Kaliforni, 3 korrik 2017: I nderuar zotëri Sheradin,
Lexova shënimin tuaj mjaft domethënës, me titull “REPUBLIKA E ADEM JASHARIT DUHET T’I THOTË STOP REPUBLIKËS SË AHTISAARIT!”, të botuar në faqen e internetit “Pashtriku”. Ju përshëndes dhe ju përgëzoj me gjithë zemër për këtë ndërhyrje tuajën mjaft të goditur në shërbim të dinjitetit tonë kombëtar, të cilin e kanë nëpërkëmbur rëndë tradhtia në krye të Kosovës dhe Perëndimi evropian, i cili ka qenë dhe vazhdon të mbetet armik i heshtur i kombit shqiptar, sepse simpatitë e tij përvëlimtare i ka pasur, i ka dhe do t’i ketë vetëm për grekosllavizmin.
Binomi Hashim Thaçi – Ivica Daqiç!
Republika e Adem Jasharit (e cila nuk është krijuar ende) nuk e hedh dot poshtë Republikën e Ahtisaarit, sepse tradhtia është në krye të Kosovës. Prandaj me këtë titull (Tradhtia në krye të Kosovës), pata botuar një artikull në internet këtu e disa vjet të shkuara (13 mars 2012), pak më shumë se një vit para se Thaçi ta konfirmonte tradhtinë e vet me një marrëveshje në Bruksel, më 19 prill 2013, një marrëveshje ajo kundër interesave jetike të Republikës së Kosovës (me pavarësi ende në letër) dhe në mbrojtje të interesave të shovinizmit serbokriminal. Për shkak të asaj tradhtie, edhe pas zgjedhjeve të 11 qershorit (2017), në Kosovë s’po krijohet ende qeveria e re, sepse oligarkët politikë të tradhtisë kombëtare në Prishtinë, aleatë të heshtur të Beogradit, nuk e duan Albin Kurtin në krye të një qeverie me dinjitet të lartë kombëtar.
Ju uroj shëndet dhe mbarësi.
Prof.dr. Eshref Ymeri
Santa Barbara, Kaliforni
02 korrik 2017
______________
Lexoni shkrimin:
SHERADIN BERISHA: REPUBLIKA E ADEM JASHARIT DUHET T’I THOTË STOP REPUBLIKËS SË AHTISARIT!
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=6680