(Prishtinë, 03. 10. 2012) – Numrat janë dëshmia më e fuqishme për ata që duan ta shohin se deri në ç`përmasa ka degraduar mirëqenia e qytetarëve europian. Kriza e borgjeve në një pjesë të mirë të Europës ka krijuar armatën e të papunëve. Por ka studjues që edhe te kjo e keqe, shohin diç pozitive: vet konfuzionin e krijuar gjithandej në BE.
Opinioni publik në Gjermani dhe gjithësesi edhe politika zyrtare që ndjek me rreptësi në këtë rrafsh kancelarja Angela Merkel, kërkon nga 17-shja europiane anëtarë të eurozonës, disiplinë buxhetore. Në një pjesë të mirë të Europës, posaqërisht në Gjermani, Holandë, Danimarkë etj, që njiheshin si shtete me qeverisje dhe mirëqenie sociale të kultivuar, ka dhjetë vite që përmes reformave ekonomike dhe fiskale të thella, i është shkaktuar dëm i ndjeshëm shtetit social të ngritur me vite. Ndërkaq këto reforma, nëse kanë dëmtuar xhepin e punëtorëve, ato i kanë krijuar parakushte një shtrese të tërë biznismenësh ta bartin kapitalin e tyre në vende më pak të zhvilluara, duke krijuar një shtresë multimiliarderësh.
Por në 17 vendet e eurozonës mungesat e theksuara të strategjive që do të shoqëronin krahas ekspansionit të tregjeve të reja e të fuqishme, si Kina etj., edhe për kujdesin strategjik të zhvillimit ekonomik të qëndrusehëm, e me këtë edhe ruajtjen dhe shtimin e vendeve të punës, përkundrazi tashmë ka prodhuar nga viti në vit një armatë të të papunëve, që ka kaluar 18.2 milionshin, që shprehur në përqindje është diku mbi 11,4 %. Më së shumti kjo krizë ka goditur vendet e Evropës Juglindore (Greqi, Spanjë, Portugali, Itali …) Në këto vende tashmë gati çdo i katërti qytetarë i aftë për punë, është i papunë. Së fundmi radhët e kësaj armate po shtohen edhe me të rinjë me arsim të lartë të përfunduar!
Kancelarja Angela Merkel.
………………………………………………………
Kjo armatë e të papunëve duket se Brukselin e ka sjellë para një dileme themelore: si më tutje me euron?
Këto të dhëna janë bërë publike nga Enti Europian për Statistika EUROSTAT me seli në Luksemburg. Ndërkaq krahas këtij lajmi, po këto ditë mediat prestigjioze dhanë pamje edhe nga protestat që po vazhdojnë në Athinë, Madrid, Lisabonë, Romë e gjetkë duke sinjalizuar një dekadë të pazakonshme të ringjalljes së frymës protestuese, që të kujton vitet gjashtëdhjeta.
Studjuesja gjermane Almut Möller (Almut Myller), në një analizë të saj të publikuar së fundi në revistën e njohur IP, që në hyrje të tekstit shkruan se, „pothuajse gjëja më e mirë e krizës së euros është konfuzioni“, duke vazhduar tutje të shpjegoj se prapa këtij konkluzioni nuk fshihet farë cinizmi, meqë kjo nuk është koha për dembela e as për shpirtëra të trazuar.
Përdorimi i cilësorit konfuz për një projekt që së paku prej Marrëveshjes së Mastrihtit e tutje, ishte shndërruar në sinonim të identitetit, shpresës dhe së ardhmes europiane, dëshmon shumë se përse idetë politike sado tërheqëse të duken në fillim, nëse nuk ushqehen me doza të mjaftueshme të realizmit shndërrohen në konfuzion dhe retorikë të zbraztë.
Tashmë jemi dëshmitarë se UE nuk po funksionon ashtu si ishte mëtuar të funksiononte, respektivisht si ishte shpjeguar në shumë prej katedrave të shkencave politike dhe media që për objekt studimi dhe analize kishin këtë krijesë politike të llojit të vet. Madje, siç shprehet Myller, UE-ja nuk po funksionon ashtu „si ishte provuar që përmes retorikës europiane në këto dy dekadat e fundit të na bindin se si do të bëhej, duke e cilësuar atë, pra UE si projekt të paqes, si projekt që do t`ju sjell mirëqenie të gjithëve, si garancion për siguri dhe liri, si një mburojë kundër anës së errrët të globalizmit dhe si një mundësi e re, shpresë për botën e re“
(Internationale Politik 5, shtator/tetor 2012, f. 52-57)
Dhe nëse kjo përvojë njëzetvjeçare që tashmë kanë me këtë formë dhe përmbajtje të UE-së qytetarët e kësaj Europe të bashkuar, çfarë mund të themi, si e kanë përjetuar atë qytetarët e vendeve pretendente për aderim dhe sidomos ata të vendeve të Europës Juglindore? Nëse jo si shok, siç pohohet se e kanë përjetuar europerendimorët, atëherë si një prolog të një drame të re që ndërlidhet me iluzionet e papërfunduara me utopinë e socializmit real që tashmë kishin lënë prapa. Dhe ky shok që po përjetojnë qytetarët europian tash e dy vjet sa po zgjatë kriza e borgjeve, që herë herë cilësohet si krizë e euros e herë si krizë e sistemit politik, tek tashti është kuptuar si krizë gjithëpërfshirëse. Prandaj gjithnjë e më shumë janë shtuar zërat se për tejkalimin e kësaj gjendje, për shpëtimin e Unionit si bashkim i llojit të vet, ka nevojë për ndryshime rrënjësore. Në esencë këta zëra flasin për ndryshime konceptuale, që do të shpërfaqnin në fakt një rilindje të Unionit, shndërrim të tij nga një Union Ekonomik e Tregtar që ishte në fakt, në një Union Politik. Ndërkaq kundërthënjet dhe konfuzioni i shpërfaqur do t`mund të shërbenin fare mirë për rikëndellje politike dhe si kontribut i llojit të vet në këtë proces rilindjeje, demokratizimi më i thellë e më përmbajtësor i tij na rezulton si i domosdoshëm.
Dhe nëse konstatimi se kjo krizë ka sjell konfuzion është i sakt, po kaq i saktë mbetet edhe konstatimi shtesë se vështërsitë e jashtëzakonshme që po kalon tashmë BE nuk mund të zgjidhen me mjete të zakonshme.
…………………………………………
CILAT JANË PRAPASKENAT E THEMELIMIT TË BE-së?!
……………………………………………………
,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,