumente, sot i ruan me policë dhe me prozhektorë të fortë natën. Përse vallë dhe nga kush? Ç’nevojë kanë të tillë “heronj” t’i ruash nga populli?
Ashtu siç ishte ajo frymë, që e shtriu pushtetin e serbit Fazlliç në të gjithë vendin, duke e ulur këtë të fundit deri edhe në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Ajo frymë, për 25 vite rresht demoralizon dhunshëm njerëzit e mendjes dhe nëpunësit e ndershëm të administratës në vendin tonë. Sepse, thënë në mënyrë figurative, ajo frymë, gomarin e gradon gjeneral dhe gjeneralin e degradon në gomar.
Por, edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, nëse shprehemi mirëfilli, në thelbin e moralit të asaj fabule.
Edhe kur aksidentalisht gradohen e promovohen për gjeneralë burra dhe gra të pastër në figurë e të gatshëm për vetëmohim, ajo frymë kujdeset t’u presë krahët në emër të… “ca sekreteve të fabrikuara (po nga famëkeqi SHIK – edhe pse me emër tjetër) – për të cilat… “nuk jemi të detyruar të shprehemi”.
Dhe këtë “të drejtë” të tyre e kanë përfituar me ligjin që kanë bërë vetë, për veten e tyre, të lutem!
Të cilat na paskan të bëjnë me… “sigurinë kombëtare”! Të asaj sigurie, të cilën dikur na e “siguronte” Fazlliçi! E ç’rëndësi ka emri i viç-it/ave të sotëm?!?
Ajo frymë kultivoi pëlleshëm, cenet e këtij populli: deheroizimin e pështirë të heronjve, nguliti dhe kultivoi, madje e ngritit në art, “besnikërinë e lartë” si tradhti të lartë, ajo frymë simotërzoi besën e kuqe, me pabesinë e zezë.
DHE SOT….
Një herë u ulën bashkë, shqiptarçe, ashtu siç do duhej të ishin ulur qysh para 25 vitesh partitë politike shqiptare në Maqedoni. Edhe pse ia falën Zajevit nja 70 mijë vota, të cilat janë shumë për ligjin elektoral atje e luajnë një rol jo të vogël. Ja të imagjinojmë çfarë realiteti politik do të kishin atje, nëse edhe këto 70 mijë vota do t’i kishin partitë politike shqiptare?
Dhe kaloi në kolaps të plotë shteti maqedonas, duke akuzuar kuptohet, “politikën e Tiranës”, “platformën shqiptare”. Edhe sikur ta kishte bërë këtë politika e Tiranës, do kishte bërë vetëm detyrën që i përcakton hyrja e Kushtetutës (preambula – siç i thonë sot).
Kushedi se kur do të zgjidhet çështja e shtetit maqedonas, por këtu te ne, ajo frymë nuk rri rehat! Ashtu si nga 2 korriku i ‘90-ës e këtej, ajo është ulur galiç, kutullaç, atje mbi pllaka, në shesh.
Në Beograd uturijnë veç të tjerash, edhe motorët e 12 avionëve “Mig 29” – dhuratë e Moskës. Para disa ditësh në një analizë të tijën në faqet e kësaj gazete, profesori i gazetarisë shqiptare dhe diplomati më i mirë ndër të gjallët, zoti Shaban Murati thoshte: “Nuk besoj se armët që vijnë në Serbi nga Rusia kanë për qëllim rritjen e atraksionit turistik të atij vendi…”.
Në Prishtinë, ende zvarriten shumë gjëra, të shumtat për fajin e vetë shqiptarëve. Sepse edhe atje është ajo, fryma…
E fundmja gjë që do t’i interesonte shkruesit të këtyre radhëve, si edhe shumë të tjerëve në këtë vend, do të ishin partitë. Parti borgjeze janë, e në të drejtën e tyre janë.
Sepse dihet, që pas 20-30, ja pas 50 vitesh, këtyre partive do t’u ketë humbur emri edhe në varrezën e përbotshme të politikës.
Madje, edhe atyre forcave politike mercenare, që për hir të pushtetit, nuk e kanë të vështirë ndërrimin e roleve dhe kolltukëve.
Të përjetshëm janë kombi dhe atdheu…
Le ta mbyllim me dy burra të mëdhenj të Amerikës, e cila është “në modë” sot këtu te ne e të cilën e duam, por vetëm kur ajo na përkëdhel veshët e skuqur nga shuplakat që i fusim njëri-tjetrit, si dhe sedrën tonë të sëmurë. Shkrimtari i madh amerikan, Etleri Uilliam Çening, thoshte: “Asgjë nuk i ndihmon të vërtetës, më shumë sesa kundërshtimi i saj”.
Kurse Tomas Xhefersoni, 220 vite më parë, thoshte: “Përdorimi i një pjese të popullit për të mbajtur në vend pjesën tjetër është despotizëm” … Amen!
—————————————————————————————-
ILUTRIMET E PASHTRIKU.ORG
ҪMENDIA E FRYMËS…!