MUHARREM ABAZAJ: LASHTËSIA E GJUHËS SHQIPE

Tiranë, 17 korrik 2017: Kohët e fundit, analisti i njohur Mustafa Nano ka botuar librin “SANDWICH” në të cilën trajton një temë delikate, problemin e identitetit të kombit tonë. E drejta e kujdo të shprehë mendimet e tij. Kam mendime të kundërta me të për mjaft çështje, si për figurën e heroit tonë kombëtar Skënderbeut, poetit kombëtar Gj. Fishtës etj., por më nxiti të shkruaj këto rreshta një mendim i shprehur prej tij në këtë libër. Pikërisht”…them që ka shumë gjasa që shqiptarët rrjedhin nga ilirët por nuk është një tezë e kopsitur 100 %. Jam skeptik në këtë aspekt. Sepse historia kërkon fakte….nuk bëhet me pseudofakte.” Kjo pyetje mund t’i ketë lindur çdo shqiptari, por Nano e shfaq atë pa rezerva.
A është zgjidhur përfundimisht problemi i prejardhjes së gjuhës shqipe rrjedhimisht edhe problemi i autoktonisë së shqiptarëve?
Si tipari kryesor dallues i një kombi është gjuha e tij. Pikërisht për këtë arsye studimi i prejardhjes së gjuhës shqipe ka gati tre shekuj që rrihet nga studjues të shumtë shqiptarë dhe të huaj. Gati për të gjithë këtë kohë dy kanë qenë tezat që kanë konkuruar.
E para, ajo që ka mbështetur prejardhjen nga pellazgjishtja, të njohur si teoria e Hahnit dhe e mbështetur pothuajse nga të gjithë rilindasit tanë. Tezë e cila mbizotëroi deri nga vitet 50’të të shekullit të kaluar dhe e dyta, ajo e prejardhjes nga ilirishtja e mbështetur nga E.Çabej, Sh.Demiraj etj.
Albanologjia shqiptare aktualisht i përmbahet tezës së prejardhjes nga ilirishtja. Mirpo a ka të drejtë M.Nano që shpreh skepticizmin e tij për këtë çështje?
Unë them po!
A është provuar shkencërisht prejardhja e shqipes nga ilirishtja?
A janë gjetur materiale të shkruara në gjuhën ilire për t’i krahasuar ato me gjuhën shqipe të sotme dhe të tregonin lidhjet midis tyre, evolucionin gjuhësor iliro – shqip. Nëse do ta kishim arritur këtë, do t’ia paraqesnim këto fakte botës shkencore, do t’i bindnim ata për gjenezën tonë, për identitetin tonë kombëtar. Por kjo nuk është arritur.

Autori i librit “Sandwich”, Mistafa Nano.

Vetë Çabej, si udhëheqësi i studimeve të albanologjisë shqiptare mbase me keqardhje, e ka pranuar këtë realitet “këtë moskopsitje” të këtij problemi: “Duke pëmbledhur ç’u tha për burimin e shqipes, me çështjet që dalin përbrenda tij, dhe rrugët që janë ndjekur e metodat që janë zbatuar për të arritur në një zgjidhje, me një vështrim objektiv do të thuhet se janë sqaruar disa anë, disa pika janë zbërthyer, po ky problem në thelb mbetet gjer më sot i pazgjidhur.” (Hyrje në Historinë e Gjuhës shqipe f.73).
Pra “në thelb” i pa zgjidhur. Ende tani pas gati gjysëm shekulli, kur albanologjia shqiptare pat arritur në këtë përfundim, nuk kemi asnjë fakt të ri, jemi në të njëjtin stad studimi, në një gjendje të mjegullt, në ruajtje të “statukuosë”, të vendosur nga Kuvendit i Studimeve Ilire të vitit 1972.
Kur një intelektual shqiptar si M.Nano është skeptik për këtë prolem, si do të mendojë një i huaj?
Ai do ta ketë fare të lehtë të besojë se shqiptarët nuk janë një poull i lashtë, se ata nuk janë autoktonë në këto troje, se gjuha e tyre do të jetë ndonjë farë zhargoni.
Problemi i përcaktimit përfundimisht të identitetit kombëtar nuk është një çëshje shuarje kureshjteje historike, është një detyrë madhore e Albanologjisë, pasi ka të bëjë me dinjitetin kombëtar, me shpalosjen e vlerave vitale të kombit tonë, me krenarinë dhe frymëzimin që rrjedhin prej kërtyre vlerave për të gjithë brezat.
E parë me këtë sy, kjo përbën një detyrë madhore kombëtare, është detyrë për të gjithë studjuesit shqiptarë, por në veçanti për institucionet e specializuara që ta vënë në rendin e ditës këtë problem. Duhet t’i japim fund kësaj gjendjeje apatie. Ose të provojmë se jemi një popull i lashtë, i lindur dhe ngulur në këto troje, që kemi folur dhe flasim një gjuhë të lashtë, ose të ulim kokën dhe të pranojmë se “nuk e dimë as vetë ç’ jemi, nga kemi ardhur” dhe të pranojmë e mbajmë shënim çfarë thonë të huajt për ne.
Po a mund të arrihet një zgjidhje shkencore e këtij problemi kaq të vështirë?
A mundet të sigurohen materiale të tilla gjuhësore që të mund të shpien në zbulimin real të prejardhjes së gjuhës shqipe?
Në këto vitet e fundit mund të themi se ka marrë formë një grupim, një” rrymë”, e përbërë nga mjaft studjues, kryesisht shqiptarë, e cila ka rimarrë në mbrojtje tezën e prejardhjes pellazgjike të gjuhës shqipe. Në vështrim të parë kujtdo i krijohet një përshypje e pakëndëshme, sepse kur nuk është arritur të zbulohen dokumenta të shkruara të gjuhës ilirishte si mund të gjenden të tilla në pellazgjisht, e cila është më e lashtë se ilirishtja? E parë në këtë këndvështrim kjo rrymë jo vetën nuk ka gjetur mbështetje, por është kundërshtuar, së pari nga vetë kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, z.M.Korkuti. Me një të rënë të lapsit, publikisht në një nga të përditëshmet me popullaritet në vendin tonë, Z.Korkuti i quan të gjithë botimet e këtyre studjuesëve si “gabime trashanike shkencore”, “tendenca nacionaliste” etj.
Edhe sikur këto botime, të cilat vinë si rezulat i një pune shumëvjeçare të këtyre studjuesve atdhedashës, të kishin një përqindje fare të vogël të së vërtetës, ato duhet të ishin bërë objekt analizash. Në këto kushte këta studjues janë rrekur të bashkrendojnë disi studimet e tyre përmes rrjeteve socale, përmes disa potaleve individuale, gazetave etj., të cilat nuk kanë qenë fare pa rezultat. Faktet dhe argumentet që parashtrohen prej tyre, është i gatshëm t’u dalë zot seicili, unë jam i gatshëm të mbroj faktet dhe argumentat e mija.
Fakte bindëse për të vërtetuar se si ka qenë gjuha shqipe në kohë të lashta janë vetëm ato që mund të jenë në trajtë të shkruar. Dhe pikërisht fakte të tilla kemi sjellë. Vërtet se nuk kemi materiale të shkruara në libra, por kemi shkrime në gjuhën shqipe të gdhendura në gurë, në qeramikë apo edhe fleta ari. Kemi arritur t’i deshifrojmë këto mbishkrime të lashta që shkojnë deri në disa shekuj p.e.s, të gjetura dhe të marrrë në ruajtje në vende të ndryshme jo vetëm në Shqipëri por edhe në Greqi, Itali, Maqedoni. Bullgari e gjetkë. Për fat këto mbishkrime, nuk kanë patur fatin e librave që patjetër do të jenë shkruar në këtë shqipe të lashtë, e cila atë periudhë është emërtuar pellazgjishte, sepse në përgjithësi kanë qenë gurë varresh ndaj dhe nuk janë prekur.
Disa nga këto mbishkrime të deshifruara i kam pasqyruar në librin “Pellazgët kanë folur dhe shkruar shqip”-2013). Deshifrimi i tyre më ka mundësuar jo vetëm të zbuloj trajtat e një numri të konsiderueshëm fjalësh të shqipes së lashtë, por të zbuloj edhe strukturën gramatikore të saj, e cila përbën skeletin e strukturës gramatikore të shqipes së sotme. Me shumë rëndësi është fakti që gjuha jonë e sotme shqipe ka ardhur në trajtën aktuale si një evolucion i pandërprerë dhe i natyrshëm i pellazgjishtes. Ajo ka ruajtur vazhdimsinë e saj, ka qenë gjuha e ilirëve, e arbërve dhe sot e flasim ne.
Dalja në dritë e këtyre fakteve kërkon vlerësimin e drejtë të tyre dhe gjetjen e një mirëkuptimi midis institucioneve kërkimore shkencore dhe këtij grupimi studjuesish. Në veçanti Qendra e Studimeve Albanologjike, duhet ta vërë këtë çështje në axhendën e punës së saj. Unë kam besim se drejtuesit e kësaj Qendre, si gjuhëtarë me aftësi dhe përvojë të lavdërueshme, e ndjenë nevojën e këtij bashkpunimi për të bërë të mundur vënien në udhë të drejtë të zgjidhjes përfundimtare të kësaj çështjeje mjaft të vështirë. Por duhet që ky institucion shkencor të ketë një mbështetje më të madhe financiare nga ana e shtetit. Them që të ketë një mbështetje më të madhe financiare, pasi është për të ardhur keq, kur Qendra e Studimeve Albanologjike e Tiranës, e cila ka arritur me përpjekje të lavdërueshme të organizojë çdo vit Konferenca Ndërkombëtare për problemet e gjuhësisë, i ka mundësuar ato me kontribute financiare të vet studjuesëve referues.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura