Durrës, 26 prill 2017: (“Përralla – Livadhi në mal” – libër i shkruar nga Xhevahir Cirongu) – Fëmijët e vegjël tani do të ken në dorë një libër të ri dhe do të kënaqen me rrëfenja e përralla të bukura të shkruar me aq dashuri e përkujdesje nga shkrimtari i njohur Xhevahir Cirongu. Pas shumë shkrimeve të publikuar në shtypin e shkruar dhe në faqet e internetit, Xhevahiri guxon e provon të futet në livadhin dhe lëndinat e letërsisë për fëmijë, duke sjellë e mbjellë edhe disa lule të tjera plot gjyra dhe erëmirë.
Të shkruash për fëmijët, në pamje të parë duket e lehtë, po nuk është kështu, përkundrazi shumë e vështirë, kështu kanë thënë më parë ustallarët e kësaj gjinie të letërsisë. Vetëm kur ulesh, provon dhe hedh në letër fjalitë e para, kupton se sa e vështirë është të hysh në botën e fëmijëve, të gjesh fjalët e duhura që ata t’i përjetojnë ngjarjet dhe të mbushësh mendjen dhe shpirtin e tyre, me ndjesi e guxim, ëndërra e fantazi, mençuri e trimëri, durim e maturi, për shokun e mikun, nderim e miqësi. Po kaq e vështirë është të bësh, që të pranojnë e të mësojnë nga gabimet, të dënojnë sjelljet e shëmtuara e teprimet, duke ngjallur përbuzje e neveri për të ligun, të keqin dhe armikun, gënjeshtarin e tinëzarin, hajdutin, kusarin dhe tradhëtarin.
Të hysh në botën e fëmijëve kërkon së pari, t’i duash ata me shpirt e zemër, në të kundërtën as mos e merr mundimin të mendosh për ta, e më pak të shkruash. Së dyti, mbase më e vështira, duhet të bëhesh edhe një herë i vogël, me mendësitë, dëshirat, çapkënllëqet dhe fantazinë e moshës. Në këtë libër të vogël, edhe Xhevahiri provon të jetë edhe një herë i vogël, ndaj me shumë durim i merr për dore “shokët e vegjël” dhe i shëtit nëpër vendet, malet e kodrinat, pyjet, pemët e korijet, lumenjtë, përrenjtë e burimet. Ai nuk lodhet duke vrapuar e mbledhur fruta e lule, më pas freskon fytyrën dhe ulet të shuajë etjen duke e vë buzet në pasqyrën e burimit të ftohtë e të kulluar.
Shkrimtari është dhe bëhet i besueshëm sepse lëviz pikërisht aty ku ka kaluar edhe vetë, këput lule dhe gjethe, dëgjon gurgullimën e ujit që rrjedh, fëshfërimën e drurëve e të shkurreve, bashkë me ta edhe këngën e zogjëve, takon kafshë, shpendë, zvarranikë e plot gjallesa, që i njeh mirë, “bisedon” me ta duke ia ditur edhe gjuhën e tyre.
Në kët libër të bukur gjejmë edhe njohuri e fjalë të panjohura për fëmijët që jetojnë në qytete, ku lidhjet me natyrën janë më të kufizuara e më të pakta. Shkrimtari me delikatesë na kujton fjalë të harruara edhe nga të rriturit. Po sjell disa vogëlima të bukura sa për kujtesë: eshka, gurri i starllit, masati, çibuku, vegla që i përdorin sot vetëm barinjtë që kullosin bagëtinë nëpër bjeshkë e kodrina, ose pleqtë që nuk u ndahet shpirti nga bukuritë dhe shija e veprimeve të rinisë. Po kështu me mjaft kulturë biollogjike, na rrëfen pjesë nga jeta e gjallesave, si gjarpëri nën gur, foletë e pëllumbave të egër nëpër zgavrat e gurëve, jeta e vetmuar e nepërkës së shullërit, helmi i fortë i akrepit bisht’harkuar etj, etj.
I mbetet lexuesit të vogël që të bëjë vlerësimin e këtij libri, megjithse unë jam i bindur se do t’u pëlqejë e s’do ta lëshoni nga dora dhe do ta bisedoni mes shkokësh, mbase edhe mësuesin dhe me prindërit.
Po kshtu i takon edhe familjarëve, vëllezërve dhe motrave në shtëpi, që të japin vlerësimin dhe gjykimin, për dobinë edukative të rrëfenjave, të cilat i bëjnë fëmijët më të mirë, më të ditur, më punëtorë, më të zotë, më të sjellshëm dhe qytetarë të mirë.
Kadri Tarelli
Durrës, më 13. 06. 2016.
Postime të Lidhura
PROF.MURAT GECAJ: PRANVERA GJONI, VJEN NGA BELGJIKA DHE PËRURON DY LIBRA POETIKË NË TIRANË
Tiranë, 21. 10. 2016: 1. Kisha shumë vite pa e vizituar ish-Kinostudion “Shqipëria e re”, ku tani ndodhet…
ARBEN GASHI: BEHIDE HASANAJ – NJË JETË VEPRIMTARI HUMANITARE
Gjermani, 14 prill 2017: Më 2 prill 2017, në Velbert – Metman të Gjermanisë, veprimtari Arben Gashi në…
FATON MEHMETAJ: KUMTESË NË KONFERENCËN NDËRKOMBËTARE “LAGJJA SHQIPTARE” (*)
(Pashtriku.org, 13. 07. 2012) – Të nderuar organizatorë të kësaj konference ndërkombëtare, Të nderuar të pranishëm, Zonja e…
AHMET SELMANI: MOIKOM ZEQO, SINOPSI I DYZUAR MES AUTORIT DHE LEXUESIT
Pashtriku.org, 05. 02. 2013 – (Moikom Zeqo: “Libri i Sinopseve”, botoi “Uegen”, Tiranë 2012) – Teksa i lexojmë…