SHERADIN BERISHA: BERATI – QYTET MUZE

(Pashtriku.org, 29. 09. 2012) – Qyteti i Beratit ndodhet në Shqipërinë Jug-Qëndrore, 120 km në jug të Tiranës. Në lindje kufizohet me Rrethin e Skraparit, juglindje me Rrethin e Përmetit, në jug me atë të Tepelenës, në perëndim me rrethin e Mallakastrës dhe atë të Fierit, në veriperëndim me rrethin e Lushnjës dhe atë të Kuçovës, kurse në veri me rrethin e Elbasanit e në verilindje me atë të Gramshit. Qyteti i Beratit përshkohet nga Lumi Osum me gjatësi 125 km. Lumi i Osumit buron nga Malësia e Vithkuqit në lartësinë 1050 m mbi nivelin e detit dhe përfundon në fshatin Arëz 17.5 m mbi nivelin e detit ku bashkohet me Devollin për të formuar Semanin. Për më tepër, Qyteti i Beratit gjendet në buzë të fushës pjellore të Myzeqesë dhe në skajin perëndimor të luginës së Osumit në vendin ku lumi, duke çarë pengesën e fundit të zonës malore, krijon një grykë të ngushtë. Në mjedisin natyror të Beratit dallohen: zona fushore e kodrinore e Beratit dhe e Kuçovës, mali i Tomorit (Lindje, 2417 m) dhe ai i Shpiragut (Perëndim, 1218 m) si edhe lugina e Osumit dhe e Tomoricës. Zona fushore dhe ajo kodrinore janë baza e zhvillimit të prodhimit bujqësor, ndërsa malet dhe luginat përfaqësojnë burime të mëdha pyjore, kullosore dhe hidrike, ende të pashfrytëzuara si potenciale të rëndësishme të zhvillimit ekonomik e mjedisor.
Berati në antikitet
Kalaja e Beratit është i vendosur në anën e djathtë të rrjedhjes së lumit Osum, aty ku lugina arrin dhe formon një grykë të ngushtë rreth 50-60 m. kodra mbi të cilën ngrihet fortifikimi (kalaja) arrin një lartësi prej 187m mbi nivelin e detit dhe ka një formë trekëndore të çrregullt, të ngjashëm me fortifikimin e Bylisit. Pozicioni strategjik i kalasë së Beratit bënte të mundur kalimin e rrugëve në antikitet nga krahinat e brendshme të luginës së Osumit drejt fushës së Myzeqes, ku gjendeshin qytete dhe qendra të mëdha tregtare si Apollonia. Vendbanimi i hershëm antik në Kala shtrihej pak a shumë në linjat e sotme të mureve dhe kullave mesjetare. Berati u përket qyteteve të rrallë ku jeta fillon qysh në lashtësinë e thellë (parahistorike) dhe vazhdon pa u ndërprerë deri më sot. Zbulimi i dy çekanëve prej guri dhe mbetjeve metalike (përbërë prej bakri dhe bronzi) në muret e kështjellës, që i përkasin periudhës së bronxit, (2400-1800 vjet p.e.s.), dëshmojnë origjinën e vjetër të qytetit. (1)
Dëshmitë arkeologjike tregojnë se në shek. VII-VI p.e.s. këtu është zhvilluar një vendbanim paraqytetar, me punishtet e tij të qeramikës dhe me një jetë shoqërore të diferencuar. Në kufijtë e legjendës dhe të historisë, ky vendbanim thuhet të ketë qenë Orestiada e lashtë, i quajtur kështu ngaqë aty banonin një fis i pellazgëve, orestët, i pari i të cilëve ishte Oresti, i biri i Agamemnonit. Qyteti i mirëfilltë u themelua më 313-310 p.e.s. si qytet-kështjellë i Dasaretisë, i quajtur Antipatrea nga mbreti Kasandër në kujtim të gjeneralit mëkëmbës të Lekës së Madh. Ky është emri i parë i qytetit. Autori antik i cili e përmend për herë të parë Antipatrean është Polibi në vitin 216 p.e.s. (Polibius, V.108.2 cituar në Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë, fq.59). Disa vite më vonë pikërisht në vitin 200 autori Romak Tit Livi (Livius, XXXI, 27. Po aty fq.107) përshkruan në shkrimet e tij se qyteti u shndërrua në shesh luftimi midis Romakëve dhe Maqedonasve. Sipas autorit antik Tit Livit në luftërat Romako-Maqedonase të vitit 200 p.e.s. ushtria romake rrethoi Antipatrean “Konsulli romak Sulpici dërgoi kundër Antipatreas Legatin e tij, Luc Apustin i cili i vrau banorët nga 16 vjeç e lart, e lëshoi ushtrinë për plaçkë, i prishi muret dhe i vuri zjarr qytetit”. (2)

Kalaja e Beratit.

……………………………………..

Për Kalanë e Beratit kanë shkruar edhe shumë studiues dhe udhëtarë tjerë të huaj. Autorë të ndryshëm si Farlati, Pukëvili, Liku, Batifoli, Prashniker, Edward Lear, Evlyiha Ҫelebi etj., kanë lënë shënime për këtë kala. Prashnikeri ka qenë i pari që konstatoi gjurmët e ndërtimeve të lashta, ai shtroi hipotezën, “se muret mesjetare ndjekin konturet antike” dhe që rrënojat e Antipatreas Ilire ishte Kalaja e Beratit. Në vitin 1848 gjatë një vizite që i bëri Beratit piktori anglez Edward Lear, shkruan: “…hymë në këtë vend mrekullisht piktoresk që, sado madhështor e kisha përfytyruar, e tejkalonte ku e ku imagjinatën time”. Në vitin 1760, Beratin e vizitoi E. Ҫelebi, dhe me këtë rast shkruan: “… Gurët e themeleve të kësaj porte janë kaq të mëdhenj sa barazohen me trupin e një Elefanti. Gurë të tillë gjenden vetëm në Jerusalem. Është një Kështjellë e bukur”. (3)
Berati gjatë pushtimit romak, bizantin e bullgarë
Pas pushtimit romak në shek. II p.e.s. Berati u quajt Albanorum Oppidium që në shqip përkthehet Fortesa e Arbërve. Periudha Romake ka kaluar pa i regjistruar shumë ngjarje të rëndësishme. Vetëm në mesin e shekullit të V-të Perandori Bizantin Teodos i II-ti kreu punime rindërtimi dhe fortifikimi në kala, të cilat u vazhduan nga motra e tij Perandoresha Pulheria. Do të jetë pikërisht kjo e fundit që në vitin 453 do ta pagëzojë qytetin me emrin e ri Pulheriopolis që do të thotë Qytet i bukur. Midis studiuesve, Farlati është i pari që mbron tezën e identifikimit të Kalasë së Beratit me Pulheriopolis. Me këtë emërtim Berati përmendet edhe në udhërrëfyesin e Hieroklit (4) si një ndër nëntë qytetet kryesore të provincës bizantine të Epirit të Ri. Një shekull me vonë do të përmendet nga Prokopi i Çezaresë (5) si një ndër 48 ndërtimet e Perandorit Justinian në Epirin e Ri. (6) Berati me këtë emër (Pulheriopolis) do të quhet deri në shekullin e IX.
Në vitet 860-927 qyteti pushtohet për herë të parë nga bullgarët. Gjatë viteve 927-976, në qytet rivendoset sundimi bizantin, ndërkaq nga viti 976-1018, bullgarët pushtojnë për herë të dytë qytetin. Gjatë kësaj periudhe qyteti do të shndërrohet në njërën prej qëndrave të kësaj Perandorie në Arbëri (Shqipëri). Veçoria kryesore e administrimit bullgar ishte shndërrimi i emrave të vendeve, nga emrat e vjetër në emra sllavë. Ndër të parët që patën këtë fat ishte edhe qyteti në fjalë i cili u quajt Belgrad (qytet i bardhë). Me këtë emër ai përmendet për herë të parë në letrën që Papa Mikeli VIII-të i dërgoi mbretit bullgar Borisit më vonë Berati (ACTA ET DIPLOMATA, DOC 55). Me largimin e bullgarëve në vitin 1018 qyteti iu rikthye përsëri Bizantit. Ndërsa një shekull më vonë ju bashkangjit territoreve të Despotatit të Artës. Do të ishte pikërisht kreu i parë i këtij shteti Despoti Mikel i I-rë, i cili do të parapëlqente atë si rezistencë të re të tij. (7) Në kështjellën e Beratit ai do të gjej vdekjen në një natë të errët të vitit 1216 kur vrastare e komplotistëve të drejtuar nga, vëllai Teodori do t’i japë fund jetës së tij. Në vitin 1280 Kështjella u mbajt e rrethuar për gjashtë muaj me radhë nga anzhuinët e Mbretërisë së Napolit, por nuk arritën dot ta pushtojnë. (8)
Berati nën administrimin e principatës Muzakaj
Një kohë Berati kaloj nën pushtimin e Mbretit Serb Stefan Dushanit, ndërsa nga viti 1335 – 1417 (shek.XII-XIV) ky qytet do të kthehet në qendër të principatës shqiptare të Muzakajve të udhëhequr nga Teodor Koron Muzaka, pjesëmarrës dhe aleat i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Kuvendin e Madh të Besëlidhjes në Lezhë (02 mars 1444). Ishte Princi Andrea II-të që ia mori Beratin me forcën e amëve komandantit Serb Jovan Komnen Asenit, kunatit të perandorit Serb Stefan Dushanit. Gjatë Principatës së Muzakajve në vitin 1356, pasardhësi i Car Stefan Dushanit, Uroshi sulmoi Beratin. Një dokument i kohës diptiku (ungjilli) i Manastirit të Shën Gjergjit e përshkruan kështu këtë ngjarje: “Kur serbët pushtuan Beratin, plaçkisnin dhe varnin nga të dyja anët e rrugës jashtë kalasë, por shpëtoi e gjithë kalaja”, të cilën serbët nuk arritën dot ta pushtojnë. (9)
Nën zotërimin e Muzakajve, qyteti filloi të shtrihej jashtë mureve të kështjellës. Në këtë kohë Berati arrin shtrirjen më të madhe territoriale, zhvillohet dhe bëhet një qendër e rëndësishme ekonomike, tregtare, administrative e kulturore. Pas një dominimi afro 70 vjeçar familja Muzakaj do të detyrohet t’ia dorëzojë Beratin ushtrisë osmane në vitin 1417. Nga kryengritja e vitit 1433-1435 Teodor Muzaka i riu ia mori qytetin e Beratit osmanëve dhe ringriti Principatën e Muzakajve. Në vitin 1438 ai (Teodor Muzaka i riu) u rrethua në kështjellën e Beratit nga osmanët. Rrethimi zgjati shtatë muaj ku qyteti u godit për herë të parë me artileri. Pasi nuk e mori dot Beratin Komandanti osman Turhan Pasha bëri një masakër në Myzeqe duke ngritur një piramidë me koka të prera. Më 26 korrik 1455, Berati u ripushtua nga osmanët, dhe kjo ngjarje në histori njihet me emrin “Beteja humbëse e Beratit”. (10)

Pamja e kalasë së Beratit nga ajri.

……………………………………….

Berati nën sundimin osman
Periudha e sundimit osman do të jetë një ndër më të gjatat, duke i dhënë atij formën e emrit të sotëm Berat dhe karakteristikat e botës së Orientit. Në shek. XVII ai vazhdonte të ishte qyteti më i madh i Shqipërisë, me 500 shtëpi të shpërndara në 30 lagje dhe me 5 medrese. Berati në këtë kohë bëhet qendra kryesore ekonomike e vendit, me zhvillim të madh të zejtarisë e të tregtisë. Tani Berati ishte kryeqendra e sanxhakut të Vlorës të përbërë nga kazatë e: Myzeqesë, Tomoricës, Skraparit, Përmetit, Pogonit, Tepelenës e Vlorës. Në Berat tregtonin mallrat e tyre tregtarë të huaj.
Lulëzimi i fundit i fortifikimit të Kalasë së Beratit i përket periudhës së pashallëqeve shqiptare. Në shek. XVIII (1774 – 1787) Berati bëhet qendër e pashallëkut të madh të Ahmet Kurt Pashës. Gjatë kësaj kohe në qytet janë kryer ndërtime të rëndësishme si: Teqeja Helvetie, Ura e Goricës, janë ndërtuar disa kisha si dhe është bërë rikonstruksioni i kështjellës dhe i urës. Kjo faktohet nga kronika e Kostandin Beratasit, nga e cila mësohet se Ahmet Kurt Pasha (Pasha i madh në Berat në këtë periudhë) e rindërton kalanë më 1768, duke vënë të punojnë mbi 5 muaj 450 ustallarë. (11)
Nga viti 1787 – 1809, pas vdekjes së Ahmet Kurt Pashës, qyteti kalon nën administrimin e Ibrahim Pashës, ndërsa nga 1809 Ali Pashë Tepelena e bashkoi Pashallëkun e Beratit me pashallëkun e tij të Janinës. Në këtë kohë përforcohen muret dhe kullat e kështjellës në anën jugore të saj. Në këtë periudhë tregtarët e mëdhenj beratas kishin marrëdhënie me Venetikun, Triesten, Raguzën, Ankonën, Korfuzin, Maltën, Aleksandrinë, Izmirin, Selanikun, Stambollin, Sofien, Nishin, Belgradin, etj. Berati përdorte dy skela: Vlorën dhe Durrësin. Ai ishte bërë kështu kryeqendër e një sistemi të madh ndërkrahinor. Tregtarët beratas kishin agjencitë e tyre në Durrës, Vlorë, Elbasan, Korçë, ndërsa tregtarët e mëdhenj shkodranë kishin në Berat agjencinë e tyre tregtare. (12)
Berati mori pamjen e sotme në shek. XVIII dhe sidomos në shek. XIX, pas tërmetit të vitit 1854, i cili shkatërron këtë qytet. Në fund të viteve 30 të shek. XIX Berati kishte 8000 banorë dhe si të gjithë qytetet e tjerë ruante karakterin e ekonomisë së vogël zejtare. Tashmë ishin shfaqur punishtet e tipit të manifakturave, por ende të paçliruara nga normat tradicionale esnafore. Nga mesi i shek. XIX Berati zinte vendin e dytë pas Shkodrës për fuqinë ekonomike të tregtarëve të mëdhenj, të cilët kishin korrespondentë ose agjenci në Durrës e Vlorë si edhe në Trieste, Korfuz e Maltë. Ekzistonin punishte me 5 deri 10 krahë pune dhe disa fabrika të vogla mielli e vaji. Në fund të viteve 1800 në qytet kishte 820 punishte zejtare e dyqane, duke qenë kështu qendra më e lulëzuar ekonomike, tregtare e kulturore e Shqipërisë së Jugut. Deri në mes të shek. XX në Berat ekzistonin ende tre tregje të gjerë të cilët funksiononin rregullisht çdo të shtunë: Pazari i misrit, Pazari i bulmetit dhe Pazari i gjësë së gjallë. Tregu kishte 4 qendra kryesore: të opingarëve, të mestexhijve, të tabakëve dhe të kazanxhijve. Ekzistonte edhe tregu i ri, me 100 dyqane moderne ku përfaqësoheshin të gjitha llojet e tregtive. Për nga numri i zejtarëve Berati ishte në vend të parë; ushtroheshin rreth 23 lloj zeje. Çdo zeje sistemohej në një rrugë të cilës i jepte emrin. Deri në gjysmën e dytë të shek. XX vazhdonin të ekzistonin rrugët e:kazanxhinjve, bakërxhinjve, xhokaxhinjve, leshpunuesve, rrobaqepësve, kazazëve (qëndistarë), argjendarëve, armëtarëve, opingarëve, kujinxhinjve, samarxhinjve, etj. (13)
Struktura e Kalasë së Beratit
Një nga monumentet më të bukur, më të mëdha dhe më të rëndësishëm të historisë dhe kulturës shqiptare është padyshim kalaja e Beratit.
Periudhat e ndërtimit të kalasë së Beratit mund të grupohen si vijon:
I. Periudha Ilire;
II. Periudha bizantine;
III. Periudha e principatave feudale shqiptare;
IV. Periudha e hershme e pushtimit turk;
V. Periudha e hershme e pashallëqeve të medha.

Në rrethimin e Kalasë së Beratit dallohen mjaft mirë këto faza ndërtimi, muret ilire që i përkasin shek.IV p.e.s. dhe përfaqësojnë zanafillën e qytetit, ndërtimet e periudhës së principatave dhe periudha e pushtimit osman. Brenda mureve të kalasë ka gjurmë të ndërtimeve paleokristiane, mbi të cilat qendrojnë ndërtime të shek.XVI. Ndërtimet ekzistuese, që ruajnë fizionomi të plotë dhe në ditët tona janë kishat bizantine të shek.XIII-XIV, xhamitë e shek.XV, kishat e shek.XVI dhe banesat e shek.XVIII-XIX. (14)
Me formën e saj të spikatur në trajtë trekëndëshi kalaja (siç theksuam në fillim), ngrihet mbi një kodër të lartë 187 m, e cila ndodhet në bregun e djathtë të lumit Osum, duke dominuar luginën e tij (15) Në të kaluarën siguria e kësaj kështjelle ka qënë maksimale, sepse projektuesit e saj e ndërtuan pikërisht në këtë kodër ku ana jugore bie thikë mbi Osum, anët lindore dhe perëndimore kanë pjerrësi të madhe, ndërsa në anën veriore kodra ulet ëmbël drejt qafës së Biftës, duke siguruar komunikimin.
Muret kanë një perimetër prej 1400m, brinja lindore e këtij trekëndëshi është e gjatë 620m ndërsa dy tjerat janë të barabarta dhe janë të gjata 410 m. (16)
Ndryshe nga kështjellat e tjera kalaja e Beratit ka qenë e pajisur me 24 kulla të cilat emërtohen sot me emrin turk Tabje. Së bashku me muret ato i përkasin periudhave të ndryshme të ndërtimit që nisin qysh nga antikiteti i vona (shek.IV p.e.s) dhe përfundojnë gjatë kohës së sundimit të Ali Pashë Tepelenës (1813-1821). Kullat në gjithë perimetrin e murit janë ndërtuar në përshtatje me terrenin e kodrës. Format e kullave janë nga më të ndryshmet, katrore, pykë, forëm U-je, etj. Brenda sipërfaqes prej 9.6 ha të kalasë ndodhen disa kisha, një pjesë e të cilave rrënojë, Sarajet turke, rrënojat e dy xhamive, sternat e ujit të quajtura Saranxha, sheshi i Sallabandës, sheshi i quajtur fusha e madhe etj. Ndërkohë që pjesën më të madhe të këtij oborrit të brendshëm e zënë një sërë rrugicash, kopshtesh, baçesh dhe shtëpi banimi të cilat përbëjnë lagjen e quajtur kala. Arkeologu Altin Behari (ciceron në kala) thotë se dikur në Kala kanë ekzistuar 42 kisha ndërsa sot ruhen vetëm 8. Më të hershmet i përkasin kryesisht shekujve të XIII dhe XIV. Ndërsa banesat (shtëpitë) në përgjithësi i përkasin shekujve të XVIII dhe XIX. Edhe në ditët e sotme, në lagjen Kala banojnë 72 familje të Beratit. (17)

Hyrja kryesore në Kalanë e Beratit (në juglindje) dhe Lagja e banimit në kala.

………………………………………………..

Kalaja ka katër hyrje (porta) komunikimi. Njëra prej tyre dhe pikërisht ajo që paraqet më shumë interes për shkak të elementeve përbërës të saj është Hyrja kryesore, në anën juglindore. Pasi kalon në të futesh në një oborr të fortifikuar (brabakano), ku përpara të del një portë e dytë pikërisht në murin ballor të saj, në anën e djathtë të një harku,(18) ndodhet një monogram me tulla të kuqe që i përket ndërtimeve bizantine të shek.XIII (të vitit 1204), periudhë kur në kështjellë sundonte despoti i Epirit, Mihal Komneni. I ndërtuar ashtu si i gjithë kompleksi mbrojtës nga despoti i Epirit Mihal i I-rë porta me monogramin në formë kryqi me inicialet M.K, edhe sot ruan po këtë emër “Porta e Mihal Komnenit”. (19)
Po gjatë periudhës mesjetare bizantine (shek.XIII) në majën më të lartë të kodrës ngrihet një tjetër rrethim (kështjella-akropoli) i pajisur me dy hyrje dhe 5 kulla mbrojtëse, i cili shërbente si një vendstrehim në rast të pushtimit të kështjellës së poshtme. (20) Komunikimi i saj me ambjentin e jashtëm kryhej nëpërmjet hyrjes jugperëndimore, kurse me ambjentin e brendshëm nëpërmjet hyrjes perëndimore. Kështjella ndahet në dy pjesë me anë të një muri të përforcuar me dy kulla, prej të cilave pjesa e brendshme shërbente si seli për krerët. Balli i hyrjes gjendet i tërhequr në thellësi duke krijuar përpara një oborr të hapur. Kjo thyerje e pakushtëzuar nga terreni, më e theksuar në krahun e djathtë të pambrojtur të sulmuesve, e mbulonte ballin e hyrjes nga makinat gurhëdhese dhe jepte mundësi për goditjen nga lart të armikut. Hyrja me përmasa 10 x 10 m dhe planimetri kuadratike, përshkohet në mes prej një korridori. Pjesa e tij e parë, 3.80 m e gjerë kufizonte numrin e sulmuesve dhe shmangte goditjen e portës nga makinat, ndërsa në pjesën e dytë gjendeshin dy porta dy flegërshe. Pajisja e mëvonshme e ballit të hyrjes me një portë të tretë tregon heqjen dorë nga parimi i korridorit të hapur dhe futjen e një koncepti të ri, sipas të cilit armikut i duhej të çante tre porta të vendosura njëra pas tjetrës, duke qenë vazhdimisht i goditur nga lart. (21)
Restaurimet në Kalanë e Beratit
Kalaja e Beratit është shpallur monument kulture në vitin 1948 me Dekretin nr.586, dt.17.03.1948, aprovuar me ligjin nr. 609, dt.24.05.1948 dhe Dekretin nr.4874, dt.23.09.1971.
Gjatë vitit 1977 u bë restaurimi i kalasë. Punimet u përqendruan në rrethimin e dytë të kalasë. U pastrua ana perëndimore nga brenda dhe veriore e saj dhe u konsoliduan strukturat murale që ishin në gjendje degradimi. Qëllimi i këtyre punimeve ishte kthimi i kalasë në objekt të vizitueshëm, pasi për shkak të nivelit të lartë të dheut dhe rrënimeve, kjo pjesë paraqitej e pavizitueshme. Gjatë punimeve u zbuluan një sërë ambjentesh të mbuluar me qemer ngjitur me murin e kështjellës dhe disa ambjente të ndërtesave njëkatëshe. Në këtë kohë u restauruan dhe harqet e dritareve të ndërtesës. Gjatë periudhës 1980-1981 punimet u përqëndruan në zonën e kështjellës, ku u arrit pastrimi përfundimtar nga hedhurinat dhe zbulimi i elementeve arkitektonike, të shek.XVI-XVIII. Tabani i kalasë u nivelua dhe u rrafshua duke iu përmbajtur pikërisht nivelit të shek.XVIII. Gjatë këtyre punimeve doli në dritë dhe një shtesë e fortifikimit të III dhe porta e tij me vend-rojet. Në këtë mënyrë kjo zonë përpara e rrënuar me grumbuj gurësh e bimësi pa kriter, sot është e vizitueshme. Gjatë vitit 1981 nisi dhe pastrimi i anës së jashtme lindore të kalasë, që rizbuloi muret dhe vlerat e kësaj ane të kalasë. (22)
Dy lagjet karakteristike të Beratit
Në Berat dallohen dy lagje për harmoninë e tyre me terrenin në të cilën janë ndërtuar, ato janë: Lagja e Mangalemit dhe ajo e Goricës. Këto lagje së bashku me kalanë, (brenda së cilës banojnë 72 familje), përbëjnë tre komplekset më karakteristike të qytetit. Kompleksi i lagjes Mangalem është gur i çmuar në artin e ndërtimeve, në të cilën kompozimi harmonik i shtëpive ka arritur një nivel të lartë. Ndërtimi i shtëpive në këtë lagje nis gjatë shekujve XV – XVI-të. Lagjja ka formën e një piramide elegante që imiton siluetën e kodrës, në majën e së cilës është ngritur kalaja. Ky kompozim, kaq i madh në volum aq sa delikat në kompozimin e saj, karakterizohet nga një transparencë intesive për shkak të numrit të madh të dritareve, nga e cila merr edhe emrin «qyteti i një mijë e një dritareve». Vizitorit i tërheqin vëmendjen rrugicat, të cilat edhe pse janë të «fshehura» kanë një bukuri të jashtëzakonshme. Shumë intime, me errësirën e tyre këto rrugica duket sikur sfumojnë godinat e lagjes. Rrugica si këto nuk mund të harrohen me lehtësi. Gorica është lagjja përballë Mangalemit që nuk shikon kurrë diellin gjatë stinës së dimrit. Ndërtimi i kësaj lagje ka filluar rreth mesit të shek.XVI-të. Lagja ka rreth 250 familje. Lagja e Goricës karakterizohet nga reliev i thyer, ndërsa pjesa afër rrugës kryesore nuk është aq e thyer dhe kjo ka bërë që ndërtimet në këtë lagje ti përshtaten relievit dhe të kenë ngjashmëri me banesat e lagjes Mangalem dhe të lagjes Murat Ҫelebi. (23)
Lagja e Mangalemit dhe ajo e Goricës së bashku me Lumin Osum, që gjarpëron përmes tyre, i japin një pamje të veçantë e unikale qytetit. Lagjet e tjera të qytetit janë në pjesën e djathtë të lumit Osum, ose përeth kodrave, konfiguracion, i cili i jep qytetit pamjen e një amfiteatri.
Berati pjesë e UNESKO-s
Më 08 Korrik 2008 Qyteti i Beratit bëhet pjesë e Organizatës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore (UNESCO-s). Përpilimi i dosjes së Beratit për UNESKO-n ka filluar që në vitin 2004 nga studiuesi Emin Riza. Pranimi i qytetit të Beratit në UNESKO vjen në seri me pranimin e qytetit të Gjirokastrës.
MUZEU KOMBËTAR “ONUFRI” NË KALANË E BERATIT
Muzeu Kombëtar mban emrin “Onufri”, të njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek.XVI, i cili ka lënë një fond mjaft të pasur në krijimtarinë ikonografike. Muzeu është përshtatur në ambientet e Katedrales “Fjetja e Shën Mërisë”, e cila gjendet në qendër të lagjes së banuar në kalanë e qytetit të Beratit, që prej 27 shkurtit të vitit 1986. Ajo ngrihet në pjesën më të lartë të lagjes, e cila dikur përbënte një kompleks me godinat e mitropolisë. Sipas kronikanit osman Evlija Çelebi i cili bën një përshkrim kalasë së Beratit përmend 8 kisha dhe njëra prej tyre (Kisha “Fjetja e Shën Mërisë”), thotë ai – është e stolisur shumë, e madhe, dhe e mbajtur mirë. (24) Kisha është një rindërtim i vitit 1797 simbas mbishkrimit mbi portën e hyrjes… “në kohën e gjithhirshmit dhe gjithndriturit të Beratit, zotit Josif dhe me kontributin e klerikëve, arkondëve dhe të krishterëve të tjerë… nga dora e Themeliut dhe vllazërimit së tij”, dhe ka qënë katedralia e qytetit. Katedralia është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit. (25) Katedralia (Muze) është bazilikë trinefëshe me thollo, me madhësi 23×77.20m. (26)

……………………………………….

Muzeu Kombëtar “Onufri” në Berat

………………………………………

* * *
Në katedrale hyhet nëpërmjet një shkalle nga një portë në anën veriore dhe në anën jugore nga portiku. Një portë, që e lidh me rrugën, ka dhe muri rrethues i kësaj ane. Muzeu ka tri salla kryesore, në të cilat janë të ekspozuara veprat më të mira të autorëve të shumtë shqiptarë. Kompleksi muzeal përbëhet nga salla qendrore e kishës, mjedisi i altarit, si edhe nga një sërë mjedisesh ndihmëse njëkatëshe, në anën veriore, dhe dykatëshe, në anën perëndimore. Në anën jugore të këtij mjedisi, ndodhet një portik i hapur me sistem harqesh e kolonash tërësisht të gurta. Në brendësi të kishës, në pjesën ballore ndodhet një ikonostas i gdhendur në dru me reliev të thellë dhe që daton në vitin 1806. Nga ana jugore bazilika rrethohet nga mure të larta ku ndodhet edhe hyrja kryesore. Në këtë anë të kishës është ndërtuar një hajat i hapur, mbuluar me çati druri të mbështetur mbi murin dhe një harkadë të bukur me harqe dhe shtylla guri. Ky ndërtim shquhet për ngritje në lartësi dhe përbën një variant të rëndësishëm të arkitekturës së kultit në fazën e kalimit nga shekulli XVIII në atë të shekullit të XIX. (27)
* * *
Fondi i muzeut “Onufri” është i pasur me objekte të shërbesës dhe vlera të papërsëritshme ikonografike mesjetare, të cilat janë dëshmi të vlerave kulturore dhe trashëgimisë artistike të një qyteti kaq të pasur në kulturë siç është qyteti – muze i Beratit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej mëse 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë, dhe të qytetit të Beratit, ku 106 janë ikona dhe 67 janë objekte liturgjike, dhe u përket piktorëve ikonografë shqiptarë që kanë krijuar në shekujt XIV-XX: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpatarakut dhe Çetirët (Gjergji, Nikolla, Johani, Naumi, Gjergji i riu), dhe të shumë piktorëve të tjerë anonim. Ikonabartësin (në dru) të katedrales së Beratit e ka gdhëndur mjeshtri Naum Ngjela nga Lavdari i Oparit dhe mjeshtër Stefan Barka nga Misrasi i Oparit, në mesin e shekullit të XIX-të. (28)
Ikonostasi i Katedrales “Fjetja e Shën Mëris”, i vitit 1807 bën pjesë në një nga realizimet më të mira të mjeshtrave shqiptarë të drugdhëndjes të shek. XIX. Ikonostasi është i vendosur në gjithë hapësirën tri nefëshe të interierit të katedrales, ai ka dy radhë ikonash, (12 ikonat e mëdha Mbretërore dhe 27 ikonat e vogla të Festave). Ka tri porta dhe është i gdhëndur në dru are dhe i larë në Ar, i praruar dhe i kompozuar si fasadë arkitektonike. Udhëheqësit e grupit që realizuan gdhëndjen e ikonostasit dokumentohen të jenë dy mjeshtrat, Usta Andoni dhe Stefani, ndërsa ikonografët grabovarë të (dinastisë) familjes Çetiri ose (Katro) nën drejtimin e mjeshtrit ikonograf Johan Çetiri, realizuan 27 ikonat e vogla të (Festave) dhe 7 ikonat e mëdha, (Mbretërore). (29)

…………………………………………….

Simpozium Shkencor në Muzeun Kombëtar “Onufri”, i mbajtur më 20 Nëntor 2011:

……………………………………….

Ajo që e bën këtë muze sa interesant aq edhe të vizitueshëm, është ekspozimi në ballë të hyrjes i ikonës së Shën Mërisë, një nga më të bukurat e fondit, vepër e mjeshtrit të madh Onufrit. Kisha ka dhe një Rozetë qendrore (si orë diellore) në dyshemenë prej guri të dekoruar në interierin e saj. Mendojmë se kjo Rozetë i përket një periudhe më të hershme, dhe jo i periudhës kur është rindërtuar kisha – në viti 1797. Ky element është trajtuar me shumë interes nga mjeshtrat e asaj kohe të cilët kanë dhënë zgjidhje me format dhe motivet simbolike të shumëllojshme, me variacionet e materialeve koloristikën e tyre për harmonizimin me volumin e përgjithshëm të interierit të objektit. (30)
Në muze, përveç ikonave të shumta, ndodhen dhe një numër i konsiderueshëm i objekteve kishtare, disa tekstile dhe objekte metalike, të cilat dëshmojnë për një traditë të zhvilluar artizanale të një niveli të lartë në rrethin e Beratit.
Dy Kodikët e Beratit
Studiuesi francez Pjer Batiffoli, gjatë vizitës nëpër kishat e Beratit në vitin 1865 mbeti i mahnitur nga zbulimi i disa Kodikëve të vjetër kishtarë. Nga Kodikët më të njohur, për të cilët na flet Batiffoli është “Kodiku i Purpurt i Beratit” (Codex purpureus Beratinus), vepër e shek. VI-të si dhe “Kodiku i Artë i Anthimit” (Codex aureus Anthimi) që i përket shekullit të IX-të. “Kodiku i Purpurt i Beratit” (Beratinus-1) është një dorëshkrim mjaft i rëndësishëm për fillimet e shkrimeve Biblike. Gjithsej ka 190 fletë, të shkruara me shkronja të derdhura në argjend. Bukurshkrimi është i veçantë ndërsa gërmat janë të medha (majuscule). Ai përmban dy ungjij: sipas Mateut dhe sipas Markut. Lënda e dorëshkrimit është pergamen në ngjyrë të kuqe të thellë (purpurtë) prej nga ka marrë edhe emrin. Pjesë të tjera të rëndësishme të kodikut janë të derdhura në ar. Kapaku i dorëshkrimit është më i vonshëm se vepra, ai është metalik dhe me zbukurime skenash biblike. “Kodiku i Artë i Anthimit” (Beratinus-2) përfaqëson kodikun e dytë më të rëndësishëm të Beratit, i përket shekullit të IX, është shkruar me gërma të vogla “minuscule” dhe i ka 413 fletë. Ai përmban 4 ungjijtë: sipas Gjonit, Lukës, Markut dhe Mateut. Figurat e ungjillorëve janë të rrethuara me korniza dekorative të ndërtuara me motive floreale dhe gjeometrike, rrathë dhe lule. (31) Të dy kodikët e Beratit janë pjesë e Kujtesës së Botës. UNESCO ka treguar një interesim të madh për ruajtjen e kësaj trashëgimie unike të literaturës së vjetër liturgjike të historisë botërore.
__________
Literatura e shfrytëzuar:
1. Drejtoria e Kulturës Kombëtare Berat: Kalaja e Beratit. UNESKO’s WHL- Berati 2400 vjeçar, Tiranë U.F.O Press
2. Iliran Gjika: Berati, qyteti-kështjellë.
3. UNESKO’s WHL- Berati 2400 vjeçar…
4. Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë, Botimet Toena, Tiranë 2002, fq.453
5. Po aty, fq.435
6. Iliran Gjika: Berati, qyteti-kështjellë
7. Histori e popullit shqiptar, Tiranë 2003, fq.233
8. UNESKO’s WHL – Berati 2400 vjeçar, ….
9. A.Baçe, A.Meksi, E.Riza, “Berati historia dhe arkitektura”, Tiranë, 1988, Fq.27
10. UNESKO’s WHL – Berati 2400 vjeçar, ….
11. Faqja zyrtare e Ministirsë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë: Kalaja e Beratit.
12. wikipedia – Berati
13. Po aty
14. Faqja zyrtare e MTKRS të Shqipërisë: Kalaja e Beratit.
15. Hëna Spahiu, “Qyteti Iliro Arbëror i Beratit” Tiranë 1990, fq. 9-11
16. A.Baçe, A.Meksi, E.Riza – Berati, Historia dhe arkitektura Tiranë 1988, fq. 34
17. Nga biseda e autorit me arkeologun Altin Beharin, gjatë vizitës në kala, më 14 gusht 2012.
18. Apollon Baçe, qyteti i fortifikuar i Beratit, Monumentet 2, 1971, fq.43-63
19. Iliran Gjika: Berati, qyteti-kështjellë. Wikipedia – Kalaja e Beratit.
20. Drejtoria e Kulturës Kombëtare Berat: Kalaja e Beratit
21. Nga biseda e autorit me arkeologun Altin Beharin, gjatë vizitës në kala, më 14 gusht 2012. Faqja zyrtare e MTKRS të Shqipërisë: Kalaja e Beratit.
22. Apollon Baçe, Kronika e punimeve restauruese per vitet 1980-1981, Monumentet 1/1982, Muret rrethues të Beratit, fq.120. Faqja zyrtare e MTKRS të Shqipërisë: Kalaja e Beratit
23. Albania Rafting Group: Guide në qytetin e Beratit. UNESKO’s WHL- Berati 2400 vjeçar, Tiranë U.F.O Press.
24. Bashkia Berat – Trashëgimi e Beratit./ Një studim mbi Evlija Çelebiun mbi qytetin dhe kështjellën e Beratit, Tiranë, 1971, f.29
25. A.Baçe, A.Meksi, E.Riza, Berati, historia dhe arkitektura, Tiranë, 1988, f.61
26. Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë, 1998, f.113
27. Nga biseda e autorit me Anila Robonikun, cicerone në Muzeun Kombëtar “Onufri”, 14 gusht 2012.
28. Muzeumetberat.net, Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri”. (Onufri është përfaqësuesi më i rëndësishëm i pikturës pasbizantine në Berat dhe trojet shqiptare. Ai në krijimtarinë e trashëguar paraqitet si një mjeshtër i lartë në artin e pikturimit. Gjeografia e krijimtarisë së tij përfshinë një teritor të gjerë në ballkan si: Shqipërinë qendrore, Greqinë veri perëndimore, Maqedoninë perëndimore e Rumaninë. Onufri ka ushtruar veprimtarinë e tij kryesisht në kështjellën e Beratit, ku ka bërë afresket e kishës së Shën Todrit, gjithsej 13 afreske. Në Berat realizoi ikonat e famshme të ikonostasit të kishës së Evangjelizmos (në Kala), të cilat janë kryeveprat e këtij mjeshtri. Ikonografia e Onufrit paraqitet harmonike përsa u përket ngjyrave, shquhet nga një formë e përkryer e realizimit të imazhit. Ai krijon një raport koloristik në ikona me mbizotërim të ngjyrës së kuqe, që e përdor në një mënyrë mjaft mjeshtërore dhe tërheqëse, duke e organizuar atë në praninë e jeshiles në smerald, drejt një uniteti tekniko-artistik të paarritshëm nga ikonografët e tjerë.)
29. Nga biseda e autorit me Anila Robonikun, cicerone në Muzeun Kombëtar “Onufri”, 14 gusht 2012./ Muzeumetberat.net, Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri”
30. Dritan Çoku: Një Kalendar Julian në dyshemenë e një kishe në kalanë e Beratit.
31. Dr.Shaban Sinani: Kush jane Kodikët e Shqipërisë./Nga biseda e autorit me Anila Robonikun, cicerone në Muzeun Kombëtar “Onufri”, 14 gusht 2012.

—————————————————

VIZITË NË KALANË E BERATIT, MË 14 GUSHT 2012

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura