REXHEP KASUMAJ: MASKAT E TEJDUKSHME…

Berlin, 27 qershor 2017: (Mbi ndërgjegjen serbe që s’vret) – “Franca 7” (aty ndodhet selia e zallahishme e Akademisë serbe), me gjasë, është vënë sërish në lëvizje. Të gjithë luftërat e humbura në mbyllje të qindvjetit të ikur kishin këtë adresë: idejim, frymëzim, shtysë e justifikim i tyre!
Për betonim teze, filozofi Tadiq (i ati i ish-presidentit Boris), përligjte luftërat e Sllobodanit me një teori djallnore që sublimonte niçeanizmin primitiv dhe ariazofizmin mortor. Për represaljet kundër shqiptarëve bënte këtë shpjegim të errtë e cinik: ky është zinxhiri kauzal i shkak-pasojës! Shqiptarët, duke shpërdorur autonominë e dhënë, u rebeluan dhe ashtu – pësuan! Domethënë, pohonte ai, ata e askush tjetër, janë shkaktarë të krusmës së vet!
Por tani kohët kanë ndryshuar. Dhe, ndaj, establishmenti i moderuar i Dedinjes kërkon një amzë tjetër krimi: të ndjekë me mjete të reja shtegun e qëkurshëm!
Që këtej dhe Vuçiqi, në kuvendimin inaugural, shkiste njalshëm n’për formula, braktiste mitologjinë (për t’iu rikthyer prapë më poshtë), evokonte njëj sensi pendese e kthjellësie, delirin e “popullit të zgjedhur” (anise në vitet biblike ata do të jenë ende t’kacavjerrë drurëve të Rusisë), thoshte të kenë bërë shumë përpara serbët e tij, që më pas të mohojë këtë me fjalën e prekshme se kemi mbërritur në askundnajë, reflektonte paqësorisht mbi përplasjet me të tjerë (por me ekuilibrizëm të pafalshëm e, pra, i prirë përherë nga motive nacionale për rëndesën psikologjike të popullit të tij të disfatuar, e assesi nga një katarsis paqëtues) dhe, natyrisht, gjithë Fjalën e përshkonte një dedikim i përkorë për paqen.

Mirëpo fjalimshkruesi i tij do të ketë përjetuar dramë të vështirë: duhej të rezervonte ëndjet testamentale dhe, njëherësh, ti fshehte ato prapa maskës korrente të europianizmit mondan.
Rrjedhimisht prandaj, nëse serbi Vuçiq paskësh reflektuar – përse aherë nuk ngrihet mbi peshën mëkatnore dhe t’u kërkojë falje historike shqiptarëve, boshnjakëve e kroatëve që shteti i tij (levë e të cilit kje dhe vetë) i pat fatkeqësuar deri në tragjedi?
Nëse, tashmë i deziluzionuar, ka zbritur në tokën e përmallshme që priste – përse akoma i referohet komikisht qiellit virgjin?
Pastaj, nëse mitologjia qenkësh arkivuar – përse thotë përshkitshëm e, disi, tinzarisht, se s’ka mite, sepse njëmend jemi lindur në valle gjaku e morti ndër shekuj?
E, nëse s’fundmi, flet pasionshëm për paqe e vetëm për pjalmin e saj jetik – aherë pse tumiret baza ushtarake ruse në Nish? Përse e kundër kujt vijnë “Migët” e dalëzotësit të Kremlinit? Përse, tutje, qarkullojnë sondazhe krahasimi për hegjemonin real të Ballkanit? Dhe sërish: si kultivohet pema e paqes kur agjentët e tij provojnë grushtshtete në fqinjësi (Podgoricë), tutje, kur njihet vullneti i serbëve boshnjakë që themeluan subjektivitet me etnocid dhe, mbanë tjetër, shpërfillet vullneti natyral i shqiptarëve për vetëjetesë (në Kosovën që përbetohet vazhdimisht), apo kur bëhet pjesë subverzive e krizës shtetërore (në Maqedoni ku penetrojnë spiunë, para e njësitë specialë)?!
Është e saktë se dhe Niçe shkruante: për çdo popull fqinji është armiku, kurse fqinji i fqinjit – miku i tyre! Kështu thoshte ai, madhnori sovran, veçse politika ka gjuhë e dry tjetër. Ajo kërkon maskë. Por maska e Vuçiqit, për mjerësinë e tij, ishte e dobët dhe tepër tejdukshme për t’i fshehur atij ftyrën e vërtetë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura