REMZIJE ZEKOLLI: ALEGORIA, MITI DHE LUFTA PËR LIRI, NË NJË NOVELË…

Vushtrri, 10 korrik 2017: (“Nëse më do si Lirinë, do më kesh pranë çdo herë”-autori MiftarKurti) – Novela e Miftar Kurtit “Dasma e Kreshbardhës” lexohet e përjetohet, si një ylber mahnitës, që rri bukur në qiellin etnik të letërsisë shqiptare. Autori, novelën e tij e fillon me prologun, pjesën hyrëse dhe e përfundon me epilogun, pjesën përmbyllëse të ngjarjeve. Struktura novelistike ngërthen dhe alegorinë e mprehtë. Ndërsa, në anën tjetër, kjo vepër ngërthen dhe shtresën figurative të trajtimit. Po ashtu, edhe legjendat rikrijohen tematikisht e artistikisht, me petk të ri e freski përjetimi.
Nuk është e rastësishme, që novela fillon me ëndrrën. A nuk kemi secili dëshira, ëndrra, shpresa?
Figurat mitike kanë një vend meritor në novelë. Autori, këto mite e figura, i gërsheton me ngjarjet, që po përjeton Kombi Shqiptar.
-A nuk deshi Ikari ta përqafojë diellin, dhe…?
-Ra, thua?
-Po!…
-Anteu, sa herë bie, ngjitet.
-Edhe Feniksi digjet e bëhet hi, por bëhet mal përsëri…(Faqe 81)
Figurat e heronjve mitikë, si Ikari, Anteu, Akili dhe Feniksi, janë gdhendur me kujdes dhe marrin kuptime të pasura, në kuadër të strukturës së novelës. Ikari jepet në situatën artistike të mbytjes në det: fluturimi i tij nga Kreta, ishull grek, ishte fatal, pasi dielli e shkrin dyllin, ku ishin ngjitur flatrat e tij dhe bie dhe mbytet në ujët e madh. Janë këta heronj antikë, si Anteu, i cili fuqinë e tij e merrte, kur këmbët e tij i kishte të pashqitura nga toka e i ngjitej dheut e, atëhrë, i kthehej fuqia; si Herakliti e mëson dobësinë e tij, arrin ta mbysë, duke e ngritur sa më lart, larg tokës; si Feniksi, shpendi që ka pasur fuqi të mrekullueshme, që, për do pesëqind vjet të tij, digjej në furrikun e vetë dhe nga hiri të ngrihej i ripërtërirë, për jetën e re… Akili njihet me tiparet e guximit, por edhe të hidhërimit të tij (Vojtech Zamarovsk, Heronjtë e miteve antike, Rilindja, Prishtinë, 1985, f, 45,25,163, 237).
Tema e novelës është lufta për liri. Vetë tematika e Lirisë shndërrohet në figurë letrare, me dy kuptime: liri e atdheut dhe liri, që simbolizon të dashurën e personazhit Lum. Tematika e kësaj novele është jeta e atdhetarëve në veprimtaritë legale e ilegale, jeta e mësuesit dhe e dy të dashuruarëve. Personazhet e novelës janë: Agu, Lumi, Liria, Kujtimi, Pranvera, Guri, Mësuesi. Kurse antagonistë të tyre janë: SeizmaziSemortjes, polici, gjyqtari etj.
Koha e zhvillimit të ngjarjeve, në novelën e Kurtit, janë edhe kushtet klimatike: bora, shiu, uji, dielli, mjegulla, stinët e vitit vera, dimri, pranvera e vjeshta, por edhe ngjarjet ose proceset e kohës; është kohë proteste, kohë lufte, kohë paslufte etj. Simbolet e novels: flamuri, guri, pylli, burgu, mali, pisha,lumi, ura, dielli, rrezet e tij, loti, kalaja, rruga, tupani, që shënjon figurativisht sjelljen e një kumti për lirinë dhe dashurinë. Ngjarja ndodh në të gjitha stinët e vitit. Mesazhin e kësaj novele e bën më të fuqishëm vetë fakti, se autori është pjesëmarrës i drejtpërdrejte i luftës për çlirim kombëtar.
Novela e Kurtit karakterizohet me personazhe simbolike, personazhe-ide. Ai, me sukses, ka gërshetuar realen dhe imagjinatën. Autori rrëfen për një ngjarje, duke përdorur me sukses edhe të shkuarën:
Në një nga sallat e motelit qëndronin varur, sipas radhës, fotografitë e Ademit, Astritit, Skerdilajdit, Selimit… dhe krushqve të tjerë. Ato po i kujtonin një kohë të kaluar.
I kujtonin… një natë të gjatë. Natë e cila kishte rënë mbi trupat e atyre, që i dilnin vazhdimisht para sysh.(Novela, fq. f.94).
Figura e nuses, në novelën e Kurtit, ka dykuptimësi: e para, Lirinë, pra çlirimin e kKombit nga robëria, liria që na mungonte dhe dëshirën e personazheve, që dashurinë fisnike ta kurorëzojnë me dasmën e tyre, për të filluar një jetë të re. Përmes personazheve të tij dhe shtjellimit të ngjarjeve, autori ka arritur, me mrekulli, të bëjë kryqëzim simbolik të këtyre dy simboleve dhe kurrësesi nuk ka lejuar, që ato të mbesin në udhëkryqin e kohës. Figurat, që autori i ndërlidh ndërmjet Atdheut dhe personazheve, siç janë dashnorët e novelës, janë: flamuri i prin dasmës, u priu betejave në çdo cep të Ilirisë, siç shprehet narratori i veprës, si bartës i rrëfimit.
Përsëritja e disa mendimeve, në kontekste të reja narrative dhe strukturore, e forcon më shumë mesazhin e novelës “Dasma e Kreshbardhës”. Nëpërmes tyre, Kurti ka vepruar sikurse JakovXoxa në “Lumin e Vdekur”, ku mendimet, në fillim të tregimit, i gjejmë edhe gjatë leximit të tij, si fije narrative e si pe i kuq, që i ndërlidh ato strukturalisht. Arrestimi i gazetarit, në novelë, ka një domethënie të veçantë. Semaiziu dhe soji i tij nuk donin që të shkruhet për të vërtetën. Vrasja e mësuesit, në vete, ngërthen nëntorin e vitit 1997, kur në Llaushë vritet mësuesi Halit Geci. Pra, kemi të bëjmë me një ngjarje reale dhe historike, me çastin, kur UÇK-ja del për herë të parë në skenë, me ç’rast shumë të rinj marrin rrugën e malit.
Edhe legjenda e murosjes së nënës, tek Ura e Rozafatit, zë vend në këtë novelë, për t’u gërshetuar me ndonjë flijim, për ta kaluar urën me gjemba, që na i vriste sytë, sa herë e shihnim atë. Tmerri i Bllacës, që përjetuan të zhvendosurit shqiptarë në Maqedoni, ku Liria është dashur të largohet, si shumë e shumë të tjerë, ka zënë vend të caktuar. Një vend meritor ka edhe Ditari i Seizmaziut, i cili shkruan për tmerret, që ka bërë në Kosovë, si dhe çnderimi i femrës shqiptare, gjatë luftës!
Kapaku i parë i librit, nga autori Miftar Kurti…
Trajtat e tilla narrative-dokumentare, si ditari, ndërthurin një ndërliqësitesktore, interkstore dhe i japin kësaj novele pamje moderne, me prirje postmoderne. Pra, autorit nuk i ka shpëtuar as ky detaj dhe ka gjetur mënyrën më të mirë, që ta shpërfaqë te lexuesi, me anë të Ditarit. Vënia nën administrimin e Kosovës dhe vendosja e telave me gjemba, që është një plagë, një “kalë Troje”, i llojit të vet. Pa ngurrim, mund të themi, se historia dhe koha do i mallkojë ata, që kanë lejuar të veprojnë kështu.
Përdorimin e fjalëve të urta popullore, të cilat kanë kuptim filozofik e që ndërlidhen me ngjarjen, autori na e sjell në novelë me mjeshtërinë dhe prirjen e tij krijuese:
-Murit nuk i bihej me kokë!.
-Pa krahë, nuk fluturohe!
-Veç…njeriu, më i fortë se guri! (Novela, fq.18).
Kjo ka simbolikën e semantikën novelistike-figurative se, pa luftë ,kurrë nuk do vinte Liria. Mendimi i tij, që më bëri ta rilexoj disa herë, është ky rresht: “Edhe vëllai i Agut, Këngëbani, qe hedhur në litar, për të vetmin mëkat: këndonte këngë të ndaluara… Varej nga to. Ato e varë!” (Novela, fq.22).
Këtu shpërthen një dramë, një realitet absurd e i trishtueshëm, ku njeriu dënohej për një fjalë goje, për një këngë, libër a poezi. Madje edhe vritej në forma ose mënyra të ndryshme. Simbolika është e qartë: pra, këngën kurrë nuk arritën të na e ndalojnë, pavarësisht pasojave!
Peripecitë e popullit për çlirim, autori na i jep përmes dasmës, përmes përshkrimit të karvanit të krushqve e ku shënjohet, artistikisht, liria dhe rrugëtimi plot sfida, deri të arrijmë tek ajo. Bajraktari has në qendresë të policies, pikërisht te Ura me gjemba. Këmbëngulësia e tij, se dasmë pa flamur nuk ka, por as beteja nuk udhëhiqet pa flamur, i jep kuptim domethënës misionit të prijësit… Guri, te “Dasma e Kreshbardhës”, nuk simbolizon vetëm gurin e varrit, por edhe gurin e kufirit, i cili në ngjarjen që na e sjell autori ende nuk ishte thyer, prapë Liria i mbeti te kufiri!? Personazhet Agu e Lumi, shpërfaqin një brezni, që përjetuam dhunën; te novela jonë, babai dhe djali Lumi, i cili detyrohet të shkojë rrugës së malit. Lumi duhet të ndahet nga e dashura e tij, sepse bie në burg. Ndërsa, pas daljes nga burgu, rrugëton në Kreshbardhën e tij.
Një vend të veçantë në novelë zë motivi i dashurisë, të cilin Kurti na e sjell me mjeshtëri, përmes dialogut ndërmjet Lumit dhe Lirisë. Kur jemi këtu, vlen për t’u theksuar se lexuesi e ka të vështirë ta kuptojë personazhin e Lirisë, se nga është, cili është qyteti i saj. Kjo, sipas mendimit tim, e fuqizon dykuptimësinë e rolit të saj në novelën tërheqëse, që Kurti ia ofroi lexuesit të tij të dashur. Ashtu sikurse takimi i tij me Lirinë, pasi komandanti i jep leje ta takojë atë, sepse, pas daljes nga burgu, nuk e kishte parë. Autori, përmes dialogut jep çaste emocionale, përjetime, që novelën e bëjnë më dinamike, më tërheqëse për lexim, por edhe më të plotë:
-Eja afër… zjarri!.
-Nga zjarri… në zjarr… me zjarr i zjarrmuar, zjarrmisht, po vij.
-Nuk ke të ftohtë?!
-Hiç!
-Ti, po dridhesh…
-Ndaj kam nevojë për zjarrin tëndë, L…(Novela, fq.78)
Zjarri i dashurisë i ngrohu ata, por më shumë i ngrohu e vërteta, që ia tha Lumi, se atë natë, që e kishin arrestuar, e kishin akuzuar, se e kishte “dhunuar” të dashurën!? Natyrisht, e pyet se mos i ka ndodhë diçka asaj, atë natë, kur atë e morën në burg dhe ai ishte me te, në park:
-Ç’kërkonin nga ti?
-Të pranoja se të kam dhunuar.
– Siii?
-Vërtet, të kanë dhunuar ata?
-Zoti më shpëtoi!
-Si?
-Nuk beson?…
-Zotit i besoj, po…
-Mua jo?
-Liri, si të beso, kur… Në kohën, nëpër të cilën po kalojmë, mund të humbasësh besimin në çdo gjë, përveç në një Zot!…
-Provën e ke në dorë…
-Për ta dëshmuar besnikërinë, virgjërinë, dashurinë time, të kam ftuar. E kam ditur, se diçka…
Ai u ndie i çliruar nga fjalët e saj. (Novela, fq.78-79)
Besnikëria ndaj Atdheut, familjes edhe në dashuri, janë virtyt fisnik I shqiptarit, në këtë novelë. Një dashuri ideale, fisnike, të sinqertë e ëndërrojmë, secili prej nesh. Në dialogun mes Lumit dhe Lirisë hasim në një enigmë, nuk dihet cili e fillon këtë dialog. Kjo është një largpamësi e autorit të novelës. Le të shkoqisim disa fraza interesante të saj:
-I beson fatit?
-Veç kur ai më shqelmon…
-Dashurisë?
-Kur më përgëdhel…
– Ç’është dashuria?
-Krua. Sa më shumë pi prej tij, aq më shumë eçtohesh!…(Novela, fq.98)
Kjo situatë është befasuese për lexuesin, njëkohësisht, tërheqëse me ato shushurimat e një dashurie të pastër. Gjatë leximit të novels, vërejmë se autori rrëfen edhe për qëndrueshmërinë e personazhit në burg:
-Pastaj, sipas informative, që kemi ne, ju keni hedhur koktej molotovi në një autoblindë tonën, më 2 mars…në Prishtinë, në shenjë revolte!…
– Pse keni vepruar kështu? Për atë, që paska ndodhur në Drenicë, Dukagjin, Shalë?
-Jo vetëm atje. Gjithkund në Kosovë… (Novela, fq.43)
Këtu kemi të bëjmë me një ngjarje reale, konkrete, tashmë historike. Është fjala për demonstratën masive të popullit shqiptar, më 2 mars 1999, në Prishtinë, pas masakrës në Likoshan e Qirez. Në atë u vranë civilë të pambrojtur shqiptarë dhe qëndrimin dinjitoz, të Lumit, në burg.
Në novelën e Kurtit gjen edhe vargje e mendime të humanistes dhe nobelistes shqiptare, Gonxhe Bojaxhiu-Nënë Tereza, që mund të merren si mesazhe, se njeriu nuk duhet të dorëzohet, në sfidat, që na i sjell jeta.
Si mjeshtër i penës, Kurti, përmes Lumit dhe Egzonit, trajton një skenë figurativisht dramatike, se si yjet do të ndriçojnë rrugën, si duket, balada e rinjohjes së burrit me gruan etj. Novela e Kurtit shpesh di të jetë provokuese. Kësisoj, ngjarja, nga një kuptim dashurie, përfundon në ngjarje abstrakte. Rast konkret kemi në këtë pjesë të novelës:
“Fjalët ia morën valët. Ajo u fut në det. Së bashku me te edhe ai. Valët e detit mësynë me furi gjoksin e tij. Fryma i ngriu në gjoks. Hapi krahët ta përqafonte….kaltërsinë. Duart joshësi iu mbushën. Ajo kishte hipur maje Kalaje e po krehej me rrezet e diellit.(Novela, fq.95)
Kur lexohet krijimtaria e Kurtit, të zgjohen asociacione, me atë të Hygoit; edhe këtu e ndien atë aromë hygojane:
“Ishte viti i mbrapshtë. Vit a shekull, si të doni quajeni, veç i shirave dhe bubullimave. Aq shumë binte, sa flokët e kokës u shndërruan në ujëvarë…Lumi doli nga shtrati… Bora po shkrihej me të madhe…”(Novela, fq.73)
Në këtë novelë janë të pranishme edhe çastet e mobilizimit, shtimit të radhëve të UÇK-së, e cila ishte forca dhe shpresa e vetme, për realizimin e ëndrrës së popullit, për liri, por dhe e realizimit të dëshirës së Lumit dhe Lirisë, për bashkimin e tyre, me dasmën e Kreshbardhës:
“Shekulli ishte ende kërthi, sapo kishte mbushur dy vjeç… Kumtoi thirrja e ëndërruesit të madh, për ta shndërruar botën në bazë parimesh të reja, të drejta. Por rrugët reale të së ardhmes, asokohe, nuk ishin të qarta.(Nina Muravieva, Viktor Hygo, Tiranë, 2000, fq.3).
Largimi i heronjëve të novelës nga dashuria e tyre, sepse Liria e ftoi në udhën e malit, është një ngjarje tjetër interesante, që autori e sjell te lexuesi. Gërshetimi mjeshtëror i legjendave, realitetit dhe alegorisë, në novelën e Kurtit, përfundon mrekullueshëm. Mendimit të autorit, “Nëse më do si Lirinë, do më kesh pranë çdo herë(M.K)”, që e kam cituar qysh në fillim, do ia shtoja edhe si perëndinë ( R.Z).Kështu, besoj se do fuqizohet mendimi i krijuesit edhe më shumë dhe besueshmëria në dashuri.
Dasma, në novelën e Kurtit, me gjithë ato vështirësi e sfida, dy herë ndërpritet, për t’u realizuar herën e tretë. Tashmë, është thyer kufiri dhe pret ballëhapur bashkimin e tyre. Simbolika e dasmës është dy hapësinore: Lumi e Liria presin bashkimin e tyre, sepse e duan njëri-tjetrin, sikurse çlirimin ose lirinë. “Dasma e Kreshbardhës” nuk do ndalet, por do të jehojë përtej maleve e deteve!… (Autori Miftar Kurti, libri ”Dasma e Kreshbardhës”, nga SHSHM “Jakup Ceraja”, Mitrovicë, 2007)
Vushtrri (Kosovë), 9 korrik 2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura