(Prishtinë, 04. 10. 2012) – Vetëm duke kushtëzuar (Serbinë) bëhemi sovranë (karshi saj). Kushtëzimi është proces sovranizimi. Kushtet ndaj Serbisë për çfarëdo komunikimi a bisedimesh me të do të mund t’i grupojmë në pesë lloje. Së pari, kushtet juridike: Serbia duhet ta ndryshojë Kushtetutën e saj ku thuhet që Kosova është pjesë e Serbisë dhe duhet ta pranojnë pavarësinë e Kosovës. Së dyti, kushtet morale dhe humanitare: Serbia duhet t’i kërkojë falje Kosovës për krimet ndaj shqiptarëve përgjatë gjithë shekullit XX dhe të na i kthejë trupat e rreth 1750 të pagjeturve për të cilat nuk jep as informacione. Së treti, kushtet politike: Serbia duhet të pushojë shtypjen dhe shkeljen e të drejtave të shqiptarëve autoktonë në Luginën e Preshevës dhe ta ndërpresë financimin e strukturave të saj ilegale në Kosovë. Së katërti, kushtet e drejtësisë: Serbia duhet të na i dorëzojë kriminelët serbë të luftës dhe të mos lejojë që të shëtiten të lirë edhe më tej ata dhjetëra mijëra kriminelë serbë të luftërave të viteve të ´90-ta. Së pesti, kushtet e zhdëmtimit: Serbia duhet të na i paguajë dëmet e luftës dhe të okupimit, të na e kthejë fondin e plaçkitur pensional, depozitat bankare të qytetarëve të Kosovës, regjistrat civilë, librat kadastralë dhe artefaktet kulturore.
Normalizimi i marrëdhënieve. Kështu quhet rezultati që do të dalë nga dialogu i ardhshëm politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në fund të raundeve të reja të dialogut politik me Serbinë, në Bruksel apo gjetiu, do të kemi normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Dialogu politik do të zgjasë deri kur të realizohet ky qëllim: marrëdhëniet normale midis Kosovës dhe Serbisë. Natyrisht që nuk është krejt kështu. Meqë bëhet fjalë për dialog politik për veriun, në fakt, rezultati do të jetë një status i veçantë për veriun. Përfundimi i dialogut të paralajmëruar politik konsiston te solucioni për veriun e Kosovës, ndërkaq normalizimi i marrëdhënieve ngjan përgjatë procesit dialogues deri atje. Me fjalë të tjera, normalizimi i marrëdhënieve nuk paraqet rezultatin e dialogut politik por një emërtim tjetër për vetë dialogun politik. Kësisoj, dialogun politik mund ta quajmë edhe normalizim të marrëdhënieve. Pra, dialogu politik midis Kosovës dhe Serbisë ose normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Kaq. Duke biseduar me Serbinë, duke shtrënguar duart dhe duke qeshur fytyrat, duke u ulur në të njëjtën tryezë dhe duke nisur bisedat, do të duket që Kosova dhe Serbia i kanë normalizuar marrëdhëniet. Do të krijohet përshtypja se përfaqësues të lartë të të dyja vendeve takohen si miq që bisedojnë me dashamirësi porsi përfaqësuesit e dy vendeve të tjera në botë që nuk kanë probleme apo që i zgjidhin kollaj problemet e vogla meqë kanë vullnet të mirë e interes të përbashkët. Serbisë më shumë se kaq nuk i nevojitet. Madje edhe koalicioni nazifashist që erdhi në pushtet në Beograd do të duket normal para botës dhe asisoj do të fitojë poena të rinj drejt fillimit të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE. Objektiva e parë do të realizohej: dialogu politik Kosovë-Serbi shërben si trampolinë për negociatat Serbi-BE. Ashtu qysh nga dialogu teknik me Kosovën Serbia e Tadiqit e fitoi statusin e vendit kandidat për BE, përmes dialogut politik me Kosovën Serbia e Nikoliqit do të mund t’i fillojë negociatat me BE-në për t’u bërë anëtare e saj. Përfundimisht, normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të përkthehet në normalizim të marrëdhënieve Serbi-BE me Kosovën gjithnjë e më abnormale. Sepse, nga normalizimi i marrëdhënieve me një shtet abnormal si puna e Serbisë mundesh veçse të abnormalizohesh edhe më tej. Dhe, sepse nga dialogu me Serbinë për veriun do të abnormalizohemi në drejtim të Bosnjës e nuk do të normalizohemi në drejtim të Sllovenisë.
……………………………………………
Hashim Thaçi: “Normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë është bërë një domosdoshmëri, por Beogradin e pengon mentaliteti i së kaluarës”!
…………………………………………..
Në anën tjetër, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë nënkupton që Serbia është normale dhe se vetëm marrëdhëniet e saj me Kosovën nuk janë normale prandaj nevojitet një normalizim i këtyre marrëdhënieve jonormale. Se Serbia është normale si Serbi-në-vetvete, Serbi-për-vetvete dhe Serbi-për-të-tjerët, ndërsa vetëm si Serbi-për-Kosovën kemi jonormalitet. Supozimi i këtillë e ndan Serbinë prej marrëdhënieve të saj me të tjerët, përkatësisht prej marrëdhënieve të saj me Kosovën. Ky supozim tashmë e paraqet Serbinë si të pavarur nga Kosova. Kjo sigurisht se është e gabueshme dhe e padrejtë. Kosova duhet të jetë e pavarur nga Serbia. Serbia duhet të jetë e varur nga Kosova, sepse Kosova është e vërteta e Serbisë. Ta trajtosh Serbinë të pavarur nga Kosova do të thotë ta fshehësh të vërtetën e Serbisë, ta shpëtosh Serbinë nga e vërteta e saj kriminale, një shpëtim ky gjithsesi kriminal. Marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën nuk janë çështje e ndarë nga karakteri i Serbisë. Ky karakter i saj është i shprehur prej historisë së saj në Kosovë e deri te strukturat ilegale në veri të Kosovës dhe jo vetëm atje; prej Kushtetutës së saj ku shkruan se Kosova është pjesë e Serbisë e deri te qëndrimet e zyrtarëve të ndryshëm shtetëror të saj kundër pavarësisë së Kosovës dhe kundër shqiptarëve. Marrëdhënia e Serbisë me Kosovën, në njërën anë është deduksion i karakterit të shtetit të Serbisë, kurse, në anën tjetër, është konfirmim sforcues i këtij karakteri, deri në pikën kur shndërrohet në të vërtetën e Serbisë. Pa Kosovën nuk e merr vesh Serbinë. Me Kosovën mund ta kuptosh Serbinë, se kush dhe çka është ajo, se pse dhe si ajo është ajo që është. Serbia dhe marrëdhënia e Serbisë me Kosovën kurrsesi nuk janë dy gjëra të jashtme për njëra-tjetrën, të ndara e të pavarura prej njëra-tjetrës. Nga marrëdhënia e Serbisë me Kosovën e kupton shumë më tepër Serbinë sesa nga të gjitha marrëdhëniet e tjera të saj minus marrëdhënia e saj me Kosovën. Serbia thotë që Kosova nuk është rast sui generis. Në të vërtetë, Kosova është rast sui generis vetëm për Serbinë dhe për askë tjetër. Jo për shkak të historisë së Serbisë në Kosovë por për shkak të Kosovës në historinë e Serbisë. Pranimi dhe njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia pa dyshim se nuk do ta ndryshonte vetëm marrëdhënien e Serbisë me Kosovën por vetë Serbinë si të tillë. Jo vetëm shteti i Serbisë por edhe kombi serb pas çlirimit nga mitet për Kosovën do të duhej ta ridefinonte veten. Sa herë që ndonjë zyrtar i Serbisë e thotë që “kurrë s’do ta njohin pavarësinë e Kosovës”, prapa arrogancës dhe agresivitetit të atillë gëlon trishtimi: kombi serb duhet të ridefinohet dhe ai mund të mos e mbijetojë ridefinimin. Pra, pavarësia e pranuar e Kosovës e transformon Serbinë, por edhe kombin serb, të qenit serb. Dihet që përderisa Serbia e pranonte edhe Republikën edhe pavarësinë e Malit të Zi, ajo nuk e duronte dot as autonominë e Kosovës të cilën e pat suprimuar me dhunë në vitin 1989.
Në Kosovë po braktiset agjenda e normalizimit të shtetit të Kosovës për hir të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Me një entitet abnormal nuk mund të kemi marrëdhënie normale. Normalizuesit nuk janë normalë. Normalizuesit janë abnormalizues. Në vend të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë duhet të kemi kushtëzim të Serbisë. Madje, pikërisht ky kushtëzim do ta sjell normalizimin e vërtetë. Duke e bërë Serbinë normale, pra duke e ndryshuar Serbinë, i hapim rrugë normalizimit të marrëdhënieve me të. Njëkohësisht, vetëm duke kushtëzuar (Serbinë) bëhemi sovranë (karshi saj). Kushtëzimi është proces sovranizimi.
Kushtet ndaj Serbisë për çfarëdo komunikimi a bisedimesh me të do të mund t’i grupojmë në pesë lloje. Së pari, kushtet juridike: Serbia duhet ta ndryshojë Kushtetutën e saj ku thuhet që Kosova është pjesë e Serbisë dhe duhet ta pranojnë pavarësinë e Kosovës. Së dyti, kushtet morale dhe humanitare: Serbia duhet t’i kërkojë falje Kosovës për krimet ndaj shqiptarëve përgjatë gjithë shekullit XX dhe të na i kthejë trupat e rreth 1750 të pagjeturve për të cilat nuk jep as informacione. Së treti, kushtet politike: Serbia duhet të pushojë shtypjen dhe shkeljen e të drejtave të shqiptarëve autoktonë në Luginën e Preshevës dhe ta ndërpresë financimin e strukturave të saj ilegale në Kosovë. Së katërti, kushtet e drejtësisë: Serbia duhet të na i dorëzojë kriminelët serbë të luftës dhe të mos lejojë që të shëtiten të lirë edhe më tej ata dhjetëra mijëra kriminelë serbë të luftërave të viteve të ´90-ta. Së pesti, kushtet e zhdëmtimit: Serbia duhet të na i paguajë dëmet e luftës dhe të okupimit, të na e kthejë fondin e plaçkitur pensional, depozitat bankare të qytetarëve të Kosovës, regjistrat civilë, librat kadastralë dhe artefaktet kulturore.
Le ta shohim se cilat prej këtyre kushteve Serbia është e gatshme t’i plotësojë, apo jo? Le ta shohim se cili është qëndrimi i Serbisë kur t’i dëgjojë këto kushte të thëna publikisht nga Qeveria e Kosovës. Faktorët ndërkombëtarë nuk ia bëjnë këto kushte Serbisë nëse këtë gjë nuk e bën së pari vetë Kosova. E këtë gjë kurrë nuk do ta bëjë kjo Qeveri dhe ky kryeministër, sepse mu këta ndërsyen deputetët e PDK-së për të votuar kundër-mocionin kundër reciprocitetit me Serbinë me 20 janar të këtij viti. Normalizimi i vërtetë është pikërisht ai nëpërmjet reciprocitetit.
Pa e kushtëzuar Serbinë dhe pa reciprocitet ndaj saj, normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë do të jetë marrje e territorit të Kosovës dhe dhënie e kontrollit Serbisë, marrje e funksionimit të shtetit të Kosovës dhe dhënie e integrimit të përshpejtuar të Serbisë në BE. Dhe, merreni me mend, e gjithë kjo të ndodhë kur Serbia po udhëhiqet nga koalicioni i ish-zëvendësit të Sheshelit dhe ish-zëdhënësit të Milosheviqit!
Një përfaqësues normal i Kosovës nuk do të mund të merrej vesh me Serbinë as çka quajmë normalizim të marrëdhënieve. Nuk do të mund të merrej vesh për domethënien e fjalës ‘normalizim’, për domethënien e fjalës ‘marrëdhënie’, dhe as për domethënien e nyjes së përparme ‘i’ me pikë.