MIT’HAT FRASHËRI: GAZETARËVE – SHTYPI S’DUHET TË JETË PASQYRA E KAFENEVE

(Pashtriku.org, 05. 10. 2012) – Gazetat sot në botë janë një tregëti: shesin kartë të shtypur, si bakalli që shet djathë të kripur. Po në fillesë, dhe më tepër akoma në shekullin që shkoi, në nisje të lindjes të kombeve, gazetat kanë qenë vegla ideje, organe për të inspiruar patriotizmin, për të mbrojtur të drejtat e popullit, për të luftuar armikun. Meqenëse edhe Shqipëria është në fillim të jetës politike, meqenëse nuk kemi shtyp të përditshëm, as posta të shpejta në vendin tonë, duhet që edhe fletët tona të jenë lajmëtarët e interesave të kombit dhe të vendit tonë. Në qoftë kështu, në qoftë se çdo botonjës ndjen madhërinë e detyrës, mendohem sa prej fletëve shqip që shtypen sot do të guxojnë të vazhdojnë botimin e tyre?
Mjerisht shumë gazetarë kanë pandehur se fleta e tyre është një send pa rëndësi, si fjalët që thuhen në kafenet, në mes zemërimit dhe inatit, të hedhura në krahët e shtytjes të minutës, pa u menduar fundi, pa llogaritur ç’peme, ç’dobi ose dëm mund të bjerin.
Çdo shkrimtar është një këshilltar; pa gazetari është edhe me tepër akoma: është një predikonjës, një njeri fjalët e kujt, të hedhura së sipri katedrës, mbeten dhe qëndrojnë edhe e shihni sa përgjegjësi ka ai që thotë ato fjalë?

Mit’hat Frashëri (25 mars 1879 – 3 tetor 1949)

…………………………………………….

Shumë kujtojnë se gazeta s’ka veçse një detyrë kritikë. Dhe nga fjala kritikë marrin vesh të qortuar të sharë. E redaktuar në këtë pikë të thjeshtë gazetarit s’i duhet ndonjë vlerë, s’ka nevojë për dituri për gjerësi vështrimi. Arrin vetëm të ketë një pakicë imagjinatë, fjalën të lehtë, pendën të papenguar.
Kritika qortimi – sharja mund që të jenë e njëqindta e detyrave të botimtarit, ajo e fundit. Gjer atje ka barrën të ndriçojë këndonjësin (lexuesin), t’i rrëfejë udhë, t’i inspirojë vullnet për punë të mbarë, t’i rrëfejë udhën e drejtë, ta ruajë prej greminave të rrezikshme, të mbrojë interesat e tij dhe të kombit të tërë duke rrëfyer rreziqet, duke i ngritur dhe ngjallur kurajon.
Shtypi s’duhet të jete pasqyra e kafeneve, vendi i fjalimeve të zbraztë. Duhet të jetë shkolla e moralizimit, kopshti i një jete morale, shkolla e të vërtetave politike dhe shoqërore, predikimi për zhvillim mendor dhe shpirtëror, e një disipline vullnetare e një rregulle të inspiruar prej amorit dhe dashurisë, duke kuptuar drejt dhe vërtet interesin tonë.
Me këtë mënyrë gazetarit i bie mbi supe barra më e madhe; roli i tij është i komplikuar, se duhet të jetë, tërë kohës, edhe një mjek që sheron sëmundje, edhe një meshtar që përkujdeset për shpirtin, edhe një avokat që i mbron të drejtat edhe një gjykatës që i ndan gjyqin.
Do të më pyesë ndokush: Po cili është feneri që duhet të ndrijë udhën dhe gjykimin e një gazetari, cili është kriteri me të cilin do të gjejë udhën e vërtetë në ketë dedalë kaq të përdredhur?
Do të them: Ndërgjegja e tij, ajo ndërgjegje që duhet të prijë çdo patriot, çdo akt të patriotizmit, me një amor mistik të këtij trualli që i themi Shqipëri, të këti populli që e quajmë shqiptar. Në qoftë se nuk e ke ketë dritë në zemrën tënde, në qoftë se nuk ndjen një dashuri, një dhembshuri të pakufizuar për vëllezërit dhe truallin e tyre, ahere largohu nga gazeta: hiqu, bëhu bakall, ose më mirë akoma: bëhu kasap. Patriotizmi i tij arrin, thamë, bashkë me patriotizëm dhe pak modesti; po edhe një frikë e madhe nga kotësia ambicioze, nga kjo sëmundje e gjelave të detit, që janë më pak të mençmet e shtazëve, po që edhe mufaten më tepër. Modestia do të jetë pesha e gazetarit, si pesha e atij që lot mbi tërkuzë, që e ndalon të bjerë mbi hundë. Pa këtë modesti, do të pandehim se i dimë të gjitha, se gjykimi ynë është ai më i drejtë, se më të ditur nga ne s’ka tjetër. Pa modestinë do të harrojmë rëndësinë dhe komplikimin e çështjeve shoqërore, hollësinë e pyetjeve politike, faktorët e panumërt që synojnë punët e njeriut dhe të njerzisë. Edhe do të pandehim se me një të rënë pende, me një fjalë tonën, do të ndajmë pyetjet më të vështira, do të zgjidhim problemet me të rënda të njerëzisë. Në duam pra që të ketë rëndësi shtypi ynë dhe të bëjë shërbim, duhet që edhe të jetë në duar të denja, në njerëz të zotë, të pajuar me cilësi dhe virtyte të larta.
Kështu siç është sot, është e pamundur që të quajë njeriu me të vërtetë shtyp, shtypin tonë, është e pamundur që të mos qajë duke e parë. Sot në gazetat tona dhe mjerisht “fletorarizma” po bëhet një industri nacionale sot në gazetat tona, them, kujdesin krenar, qëllimin e vetëm, e formon kritika e qeverisë. Kam qenë kurdoherë kundër të kritikuarit të qeverisë, se e kam shikuar si një vepër imoralizonjëse, që e shtyn njerinë në katastrofë.

Disa gazeta shqiptare, të kohës së Mit’hat Frashërit.

…………………………………………………………..

Duhet të jap ca shpjegime: Shqiptari prej natyre është kotësidashës, plot vanitet dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij: i pëlqen kurdoherë të ngarkojë një tjetër. Duke ngarkuar fajin tim mbi supet e tjerë, unë vetë s’kam kurrë më shpresë që të bëhem njeri, të ndreq lajthitjet dhe të përmirësohem. Puna ime do të vazhdojë kurdoherë pra e keqe, më e keqe se në fillim: kohën e vyer dhe vullnetin e çmuar po e shkoj duke ngarkuar një tjetër, në vend që të ndreq punën time. Përveç një dëmi të dukur, do të kem edhe demin moral, të gënjeshtrës dhe të paditësisë. Në kohë të sundimit turk qe një virtyt të gjendet njeriu kundër qeverisë. Unë kam këshilluar kurdoherë vetëperfektimin, të përpiqet njeriu të ndreqë të metat dhe lajthitjet e tij, pa vënë re ç’bën bota. Se, sado e keqe që ishte administrata turke, tërë ajo administratë s’i kishte ndalur judenjtë, grekët, ermenët dhe sirianët të jenë të qytetëruar dhe të përparuar; si bëhet që Bejruti, Izmiri, Selaniku, ku administrata turke mbretëronte me tërë fuqinë e saj, ishin vende të përparuar dhe të qytetëruar, dhe Luma e Mirdita, në të cilat s’kishte shkelurë kurrë këmba e një nëpunësi turk, qenë vendet më të pasmbetur të dheut?
Si u bë Shqipëria jonë, pasi patëm një shtet dhe sundim tonin, zakoni i vjeter prapë vazhdoi, dhe prapë u quajt një patriotizëm të gjendet kush kundra qeverisë: arrinte që të dijë të kritikojë, të qërtojë, shumë herë dhe të shajë që të shquhej njeriu si patriot liberal si përparimtar Them se kjo mënyrë pamje më duket fort e rrezikshme për moralin; dhe kjo nga dy shkaqe:
E para se, vendi ynë, i zverdhur prej sundimi të tij, i pamësuar në qeverim shqiptar, ka nevojë të mësohet që të respektojë, të dojë dhe të venerojë qeverinë e tij, të shikohet dhe të rritet prestigji i kësaj qeverie. Ndryshe, do të kemi një shtet të dobët, të rënë në anarshi dhe pa pozitë të fortë përpara syve të Shteteve të huaj.
E dyta, se fjala qeveri nuk rrëfen kurrë një send pozitiv; për mua kjo fjalë është një përallë, një hije, një erë. Nuk mund t’i hedhim faj një gjëje, që nuk ekziston që s’ka trup, që është vetëm një skaj teknik. Në është prej fjalës qeveri duan të kuptojmë të shtatë ministrat e kemi lajthitje; se të shtatë ministrat s’janë vetëm, janë me parlamentin, me zyrtarët e qendrës me funksionarët e çdo departamenti, me nëpunësit e administratës civile dhe militare, me gjithë degat dhe rrotat e kësaj makine të madhe që i thonë burokrati.
Ahere kë kritikojmë? Të shtatë ministrët, deputetët, apo numrin e pasosur të nëpunësve? Duhet që ta caktojmë, duke mos haruar se asnjë, prej personavet që formojnë pyllin e administratës nuk janë të patundur: të gjithë venë e vijnë, ndërrohen, sot emërohet një tjetër në vend të atij që ishte më parë. Është pra një det që valët ndërrohen çdo ditë, një pyll ku drurët përtëriten.
Shumë njerëz kuptojnë ministrat kur thonë qeveri. Pra gjithë buja për shtatë veta qenka. Po kombi nuk formohet vetëm prej këtyre të shtatëve, janë edhe me qindra mijë të tjerë. A duhet që duke u marrë vetëm me shtatë, të harrojmë moralizimin dhe edukatën e gjithë popullit? A duhet që duke kritikuar të shtatët, të lemë të shuhet te populli ndjenja e detyrës dhe e përgjegjësisë personale? A është gjë e mirë që unë vetë, si këndonjës, ai tjetri që ka vënë veshin dhe na përgjon, të merremi vetëm me kritika dhe të neglizhojmë punën tonë, të harrojmë se dhe ne kemi detyrën e madhe që të jemi të përgjegjshëm prej akteve tanë? Do të më thoni se, duke e kritikuar e rrëzojmë qeverinë, dhe duke e rrëzuar do të kemi fat të na vijë një qeveri më e mirë.
Njëherë s’është fare e vërtet që me kritika rrëzohet një qeveri. E dyta s’është fare e sigurt se pas qeverisë që është në fuqi ajo që e pason është më e mirë. Po kam një pyetje tjetër: Puna e mirë ose e keqe e qeverisë duket me veprat dhe me sjelljet e nëpunësve. Me të hequr të shtatë ministrat, a do të heqesh edhe gjithë deputetët, gjithë nëpunësit (disa mijë) që janë bashkëpunëtorët e qeverisë? – Të rinjtë që do të vesh në vend, a nga populli do të dalin, apo nga ndonjë fabrikë do t’i sjellim?
Meqenëse çdo send nga populli paska për të dalë, atëherë le të përpiqemi për moralizimin dhe përparimin e popullit, le ta nisim punën nga rrënja, nga themeli, dhe jo nga degat. Kritika e qeverisë e shkarkon, njerinë prej përgjegjësisë, meqenëse çdo faj ia hedh një hije, një ëndrrë. Dua të moralizojmë, të zgjojmë popullin, meqenëse nga populli do të dalin ministrat, deputetët, zyrtarët, xhandarët, ushtarët dhe oficerët. Në e lënshim këtë lëndë të madhe të pastërvitur, ku do të gjejmë nesër materialin që të na kënaqë dhe të na vlejë?
Kritika e qeverisë është puna më e lehtë e botës, dhe prandaj në atë jepet çdo njeri që s’ka ndonjë vlerë në personin e tij, çdo njeri që s’është i zoti të flasë prej një sendi me dobi, prej një subjekti pozitiv. Është si fjalët e atyre që s’gjejnë tjetër ç’të thonë, po qahen nga koha, herë nga vapa dhe herë nga të ftohtët.
Po, në u mendofshim se çdo zyrtar, çdo deputet, çdo ministër del nga vendi dhe nuk vjen së jashtmi, duhet të mbledhim gjithë kujdesin që të bëjmë të përgjegjshëm vetë popullin për administratën dhe për qeverinë; kështu, në fund të fjalës qeveria identifikohet me popullin, me njerëzit e këtij kombi. “Çdo komb ka qeverinë që meriton” është një fjalë me shumë urtësi, dhe do përpjekurë që populli ynë të meritojë një qeveri të mirë, të mos ketë dot veçse një administratë të mirë. Duke kallzuar qeverinë me kritika, unë, ti dhe shoku ynë shkarkojmë veten tonë prej çdo barre, prej çdo përgjegjësie, rrimë, prehemi dhe s’bëjmë asgjë për veten tonë, që të përmirësohemi dhe të përparojmë. Kurse nga, ana tjetër, duke thënë populli, dhe duke pritur çdo send prej popullit atëhere të gjithë jemi brenda, ti, unë, shoku ynë, qeveria e sotme, ajo që do të vijë nesër, dhe ajo që do të vijë më vonë, pasnesër.
Fuqia e një njeriu është e vogël për të ndrequr një qeveri të tërë, por e mjaftë për të ndrequr punët e tij personale. Unë kam parë në kohë të Turqisë një shqiptar që kritikonte me orë dhe me javë qeverinë pse nuk godit udhë, dhe ai burrë vetë, me të shtatë vëllëzerit e tij kishte dy pëllëmbë baltë në oborr. Jo shumë muaj më parë, një pronar i madh kritikonte qeverinë pse nuk kujdeset për bujqësinë, dhe vetë s’kishte vajturë kurrë të shohë si punohet ara e tij. Po kjo sëmundje ka hyrë edhe gjer te zyrtarët, të cilët përsëritin fjalët e kafeneve dhe të gazetarëve, dhe neglizhojnë detyrën e tyre për të cilën marrin rrogë!
Në qoftë se kritika e qeverisë është një kotësi e padobishme për shtypin e Shqipërisë, për gazetat shqip që botohen jashtë, ky faj bëhet një krim. Politika, zihjet e partive, paditjet e tyre njëra kundër tjetrës mund, gjer me një shkallë, të falen brenda në Shqipëri. Po, jashtë Shqipërisë kurrë nuk mund të tolerohet një gjë e tillë imorale. Brenda në Shqipëri mund të tolerohet luftimi midis një grupi dhe tjetrit, se në çdo vend parlamentar zihjet për ofiq dhe për t’ardhur në fuqi shihen të ligjshme. Po jashtë kufirit ç’qëllim mund të ketë një taktikë e tillë, kur ata që e këndojnë nuk mund të kenë asnjë veprim mbi rrjedhën politike të vendit? Efekti i një gjuhe të tillë nuk mund të jetë veç se diskreditimi i shtetit dhe i Shqipërisë, dhe pakësimi i patriotizmit në sytë e shqiptarëve që gjenden jashtë vendit të tyre, kur se ky vend ka nevojë për bashkëpunimin dhe ndihmën e të gjithë bijve të tij. Jemi qarë në kaptinat e shkuara nga faji i shqiptarit që ikën jashtë Shqipërisë dhe neglizhon strofkën e tij. Kemi nevojë tani që ajo lëvizje jashtëqendrore të kthehet në lëvizje bashkëqendrore, nga ekcentrike të bëhet koncentrike. T’i ndihim këtij eksodi drejt Shqipërisë dhe jo ta tmerrrojmë me botime të rreme, botime ku morali s’fiton gjë, po humbet shumë. Qahemi ngaqë shqiptari e ka të dobët frymën e disciplinës dhe përpiqemi që t’i shtojmë mungimin e disiplinës. Na vjen keq që vendi ynë shpopullohet: dhe bëjmë gjithë se na vjen dore që të largojmë nga Shqipëria edhe këtë të paktë popullatë që na mbetet.
( Botuar më 1926 )

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura